Kur “dashuria” nuk është dashuri?

ÇFARË DASHURIE ËSHTË KJO?

NЁ NJЁ DISKUTIM RADIOFONIK me Xhejms Uajtin, unë iu referova vajtimit të Krishtit ndaj Jerusalemit. I tregova shprehjen e Tij të dëshirës (“Sa herë kam dashur”) dhe vajtimit të Tij për përgjigjen e ngurtësuar të Jerusalemit (“ju nuk deshët”) si provë të ofertës së Tij të sinqertë të hirit dhe të drejtës dhe aftësisë së njeriut për të pranuar apo refuzuar shpëtimin:

Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e t’u ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët! (Mateu 23:37)

Uajti kundërshtoi duke thënë që Krishti nuk po qante për Jerusalemin dhe se ata që Ai donte t’i mblidhte ishin bijtë e Jerusalemit, jo udhëheqësit fetarë që e refuzuan Atë. “Ju nuk deshët” – nguli këmbë ai, shpreh qëndrimin e rabinëve, jo të “bijve” të Jerusalemit të cilët donte t’i mblidhte nën kujdesin e Tij.

Megjithatë, ky argument nuk i vjen në ndihmë Uajtit apo kalvinistëve të tjerë për ta përdorur. Shumë pak nga “bijtë” e Jerusalemit, për të mos thënë vetëm disa, aq më pak nga drejtuesit e tij, besuan në Krishtin. Prandaj, edhe sikur Krishti të nënkuptonte vetëm bijtë, Ai po shprehte një dëshirë për shpëtimin e shumë vetave që nuk ishin shpëtuar ndonjëherë.

A qau me të vërtetë Krishti për Jerusalemin?

Këtu kemi edhe një shembull tjetër të mënyrës se si kalvinistët duhet të shtrembërojnë Shkrimin në mbrojtje të doktrinës së tyre të çuditshme. Në fakt, shprehjet “bijtë e Jerusalemit” apo “bijtë e Izraelit” etj., përdoret në mbarë Shkrimin për të treguar “popullin” e një qyteti, vendi apo race – asnjëherë të vegjlit e saj. Kur nënkuptohet vetëm fëmijët e vegjël, konteksti gjithmonë e bën këtë fakt të qartë, si për shembull: “Edhe gratë dhe fëmijët u gëzuan…” (Nehemia 12:43).

Shprehja “bijtë e Izraelit” haset 644 herë, “bijtë e Amonit” 89 herë, “bijtë e Beniaminit” 36 herë”, “bijtë e Perëndisë” 10 herë dhe asnjëherë në këto 779 raste nuk i referohet të vegjëlve! Shprehja e veçantë “bijtë e Jerusalemit” përdoret te Joeli 3:6 për “banorët e Jerusalemit” – saktësisht siç nënkuptoi Krishti në vajtimin e Tij. Midis shumë referencave të ngjashme ndaj “bijve” dhe “Jerusalemit” (asnjë prej tyre nuk nënkupton në mënyrë ekskluzive të vegjlit) gjejmë:

Në Jerusalem u vendosën disa nga bijtë e Judës, nga bijtë e Beniaminit dhe nga bijtë e Efraimit dhe të Manasit (1 Kronikave 9:3); bijtë dhe bijat e Judës dhe të Jerusalemit (2 Kronikave 28:10); bijtë e Izraelit, që ishin në Jerusalem (2 Kronikave 30:21); të gjithë të kthyerit nga robëria, me qëllim që të mblidheshin në Jerusalem (Ezdra 10:7); ata të krahinës që […] ishin kthyer në Jerusalem… (Nehemia 7:6); Jerusalem […] bijtë e t’u më kanë braktisur […] ata kanë shkelur kurorën dhe mbushin shtëpitë e kurvërimit […] secili hingëllin prapa gruas së fqinjit të tij […] thotë Zoti, ‘dhe nuk do të hakmerrem unë me një komb të tillë?’ (Jeremia 5:1-9);  etj.

Ka shumë referime të tilla të ngjashme, të cilat u referohen në mënyrë të qartë banorëve të Jerusalemit apo ndonjë qyteti ose vendi tjetër dhe asnjë prej tyre nuk i referohet në mënyrë ekskluzive të vegjëlve. Krishti, në dashurinë e Tij të madhe, po i lutet në mënyrë të qartë Izraelit – ashtu siç ka bërë përmes profetëve të Tij për shekuj me radhë dhe ashtu siç i lutet akoma botës për të cilën vdiq.

Mospajtim në radhët e tyre

 Argumenti i Uajtit (i cili përdoret nga shumë kalvinistë) është jo vetëm i paarsyeshëm dhe jobiblik, por madje disa kalvinistë kryesues nuk pajtohen me të. Xhon MekArturi i Riu pranon se Krishti po shpreh të njëjtën dëshirë për shpëtimin e tërë banorëve të Jerusalemit që ka shprehur prej kohësh si Perëndia i Izraelit përmes profetëve të Tij! [1] Ai pohon se “Jezusi qan për qytetin e Jerusalemit […] ne nuk mund t’i bëjmë bisht përfundimit se dashuria mirëdashëse dhe e mëshirshme e Perëndisë është e pakufizuar në shtrirje…. Luka 19:41-44 jep madje edhe një figurë më të hollësishme të brengës së Krishtit ndaj qytetit…” [2]. Dhe MekArturi madje sugjeron se “qyteti i Jerusalemit [përfaqëson] kombin izraelit” [3].

Luteri ka pohuar gjithashtu: “Në Krishtin, Perëndia vjen për të kërkuar shpëtimin e tërë njerëzve; Ai ofron Vetveten për të gjithë; Ai qan për Jerusalemin sepse Jerusalemi e refuzoi Atë…. Këtu Perëndia i mishëruar thotë: ‘Unë desha dhe ju nuk deshët’. Perëndia i mishëruar […] u dërgua për këtë qëllim, të donte, të thoshte, të bënte, të vuante dhe të ofrohej për të gjithë njerëzit, gjithçka që është e domosdoshme për shpëtimin megjithëse zemëron shumë, të cilët, duke qenë të braktisur apo të ngurtësuar nga vullneti sekret i Madhështisë nga Perëndia […] nuk e pranojnë atë…” [4].

Spërxhëni, në një kundërshtim të mëtejshëm të miratimit të tij herë të tjera të shlyerjes së kufizuar, zbaton gjithashtu fjalët e Krishtit si ndaj tërë Jerusalemit ashtu edhe ndaj tërë mëkatarëve:

Në emrin e Krishtit kam qarë për ju ashtu siç bëri Shpëtimtari dhe kam përdorur fjalët e tij në emër të tij: “Jerusalem, Jerusalem…! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e t’u ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët!”. Oh! Perëndia lutet me […] secilin nga ju: “Pendohuni dhe kthehuni për faljen e mëkateve tuaja…”. Dhe me dashuri hyjnore ai përpiqet t’ju fitojë […] duke thirrur: “Ejani tek unë…”.

