A. Jerusalemi do të jetë një burim shqetësimi për kombet (12:1-3)
Këtu kombet pagane shihen duke marshuar kundër… Jerusalemit në një ditë të ardhshme. Të gjithë ata që i kanë sjellë probleme qytetit do të pësojnë probleme. Ata do të lëndojë veten e tyre duke u përpjekur të ngrenë këtë gur mulliri të rëndë.
B. Zoti do të shkatërrojë armiqtë e Judës (12:4)
Atë ditë Perëndia do të qëllojë pushtuesit, si kuajt ashtu edhe kalorësit, me hutim dhe frikë.
C. Judenjtë do ta pranojnë Perëndinë si forcën e tyre (12:5)
Krerët e Judës, jashtë Jerusalemit, do të thonë në zemër të tyre se banorët e Jerusalemit kanë fuqi… në Zotin.
D. Juda e largët do të përpijë armiqtë e saj dhe do të jetë e para që do të sigurojë fitoren (12:6-9)
Atë ditë… krerët e Judës do të jenë si një zjarr përpirës, duke djegur çdo gjë që prekin. Fitorja do të vijë më parë për banorët e Judës së largët, në mënyrë që njerëzit e Jerusalemit të mos ngrihen mbi ta. Banorët e Jerusalemit do të mbrohen dhe do të forcohen dhe kombet pushtuese pagane do të shkatërrohen.
E. Kombi do të mbajë zi për mospranimin prej tij të Mesias (12:10-14)
Populli do të hidhërohet shumë kur të shikojnë Mesian që kanë therur. “Dhe ata do të vështrojnë drejt meje, drejt atij që kanë therur; do të pikëllohen për të, ashtu si pikëllohesh për një bir të vetëm” (v. 10b). Vini re fjalët “drejt meje“. Ai që kanë therur ishte Zoti Jezus Krisht, Jehovahu. Vajtimi për birin e vetëm ishte forma më e thellë e brengës për një izraelit. Rreth “pikëllimit të Hadad-rimonit” (v. 11) shikoni 2 Kronikave 35:20-24. Vajtuesit do të përfshijnë familjen mbretërore, profetët (Nathani), priftërinjtë (Levi), mësuesit (Shimei) dhe popullin. Disa mendojnë se Shimei duhet të jetë Simeoni [14], i cili, bashkë me Levin, u tregua mizor ndaj njerëzve të Sikemit (Zanafilla 34:25)… Vini re përsëritjen e fjalëve “për vete” (v. 12-14); rrëfimi i vërtetë kërkon që ne të jemi vetëm me Perëndinë.
F. Parashikimi do të bëhet për pastrimin nga mëkati (13:1)
Vargu i parë i kapitullit 13 lidhet ngushtë me kapitullin e mëparshëm. Pasi populli i Judës dhe i Izraelit u pendua për mospranimin prej tyre të Mesias, atëherë do të vijojë një ditë e madhe kombëtare e shlyerjes. Burimi për pastrim u hap në Kalvar, por Izraeli nuk do të futet si komb në të mirat e tij deri në Ardhjen e Dytë.
G. Idhujt dhe profetët e rremë do të dëbohen (13:2-6)
13:2 Vendi do të pastrohet nga idhujt, profetët e rremë dhe frymët e papastra do të dëbohen.
13:3-5 Këto vargje përshkruajnë në pamje të parë zemërimin që do të bjerë mbi profetët e rremë në kohën e përtëritjes së Izraelit. Nëse një njeri hiqet në mënyrë të rreme si një profet, prindërit e vet do ta kërcënojnë dhe do ta godasin pas shpine. Njerëzit nuk do të shpallin lehtë se janë profetë nëse nuk janë të dërguar me të vërtetë nga Perëndia, por do të njëjtësohen si bujq apo me çfarëdolloj profesioni që kanë.
13:6 Nëse një profet i rremë është goditur pas shpine, apo nëse ka plagë që janë shkaktuar vetë si pasojë e praktikave të tij nëpër kulte profetësh të rremë, ai nuk do t’i japë arsyet e vërteta kur ta marrin në pyetje. Për më tepër, ai do të japë disa përgjigje të dykuptimta, si për shembull: “Janë ato me të cilat jam plagosur në shtëpinë e miqve të mi”.
