ÇFARË DASHURIE ËSHTË KJO?
PSE E HUMB PERËNDIA kohën e përpjekjen e Tij dhe kohën e përpjekjen e shumë profetëve të Tij duke iu lutur atyre të cilët, sipas kalvinizmit, nuk mund ta dëgjojnë dhe – edhe sikur ta dëgjonin, duke qenë plotësisht të shthurur – nuk do t’i përgjigjen kurrë thirrjes së Tij duke i besuar dhe iu bindur? A nuk do të ishte hipokrizi e llojit më të keq që Perëndia të shprehte interes për mirëqenien e përjetshme të atyre që ka paracaktuar për mundim të përjetshëm? Pse duhej krijuar një trillim i tillë i përpunuar zije dhe vaji për turma njerëzish për të cilët Perëndia di që jo vetëm do të refuzojnë të pendohen, por të cilët, nëse nuk i rilind, nuk mund të pendohen për shkak të paaftësisë së tyre të plotë për të bërë një gjë të tillë?
Përkundrazi, Perëndia duhet t’i bëjë thirrje ndërgjegjes dhe vullnetit njerëzor – diçka që kalvinizmi nuk mund ta lejojë për të pazgjedhurit. Pinku argumenton se “të pohosh se ai [njeriu] është faktor i lirë do të thotë të mohosh se ai është plotësisht i shthurur”{{1}}. Por njeriu është një faktor i lirë, ashtu siç do ta shohim.
Pse Fryma e Shenjtë, përmes Shkrimit, jep në mënyrë të përsëritur përshtypjen se Perëndia dëshiron që të gjithë njerëzit të pendohen dhe i urdhëron ata dhe u lutet të bëjnë një gjë të tillë, ndërsa, në të njëjtën kohë, u refuzon të gjithëve, përveç grupit të zgjedhur, mjetet thelbësore për t’u penduar? Pse duhet të vajtojë dhe të lutet Perëndia ndaj atyre për të cilët Ai nuk mund të ketë as dashuri as interes të vërtetë, duke i paracaktuar tashmë për ndëshkim të përjetshëm? Beku (Beck) pohon: “Ai [njeriu] është i lirë të kthehet te Krishti, por i paaftë”{{2}}. Kjo është njësoj sikur të thuash se njeriu është i lirë të shkojë në Mars kur të dojë. A mos është kjo një shaka? Kalvinisti duket i pavetëdijshëm për kontradiktën e asaj që po thotë. Brysoni (Bryson) ngre një pyetje logjike:
Dhe meqë të parilindurit janë dënuar [paracaktuar për dënim nga dekreti i Perëndisë] si rezultat i një zgjedhje të bërë vetëm nga Perëndia, si mund të jenë ata përgjegjës për humbjen e tyre […] dhe dënimin e pashmangshëm?{{3}}
Do të ishte një tallje e rëndë për Perëndinë t’i premtonte njeriut se, nëse ai do ta kërkonte me seriozitet dhe sinqeritet, do ta gjente Atë, nëse në fakt do të ishte e pamundur që njeriu të bënte një gjë të tillë nëse Perëndia nuk e rilind [më parë]. Megjithatë, e frymëzuar nga Fryma e Shenjtë tërë Bibla, nga Zanafilla te Zbulesa, jep mbresën e qartë se ata të cilëve Perëndia u është lutur me dashjen e tyre mund të pendoheshin dhe të ktheheshin tek Ai nëse do të kishin dëshiruar një gjë të tillë. Duke e marrë Shkrimin shabllon, H. A. Ajrënsaidi (H. A. Ironside) tha:
Predikuesi i ungjillit mund të shpallë pa ndonjë rezervë mendore faktin e bekuar se kushdo që dëshiron mund të marrë ujin e jetës falas (Zbulesa 22:17). Kjo nuk është një çështje e të qenit i lejuar për të pranuar Krishtin si Shpëtimtar. Është një përgjërim serioz për ta bërë këtë (theksimi i shtuar){{4}}.
