ORAKULLI I PARË QË THEKSON ARDHJEN E PARË TË MESIAS (kapitujt 9-11)

Kapitujt që mbeten përmbajnë dy orakuj. I pari, në kapitujt 9-11, thekson Ardhjen e Parë të Mesias, ndërsa i dyti, kapitujt 12-14, parashikon shfaqjen e lavdishme të Krishtit.

A. Kombet pagane do të gjykohen (9:1-8)

9:1-7 Këtu në kapitullin 9 gjykimi i Perëndisë shpallet, së pari, kundër Sirisë (Hadrakut, Damaskut dhe Hamathit, vargjet 1,2a), Tiros dhe Sidonit (vargjet 2b-4) dhe Filistisë (Ashkeloni, Gazës, Ekronit dhe Ashdodit, vargjet 5-7). Tiroja ishte krenar për pasuritë dhe kështjellat e tij, por Zoti do ta rrëzojë…atë në det. Qytetet filistinase do të tmerrohen kur të shohin rënien e Tiros; ato mendonin se ai ishte i pamposhtshëm. Vetë filistenjtë do të pastrohen nga idhujtaria dhe ata do të banojnë si klan në Izrael. Ekroni do të jetë si jebusenjtë, në kuptimin se ata do të jetojnë midis popullit të Izraelit si qytetarë besnikë dhe paqedashës.

9:8 Pushtuesit e huaj nuk do ta kërcënojnë më tempullin apo popullin. Në fakt, vargjet 1-8 kanë pasur një përmbushje të pjesshme kur fuqitë pagane u pushtuan nga Aleksandri i Madh (shikoni referimin për Greqinë në v. 13).

B. Ardhja e parë e Mesias në Sion (9:9)

Populli i Perëndisë nxitet më pas nga premtimi i ardhjes së Mesias (Mbretit). Vargu 9 përshkruan Ardhjen e Tij të Parë, me hir të përulur, mbi një gomar. Si Mateu, më judaiku i katër ungjijve, po ashtu edhe Gjoni, më universali, e citojnë këtë varg si referim për të ashtuquajturën “Hyrje triumfuese” të Zotit tonë në Jerusalem.

C. Çarmatimi dhe paqja universale në Ardhjen e Dytë të Krishtit (9:10)

Megjithatë, vargu 10 flet për Ardhjen e Tij të Dytë, kur të vijë në fuqi dhe lavdi të madhe. Armët e luftës do të shkatërrohen dhe Krishti do të mbretërojë “nga deti në det dhe nga Lumi deri në skaj të dheut” (Zakaria po citon Psa. 72:8). Koha e tashme e hirit është e fshehur midis vargjeve 9 e 10.

D. Kthimi i robërve në Jerusalem nga mërgimi (9:11,12)

Gjaku i besëlidhjes sime me ty” i referohet gjakut me anë të të cilit u vulos besëlidhja. Kjo shprehje mund t’i referohet besëlidhjes së ligjit (Eks. 24:8), besëlidhjes që garanton vendin e Izraelit (LiP. 30:1-10), besëlidhjes me Davidin (2 Sam. 7:4-17) apo marrëdhënies së përgjithshme të besëlidhjes së Izraelit me Jehovahun (versioni NKJ, Zot).

Robërit e Izraelit do të çlirohen nga gropa pa ujë e vendeve pagane dhe do të kthehen në fortesë, që mund të nënkuptojë Jerusalemin, Izraelin apo Vetë Perëndinë.

E. Triumfi i tërë Izraelit mbi Greqinë (9:13)

Juda dhe Izraeli (Efraimi) do të jenë kombe pushtuese në atë kohë, duke nënshtruar Javanin [Greqinë]. Kjo profeci është përmbushur pjesërisht në Luftën e Makabeut, më 175-163 para K. Ajo gjithashtu pararend përtëritjen përfundimtare të Izraelit nga shpërndarja mbarëbotërore.

F. Ndërhyrja e Jehovahut për të mbrojtur popullin e Tij (9:14-17)

Një komentues anonim përshkruan gjallërisht atë që çon në një “luftë të shenjtë”:

Fitimtarët e Perëndisë jo vetëm do të pijnë gjakun e armiqve të tyre të mundur dhe do të jenë si enët e flijimit të mbushura me gjak për t’u spërkatur në anët e altarit dhe të brirëve të tij, por ata do të kalojnë përmes triumfeve të kuqërremta të spërkatura me gjak si brirët e altarit.

Merrill Ënxheri (Merrill Unger) përshkruan dallimin midis Izraelit dhe armiqve të tij:

Në një antitezë të dukshme me armiqtë e Izraelit si gur hobeje shkelur në llucë, në vargun e mëparshëm, Zakaria i krahason bijtë fitimtarë të Sionit (mbetjen e shpëtuar) me gurë të çmuar të një kurore, e cila vezullon në vendin e Zotit. Figura është dukshëm e shpërblimit të dëshmorëve besnikë dhe shenjtorëve trima të Izraelit që do të hyjnë në mbretërinë e Mesias [10].

G. Nxitja e popullit për të kërkuar shi nga Zoti, jo nga idhujt (10:1,2)

Populli nxitet t’i kërkojë Zotit shiun dhe të mos i lutet idhujve të pavlerë. Idhujtaria bën që populli të endet si dhentë pa bari.

H. Perëndia do të ndëshkojë krerët e Judës, do të ngrejë Mesian dhe do t’i japë fitoren popullit (10:3-5)

10:3 Zemërimi i Perëndisë merr zjarr kundër barinjve dhe krerëve (cjepve) që e kanë bërë popullin të humbasë. Zoti do të vizitojë kopenë e tijJudës dhe do ta kthejë në një kalë lufte.