Shumë predikues të përkushtuar e kanë përdorur vargun 6 si referim ndaj Zotit tonë Jezu Krisht dhe plagëve të kryqit që mori në Kalvar. Megjithatë, duket e vështirë ta përshtatësh një kuptim të tillë në kontekstin që ka parasysh një profet të rremë [15]. Në zellin tonë për të mbrojtur pjesët mesianike të DhV nga mosbesimi i kritikëve racionalistë duhet të kemi kujdes të mos e nxjerrim një varg nga caqet e tij.
Një mësues biblik konservator, Koleman Lak (G. Coleman Luck), pranon interpretimin jomesianik:
Njeriu që morën në pyetje mohon të ketë qenë ndonjëherë profet i rremë. Megjithatë, ai që e merr në pyetje është dyshues dhe ngul këmbë në hetimin e tij. Ishte zakon për profetët e rremë të përdornin prerje apo plagë në trupat e tyre (shikoni 1 Mbretërve 18:28; Jer. 16:6 etj.) [16].
Hollësi të tjera në vetë vargun i shkojnë më mirë përshtat profetit të rremë. Në hebraisht fjala duart (versioni KJ) u referohet parakrahëve. Shprehja “Këto plagë që ke në duart e tua“, ashtu siç e përkthen versioni NKJ më saktësisht, mund t’i referohen çdo lloj plage në trungun e dikujt, para apo pas, siç mund të bëhen në prerjet e kulteve (apo nga “miku” i dikujt, nëse profeti i rremë po thoshte të vërtetën). Gjithashtu, Zoti ynë nuk mori plagë në shtëpinë e miqve të Tij, por në atë të armiqve të Tij më mizorë.
H. Mesia do të vritet dhe Izraeli do të shpërndahet (13:7)
Vargu 7 nis një pjesë që të gjithë studentët besimtarë të Biblës e mbajnë si mesianike. Jehovahu e urdhëron shpatën e Tij të zgjohet… kundër Zotit Jezus. Bariu u godit në Kalvar dhe delet judease janë shpërndarë që nga ajo kohë.
I. Një mbetje e kombit do të kthehet te Zoti (13:8,9)
Për shkak të mospranimit të tyre të Zotit Jezus, dy të tretat e kombit do të vdesë gjatë Mundimit të Madh, megjithatë një mbetje prej një të trete do të ruhet. Kjo mbetje do të pastrohet si argjendi dhe ari. Ata do ta pranojnë Perëndinë dhe Ai do t’i pranojë ata si “Populli Im“.
J. Paganët do të mblidhen kundër Jerusalemit (14:1,2)
Dita e Zotit këtu i referohet rrethimit përfundimtar të Jerusalemit nga kombet. Ushtritë pushtuese do të ndajnë plaçkën që kanë marrë brenda qytetit. Gjysma e popullit do të çohet në robëri dhe gjysma tjetër do të mbesë.
K. Vetë Zoti do të ndërhyjë (14:3-5)
Pastaj Vetë Zoti do të vijë sipër Malit të Ullinjve. Mali… do të çahet në mes, gjysma e tij drejt veriut dhe gjysma tjetër drejt jugut, me një luginë të madhe në mes. “Kështu Zoti, Perëndia im do të vijë, dhe gjithë të shenjtit e Tij do të jenë me ty“. Ënxheri (Unger) shpjegon:
Për të treguar ekstazën e tij, shikuesi kalon nga ligjërata e zhdrejtë në atë të drejtë, një dukuri që haset shpesh në stilin e gjallë hebraik [17].
L. Ndryshimet kozmike të motit dhe në ndriçim (14:6,7)
Domethënia e saktë e kësaj pjese është aq e zymtë, saqë shumë versione moderne (si Moffatti, RS-ja, NEB-i, NI-ja) kanë përshtatur një apo më tepër nga përkthimet e lashta, të cilat përcjellin idenë “se tërë skajet e temperaturës do të rriten” [18]. Ballduini (Baldwin) jep një përkthim tjetër të fjalisë së fundit të vargut 6 në tekstin hebraik: “‘dritëlëshuesit (yjet) do të mpiksen, pra, do të humbasin shkëlqimin e tyre” [19].
Domethënia e përgjithshme e tekstit është e qartë: ndryshimet e parashikuara do të jenë të një shtrirjeje kozmike.