“Jo” – thotë një njeri me doktrinë të fortë – “Perëndia nuk i fton të gjithë njerëzit të vetvetja…”. Ndalo, zotëri…. A ke lexuar ndonjëherë…:  “Viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë. Por ata, pa e përfillur, shkuan […] në punët e veta…”. Tani, nëse ftesa është […] bërë [vetëm] njeriut që e pranon atë, si mund të jetë e vërtetë kjo shëmbëlltyrë? Fakti është se […] ftesa është e lirë…. “Kushdo le të vijë…”.

Tani […] disa prej jush [mund] të thonë se isha […] arminian në fund. Nuk më intereson. Ju lutem edh ju […] kthehuni te Zoti me gjithë zemrën tuaj [5].

Spërxhëni paraqet një pikë të shkëlqyer. Krishti e krahason mbretërinë e Perëndisë me një darkë tek e cila janë ftuar njerëz (Luka 14:15-24). Në shëmbëlltyrë, nuk ka dyshim që është bërë një ftesë e vërtetë, as se shumë prej atyre që u ftuan, për të mos thënë pjesa më e madhe, refuzuan dhe madje e tallën ftesën dhe pësuan zemërimin e Zotit: “Sepse unë po ju them se asnjë nga ata njerëz që ishin të ftuar, nuk do ta shijojë darkën time” (vargu 24).

Problemi për kalvinistin është të shpjegojë se si Perëndia mund të ftojë me sinqeritet në mbretërinë e Tij ata për të cilët Krishti nuk ka vdekur, të cilët Ai nuk i ka zgjedhur për shpëtim, të cilët i ka paracaktuar nga përjetësia e largët për mundim të përjetshëm dhe që nuk mund ta pranojnë sepse Ai u refuzon atyre hirin që kanë nevojë – dhe më pas i ndëshkon që nuk i janë përgjigjur “ftesës” së Tij. Ou, vërtet! Dhe pse i dërgon shërbëtorët e Tij të “detyrojnë” ata “nëpër udhë dhe përgjatë gardheve […] të hyjnë që të mbushet shtëpia” (vargu 23), nëse rilindja është një vepër sovrane e Perëndisë pa përgjigje nga ana njerëzore? Dhe nëse besimi është një dhuratë dhe hiri është i papërballueshëm, si mund të refuzojnë të zgjedhurit ftesën e sinqertë? Spërxhëni nuk u përgjigjet këtyre pyetjeve, duke ditur se ai do të akuzohet për “arminian në fund”.

Gjithashtu nuk kemi takuar asnjë kalvinist që të përpiqet t’i përgjigjet Spërxhënit. E vetmja përgjigje e arsyeshme dhe biblike është të braktiset kalvinizmi, gjë të cilën Spërxhëni nuk do ta bënte, edhe pse vazhdoi ta kundërshtonte në predikimin e tij. Dhe ngaqë kam treguar këto kundërshtime, jam kritikuar se gjoja e kam cituar gabim dhe e kam shtrembëruar Spërxhënin.

Kundërshtime, kundërshtime…

Kalvinistët flasin hapur me të dyja anët e gojës për të shmangur padinë e vlefshme se kalvinizmi e mohon dashurinë e Perëndisë për njerëzimin. Ata që përpiqen të ndahen nga ajo që ata e quajnë “kalvinizëm i skajshëm”, apo “hiperkalvinizëm”, përpiqen shumë për ta bërë të duket se Perëndia i kalvinizmit i do me të vërtetë të gjithë. Ashtu siç e kemi vënë re tashmë, Xhon MekArturi shkruan një libër të tërë për këtë përpjekje të kotë [6]. Nuk mund t’i bëhet bisht faktit se libri i tij, i cili ka si qëllim të tregojë se Perëndia i do të gjithë, thotë në thelb të kundërtën.

MekArturi e thotë qartë se edhe pse Perëndia supozohet se e do gjithsecilin, Ai kurrë nuk ka patur qëllim t’i shpëtojë të gjithë, duke pohuar se nëse Ai do të kishte bërë kështu, të gjithë do të ishin shpëtuar. Nuk lihet asnjë vend që dikush të pranojë apo të refuzojë ofertën e vërtetë të ungjillit me anë të zgjedhjes së tij. Ai bie kështu në kontradikta të pashmangshme. Për shembull, MekArturi i dënon ata që “mohojnë se Perëndia do gjithkënd” [7], por çfarë ai e quan “dashuri” e Perëndisë për të pazgjedhurit nuk është fare dashuri! Ai rrëfen se “të braktisësh logjikën do të thotë të bëhesh i paarsyeshëm dhe krishterimi i vërtetë nuk është i paarsyeshëm” [8]. Megjithatë ai argumenton në mënyrë të paarsyeshme se dashuria për “të zgjedhurit në një mënyrë të veçantë e rezervuar vetëm për ta […] nuk e bën dashurinë e Tij për pjesën tjetër të njerëzimit më pak të vërtetë” [9].

Ai sapo ka shpallur se “Perëndia zgjodhi […] për shpëtim […] disa individë dhe i la mënjanë të tjerët dhe Ai e bëri këtë zgjedhje në përjetësinë e largët […] pa ndonjë gjë që mund të shikonte tek ata që Ai i paranjohu si të zgjedhur; thjesht sipas pëlqimit të mirë të vullnetit të tij dhe për lëvdim të lavdisë së hirit të tij… (Efesianëve 1:5-6)”. Megjithatë, menjëherë më poshtë pranon: “Duket e arsyeshme të supozojmë se nëse Perëndia e deshi gjithsecilin, Ai do të kishte zgjedhur gjithsecilin për shpëtim…. Ёshtë marrëzi të mendosh se Perëndia i do të gjithë njësoj, apo që Ai është i detyruar nga ndonjë rregull paanësie për t’i dashur të gjithë në mënyrë të barabartë” [10].

Përkundrazi, “shkallëzimi i dashurisë” nuk mund të shpjegojë ndryshimin midis paracaktimit të një grupi të përzgjedhur për në qiell dhe pjesës tjetër për në ferr, edhe pse të gjithë mund të ishin pranuar qiell! Nuk është aspak dashuri të paracaktosh në ferr ndonjë që mund të ishte shpëtuar! Kështu MekArturi përpiqet të bëjë një “shpjegim” të mëtejshëm:

Dashuria e Perëndisë për të mallkuarit nuk është një dashuri prej vlere; ajo është dashuria e mëshirës […] një dashuri dhembshurie […] brenge […] patosi […] e njëjta ndjenjë e thellë dhembshurie dhe mëshire që kemi kur shohim një të braktisur të zgjebosur që shtrihet buzë rrugës […] një dashuri e vërtetë, me qëllim të mirë, e dhembshur, dashamirëse… [11].

Këtu shohim thellësinë e paarsyeshmërisë së plotë në të cilën bie kalvinisti në përpjekjen për t’u baraspeshuar në litarin e tendosur “Perëndia i do të gjithë, por jo me të njëjtën dashuri”!

Lloje apo aspekte të dashurisë?