Zgjedhja dhe përgjegjësia njerëzore
Frederik Farari ka thënë me të drejtë se çka urdhëron Perëndia “duhet të jetë sipas fuqisë së vullnetit, meqë aftësia është masa e detyrimit”{{5}}. G. Kambëll Morgani (G. Campbell Morgan) pohon me vendosmëri: “Ne nuk mund ta studiojmë Biblën pa u ballafaquar me përgjegjësinë vetjake…. Kur zëri i Perëndisë flet, vullneti i njeriut është i lirë t’i bindet ose jo”{{6}}. Keneth Formëni (Kenneth Foreman) thotë: “Nëse ka diçka që Bibla tregon është se Perëndia i konsideron njerëzit përgjegjës për veprimet e tyre. Fjala ‘duhet” e Perëndisë u drejtohet njerëzve të lirë, jo kukullave”{{7}}.
Megjithatë, Gershtneri ngul këmbë rreth kontradiktës që është prej natyre në kalvinizëm: “Është vendimi yt të zgjedhësh apo të refuzosh Krishtin, por kjo nuk është sipas vullnetit tënd të lirë”{{8}}. Se si mund të jetë vendimi im, kur nuk jam i lirë të zgjedh, është kuptimplotë vetëm për kalvinistët. Për gjithë të tjerët një pohim i tillë është tejet i paarsyeshëm dhe kontradiktor.
Kalvinizmi kërkon në mënyrë të qartë përkufizimin e tij tipik të fjalëve. Pinku shkruan: “Ata që flasin për ‘vullnetin e lirë” të njeriut dhe që ngulin këmbë në fuqinë e tij të pandarë qoftë për të pranuar, qoftë për të refuzuar Shpëtimtarin, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shprehin injorancën e tyre të gjendjes së vërtetë të bijve të rënë të Adamit”{{9}}. Megjithatë Jezusi mësoi në mënyrë të qartë se njeriu i parilindur mund të kryejë me të vërtetë një zgjedhje të vullnetshme për të bërë vullnetin e Perëndisë dhe kështu të njohë të vërtetën: “Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij [të Perëndisë], do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime” (Gjoni 7:17). Ai ua drejtoi shprehjen “në qoftë se dikush don” jo një grupi të zgjedhur, por turmave dhe rabinëve të parilindur që së shpejti do ta kryqëzonin. Peshkopi J. C. Rili (J. C. Ryle), i cili qëndroi me shumë vendosmëri kundër katolicizmit në Angli në shekullin e nëntëmbëdhjetë, komenton:
Gjuha angleze këtu nuk arrin të japë forcën e plotë të greqishtes. Fjalë për fjalë është: “Në qoftë se dikush dëshiron të bëjë – ka një mendje dhe dëshirën dhe prirjen të bëjë vullnetin e Perëndisë…”. Nuk duhet harruar kurrë se Perëndia na trajton si qenie morale dhe jo si bisha dhe gurë{{10}}.
Gjatë shekujve kuptimi jokalvinist i Shkrimit rreth përgjegjësisë dhe aftësisë së njeriut është shprehur me mjeshtëri nga shumë udhëheqës të krishterë. Megjithatë, kalvinistët janë të ndarë në dy grupe. Një baptist i mirënjohur shkruan: “Individi jo vetëm që duhet të veprojë për vetveten, por është i vetmi që mund të bëjë një gjë të tillë. Perëndia e ka bërë atë të aftë”{{11}}. Ndërsa duket se pohon “paaftësinë” për shkak të shthurjes, në të njëjtën kohë A. H. Strongu (A. H. Strong) ngul këmbë: “Mëkatari mund […] ta kërkojë Perëndinë për motive egoiste […] mëkatari mund […] t’i kushtojë vëmendje të vërtetës hyjnore”{{12}}. Grifith Tomasi (Griffith Thomas) shkruan: “Shthurje totale nuk do të thotë humbje absolute e […] lirisë së shpirtit për të zgjedhur […] veprimeve të ndërgjegjshme. Në këtë kuptim liria jonë është e vërtetë dhe hyrja e mëkatit [në botë] nuk e ka prekur…. Njeriu i rënë ka aftësinë e vullnetit, ashtu siç ka edhe aftësi të tjera…”{{13}}. Në të njëjtin drejtim, W. L. Petingili (W. L. Pettingill) argumenton nga Shkrimi: “Cilido që dëshiron mund të vijë. Ai vetëm duhet të shkojë dhe Perëndia do të bëjë pjesën tjetër”{{14}}.