Ënxheri, i cili i kundërshton leximet e mbështetura në versionet e hershme si “tejet të gabuara”, e shikon ditën si një periudhë (Dita e Zotit), jo si një interval kohor njëzetekatërorësh. Ai e lidh këtë pjesë me Isaian 30:26:
Për më tepër drita e hënës do të jetë si drita e diellit dhe drita e diellit do të shtatëfishohet, si drita e shtatë ditëve, në ditën që Zoti do të lidhë vurratën e popullit të Tij dhe do të shërojë goditjen e plagëve të tyre [20].
M. Lumi i ujit të gjallë (14:8)
Nga Jerusalemi do të burojnë ujëra të freskëta, gjysma për në Detin e Vdekur (deti lindor) dhe gjysma drejt detit Mesdhe (deti perëndimor) në çdo stinë.
N. Krishti do të mbretërojë si mbret (14:9)
Zoti do të jetë mbret mbi gjithë dheun dhe Ai do të pranohet si Perëndia i vetëm i vërtetë.
O. Ndryshimet gjeografike në vend (14:10)
Gjithë vendi do të shndërrohet në fushë dhe Jerusalemi do të jetë përmbi pjesën tjetër të dheut.
P. Banimi dhe siguria e Jerusalemit (14:11)
Jerusalemi… do të banohet në vendin e vet dhe njerëzit që banojnë në të nuk do të jenë më nën kërcënimin e pushtimit armik dhe për t’u shfarosur.
Q. Plaga dhe paniku do të pushtojnë armiqtë paganë (14:12-15)
Kronologjikisht këto vargje duhet të vijnë pas 14:3, që përshkruan Krishtin tek mund armiqtë e Izraelit. Këta armiq do të goditen me një plagë të tmerrshme [21]: “mishi i tyre do të konsumohet ndërsa ata qëndrojnë në këmbë, sytë e tyre do të konsumohen në zgavrat e tyre dhe gjuha e tyre do të konsumohet në gojën e tyre“. Do të ketë një çoroditje të madhe nga Zoti. Fshatrat e Judës do të ndihmojnë në mbrojtje të Jerusalemit dhe plaçka do të jetë e madhe.
R. Të mbijetuarit paganë do të adhurojnë në Jerusalem, ose do të jenë nën dënimin e plagës (14:16-19)
Kombet e mbijetuara pagane do të shkojnë në Jerusalem çdo vit për të adhuruar Mbretin, Zotin e ushtrive, dhe për të kremtuar Festën e Kasolleve. Ënxheri (Unger) shpjegon pse:
Festa e Kasolleve është e vetmja festë e shtatë festave judaike, që përfaqësohet në këtë profeci për t’u kremtuar në epokën e mbretërisë. Pse? Është e vetmja festë që në atë kohë do të jetë në mënyrë tipike e papërmbushur dhe e vetmja që do të jetë në procesin e përmbushjes nga vetë mbretëria [22].
Ata që nuk do të pranojnë për të ardhur dhe për të adhuruar, do të vuajnë nga thatësia. Egjipti përmendet në mënyrë të veçantë si një ndër kombet që nuk do të ketë shi nëse nuk bindet.
S. Edhe pajisjet, dhe objektet e zakonshme do t’i shenjtërohen Zotit dhe tregtarët nuk do të bëjnë pazar në shtëpinë e Zotit (14:20,21)
Atë ditë çdo gjë do të jetë “SHENJTËRIM ZOTIT”. Nuk do të ketë ndryshim midis “së zakonshmes” dhe “së shenjtës”. Madje edhe zilkat e kuajve dhe vazot e zakonshme në Jerusalem dhe në Judë do të jenë të shenjta! Tregtarët [kanaanenjtë], një term tallës për një matrapaz apo një njeri të papastër, do të dëbohen nga tempulli, shtëpia e Zotit… të ushtrive.