Mbetemi të shtangur me pohime të tilla mahnitëse. Perëndia ka “dashuri të dhembshur, dashamirëse” për ata të cilët Ai i ka paracaktuar për mundim të përjetshëm, të cilët mund t’i shpëtonte, por kurrë nuk ka patur qëllim dhe për të cilët Krishti nuk ka vdekur? Fjalët duken se kanë një kuptim tjetër për kalvinistin se sa për personin e thjeshtë që e kupton dashurinë dhe dashamirësinë nga ndërgjegjja e dhënë nga Perëndia, për të cilën kalvinisti e lë mënjanë!

Dhembshuria e vërtetë për një të braktisur nuk do ta lërë atje ku është, por do të bëjë gjithçka që mund të bëhet për ta shpëtuar. Përndryshe nuk është dhembshuria e samaritanit të mirë që u kujdes për të braktisurin (Luka 10:33-35), por hipokrizia e priftit dhe e levitit, të cilët “vazhduan tutje” (Luka 10:31, 32) dhe e lanë viktimën e plaçkitur dhe të plagosur të vdiste – dhe më e keqja, ta paracaktonte për atë gjendje. “Dashuria” që MekArturi ia atribuon Perëndisë është ajo e atyre të dënuar nga Jakobi që u thonë të zhveshurve dhe të uriturve: “Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni”, por nuk u japin asgjë (Jakobi 2:15, 16).

Perëndia përmes apostullit Jakob e dënon një të folur të tillë të dyfishtë, megjithatë vetë Perëndia na është fajtor për një hipokrizi të tillë? MekArturi përpiqet t’i shpëtojë ndërgjegjes duke sugjeruar se “në njëfarë kuptimi Perëndia i do armiqtë e Tij” [12] dhe duke u fshehur pas idesë së “dy aspekteve të dashurisë së Perëndisë” – dashurisë së tij të përbotshme për tërë njerëzimin dhe dashurisë së Tij të veçantë për të zgjedhurit [e cila] nuk duhet ngatërruar” [13]. Por një “aspekt” i dashurisë, çfarëdo të nënkuptojë, duhet të jetë përsëri dashuri – dhe nuk është dashuri e çfarëdo lloji, as nuk është ndonjë aspekt i saj, të paracaktosh për dënim dikë që shumë mirë mund të ishte shpëtuar!

Luteri përpiqet të mbrojë të njëjtën kontradiktë. Duke pohuar se Krishti erdhi “për t’i ofruar çdo njeriu gjithçka që ishte e domosdoshme për shpëtimin”, shton se “vullneti i Madhështisë lë dhe mallkon qëllimisht disa për humbje. Nuk na takon ne të pyesim pse…” [14] Pse? Nuk ka asnjë përgjigje për këtë kontradiktë zhurmëmadhe – dhe të fshihesh pas misterit është e papërgjegjshme!

Gjithçka që ishte e domosdoshme? Atëherë të gjithë mund të shpëtohen! Çfarë pohimi jokalvinist, megjithatë Spërxhëni e pranonte. Si mund të mos e pranojë dikush, meqë kjo është ajo që vetë Perëndia e ka shpallur: “Çfarë mund t’i kisha bërë vreshtit tim [Izraelit] që nuk ia kam bërë? Pse, ndërsa unë prisja të më jepte rrush të mirë, ajo më dha rrush të egër?” (Isaia 5:3, 4)?

Këtu është mesazhi i tërë Biblës: vetë Perëndia thotë se Ai ka bërë gjithçka që mund të parashikonte për shpëtimin, të cilin Ai ia ofron falas në dashurinë dhe hirin e Tij tërë njerëzimit – por nuk mund t’i imponohet askujt; ai duhet pranuar me anë të besimit në premtimin e Tij. Perëndia po vajton me të vërtetë për Izraelin!

Ç’mund të bënte më tepër Perëndia? Kjo pyetje është tallje nëse kalvinizmi është i vërtetë! Ai mund t’i paracaktonte ata për shpëtim, t’u jepte hirin e papërballueshëm, t’i rilindte në mënyrë sovrane dhe t’u jepte besimin për të besuar ungjillin – nëse kjo imponohet nga vullneti sovran, pa zgjedhje të kërkuar nga njeriu.

Mënyra e vetme që Perëndia mund të kishte bërë gjithçka që mund të bënte, e prapë njerëzit mbeten të pashpëtuar, është nëse njeriu mund të zgjedhë të pranojë ose refuzojë shpëtimin që Ai ofron. Ky përfundim është i pashmangshëm – por kjo logjikë biblike nuk mund të pranohet, sepse do të shkatërrojë kalvinizmin.

Kjo pjesë tek Isaia 5 përgjithësisht mbahet larg së tepërmi nga apologjetët kalvinistë. Uajti e shmang. MekArturi përpiqet të mbështetë shtrembërimin e tij të dashurisë së Perëndisë me një pohim njësoj të gabuar nga pastori dhe shkrimtari kalvinist i shekullit të shtatëmbëdhjetë Endrju Fulleri (Endrew Fuller): “Në mënyrë të ngjashme Perëndia nuk u dha hir të frytshëm atyre që akuzohen për prodhim të rrushit të egër në vend të rrushit të mirë; megjithatë Ai pa dhe pyeti se çfarë mund të kishte bërë më tepër për vreshtin e Tij që nuk e kishte bërë (Isaia 5:4)” [15]. Po ja, Ai mund të kishte dhënë “hirin e frytshëm”! Përveç se ky term nuk është biblik, por është një shpikje e kalvinistëve për të mbështetur teorinë e tyre.

Si mund të thuhet me arsye të shëndoshë se Perëndia “u ofron gjithçka për shpëtimin” atyre të cilët Ai i “lë dhe mallkon qëllimisht […] për humbje”?

Konflikti do të zgjidhej, kontradikta do të zhdukej, shtrembërimi i Perëndisë do të fshihej dhe dashuria e Perëndisë do të përligjej nga pranimi i thjeshtë se njeriu ka një fuqi të vërtetë zgjedhjeje të dhënë nga Perëndia. Por kalvinisti nuk mund të pranojë këtë fakt – as Luteri, pasi ka shkruar një libër të tërë kundër vullnetit të lirë.

Krishti po flet si Perëndia i Izraelit

Si e kuptojmë vajtimin e Krishtit për Jerusalemin? Nga krahasimi i rrëfimeve të ungjillit, dimë se Jezusi kishte bërë hyrjen e Tij triumfuese në Jerusalem dhe ishte në tempull kur bëri pohimin e Mateut 23. Luka pohon në mënyrë të veçantë se Ai i kishte hipur një gomari kur hyri në qytet dhe qau ndërsa vështroi Jerusalemin nga një pikë e qartë:

Dhe kur ai po afrohej, e pa qytetin dhe qau mbi të, duke thënë: “Oh, sikur ti, pikërisht ti, të njihje të paktën në ditën tënde ato që janë te nevojshme për paqen tënde! Por tashti ato janë të fshehura për sytë e t’u. Sepse […] armiqtë e t’u […] do të të rrëzojnë përtokë ty dhe bijtë e t’u në ty; dhe s’do të lënë në ty gur mbi gur, sepse ti nuk e ke njohur kohën kur je vizituar” (Luka 19:41-44).

