Zakaria

Profecia e Zakarias është thellësisht e çmuar për të krishterin, për shkak të theksit të saj të përveçëm rreth Mesias dhe shpalosjes së saj panoramike të ndodhive të lidhura me ardhjen e parë dhe, në mënyrë të veçantë, me ardhjen e dytë të Krishtit dhe përtëritjen vijuese mijëvjeçare të kombit të Izraelit.Merrill F. Unger

I. Vendi unik në Kanun

Zanafilla, Psalmet dhe Isaia janë librat më të cituar në DhR, gjë e cila, duke marrë parasysh gjatësinë [e tekstit] dhe përmbajtjet e tyre thelbësore, nuk është për t’u habitur. Shumë do të habiteshin po të dinin se Zakaria, me vetëm katërmbëdhjetë kapitujt, citohet rreth dyzet herë në DhR. Pa dyshim kjo për shkak të faktit se libri flet shumë për Mesian, me siguri më i përqendruari rreth Krishtit nga Profetët e Vegjël.

Vegimet mahnitëse e simbolike të Zakarias, shto mesazhet dhe zbulimet e tij, rrisin rëndësinë dhe interesin e këtij libri të shkruar pas mërgimit.

II. Autorësia

Ka rreth tridhjetë burra në DhV që quhen Zakaria (Jehovahu kujton), i njëjti emër [përdoret] edhe në DhR.

Ky profet dhe prift mund të ketë lindur në Babiloni gjatë mërgimit. Nehemia përmend mbërritjen e tij në Jerusalem (12:4,16) dhe Esdra përmend shërbesën e tij (5:1; 6:14). Zakaria vazhdoi shërbesën e shkurtër publike të Hagait të moshuar për t’i dhënë zemër pjesës së mbetur.

Zakaria pati një shërbesë të gjatë dhe shkroi kapitujt 9-14 mbase më vonë se pjesët e datuara.

III. Data

Zakaria i filloi profecitë e tij më 520 para K., në të njëjtin vit kur shërbeu Hagai, por ai vazhdoi për të paktën tre vjet.

IV. Sfondi dhe tema

Zakaria ishte biri i Berekiahut. Ashtu si Hagai ai ishte një profet për popullin e Judës që ishte kthyer në vend pas robërisë. Ai u bashkua me Hagain për t’u dhënë zemër atyre që të ndërtonin tempullin (Esdra 5:1). Profecia e Zakarias nisi në mes të mesazhit të dytë e të tretë të Hagait.

Në tetë vegime, duke përdorur së tepërmi gjuhën simbolike, ai parashikoi përmbysjen e fuqive botërore pagane, gjykimin e judenjve besimmohues për shkak të mospranimit të tyre të Krishtit, pastrimin, përtëritjen dhe lavdinë e mbetjes besnike dhe begatinë e ardhshme të Jerusalemit. Pesë vegimet e para janë mesazhe të hirit; tri të fundit janë gjykime.

Profecitë e njohura të Zakarias rreth Mesias parathonë hyrjen e Tij në Jerusalem (9:9), tradhtinë ndaj Tij për tridhjetë monedha argjendi (11:12,13), vdekjen e Tij si Bariu i goditur (13:7), ardhjen e Tij përsëri në malin e Ullinjve (14:4) dhe Mbretërimin e Tij Mijëvjeçar si Kryeprift dhe Mbret (14:9).

Ndërsa shumë prej profecive kanë pasur një zbatim apo përmbushje të pjesshme në kohën e Zakarias, ka shumë të tjera që i përkasin ende së ardhmes.