10:4,5 Shumë komentues e interpretojnë vargun 4 si një premtim të Mesias. Duke dalë nga Juda, Ai do të jetë guri i qoshes, kunji, harku i betejës dhe sunduesi. Të tjerë besojnë se kjo është një figurë e Izraelit të përtërirë. Feinbergu thotë se rreshti i fundit përshkruan atë që do të bëjë Mesia, pra, do të dëbojë shtypësit e huaj nga vendi [11] (shikoni versionin KJ). Sido që të jetë, njerëzit e Judës do të triumfojnë lavdishëm mbi çdo sundues.

I. Izraeli dhe Juda do të mblidhen dhe do të përtërihen përsëri (10:6-12)

Vargjet 6-12 parashikojnë mbledhjen si të Izraelit (Jozefit), ashtu edhe të Judës nga shpërndarja mbarëbotërore. Izraeli (Efraimi) do të jetë si një trim.

Zoti do t’u fishkëllejë njerëzve të Tij për t’i mbledhur dhe do t’i kthejë në vendin e Galaadit dhe në Liban nga Egjipti dhe nga Asiria, atje ku i kishte mbjellë apo shpërndarë. Kombet që më parë i kishin skllavëruar do të ndëshkohen dhe Juda e Izraeli do të lavdërohen në emër të Zotit. Përemri “Ai” në vargun 11 është Zoti. Vështirësitë me anë të të cilave do të godasë valët e detit mund të nënkuptojë gjithçka që mund të pengojë kthimin, ashtu siç u duk sikur Deti i Kuq do të pengonte Eksodin.

J. Krerët e pabesë do të ndëshkohen (11:1-3)

Kapitulli 11 trajton kundërshtimin e Mesias dhe shkatërrimin e Jerusalemit nga romakët dhe gjithashtu daljen e Antikrishtit.

Tri vargjet e para mund të jenë një përshkrim i fjalëpërfjalshëm i shkatërrimit të ndodhur në pyjet e Izraelit (Liban), si në vendet e larta, qoftë dhe në të ulëtat. Barinjtë ulërijnë sepse kullotat përgjatë Jordanit janë të prishura dhe delet e tyre nuk kanë asgjë për të ngrënë. Disa mendojnë se kjo tregon për shkretimin e vendit nga romakët më 70 pas K.

K. Mesia bëhet Bariu i vërtetë i vathës (11:4-8a)

11:4-6 Zoti e udhëzon Zakarian të marrë rolin e bariut për ato dele që janë caktuar për thertore. Në këtë Zakaria është një simbol i Zotit Jezus. Delet (mbetja e judenjve) ishin shfrytëzuar mizorisht nga barinjtë e tyre të mëparshëm (krerët). Perëndia kishte vendosur t’i linte banorët e ligj të vendit në duart e perandorit romak, të cilin ata do ta pranonin si mbretin e tyre (Gjoni 19:15).

11:7,8a Duke kryer rolin e bariut, Zakaria mori dy shkopinj: hiri dhe bashkimi. Ata përfaqësojnë dëshirën e Perëndisë për t’i treguar hir popullit të Tij dhe për të bashkuar Judën e Izraelin. Zakaria duhet të hidhte poshtë tre barinj të rremë, që zakonisht u referohen tre zyrtarëve: të mbretit, priftit dhe profetit, për të kryer punën e tij (Ënxheri [Unger] hedh idenë se tre barinjtë simbolizojnë tri rendet e kryesuesve në shtetin judaik: priftërinjtë, mësuesit e ligjit dhe gjyqtarët civilë. Ai shpjegon termat një muaj si periudhën e mosbesimit kulmor, para se krerët e Izraelit të kryqëzonin Zotin tonë) [12].

L. Mesia nuk pranohet nga populli i Tij (11:8b-14)

11:8b-11 Kur populli nuk e pranoi bariun, ai i la ata në fatin e tyre. Zakaria thyen atëherë shkopin e parë (Hirin) më dysh, duke shfuqizuar besëlidhjen që i pengonte paganët për të shtypur popullin e Perëndisë. Vetëm delet më të mjera të kopesë e kuptuan atë që po bënte Perëndia dhe pse.

11:12,13 Kur Zakaria kërkoi pagën e tij, ata i japin tridhjetë sikla argjendi, çmimi i shpengimit të një skllavi që ishte çarë nga një dem. Kjo pagesë i hidhej poçarit, një profeci për të treguar atë që do të bënte Juda pas tradhtimit të tij të Zotit.

11:14 Pastaj Zakaria theu shkopin tjetër, “Bashkimin”, duke treguar se vëllazëria ndërmjet Judës dhe Izraelit ishte thyer dhe se do të kishte përçarje dhe grindje të brendshme midis judenjve.

M. Perëndia i çliron ata nga Bariu-idhull [Antikrishti] (11:15-17)

Feinberg tregon se Epoka e Kishës fshihet midis vargjeve 14 e 15 [13]. Ngaqë Izraeli nuk e pranoi Bariun e Mirë, atij do t’i jepej një barii rremë. Zakaria e luan këtë rol duke marrë veglat e një bariu të pavlerë. Kjo tregon Antikrishtin e ardhshëm, që nuk do të kujdeset për delet, por do t’i plaçkitë dhe vrasë. Krahu i tij do të thahet krejt dhe syri i tij do të verbohet në betejë.


[previous][next]