Nuk ka dyshim që Krishti qau për qytetin e Jerusalemit ndërsa po e shikonte. Gjithashtu nuk mund të ketë dyshim se kur në tempull Ai vajtoi: “Jerusalem, Jerusalem”, po i referohej qytetit dhe tërë banorëve të tij gjatë tërë historisë, jo njëfarë segmenti të popullsisë. “Bijtë” mund të nënkuptojë vetëm banorët e Jerusalemit, jo bebet dhe rininë. Të sugjerosh, ashtu si Uajti pohon në një letër, se “ata që nuk ‘donin’ nuk ishin ata që kërkonte të mblidhte Jezusi” dhunon atë që thotë Jezusi: “Sa herë kam dashur […] por ju nuk deshët!”. Ai po thotë veçanërisht se Ai donte t’i mblidhte ata, por ata nuk donin. Ashtu siç kishte bërë shpesh si Jahve më parë dhe tani si Mesia i tyre që kishte ardhur në mish, po u drejtohet banorëve të Jerusalemit si bijtë e atij qyteti: “Kthehuni, o bij të përdalë…” (Jeremia 3:22). A po u drejtohej vetëm atyre që nuk ishin të rritur? Zor se është kështu.

Për më tepër, vetë fjalët e Krishtit: “Sa herë kam dashur” ishin një pohim i drejtpërdrejtë i hyjnisë, një pohim me të cilin Uajti, në zellin e tij për të mbrojtur kalvinizmin, del huq. Krishti po pohon lutjet e shumta paraprake ndaj Jerusalemit, megjithatë nuk janë shkruar raste të tilla në rrëfimet e ungjillit gjatë mishërimit të Tij. Pa dyshim, Krishti po paraqet veten si Perëndia i Izraelit i cili dërgoi profetët e Tij brez pas brezi për të paralajmëruar banorët e Jerusalemit, të quajtur zakonisht “bijtë e Izraelit […] bijtë e Judës”, që nëse ata nuk pendoheshin, zemërimi i Tij do të binte ndaj tyre.

Mund të citohen shumë pjesë, ku secila në vetvete mund të shpjegojë pohimin e Krishtit. Këtu kemi vetëm disa vajtime dhe paralajmërime nga Perëndia nga goja e vetëm njërit prej profetëve të Tij, Jeremia. Vetëm në këtë kontekst dhe si Perëndia i Izraelit, gjendet justifikim për Krishtin që të përdorë fjalët: “Sa herë kam dashur […] por ju nuk deshët!”.

Shko dhe bërtit në veshët e Jerusalemit…. Kështu thotë Zoti: Unë të kujtoj ty, kujdesin e dhembshur të rinisë sate, dashurinë në kohën e fejesës sate, kur më ndiqje në shkretëtirë…. Izraeli i ishte shenjtëruar Zotit […] [por] populli im […] më ka braktisur mua…. Zorrët e mia, zorrët e mia! Po shtrembërohem nga dhimbja […] o shpirti im, kam dëgjuar […] britmën e luftës […] rrënim mbi rrënim…. Po, populli im është budalla, nuk më njeh; janë bij pa mend…. Mjerë ti, o Jerusalem! Për sa kohë akoma do të mbetesh i pëgërë? Ju kam folur me urgjencë dhe insistim nuk më keni dëgjuar, dhe kur ju kam thirrur nuk më jeni përgjigjur […] ju kam dërguar tërë shërbëtorët e mi, profetët çdo ditë me urgjencë dhe insistim. Por ata nuk më kanë dëgjuar as ma vunë veshin…. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë do të sjell mbi këtë vend një fatkeqësi […] sepse më kanë braktisur […] dhe u kanë djegur temjan perëndive të tjera […] dhe e kanë mbushur këtë vend me gjakun e të pafajshmëve; i kanë ndërtuar vendet e larta Baalit për të djegur bijtë e tyre në zjarr si olokaust Baalit…. Do ta katandis këtë qytet në një shkatërrim […] [sepse] të gjitha shtëpitë mbi çatitë […] i kanë djegur temjan tërë ushtrisë së qiellit dhe u kanë bërë libacione perëndive të tjera…. Sepse ky qytet, që nga dita që u ndërtua deri më sot, ka qenë për mua një provokim i zemërimit dhe i tërbimit tim […] për shkak të gjithë së keqes që bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës kanë bërë […] ata, mbretërit e tyre, princat e tyre, priftërinjtë e tyre dhe profetët e tyre, njerëzit e Judës dhe banorët e Jerusalemit […] megjithëse i kam mësuar me urgjencë dhe me këmbëngulje, ata nuk më kanë dëgjuar për të marrë korrigjime (Jeremia 2:2, 3, 13; 4:19-22; 7:13; 25, 26; 13:27; 19:3-13; 32:31-33; etj.).

Nëse këto dhe qindra deklarata të tilla të ngjashme nga profetët, që jehojnë nga Krishti, nuk shprehin një interes të vërtetë e të dashur nga ana e Perëndisë për Izraelin për t’u penduar në mënyrë që zemërimi i Tij të mos binte mbi të, atëherë fjalët nuk kanë ndonjë kuptim. Një interes i tillë i sinqertë përballë refuzimit të Izraelit për t’u penduar hedh poshtë plotësisht TULIP-in. Përndryshe, lutjet dhe paralajmërimet e Perëndisë janë një shtirje.

Nëse njerëzit janë plotësisht të shthurur (sipas përkufizimit kalvinist), atëherë nuk kanë kuptim përgjërimet e Perëndisë me ta. Nëse vetëm disa janë midis të zgjedhurve dhe Perëndia nuk ofron në mënyrë të sinqertë shpëtimin, por e refuzon hirin e papërballueshëm pa të cilin nuk mund të pendohen, atëherë qindra faqe në Bibël janë një farsë, përgjërimet e pretenduara nga një Perëndi kalvinist që nuk ka dashuri të vërtetë përveçse për të zgjedhurit dhe asnjë qëllim për të ndihmuar ata ndaj të cilëve Ai gjoja qan. Për të mbështetur TULIP-in nga Bibla, kalvinisti duhet të dhunojë Shkrimin.

A ka ndonjë betejë të vërtetë për shpirtrat?

Pali na thotë se Satani, “perëndia i këtij shekulli ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit […] të mos ndriçojë tek ata” (2 Korintasve 4:4). Pse do të ishte e domosdoshme që Satani të errësonte njerëzit plotësisht të shthurur të cilët janë të verbër frymërisht? Në të vërtetë, ata janë të vdekur dhe njerëzit e vdekur nuk mund të shikojnë. Kalvinizmi e bën këtë pjesë (dhe shumë të tjera) të pakuptimta.

Për sa u përket të zgjedhurve, nëse, ashtu siç pohon kalvinizmi, ata janë rilindur në mënyrë sovrane dhe me anë të hirit të papërballueshëm u jepet besimi për të besuar dhe asgjë nuk mund t’i ndalojë nga dëgjimi dhe besimi i ungjillit, do të ishte e pamundur që Satani t’i verbëronte ata dhe për këtë arsye, nuk do të kishte kuptim për këtë përpjekje prej tij. Dhe meqë të pazgjedhurit janë tashmë të dënuar, nuk do të ketë betejë të vërtetë midis Perëndisë dhe Satanit për shpirtrat, asnjë konflikt të vërtetë brenda zemrës njerëzore, duke qenë e vendosur tashmë nga Perëndia dhe ku Satani apo njeriu nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndryshuar këtë fakt. Pali do të kishte humbur kohën e tij duke diskutuar dhe bindur të tjerët – dhe e njëjta gjë do të ishte e vërtetë për kërkimin tonë për të fituar për Krishtin ata të cilët Perëndia i ka paracaktuar për ferrin.

