Pjesa e mbetur i drejtohet Perëndisë për mëshirë dhe përtëritje (Vajtimet 5)
5:1-14 Në këto vargje populli vajton gjendjen e tmerrshme që ka rënë mbi të, çmimet e larta të gjërave të domosdoshme (v. 4), puna e detyruar (v. 5), shtypja (v. 8), zia e bukës dhe rreziku (v. 9,10), barbarizmat e kryera kundër virgjëreshave, princërve dhe pleqve (v. 11,12), vuajtjet e të rinjve, të të vegjëlve dhe pleqve (v. 13,14).
5:15-18 Për shkak të tërë këtyre tmerreve gëzimi i Judës është pakësuar, vallja e tyre është shndërruar në zi, kurora e tyre ka rënë nga koka dhe mali Sion… është i shkretuar.
Arsyeja për këtë rrëfehet në këtë mënyrë: “Mjerë ne, sepse kemi mëkatuar!“.
5:19-22 Së fundi populli i kërkon Zotit t’i kthejë ata tek Ai në mënyrë që të rivendosen dhe të përtërihen. Është interesante se në shumë dorëshkrime hebraike vargu 21 përsëritet pas vargut 22, në pamje të parë për ta mbyllur librin më fort me një ngjyrë shprese sesa errësire [4]. Në fakt, ashtu siç e bën të ditur Kelli, një kuptim i drejtë i vargut 22 e bën një përsëritje të tillë të panevojshme:
Ky përfundim përkon plotësisht me karakterin e Vajtimeve, në të cilat ankimet dhe përgjërimet duhet të vazhdonin deri në fund; megjithatë jo pa një element shprese, edhe pse kjo e fundit nuk mund të ngrihet në lartësitë e fitores së gëzueshme, por, ashtu siç shprehet Gerlaku (Gerlach), janë si: ‘vagëllimat e vogla nga larg, si ylli i mëngjesit përmes reve, që në vetvete nuk mund të përhapin hijet e natës, edhe pse shpallin se lindja e diellit është afër dhe se do të sigurojë fitoren” [5].
SHËNIME
[1] (1:12-17) R. K. Harrison, Jeremiah and Lamentations, f. 210.
[2] (3:19-39) Nëse lexuesi do të falë një kujtesë vetjake, vargu 22 e 23 kanë një domethënie të veçantë për botuesin. Babait tim i pëlqente të citonte: “Është një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht” (v. 22) dhe himni i parapëlqyer i nënës sime: “E madhja besnikëri” mbështetet në vargun 23. Vetëm pasi ata shkuan me Zotin, kuptuam se ndjeshmëria e tyre, karakteristikë e jetës së të dyve, përshtateshin pikë për pikë me Vajtimet, kapitulli 3.
[3] (3:52-66) C. F. Keil, “Lamentations”, te Biblical Commentary on the Old Testament, XX:455.
[4] (5:19-22) Një përsëritje e tillë e ngjashme për lexime të shpeshta të përshtatshme për në sinagogë haset në fund të Predikuesit, Isaias dhe Malakias.
[5] Keil, “Lamentations”, XX:455.