«Ti kërkon gjëra të mëdha për veten? Mos i kërko» (Jer. 45:5).
Ekziston një tundim i mprehtë, madje dhe në shërbesën e krishterë, që të bëhesh i madh, që dikush ta shoh emrin në revista apo ta dëgjojë në radio. Por ky është një kurth i madh. Kjo i heq lavdi Krishtit. Kjo na heq neve paqen dhe gëzimin. Dhe na bën shënjestra parësore për plumbat e djallit.
Kjo i heq lavdi Krishtit. Siç ka thënë C. H. Mekintosh (C. H. Mackintosh): «Ekziston gjithnjë rreziku më i madh kur shquhet dikush apo vepra e tij. Ai mund të jetë i sigurt se Satani po i arrin objektivat e tij kur vëmendja tërhiqet drejt diçkaje apo dikujt tjetër veç vetë Zotit Jezus. Një vepër mund të filloj në thjeshtësinë më të madhe të mundshme, por nga mungesa e vigjilencës së shenjtë dhe aspektit frymëror nga ana e punëtorit, ai vetë ose rezultati i veprës së tij mund të tërheqë vëmendje të përgjithshme dhe ai mund të të bjerë në kurthin e djallit. Qëllimi i madh dhe pareshtur i Satanit është që të çnderojë Zotin Jezus. Dhe nëse këtë mund ta bëjë nga ajo që duket si shërbesë e krishterë, ai i ka arritur të gjitha fitoret e mëdha për këtë kohë». Edhe Deni (Denney) e ka thënë shumë mirë: «Asnjë njeri nuk mund të provojë njëkohësisht që ai është i madh dhe që Krishti është i mrekullueshëm».
Ne i heqim vetvetes në këtë drejtim. Dikush tha: «Nuk njoha kurrë paqe dhe gëzim të vërtetë në shërbesë, derisa pushova së përpjekuri për të qenë i madh».
Dhe dëshira për t’u bërë të mëdhenj na bën të pambrojtur nga sulmet e Satanit. Rënia e një personaliteti të mirënjohur i sjell trup më të madh kauzës së Krishtit.
Gjon Pagëzori hoqi dorë pareshtur mbi çdo pretendim për madhështi. Motoja e tij ishte: «Ai duhet të rritet dhe unë të zvogëlohem».
Gjithashtu edhe ne duhet të ulemi në vendin më të ulët, derisa Zoti të na thërrasë për të shkuar më lart. Një lutje e mirë për secilin për ne është: «Më mbaj të vogël e të panjohur, të dashur dhe të vlerësuar vetëm nga Krishti».
Nazareti ishte një vend i vogël –
dhe kështu ishte edhe Galileja.