Kalvinizmi, nëse do të ishte i vërtetë, do t’i bënte tallje paralajmërimet e Biblës rreth Satanit. Refuzimi nga Perëndia i hirit të papërballueshëm bën një punë më të mirë në dënimin e shpirtrave nga sa mund të bënte Satani. Armiku i shpirtrave mund të shkojë me pushime të gjata. Megjithatë Bibla pohon: “Kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë” (1 Pjetrit 5:8); “Kështu dragoi i madh, gjarpri i lashtë, që është quajtur djall, edhe Satan, që mashtron gjithë dheun…” (Zbulesa 12:9).

“Të gjithë atyre që e pranuan […]” tingëllon ashtu sikur vepra e vullnetshme e pranimit kërkohet nga ana e mëkatarit të kthyer. Jeta e përjetshme është një dhuratë falas. Një dhuratë nuk mund të meritohet, të fitohet, apo të paguhet në ndonjë mënyrë, por duhet të pranohet. Me siguri, “të pranosh” kërkon njëfarë pranimi nga ana e marrësit. Çdo gjë e imponuar ndaj dikujt me anë të një hiri që është “i papërballueshëm” nuk është një dhuratë e marrë.

Në të vërtetë, si mund të jetë hiri i papërballueshëm? Vetë termi “hir i papërballueshëm” është kontradiktor. Si mund të jetë një akt “hiri” të japësh dikujt diçka që personi as nuk e beson as nuk e dëshiron? “Perëndia nuk detyron askënd” – thotë kalvinisti. Atëherë çfarë do të thotë “i papërballueshëm”? “Perëndia thjesht heq rezistencën nga ana e tyre” – është përgjigjja. Duke e hequr në mënyrë të papërballueshme? Nëse nuk është kundër vullnetit të tyre, pse duhet të jetë i papërballueshëm?

A nuk do të mbushë kjo qiellin me ata që kanë qenë mosdashës për të besuar në Krishtin, për të dashur Perëndinë apo edhe madje për të qenë atje, por që janë bërë në mënyrë të papërballueshme të duan? “Nuk është kështu” – kundërshton kalvinisti, në mbrojtje të teorisë së tij. “Perëndia përmes hirit të papërballueshëm ka kryer një shndërrim rilindës në mënyrë që, të bekuar në këtë mënyrë, ata e duan me të vërtetë Perëndinë nga zemra e tyre”.

Por nëse kjo mund të bëhet për të zgjedhurit, mund të bëhet për tërë njerëzimin. Si mundet dashuria e pafundme e Perëndisë të përjashtojë dikë? Kjo na çon përsëri te pyetja e pashmangshme: Çfarë dashurie është kjo që do kaq pak? Dhe përse Perëndia i dashurisë dhe i së vërtetës t’u lutet atyre që Ai tashmë i ka paracaktuar për rrënim që të pendohen dhe të besojnë ungjillin? Kalvinizmi e kthen pjesën më të madhe të Biblës në pretendim, thjesht në një parodi.

“Përgjigjja” e habitshme e Luterit

Erasmusi, në debatin e tij me Luterin, argumentoi se përgjërimet e Perëndisë me një njeri për t’u penduar, i cili nuk mund të pendohej, do të ishin njësoj sikur t’i kërkoje dikujt me duar të lidhura që t’i përdorë ato. Luteri kundërshtoi se Perëndia, duke na thirrur të bëjmë atë që nuk mund të bëjmë, po “na provon, se me anë të ligjit të Tij Ai mund të bëjë të njohim paaftësinë tonë, nëse jemi miqtë e Tij […] [dhe] duke na tallur dhe përqeshur me të drejtë, nëse jemi armiqtë e Tij krenarë” [16]. Ai argumentoi se Erasmusi mund të dilte shumë mirë në përfundim nga pohimi “’Në qoftë se i zbaton urdhërimet, ato do të të ruajnë’ […] prandaj, njeriu është i aftë të zbatojë urdhërimet” [17].

Luteri duket se ka harruar se edhe njeriu i pashpëtuar e zbaton të paktën një pjesë të Ligjit pjesën më të madhe të kohës. Edhe vetë Kalvini pranonte se “plotësisht i shthurur” nuk do të thotë se njeriu është domosdoshmërisht aq i ligë sa mund të jetë. Si Shkrimi ashtu edhe përvoja tregojnë se tërë njerëzit bëjnë të mirën; dhe disa njerëz “plotësisht të shthurur” ndonjëherë ia tejkalojnë nga mirësia sjelljes së disa të krishterë në dukje të vërtetë.

Për më tepër, për t’i treguar njeriut paaftësinë e tij për të zbatuar Ligjin do të thotë ta tallësh nëse nuk ka ndonjë rrugëzgjidhje të mundshme. Kjo rrugëzgjidhje është ungjilli, i cili kërkon që unë të shkoj te Krishti me besim, duke besuar në Të si Ai që pagoi dënimin për mëkatet tona. As fakti se unë mund të zbatoj në mënyrë të përsosur Ligjin nuk vërteton aspak se unë nuk mund të shkoj te Krishti dhe të besoj në Të dhe të pranoj me anë të besimit dobinë e pagesës së Tij për thyerjen nga ana time të Ligjit. Këtu është dallimi klasik midis veprave dhe besimit. Dhe nëse shpresa ime e vetme është rilindja sovrane nga Perëndia dhe Ai për pëlqimin e Tij të mirë nuk do të ma japë, ç’kuptim ka që të më tregojë se sa i pashpresë jam?

Pali pohon se “ligji qe mësuesi ynë për [të na çuar] te Krishti” (Galatasve 3:24). Për kalvinistin termi “na” i referohet vetëm të zgjedhurve. Megjithatë edhe ata ishin të parilindur para se të shkonin te Krishti. Nëse “të vdekur në faje dhe mëkate” do të thotë se njeriu është moralisht një kufomë, si mund ta çojë dikë Ligji te Krishti? Kjo nuk është tërheqja e papërballueshme e Atit e të zgjedhurve për te Krishti dhe rilindja në mënyrë sovrane dhe më pas dhënia e besimit ndaj tyre për të besuar. Ky është Ligji që vepron në ndërgjegjen si një “mësues”. Si mund të prekë Ligji ndërgjegjen e “kufomave morale”?

Nëse njerëzit nuk mund të zbatojnë qoftë edhe një urdhër për një moment, atëherë Ligji jo vetëm do të ishte një tallje, por pa qëllim. Por nëse njeriu i parilindur (siç është në këtë rast) e kupton Ligjin, e zbaton atë të paktën disa herë dhe ka një ndërgjegje që e bën fajtor nëse e shkel, atëherë si mund të jetë moralisht një kufomë? Dhe nëse njeriu i parilindur mund të zgjedhë të bindet apo të mos i bindet Ligjit, pse nuk mund të zgjedhë të besojë ungjillin – dhe ku e thotë Bibla se nuk mundet? Nuk e thotë.

