Vajtimet

Është një kujtesë e mbytur se mëkati, pavarësisht nga tërë joshjet dhe eksitimet, merr me vete pesha të rënda brenge, trishtimi, mjerimi, shterpësie dhe dhimbjeje. Është ana tjetër e monedhës ‘ha, pi dhe gëzo’.Charles R. Swindoll

I. Vendi unik në Kanun

Ky libër i vogël quhet “Vajtimet” në versionet greqisht, latinisht dhe anglisht. Judenjtë i referohen atij me anë të fjalës së parë në hebraisht të kapitullit 1, 2 dhe 4, që përkthehet “Si” apo “Medet”. Libri përbëhet nga pesë poema të ndara, të bashkuara nga tema e përbashkët e shkatërrimit të Jerusalemit nga Nebukadnetsari më 586 para K. dhe nga struktura akrostike unike e katër kapitujve të parë.

Mbase për të thjeshtëzuar të kujtuarit përmendësh, rreshtat e poemave janë në rendin e alfabetit hebraik, një varg që fillon me çdo shkronjë, përveç kapitullit 3, ku çdo shkronjë fillon tre vargje në një rresht që nis me të njëjtën shkronjë. Kapitulli 5 ka të njëjtin numër vargjesh si alfabeti hebraik (njëzet e dy), por nuk është një formë akrostike.

Pavarësisht nga vështirësia e të shkruarit në një skelet të tillë të rreptë, libri vijon në shprehjen me zjarr të brengës patriotike dhe të brendshme.

II. Autorësia

Libri i Vajtimeve vetë nuk e cakton autorin e tij, por tradita se e ka shkruar Jeremia është e lashtë dhe nuk u sfidua deri në shekullin e 18-të.

Përkthimi grek (Septuaginta, LXX) i Vajtimeve jep faktikisht një hyrje, stili i së cilës duket se hedh idenë e origjinalit në hebraisht: “Dhe ndodhi, pasi Izraeli ishte çuar në robëri dhe Jerusalemi ishte shkretuar, kur Jeremia u ul duke vajtuar e qarë me këtë vaj mbi Jerusalemin dhe tha…” (këtu fillon kapitulli i parë).

Stili i librit hedh idenë “e profetit vajtues” dhe 2 i Kronikave 35:25 e lidh gjithashtu Jeremian me llojet e vajit apo krijime të vajtimit. Fakti se autori ishte një dëshmitar okular dhe se asnjë kandidat tjetër logjik nuk del në pah si autor e mbështet pikëpamjen tradicionale judaike dhe të krishterë se Jeremia e ka shkruar Librin e Vajtimeve.

III. Data

Përshkrimet e drejtpërdrejta të shkretimit të Sionit janë aq të gjalla dhe të ndezura, saqë ka të ngjarë të jetë shkruar menjëherë pas kësaj ngjarjeje (rreth 586 apo 585 para K.) dhe para se Jeremia të shkonte në Egjipt.

IV. Sfondi dhe tema

Rënia e Jerusalemit ishte një kohë vuajtjeje dhe ankthi të tmerrshëm. Ishte kjo katastrofë e frikshme që nxori Librin e Vajtimeve, i shtrydhur, besojmë, nga zemra e profetit Jeremia.

Ky libër formon një lloj shtojce të profecive të Jeremias. Ai përshkruan zinë e thellë të profetit për shkatërrimin e Jerusalemit dhe të tempullit. Në vend që të mburrej me faktin se profecitë e veta ishin përmbushur, ai vajton me hidhërim për mjerimet e popullit të tij.

Përveçse libri përfshin fjalët e Jeremias, ai gjithashtu mund të jetë shprehje e mendimit të:

  1. Brengës së pjesës së mbetur të judenjve, për të cilën Jeremia ishte një zëdhënës, ndërsa dëshmuan pushtimin babilonas.
  2. Ankthit të Mesias kur do të vinte për të vuajtur, për të derdhur gjak dhe për të vdekur në kryqin e Kalvarit (shikoni Vajtimet 1:12, për shembull).
  3. Brengës së pjesës së mbetur të judenjve në një kohë të ardhshme, kur do të thirren për të kaluar periudhën e Mundimit të Madh, kohën e mundimit të Jakobit.

Rruga për përtëritje

Mëkati – Vuajtja (1:8)

Brenga – Pendimi (1:20)

Lutje – Shpresa (3:19-24)

Besimi – Përtëritja (5:21)

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. SHKRETIMI I TMERRSHËM I JERUSALEMIT (1:1-11)
II. VAJTIMI I TRISHTUAR, RRËFIMI DHE LUTJA E POPULLIT (1:12-22)
A. Vajtimi (1:12-17)
B. Rrëfimi (1:18,19)
C. Lutja (1:20-22)
III. ZOTI I PARË SI NDËSHKUESI I JERUSALEMIT (kapitulli 2)
A. Pasojat e zemërimit të Perëndisë (2:1-13)
B. Shkaku i zemërimit të Perëndisë; dështimi i profetëve të rremë për të paralajmëruar popullin (2:14)
C. Përqeshja e kalimtarëve (2:15,16)
D. Përmbushja e kërcënimeve të Perëndisë (2:17)
E. Thirrja për pendim (2:18,19)
F. Lutja për mëshirën e Perëndisë (2:20-22)
IV. PROFETI SHPREH BRENGËN DHE RRËFIMIN E PJESËS SË MBETUR (kapitulli 3)
A. Gjykimet e Perëndisë (3:1-18)
B. Mëshirat e Zotit (3:19-39)
C. Thirrja për përtëritje frymërore (3:40-42)
D. Brenga e Jeremias për Jerusalemin (3:43-51)
E. Lutja e profetit për çlirim nga armiqtë e tij (3:52-66)
V. BALLAFAQIMI I SË SHKUARËS DHE I SË TASHMES SË JUDËS (4:1-20)
VI. E ARDHMJA – SHKATËRRIMI I EDOMIT DHE PËRTËRITJA E JUDËS (4:21,22)
VII. PJESA E MBETUR I DREJTOHET PERËNDISË PËR MËSHIRË DHE PËRTËRITJE (kapitulli 5)

[previous][next]