Çfarë Perëndie është ky?
Që Perëndia të veprojë ashtu siç mëson kalvinizmi do të ishte e papajtueshme me sigurinë e përsëritur në Fjalën e Tij se Ai është i mëshirshëm dhe i dashur ndaj të gjithëve. Kalvinisti i zotuar W. G. T. Shedi (W. G. T. Shedd) shkruan: “Akuzat që janë bërë […] që kur nuk mbahen mend janë, se kalvinizmi e paraqet Perëndinë si një sovran tiranik, që s’ka dashuri dhe mëshirë për askënd, përveç një grupi të zgjedhurish, që i ngarkon njeriut shthurjen e djajve, duke i hequr atij lirinë morale dhe e nënshtron ndaj mizorisë arbitrare të një Qenie që krijon disa njerëz në mënyrë që t’i dënojë”{{15}}. Ashtu siç po argumentojmë gjerësisht, kjo akuzë është e vërtetë. Në fakt, Shedi pranon se kjo akuzë është bërë edhe nga disa kalvinistë kundër asaj të cilën e quajnë hiperkalvinizëm{{16}}. Megjithatë, ashtu siç tashmë kemi parë, dhe do ta tregojmë edhe në mënyrë më të plotë, kalvinistët që akuzojnë të tjerët se janë “hiper” [“tepër”] aktualisht besojnë të njëjtën gjë, por përpiqen të mbulojnë faktin me një të folur të dyfishtë.
Kalvinisti, duke mbrojtur shtrembërimin e tij ndaj Perëndisë, argumenton se që Perëndia të rilindte në mënyrë të hirshme tërë njerëzimin në vend të një grupi të zgjedhur vetëm sa “do të dhunonte drejtësinë e Tij, e cila kërkon ndëshkimin e mëkatit”{{17}}. Përkundrazi, nëse shpëtimi dhe rilindja e të zgjedhurve nuk është dhunim i karakterit apo drejtësisë së Tij, as nuk do të jetë dhunim nga ana e Tij të bëjë të njëjtën gjë për tërë njerëzimin. Pse duhet të kufizohet mëshira e pafund e Perëndisë për një grup të zgjedhurish? Me anë të kësaj pikëpamje të skajshme të sovranitetit, kalvinizmi e fajëson më tepër Perëndinë sesa mëkatarin për refuzimin e tij të Krishtit dhe rrënimin e tij të përjetshëm.
Kalvinisti, për të justifikuar besimet e tij, argumenton në mënyrë të rreme se t’u përgjërohesh atyre që nuk mund të përgjigjen “është një mënyrë e drejtë dhe e domosdoshme për Perëndinë të veprojë kështu që njeriu të konsiderohet përgjegjës si krijesë e rënë dhe mëkatare, pavarësisht nga paaftësia e tij për t’u përgjigjur”{{18}}. Ky sugjerim është fyes për arsyetimin e shëndoshë dhe ndërgjegjen që Perëndia i ka dhënë njeriut. Perëndia nuk i përgjërohet njeriut të bëjë, me anë të dekretit të tij të pandryshuar, atë që nuk mund të bëjë, për ta konsideruar përgjegjës! Megjithatë Kalvini, një avokat, pohoi se kjo ishte drejtësia e Perëndisë në veprim.
Pas pohimit se Perëndia rilind vetëm një grup të zgjedhurish, Palmeri ngazëllon: “Çfarë Perëndie i mirë!”{{19}}. I mirë për të zgjedhurit e kalvinizmit, por me siguri jo i mirë për ata të cilit Ai mund t’i shpëtonte, por në vend të kësaj i dënoi për vuajtje të përjetshme. Në fakt, Perëndia i Biblës është i mirë ndaj të gjithëve:
- Sepse ti, o Zot, je i mirë dhe i gatshëm të falësh, dhe tregon mirësi të madhe ndaj gjithë atyre që të kërkojnë (Psalmi 86:5).
- Dora e Perëndisë tonë është mbi të gjithë ata që kërkojnë për të mirën e tyre… (Ezdra 8:22).