Prapë me vullnetin e pashmangshëm!

Ёshtë interesante të shohim se si Kanunet e Dortit e trajtojnë këtë problem. Fakti që njeriu ka një vullnet me të cilin ai mund të bëjë zgjedhje morale pranohet, por ai u bë i shthurur me anë të rënies. Si rrjedhojë, njeriu supozohet se i paaftë t’i përgjigjet ungjillit. Fryma e Shenjtë duhet ta rilindë atë në mënyrë sovrane për të “shëruar” këtë mangësi:

Por ashtu si njeriu me anë të rënies nuk reshti së qeni një krijesë, i pajisur me arsye dhe vullnet, as mëkati që pushtoi tërë racën njerëzore, nuk i hoqi natyrën njerëzore, por solli mbi të shthurjen dhe vdekjen frymërore; kështu, gjithashtu hiri i rilindjes nuk i trajton njerëzit si trungje dhe blloqe të pandjenja, as nuk u heq vullnetin e tyre dhe karakteristikat e tij, as nuk i dhunon ato; por nxit, shëron, ndreq në mënyrë frymërore dhe në të njëjtën kohë e përfundon me ëmbëlsi dhe fuqishëm; atje ku mbizotëronin rebelimi dhe rezistenca më parë, fillon të mbretërojë një bindje e gatshme dhe e sinqertë frymërore; e cila do të përbëhet nga ripërtëritja dhe liria e vërtetë dhe frymërore [18].

Dorti ofron një zgjidhje të çuditshme: “hiri i rilindjes […] nxit, shëron, ndreq në mënyrë frymërore dhe në të njëjtën kohë e përfundon me ëmbëlsi dhe fuqishëm [vullnetin]…”. Çfarë “shërimi” i çuditshëm që i jep fund asaj që “shëron”! Pse nuk u vu tek Adami dhe Eva kjo “bindje e gatshme dhe e sinqertë frymërore”? Dhe tani që të zgjedhurit kanë këtë vullnet të ri përmes rilindjes, pse nuk i binden Perëndisë në mënyrë të përsosur?

Arsyeja e vetme mund të jetë se një “vullnet” nuk është vullnet nëse personi që e ka atë vullnet nuk zgjedh me anë të tij. Vullneti mund të përdoret për të mirën apo për të keqen. Vullneti nuk mund të mohohet apo të mos pranohet. Kalvini dhe Luteri u përpoqën ta shpjegonin, por kjo nuk është e mundur. Vullneti është një prej temave të përmendura shpesh në Bibël. Njerëzit e parilindur thirren në mënyrë të përsëritur për të ushtruar vullnetin për të zgjedhur për t’iu bindur Perëndisë.

Edhe të rilindurit kanë një vullnet të mishit që, pavarësisht nga Dorti, me sa duket nuk përfundoi  me lindjen e re: “Sepse mishi ka dëshira kundër Frymës, dhe Fryma ka dëshira kundër mishit; dhe këto janë të kundërta me njëra-tjetrën…” (Galatasve 5:17).

Ashtu siç kemi parë, fjalët “vullnet”, “me dashje”, “vullneti i lirë”, bashkë me shprehje të lidhura me to, si “i vullnetshëm”, “zgjedh” etj., hasen afërsisht 4,000 herë në Shkrimin. Kërkesa e bindjes së vullnetshme është një temë që haset në të gjithë Biblën: “Në rast se jeni të gatshëm të bindeni…” (Isaia 1:19); “Nëse ti beson me gjithë zemër” (Veprat e Apostujve 8:37) etj.

Perëndia nuk e imponon Vetveten ndaj nesh. Ai dëshiron zemrat tona dhe vetë koncepti i “zemrës” i përdorur në tërë Shkrimin është i pakuptimtë pa vullnetin e lirë.

“Ku është, pra, mburrja?”

Kalvinisti kundërshton se nëse njeriu mund të zgjidhte për të besuar apo jo ungjillin, ai mund të mburrej se kishte kontribuar për shpëtimin e tij. Dhe pohohet se vullneti i njeriut nuk është i lirë të veprojë në atë mënyrë. Duke pohuar se “nga trupi i madh i njerëzimit disa duhej të paracaktoheshin për shpëtim dhe të tjerët për shkatërrim” [19], Kalvini argumenton se “nuk ka mjete të tjera për të na përulur ashtu siç duhet, apo të bëhemi të ndiejmë se sa shumë jemi lidhur me të [Krishtin]…. Ёshtë e qartë se sa shumë padituria e këtij parimi i ul vlerën lavdisë së Perëndisë, dhe dëmton përulësinë e vërtetë” [20].

Përkundrazi, Pali thotë se meqë gjithçka që mund të bëjmë është të besojmë, nuk ka asgjë për t’u mburrur. “Ku është, pra, mburrja? – pyet Pali. “Është përjashtuar” pohon ai përfundimisht – “nga […] besimi” (Romakëve 3:27). Kështu në vend që besimi të jetë arsye për mburrje, është vetë arsyeja se pse nuk mund të ketë mburrje. Përsëri, Kalvini duket qartë se është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Shkrimin. Megjithëkëtë, Palmeri ngul këmbë se “Kalvini thjesht shpjegoi Biblën […] [ai] zbuloi të vërteta që kanë qenë në Bibël gjithë kohën” [21].

Një autor kalvinist pohon: “Nëse Perëndia i shpëton njerëzit, të cilët, me anë të vullnetit të tyre të lirë të supozuar, e pranojnë Jezusin, atëherë ata e meritojnë shpëtimin. Ata e meritojnë të shpëtohen…. Ideja e vullnetit të lirë e ngre lart njeriun, sepse njeriu e zgjedh Perëndinë dhe Perëndia vetëm sa ratifikon zgjedhjen e njeriut” [22]. Përsëri, domosdoshmëria për të mbrojtur kalvinizmin i shtyn mbrojtësit e saj në mungesë arsyeje.

Të pranosh shpëtimin me anë të besimit nuk do të thotë se personi që e bën një gjë të tillë e ka merituar dhuratën e hirit të Perëndisë po aq sa nuk do të thotë se edhe pranimi i një ushqimi falas dhe një fjetje natën nga një person i varfër nga ai apo ajo të meritohet kjo bamirësi. “E meritojnë të shpëtohen”? Thjesht pranimi i një dhurate nuk do të thotë se personi e meriton. “Perëndia vetëm sa ratifikon zgjedhjen e njeriut”? Jo, është Perëndia që i cakton kushtet e shpëtimit, të cilat njeriu duhet t’i pranojë për t’u shpëtuar – dhe nëse nuk i pranon, ai është i humbur përjetësisht. Dhe kjo i jep meritë njeriut dhe bazë për mburrje? Zor se është kështu.