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. NXITJE PËR PENDIM, BINDJE DHE PARALAJMËRIMI PËR TË NXJERRË MËSIME NGA GABIMET E ETËRVE (1:1-6)
II. SERITË E TETË VEGIMEVE, DHËNË PËR TË NXITUR POPULLIN QË TË RINDËRTOJË TEMPULLIN (1:7-6:8)
   A. Njeriu që ngiste një kalë të kuq (1:7-17)
   B. Katër brirët dhe katër kovaçët (1:18-21)
   C. Njeriu me një litar për matje (kapitulli 2)
   D. Jozueu, kryeprifti (kapitulli 3)
   E. Shandani i artë dhe dy pemët e ullinjve (kapitulli 4)
   F. Rrotulla fluturuese (5:1-4)
   G. Gruaja në kosh (5:5-11)
   H. Katër qerret (6:1-8)
III. JOZUEU I KURORËZUAR SI KRYEPRIFT (6:9-15)
IV. JUDENJTË NGA BETHELI PYESIN RRETH VAZHDIMËSISË SË AGJËRIMIT (kapitujt 7,8)
   A. Pyetja rreth agjërimit (7:1-3)
   B. Mesazhi i parë (7:4-7)
   C. Mesazhi i dytë (7:8-14)
   D. Mesazhi i tretë (8:1-17)
   E. Mesazhi i katërt (8:18-23)
V. ORAKULLI I PARË QË THEKSON ARDHJEN E PARË TË MESIAS (kapitujt 9-11)
   A. Kombet pagane do të gjykohen (9:1-8)
   B. Ardhja e parë e Mesias në Sion (9:9)
   C. Çarmatimi dhe paqja universale në Ardhjen e Dytë të Krishtit (9:10)
   D. Kthimi i robërve në Jerusalem nga mërgimi (9:11,12)
   E. Triumfi i tërë Izraelit mbi Greqinë (9:13)
   F. Ndërhyrja e Jehovahut për të mbrojtur popullin e Tij (9:14-17)
   G. Nxitja e popullit për të kërkuar shi nga Zoti, jo nga idhujt (10:1,2)
   H. Perëndia do të ndëshkojë krerët e Judës, do të ngrejë Mesian dhe do t’i japë fitoren popullit (10:3-5)
   I. Izraeli dhe Juda do të mblidhen dhe do të përtërihen përsëri (10:6-12)
   J. Krerët e pabesë do të ndëshkohen (11:1-3)
   K. Mesia bëhet Bariu i vërtetë i vathës (11:4-8a)
   L. Mesia nuk pranohet nga populli i Tij (11:8b-14)
   M. Perëndia i çliron ata nga Bariu-idhull [Antikrishti] (11:15-17)
VI. ORAKULLI I DYTË QË THEKSON ARDHJEN E DYTË TË MESIAS (kapitujt 12-14)
   A. Jerusalemi do të jetë një burim shqetësimi për kombet (12:1-3)
   B. Zoti do të shkatërrojë armiqtë e Judës (12:4)
   C. Judenjtë do ta pranojnë Perëndinë si forcën e tyre (12:5)
   D. Juda e largët do të përpijë armiqtë e saj dhe do të jetë e para që do të sigurojë fitoren (12:6-9)
   E. Kombi do të mbajë zi për mospranimin prej tij të Mesias (12:10-14)
   F. Parashikimi do të bëhet për pastrimin nga mëkati (13:1)
   G. Idhujt dhe profetët e rremë do të dëbohen (13:2-6)
   H. Mesia do të vritet dhe Izraeli do të shpërndahet (13:7)
   I. Një mbetje e kombit do të kthehet te Zoti (13:8,9)
   J. Paganët do të mblidhen kundër Jerusalemit (14:1,2)
   K. Vetë Zoti do të ndërhyjë (14:3-5)
   L. Ndryshimet kozmike të motit dhe në ndriçim (14:6,7)
   M. Lumi i ujit të gjallë (14:8)
   N. Krishti do të mbretërojë si mbret (14:9)
   O. Ndryshimet gjeografike në vend (14:10)
   P. Banimi dhe siguria e Jerusalemit (14:11)
   Q. Plaga dhe paniku do të pushtojnë armiqtë paganë (14:12-15)
   R. Të mbijetuarit paganë do të adhurojnë në Jerusalem, ose do të jenë nën dënimin e plagës (14:16-19)
   S. Edhe pajisjet, dhe objektet e zakonshme do t’i shenjtërohen Zotit dhe tregtarët nuk do të bëjnë pazar në shtëpinë e Zotit (14:20,21)