- Jezusi prej Nazareti […] e përshkoi vendin duke bërë mirë dhe duke shëruar të gjithë ata që ishin të pushtuar nga djalli, sepse Perëndia ishte me të (Veprat 10:38) [A ishin vetëm të zgjedhurit “të pushtuar nga djalli”?].
- Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhembshuri për të gjitha veprat e tij (Psalmi 145:9).
Si mund të rritet përgjegjësia e atyre që janë të paaftë t’i përgjigjen përgjërimit dhe paralajmërimit? Në vend të kësaj, kushdo që ia refuzoi ndihmën atij që kishte nevojë është përgjegjës. Megjithatë ky refuzim imoral dhe i paramenduar i shpëtimit i atribuohet Perëndisë me justifikimin se është “kënaqësi për Perëndinë të bëjë një gjë të tillë”. A do të shfajësohej dikush që qëndron në anë dhe shikon dikë që është duke u mbytur, të cilin mund ta kishte shpëtuar, nëse do të shpjegonte se kishte qenë “pëlqimi i tij i mirë” të bënte një gjë të tillë? A nuk ka Perëndia një standard më të lartë – madje të përsosur – dashurie dhe interesimi? T’i atribuosh një egërsi të tillë Perëndisë do të thotë ta shtrembërosh së tepërmi dhe ta dëmtosh!
Një çështje jo sovraniteti por karakteri
Perëndia, për shkak të fajit tonë si mëkatarë, me siguri ka të drejtën të na dënojë të gjithëve. Megjithatë, drejtësia e Tij nuk i kërkon Atij të dënojë disa mëkatarë dhe jo të tjerët, të pazgjedhurit, por jo të zgjedhurit, meqë të gjithë janë në mënyrë të njëjtë të shthurur dhe fajtorë. Gjithashtu nuk është as e arsyeshme as biblike që Perëndia, i cili është i pafund në dashuri dhe mëshirë, të lejojë këdo të dënohet, të cilin Ai mund ta kishte çliruar. Shumë pjesë të Shkrimit pohojnë qartë se Perëndia e dërgoi Birin e Tij për të qenë “Shpëtimtari i botës” (Gjoni 4:42; 1 Gjonit 4:2) dhe se Krishti në kryq pagoi ndëshkimin për mëkatet e tërë botës në mënyrë që Perëndia “të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin në Jezusin” (Romakëve 3:25, 26). Në mënyrë tragjike kalvinizmi e kufizon shpengimin e Krishtit dhe mëshirën e dashurisë së pafund të Perëndisë.
Megjithatë, është për t’u çuditur se pjesa më e madhe e kalvinistëve pohojnë se nuk shohin ndonjë kontradiktë midis Perëndisë së dashurisë të paraqitur në Bibël, “i cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen” (1 Timoteut 2:4) dhe Perëndisë i cili “shpëton ata që dëshiron thjesht sipas pëlqimit të tij të mirë”{{20}} dhe e lë pjesën tjetër të njerëzimit pa mëshirën dhe hirin e Tij, sepse “ishte pëlqimi i tij i mirë t’i caktonte [ata] për shkatërrim”{{21}}.
Kalvinistët, duke u përpjekur t’u shpëtojnë pasojave të qarta të kësaj doktrine të vajtueshme, argumentojnë se edhe pse njeriu plotësisht i shthurur nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të refuzojë ungjillin, Perëndia mbetet gjithsesi përsosurisht i drejtë duke e quajtur atë [njeriun] përgjegjës dhe duke e ndëshkuar. Pali shpjegon se si Perëndia mund t’i falë mëkatarët (Romakëve 3:21-30), por në asnjë pjesë të tij Shkrimi nuk shpjegon se si Perëndia mund të dënojë me të drejtë për mëkat ata që janë të paaftë të bëjnë gjë tjetër, të cilët i ka paracaktuar të mëkatojnë dhe për shkatërrim të përjetshëm përpara se të lindnin.