Ka një pështjellim të madh rreth kësaj çështjeje të vullnetit sepse nuk mund t’i shpëtohet faktit se, ashtu siç pranonte Spërxhëni, “Vullneti i njeriut ka vendin e tij të duhur në çështjen e shpëtimit…. Kur një njeri pranon hirin hyjnor të Krishtit, ai nuk e pranon kundër vullnetit të tij…. Gjithashtu, mbaj shënim, hiri nuk hiqet më. Sepse Perëndia nuk vjen dhe kthen agjentin e lirë inteligjent në një makinë [23]”.

Megjithatë, në të njëjtin mesazh, Spërxhëni e denoncon idenë se njeriu mund të zgjedhë për të besuar në Krishtin apo jo aq  sa ta bëjë “qëllimin e Perëndisë në planin e madh të shpëtimit plotësisht të përcaktuar [nga vullneti i njeriut]”. Kundërshtimi i tij është ndaj “shkuarjes [së njeriut] te Perëndia [duke qenë] rezultati i natyrës së tij të pandihmuar” [24]. Sigurisht, jo i pandihmuar nga hiri i Perëndisë dhe bindja e Frymës së Shenjtë. Por vullneti i njeriut duhet të bëjë akoma zgjedhjen e tij, përndryshe Perëndia nuk e ka fituar zemrën.

Kush do të thoshte se njeriu mund të shkojë te Perëndia “i pandihmuar” nga Fryma e Shenjtë? As edhe arminiani më i fundit! Por kalvinizmi e bën këtë akuzë të rreme kundër atyre që nuk pajtohen me ekstremizmin e tij. Në të vërtetë, të ngulësh këmbë se njeriu mosbesues duhet së pari të rilindet dhe të shkaktohet në mënyrë të papërballueshme për të ardhur, e çon “hirin” përtej ndihmës së njeriut [pra, i tërhequr nga Perëndia përmes bindjes dhe fuqisë së Frymës së Shenjtë dhe Fjalës]. Kjo fjalë “e papërballueshme” e shoqëruar me hirin e krijon problemin, sepse nuk lejon as gatishmëri e as besim nga ana e njeriut. Dhe kjo e fyen Perëndinë, ashtu siç kemi pohuar në mënyrë të përsëritur. Nëse njeriu është plotësisht i paaftë të besojë dhe duhet të tërhiqet në mënyrë të papërballueshme te Krishti, atëherë me siguri e mohon dashurinë e Perëndisë të shpallësh se Ai nuk do ta bëjë këtë për tërë njerëzimin.

Njeriu është i pakuptimshëm pa vullnet

Nuk mund t’i bëhet bisht faktit se vullneti është thelbësor në çdo marrëdhënie domethënëse midis njeriut dhe njeriut, apo midis njeriut dhe Perëndisë. Spërxhëni, pasi ka denoncuar “vullnetin e lirë” kundërshton përsëri veten, duke e përfunduar atë mesazh duke cituar: “Ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës” [25]. Nëse dikush nuk i thotë po ose jo ofertës së shpëtimit, nuk do të ishte një dhuratë e dashurisë së Perëndisë. Gjithashtu Perëndia nuk e ratifikon zgjedhjen e njeriut; njeriu ose e pranon dhuratën falas sipas kushteve të Perëndisë – ose nuk e pranon. Kështu, të gjithë ata që ta kalojnë kalojnë përjetësinë në Liqenin e Zjarrit do të jenë atje me anë të zgjedhjes së tyre. Ata nuk mund të thonë, ashtu siç bën kalvinizmi, se ishte Perëndia që i dërgoi ata atje.

A nuk është marrëzi të sugjerosh se pranimi i një dhurate do të thotë se ne e meritojmë? Kalvinizmi mohon dallimin që bën Bibla: “Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 6:23). Paga fitohet, por një dhuratë nuk mund të fitohet apo të meritohet; kështu, pranimi i një dhurate nuk paraqet asnjë shkak për mburrje.

Ne urdhërohemi të shkojmë te Zoti Jezu Krisht, duke besuar në Të si Shpëtimtari ynë, por kjo nuk do të thotë se dikush detyrohet ta bëjë një gjë të tillë. Dhe, po, Ati na tërheq. Por pa gatishmërinë tonë, që Ai të na shkaktojë në mënyrë të papërballueshme të besojmë dhe ta pranojmë nuk do të ishte një dhuratë e pranuar, as nuk do të vendoste një marrëdhënie dashurie midis nesh dhe Perëndisë, qoftë nga ana e tij apo e jona.

Një njeri që po mbytet i cili lejon që të shpëtohet nuk ka se për çfarë të mburret, as nuk mund të marrë ndonjë meritë për shpëtimin e tij. Kështu është me mëkatarin e humbur që e lejon Krishtin ta shpëtojë: ai nuk ka për çfarë të mburret, sepse nuk ka kontribuar gjë për shpëtimin e tij.

Kalvinizmi, ashtu siç kemi parë, i bën të pakuptimta pjesë të tilla të Shkrimit: “ai që shtie në dorë shpirtrat është i urtë […] ata që do të kenë çuar shumë në drejtësi […] ne bindim njerëzit” (Fjalët e Urta 11:30; Danieli 12:3; 2 Korintasve 5:11). Të fitosh dikë për të besuar në Krishtin kërkon bindje. Kjo është puna e Frymës së Shenjtë përmes ungjillit dhe Ai përdor me hir instrumente njerëzore për të paraqitur ungjillin. Zemrat tona fitohen ndërsa Ati na tërheq dhe dashuria e Krishtit nxit një përgjigje dashurie brenda nesh: “Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari” (1 Gjonit 4:19) – jo ngaqë Ai na shkaktoi të veprojmë kështu duke ndryshuar vullnetet tona.

Të dërguar nga Perëndia për të bindur njerëzit

Kalvinizmi mohon se ka ndonjë fitim apo bindje – shpëtimi vjen me anë të rilindjes në mënyrë sovrane dhe imponimit të hirit të papërballueshëm. Nëse dikush duhet të rilindet dhe pastaj të bëhet të besojë, ungjilli nuk do të ketë rol në lindjen e re, predikimi i tij do të ishte pa kuptim, nuk do të kishte bindje ndaj mëkatarit të parilindur dhe do të ishte një humbje kohe të përpiqeshe ta bëje një gjë të tillë. Megjithatë Pali dha vetveten për Krishtin për të bërë këtë gjë: duke diskutuar dhe bindur në përpjekjen për të fituar njerëz për Krishtin.

Pali, sapo u kthye në besim, “i hutonte judenjtë […] në Damask, duke ua vërtetuar se Jezusi është Krishti” (Veprat e Apostujve 9:22). Pali, kudo ku shkonte, “diskutonte në sinagogë […] dhe […] në sheshin e tregut” (Veprat e Apostujve 17:17). Kapitulli i fundit i Veprave të Apostujve na thotë se edhe pse ishte në arrest shtëpie në Romë, Pali bënte të njëjtën gjë: “…erdhën shumë veta tek ai […] dhe […] kërkonte t’i bindte për gjërat që i përkasin Jezusit…” (Veprat e Apostujve 28:23).