SHËNIME
strong>
[1] (1:18-21) Disa e shikojnë katrën vetëm si përfaqësim “plotësia e së kundërtës, ashtu siç përfaqëson tërë drejtimet në vegimin e tetë” (Joyce G. Baldwin, Haggai, Zechariah, Malachi, f. 407). Megjithatë, referimi i veçantë për kombet individuale është një interpretim i lashtë. [2] (1:18-21) G. Coleman Luck, Zechariah, f. 26,27. [3] (3:8,9) Merrill F. Unger, Zechariah: Prophet of Messiah’s Glory, f. 64,65. [4] (3:8,9) Arno C. Gaebelein, Studies in Zechariah, f. 42. [5] (4:1-6) Unger, Zechariah, f. 75. [6] (6:9-13) Ia vlen të vëmë re se Joshua dhe Jeshua (forma hebraike për Jezusin) janë në të vërtetë i njëjti emër. [7] (6:9-13) David Baron, The New Order of Priesthood, f. 30 shënime fundore. [8] (7:1-3) Bethel nga hebraishtja është shtëpia e Perëndisë, por tempulli quhet shtëpia e Zotit (Jehovahut), kështu nënkuptohet qyteti i Bethelit, në dallim me traditën e versioneve KJ dhe NKJ. Vini re gjithashtu se në është me shkronja të pjerrëta (v. 2), duke nënkuptuar se nuk është në hebraisht (por nuk është as nga). Ashtu siç vë re Baldwin-i: “Mënyra e saktë për ta përkthyer këtë varg nuk është shumë e qartë” (Shikoni Joyce G. Baldwin, Haggai, Zechariah, Malachi, f. 141-143). [9] (7:8-14) William Kelly, Lectures Introductory to the Study of the Minor Prophets, f. 467. [10] (9:14-17) Unger, Zechariah, f. 170. [11] (10:4,5) Charles Lee Feinberg, God Remembers, f. 188. [12] (11:7,8a) Unger, Zechariah, f. 195. [13] (11:15-17) Feinberg, God Remembers, f. 211. [14] (12:10-14) Në hebraisht Simeon është Shimon. Në tekstin e lashtë bashkëtingëllor [ku ishin shkruar vetëm bashkëtingëlloret], para se të shtoheshin zanoret, kjo mund të kopjohej keq si Shimei. [15] (13:6) Unger, një studiues i lashtë i DhV, ia përshtat këtë varg Krishtit, por pranon se vetëm disa studiues biblikë janë dakord me të:Guximi i kësaj profecie mesianike dhe befasinë dramatike me të cilën paraqitet kanë verbuar pjesën më të madhe të shtjelluesve nga domethënia e vërtetë e saj sepse ata mendojnë se ajo lidhet në mënyrë të pandashme me vargjet 2-5 dhe, për këtë arsye, kanë ende në mendje profetin e rremë dhe të ndërfutësh Mesian do të thotë të injorosh në mënyrë të hapur kontekstin.
Dr. Unger vazhdon me disa faqe të komentimit të tij për të mbrojtur këtë paraqitje (f. 228-230).
[16] (13:6) G. Coleman Luck, Zechariah, f. 113. [17] (14:3-5) Unger, Zechariah, f. 250. [18] (14:6,7) Baldwin, Haggai, Zechariah, Malachi, f. 203. [19] (14:6,7) Baldwin, Haggai, Zechariah, Malachi, f. 203. [20] (14:6,7) Unger, Zechariah, f. 252, 253. [21] (14:12-15) Shumë lexues modernë kanë vënë re se sa shumë i ngjan kjo pjesë pasojave të tmerrshme të një sulmi bërthamor. [22] (14:16-19) Unger, Zechariah, f. 265.BIBLIOGRAFI
Baldwin, Joyce G. Haggai, Zechariah, Malachi: An Introduction and Commentary. Downers Grove, III: InterVarsity Press, 1972.
Feinberg, Charles Lee. God Remembers. Nju-Jork: American Board of Missions to the Jews, Inc. 1965.
Gaebelein, Arno C. Studies in Zechariah. Nju-Jork: Our Hope Publishers, 1904.
Laney, J. Carl. “Zechariah“, tek Everyman’s Bible Commentary. Çikago: Moody Press, 1984.
Lindsey, F. Duane. “Zechariah“, te The Bible Knowledge Commentary. Wheaton: Victor Books, 1985.
Luck, G. Coleman. Zechariah. Çikago: Moody Press, 1969.
Mills, Montague S. “Zechariah“, te The Minor Prophets: A Survey. Shpërndarë nga 3E Ministries. Dallas: pa datë botimi.
Tatford, Frederick A. The Minor Prophets. Vëll. 3, ribotim (3 vëll.). Minneapolis: Klock & Klock Christian Publishers, 1982.
Tatford, Frederick A. Prophet of the Myrtle Grove. Eastbourne, England: Prophetic Witness Publishing House, 1971.
Unger, Merrill F. Zechariah: Prophet of Messiah’s Glory. Grand Rapids: Zondervan Publishing House, 1962.