Një mik kalvinist, pa ndjenjë të dukshme ironie, i cili kritikoi tekstin e parë akoma të pabotuar të këtij libri, duke pohuar se unë nuk e “kuptoja kalvinizmin”, shkruan:
As nuk mohojnë kalvinistët se njerëzit mund t’i përgjigjen ungjillit apo [mësojnë] se Perëndia u refuzon aftësinë për t’u përgjigjur. Ata përgjigjen […] negativisht. Dhe kjo përgjigje nuk ka të bëjë me refuzimin e ndonjë gjëje nga ana e Perëndisë…. Perëndia nuk e pengon njeriun të shkojë tek Ai. Ata janë të lirë të shkojnë tek Ai nëse duan. Ajo që Perëndia refuzon është mëshira e Tij, për të cilën Ai nuk është i detyruar ta japë meqë është dëshira e njeriut të mos njohë Perëndinë{{22}}.
Jo një çështje detyrimi
Sigurisht, Perëndia i kalvinizmit i ndalon të pazgjedhurit të shkojnë tek Ai duke u refuzuar hirin pa të cilin askush nuk mund të besojë. Për më tepër, Ai i ka paracaktuar ata për dënim të përjetshëm – as nuk e ka dhënë Birin e Tij të vdesë për ta, sipas doktrinës së shlyerjes së kufizuar. A mund të ketë arsye më të forta për të ndaluar të pazgjedhurit që të shpëtohen nëpërmjet besimit në Krishtin? Ajo që nënkupton ky mik me sa duket është se Perëndia nuk refuzon asgjë për të cilën Ai është i detyruar ta japë.
Sigurisht, Perëndia nuk detyrohet të shfaqë mëshirë apo hir ndaj asnjërit. Nga vetë përkufizimi mëshira dhe hiri jepen plotësisht pa asnjë detyrim. Kështu, nuk mund të justifikojmë dështimin e Perëndisë së kalvinizmit që nuk e shfaq mëshirën dhe hirin ndaj të gjithëve duke thënë thjesht se Ai nuk e ka për detyrë të bëjë një gjë të tillë. Detyrimi nuk është baza për shfaqjen e hirit dhe të mëshirës, por më tepër, dashuria dhe dëshira për të plotësuar nevojën e mëkatarit.
Të gjitha cilësitë e Perëndisë janë të pafundme dhe në baraspeshë të plotë. Midis këtyre cilësive është mëshira: “Por ti, o Zot, je një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur që zemërohet ngadalë dhe që ka shumë mirësi dhe të vërtetë” (Psalmi 86:15). Në tërë Shkrimin bëhet e qartë se Perëndia është i pafund në mëshirë. Ai kërkon nga ne që “të duam mëshirën” dhe Atij “i pëlqen të jetë i mëshirshëm” (Mikea 7:18; 6:8). Pali na thotë se Perëndia “është i pasur në mëshirë” (Efesianëve 2:4) dhe se Ai i ka shpallur si judenjtë ashtu edhe paganët “të gjithë në padëgjesë, që të ketë mëshirë për të gjithë” (Romakëve 11:32).
A japin këto pjesë të Shkrimit sugjerimin më të vogël se Perëndia e kufizon hirin dhe mëshirën e Tij vetëm për një grup të zgjedhurish? Asnjë pjesë e Shkrimit nuk thotë një gjë të tillë!
Rrëfimet biblike të marrëveshjeve të Perëndisë me njeriun, në dallim me kalvinizmin, tregojnë se Perëndia dëshiron dhe tregon me dashuri, hir dhe mëshirë një ofertë të vërtetë pendimi e shpëtimi për tërë njerëzimin. Gjuha e qartë e Shkrimit pohon se Perëndia dëshiron me të vërtetë të bindë dhe të shpëtojë të gjithë ata që janë të humbur – dhe se të gjithë kanë aftësinë të kthehen tek Ai nëse e dëshirojnë një gjë të tillë. Ky përfundim shprehet ndaj lexuesit nga qindra pohime të qarta në Bibël, duke u bërë thirrje njerëzve të pendohen dhe të kthehen te Perëndia. Megjithatë, kalvinizmi mohon domethënien e qartë të këtyre teksteve të Shkrimit.
Pse hahet Perëndia me njeriun?
Kalvinisti ngul këmbë se të jesh frymërisht i vdekur në mëkat do të thotë se njeriu nuk mund të dëgjojë më ungjillin apo t’i përgjigjet Perëndisë ashtu sikur të ishte fizikisht i vdekur. Megjithatë në vetë kontekstin e demaskimit të parë të zemrës së ligë të njeriut, të cilën kalvinisti e ofron si provë të shthurjes totale, dëgjojmë Perëndinë që thotë: “Fryma im nuk do të hahet gjithnjë me njeriun” (Zanafilla 6:3).
Si mund të ketë një “ngatërresë” të vërtetë nëse njeriu është i vdekur në mëkat dhe kështu nuk mund të dëgjojë, aq më pak të bindet? Pse duhet të hahet Fryma e Perëndisë me një kufomë? Dhe si mund të përpiqet sinqerisht Perëndia të bindë që të besojnë ata për të cilët Krishti nuk ka vdekur dhe të cilëve u refuzon besimin për të besuar? Tërë mësimi i kalvinizmit mohon sinqeritetin nga ana e Perëndisë duke u ofruar në pamje të parë shpëtim atyre që nuk ka interes t’i shpëtojë.
Në tërë Biblën shohim Perëndinë që përpiqet dhe i lutet njeriut derisa, në momente të ndryshme dhe me persona të ndryshëm, na thuhet që, për shkak të rebelimit të vazhdueshëm të njeriut, Perëndia resht së foluri me të: “Prandaj [Ai] i braktis[i] në ashpërsinë e zemrës së tyre, me qëllim që të ecnin sipas bindjeve të tyre” (Psalmi 81:12); “Prandaj Perëndia ia dorëzoi papastërtisë në epshet e zemrave të tyre, për të çnderuar trupat e tyre në mes vetë atyre” (Romakëve 1:24).
“Dorëzimi” tregon se ka qenë një moment kur Perëndia po përpiqej me të vërtetë t’i bindte dhe t’i fitonte ata dhe nuk ishte dorëzuar. Por ka ndodhur një ndryshim në veprimet e Perëndisë ndaj tyre, një ndryshim jo në zemrën apo dëshirën e Perëndisë – të cilat janë të pandryshueshme – por në marrëveshjet e Tij me ata që i kanë ngurtësuar aq shumë zemrat e tyre ndaj Tij, saqë nuk ka më vend për Të që të përpiqet [t’u flasë] atyre.
Megjithatë, nëse kalvinizmi do të ishte i vërtetë atëherë nuk do të kishte fare përpjekje të vërtetë, asnjë ofertë bona fide pendimi, besimi dhe shpengimi, asnjë dëshirë të sinqertë nga ana e Perëndisë që t’i shohë të shpëtuar të pazgjedhurit. Në të vërtetë, për kalvinistin Perëndia nuk hahet me asnjë, sepse shpëtimi apo dënimi i të gjithëve është një çështje paracaktimi i njërës apo tjetrës palë. Nuk do të ishte as e qëllimshme as e nevojshme që Perëndia të hahet apo t’i lutet njeriut nëse fati i përjetshëm i të zgjedhurve dhe i jo të zgjedhurve është caktuar nga përjetësia e shkuar sipas dekretit të Perëndisë.
Nëse kalvinizmi do të ishte i vërtetë atëherë do të ishte e pakuptim për Perëndinë të thotë se Fryma e Tij nuk do të hahet gjithnjë me njeriun.
Të zënë në një labirint kundërshtimesh
Duke u përpjekur për të mohuar këtë mospërputhje të dukshme dhe duke u veçuar kështu nga “hiperkalvinistët”, Xhon MekArturi i Riu thotë: “Dashuria e Perëndisë është për botën në përgjithësi, racën njerëzore, tërë njerëzimin”{{23}}. Si provë, ai thotë: “…fakti që Perëndia premton të falë […] dhe madje u lutet mëkatarëve të pendohen – vërteton dashurinë e tij ndaj tyre”{{24}}. A e ka MekArturi seriozisht?! Kjo provon dashurinë e Perëndisë që Ai t’u lutet kufomave frymërore të cilat as nuk mund të dëgjojnë as të përgjigjen, të cilët nuk i ka zgjedhur në mënyrë sovrane për të besuar në Të{{25}}, ndaj të cilëve refuzon hirin për të besuar dhe për të cilët Krishti nuk ka vdekur?
“Të moderuarit”, si MekArturi, për të treguar se nuk janë “hiperkalvinistë”, guxojnë të thonë se Perëndia i do ata të cilët “me anë të këshillës së tij të përjetshme dhe të pandryshueshme […] ishte pëlqimi i tij t’i caktonte për shkatërrim!”{{26}}. MekArturi, duke u përpjekur të justifikojë këtë kundërshtim të pastër, propozon një dallim midis “vullnetit të dekretit të Perëndisë (qëllimit të Tij të përjetshëm) [dhe] vullnetit të dëshirës së Perëndisë. Ka një dallim midis dëshirës së Perëndisë dhe qëllimit të Tij të përjetshëm shpëtues, i cili duhet të kapërcejë dëshirat e Tij”. Ku thotë Bibla se qëllimi i Perëndisë “duhet të kapërcejë dëshirat e Tij”? Një konflikt i tillë i brendshëm midis qëllimit dhe dëshirës është i pamundur për Perëndinë! Si mund të “dëshirojë” Perëndia megjithatë të mos e synoj a dekretoj?
MekArturi, duke komentuar shprehjen “dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen” te 1 Timoteut 2:4, shkruan: “Në qëllimin e Tij të përjetshëm, Ai zgjodhi vetëm të zgjedhurit nga bota (Gjoni 17:6) dhe i la mënjanë të tjerët, duke i lënë në pasojat e mëkateve të tyre…”{{27}}. Megjithatë, MekArturi, duke u përpjekur t’i shpëtojë stigmatizimit të hiperkalvinizmit e zë veten në kurth me teorinë se Perëndia dëshiron diçka që Ai nuk e realizon, edhe kur këtë ai mund ta realizonte – një kundërshtim i qartë po ashtu edhe një mohim i plotfuqishmërisë së Perëndisë dhe një tërheqje nga një tekst shumë i përdorur kalvinist: “që vepron të gjitha sipas këshillës së vullnetit të tij” (Efesianëve 1:11).
A ka ndonjë dallim midis kalvinistëve të moderuar dhe hiperkalvinistëve? Nëse po, vetë Kalvini, i cili bënte shpesh pohime të tilla si “me anë të providencës së tij të përjetshme ata ishin të caktuar përpara lindjes për shkatërrim të përjetshëm”{{28}}, ishte “hiperkalvinist”. Por themeluesi i kalvinizmit nuk mund të jetë më hiperkalvinist se themeluesi i islamit një mysliman ekstremist. Ashtu siç e përkufizon Muhamedi islamin, po kështu Kalvini e përkufizon kalvinizmin – përndryshe nuk duhet të quhet kalvinizëm.
Në fakt, ashtu siç do të shohim, paracaktimi i të pazgjedhurve për mundim të përjetshëm, duke mos qenë fare hiperkalvinizëm, është një dogmë bazë që rrjedh në mënyrë të pashmangshme nga pesë pikat e tij. Po ashtu nuk është e arsyeshme të pohosh se Perëndia i do me të vërtetë ata për të cilët nuk ka patur kurrë qëllimin t’i shpëtojë dhe për të cilët Krishti nuk vdiq.
Xhon Pajpëri përpiqet t’i çlirojë të moderuarit nga të qenit “hiperkalvinistë” duke pohuar (ashtu si MekArturi) se Perëndia ka “dy vullnete” dhe se nuk është “skizofreni hyjnore” që Perëndia të dëshirojë që të gjithë njerëzit të shpëtohen (1 Timoteut 2:4) dhe “…të zgjedhë [vetëm] ata që vërtet do të shpëtohen…”{{29}}. Kjo është sofizëm! Ai shkon edhe më tej duke thënë: “Sa herë që ungjilli u predikohet jobesimtarëve është mëshira e Perëndisë që u jep këtë mundësi për shpëtim”{{30}}. Që predikimi i ungjillit u jep mundësi për shpëtim atyre për të cilët Krishti nuk vdiq, për të cilët Perëndia nuk ka patur kurrë qëllim t’i shpëtonte dhe të cilët, në fakt, i ka paracaktuar tashmë në përjetësi për në liqenin e zjarrit, është kulmi i kontradiktës. Megjithatë, kjo është një prej shumë absurditeteve të padurueshme që të moderuarit përpiqen ta mbajnë për të larguar veten nga ata që i nënçmojnë si hiperkalvinistë!
[[1]] Arthur W. Pink, The Sovereignty of God (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 2nd prtg. 1984), 138.[[1]] [[2]] Frank B. Beck, The Five Points of Calvinism (Lithgow, Australia: Covenanter Press, botimi i dytë australian, 1986), 10.[[2]] [[3]] George L. Bryson, The Five Points of Calvinism: “Weighed and Found Wanting” (Costa Mesa, CA: The Word for Today, 1996), 36.[[3]] [[4]] H. A. Ironside, What’s the Answer? (Grand Rapids, MI: Zondervan, 1944), 43-44.[[4]] [[5]] Frederic W. Farrar, A Manual of Christian Doctrine (The Alliance Press, n. d.), 76.[[5]] [[6]] G. Campbell Morgan, The Westminster Pulpit (Grand Rapids, MI: Fleming H. Revell, 1954), II:306-307.[[6]] [[7]] Kenneth J. Foreman, God’s Will and Ours (Richmond, VA: Outlook Publishers, 1954), 42.[[7]] [[8]] John H. Gerstner, A Primer on Free Will (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1982), 10.[[8]] [[9]] Pink, Sovereignty, parathënie e librit të parë, faqe e parë pa numër rendor.[[9]] [[10]] John C. Ryle, Expository Thoughts on the Gospel of John (Wm. Hunt and Co., 1883), III: 16, 22.[[10]] [[11]] W. R. White, Baptist Distinctives (Sunday School Board, SBC, 1946), 24-25.[[11]] [[12]] Augustus H. Strong, Systematic Theology (Valley Forge, PA: Judson Press, 1907), 640.[[12]] [[13]] W. H. Griffith Thomas, The Principles of Theology (Londër: Longmans, Green and Co., 1930), 165, 180.[[13]] [[14]] William L. Pettingill, Bible Questions Answered (Just A Word Inc., botimi i tretë, 1935), 374.[[14]] [[15]] William G. T. Shedd, Calvinism: Pure and Mixed (Carlisle, PA: The Banner of Truth Trust, 1999), 15.[[15]] [[16]] Po aty.[[16]] [[17]] Një mik kalvinist i Dave Hunt, koment kritik në pjesën anësore të dorëshkrimit paraprak të librit. Në dosje.[[17]] [[18]] Një recensues kalvinist i Dejv Hantit, shënim në pjesën anësore të dorëshkrimit paraprak të librit. Në dosje.[[18]] [[19]] Edwin H. Palmer, the five points of calvinism (Grand Rapids, MI: Baker Books, botim i zgjeruar, 20th prtg. 1980), 21.[[19]] [[20]] John Calvin, Institutes of the Christian Religion, përkth. Henry Beveridge (Grand Rapids, MI: Wm. B. Eerdmans Publishing Company, botim i 1998), III: xxi, 1.[[20]] [[21]] Po aty, III :xxi, 7.[[21]] [[22]] Një recensues i Dejv Hantit, koment në pjesën anësore të dorëshkrimit paraprak të librit. Në dosje.[[22]] [[23]] John MacArthur, Jr., The Love of God (Dallas, TX: Word Publishing, 1997), 86.[[23]] [[24]] Po aty, 15.[[24]] [[25]] John MacArthur, Jr., Saved Without a Doubt – MacArthur Study Series (Colorado Springs, CO: Chariot Victor Publishing, 1992), 58-59.[[25]] [[26]] Calvin, Institutes, III:xxi, 7.[[26]] [[27]] John MacArthur, The MacArthur Study Bible (Nashville, TN: Word Publishing, 1997), 1862.[[27]] [[28]] Calvin, Institutes, III: xxi, 7.[[28]] [[29]] John Piper, “Are There Two Wills in God?” te Still Sovereign: Contemporary Perspectives on Election, Foreknowledge, and Grace, botim i Thomas R. Schreiner dhe Bruce A. Ware (Grand Rapids, MI: Baker Books, 2000), 107.[[29]] [[30]] John Piper and Pastoral Staff, “TULIP: What We Believe About the Five Points of Calvinism: Position Paper of the Pastoral Staff” (Minneapolis, MN: Desiring God Ministries, 1997),[[30]] [previous][next]