Pali tha: “E kam bërë veten time gjithçka për të gjithë, që të mund të shpëtoj me çdo mënyrë disa njerëz” (1 Korintasve 9:22). Përmes predikimit të tij të fuqishëm të ungjillit, ai fitoi shumë njerëz për Krishtin kudo ku shkonte. Nuk kemi asnjë fjalë për hirin e papërballueshëm që i rilind mëkatarët të cilëve Pali u predikonte dhe që më pas Perëndia t’u jepte besimin. Kurrë nuk kemi as edhe një aluzion të këtij procesi! Tonaliteti i qëndrueshëm i Shkrimit është i qartë. Kalvinisti duhet të kërkojë me zell të gjejë një pjesë këtu e atje që ai të mund ta “interpretojë” për të mbështetur në dukje TULIP-in.

Pali u shkroi besimtarëve thesalonikas: “Sepse ungjilli ynë nuk erdhi deri te ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi dhe me Frymë të Shenjtë, dhe me shumë bindje; ju e dini se si jemi sjellë në mes tuaj për hirin tuaj” (1 Thesalonikasve 1:5). Fryma e Shenjtë solli bindje dhe siguri përmes ungjillit të predikuar dhe mënyra e jetës që bënë Pali dhe shoqëruesit e tij para tyre ishin pjesë e asaj bindjeje. Pse duhet gjithë ky shpjegim, nëse Perëndia rilind në mënyrë sovrane dhe më pas jep në mënyrë të papërballueshme “besimin”? Kalvinizmi nuk përshtatet me predikimin e zellshëm dhe të frytshëm të ungjillit nga apostujt ndaj mëkatarëve qytet më qytet – as me urdhrin e Krishtit që ne të bëjmë të njëjtë gjë.

Përmes Fjalës së Perëndisë të predikuar nga Pali dhe Barnaba, judenjtë dhe grekët u bindën për të besuar dhe, si rezultat i atij besimi në Krishtin, ata u rilindën. Pali u tha atyre në Korint të cilët i kishte fituar për Krishtin: “Sepse unë ju kam dhënë jetë në Krishtin Jezus, me anë të ungjillit” (1 Korintasve 4:15). Në mënyrë të qartë, pranimi i tyre i ungjillit që Pali predikoi u solli rilindjen e tyre. TULIP-i e mohon këtë model të qartë biblik. Palmeri arsyeton: “Vetëm kur Fryma e Shenjtë e rilind njeriun dhe e bën të gjallë frymërisht, ai mund të ketë besim në Krishtin dhe të shpëtohet” [26].

Shembulli dhe predikimi i zjarrtë i Palit

Pali, i autorizuar nga Fryma e Shenjtë, i bindi me zell turmat me anë të predikimit të ungjillit. Ai ia kushtoi jetën kësaj: “Duke e njohur frikën e Zotit, ne bindim njerëzit” (2 Korintasve 5:11). Ku e mori Pali këtë mendim, kaq të kundërt me kalvinizmin, që njerëzit duhej të bindeshin për të besuar ungjillin? Ai e mori këtë kuptim të qartë nga vetë Krishti. Kur Krishti iu shfaq Palit në rrugën për në Damask, Ai e dërgoi te judenjtë dhe te paganët:

…që t’u çelësh sytë atyre dhe t’i kthesh nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia, që të marrin me anë të besimit në mua faljen e mëkateve dhe një trashëgim midis të shenjtëruarve… (Veprat e Apostujve 26:18).

Pse duhej t’u hapte sytë Pali njerëzve dhe t’i kthente nga errësira në dritë përmes predikimit të ungjillit të autorizuar nga Fryma nëse gjithçka ndodh përmes rilindjes sovrane, me hirin e papërballueshëm dhe si rezultat besimin e imponuar? Kalvinizmi refuzohet nga vetë mandati që Krishtit i dha Palit dhe apostujve të tjerë. Pali, duke i treguar Mbretit Agripa për këtë takim me Krishtin, pohon:

Unë nuk kam qenë i pabindur…. Por në fillim atyre në Damask, pastaj në Jerusalem, në mbarë krahinën e Judesë dhe johebrenjve, u kam shpallur të pendohen dhe të kthehen te Perëndia…. Deri në këtë ditë, vazhdova t’u dëshmoj të vegjëlve dhe të mëdhenjve, duke mos thënë tjetër përveç atyre që profetët dhe Moisiu thanë se duhet të ndodhnin… (Veprat e Apostujve 19-23).

Pavarësisht nga mbështetja e tij e patundur ndaj kalvinizmit ndonjëherë, ajo që Spërxhëni tha herë të tjera e minon atë. Spërxhëni, sikur të ishte duke refuzonte hirin e papërballueshëm dhe duke mbështetur vullnetin e lirë, sikurse edhe e refuzonte rilindjen pa besimin dhe përpara shpëtimit, argumentoi:

Tani, vëllezër, si ka ndryshuar zemra ime dhe zemra juaj për këtë çështje? Pse instrumenti përgjithësisht është bindja. Një mik na paraqet një të vërtetë që ne nuk e njihnim më parë. Ai na lutet. E vë nën një dritë tjetër dhe më pas thotë: “Tani e shoh atë” dhe zemrat tona ndryshohen ndaj asaj gjëje…. Fryma bën një zbulim të së Vërtetës së Perëndisë ndaj shpirtit, me anë të të cilit i shikon gjërat nën një dritë tjetër nga e cila nuk i shikonte më parë. Dhe më pas vullneti e përkul me dashje atë qafë e cila një herë e një kohë ishte e fortë dhe mbante zgjedhën që një herë e një kohë e përçmonte….

Megjithatë, shiko, vullneti nuk ka ikur…. Nëse do, varu nga ajo që dëshiron Perëndia. Shpirt, nëse je në ankth pas Krishtit, Ai është më në ankth për ty…. Lejo gatishmërinë tënde të shkojë te Krishti për të qenë një shenjë dhe simptomë optimiste.

Ashtu siç kemi vënë re tashmë, ai e mbyll mesazhin me fjalët: “Kështu, pra, kjo nuk varet as prej atij që do, as prej atij që vrapon, por nga Perëndia që shfaq mëshirë. Megjithatë – ‘ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës’” [27].

Pika vendimtare

Autori dhe apologjeti Rob Zins, në një letër personale shoqëruar nga disa shkrime të tij, pohon: “Fjala e Perëndisë mëson se të gjithë njerëzit janë përgjegjës para Perëndisë dhe që do t’i japin llogari. Që të gjithë njerëzit janë njësoj ‘të paaftë’ t’i pëlqejnë Perëndisë është gjithashtu e pamohueshme. Por, paaftësia nuk e zvogëlon përgjegjësinë”. Dashuria e Perëndisë duket se harrohet. Zinsi vazhdon të argumentojë:

Të thuash se Perëndia “e lejon”, por nuk “e dëshiron”, por e lë të ndodhë, nuk të vë në një pozitë më të mirë se ajo e kalvinistit që thotë se Perëndia mund t’u japë hirin e papërballueshëm të gjithëve, por se nuk dëshiron të veprojë kështu. Si mund të shpjegohet se dikush mund të ndihet më mirë që Perëndia lejon prishjen, abortin, vrasjen dhe epshin, kur Ai mund ta ndal atë…? [28]

E kemi trajtuar këtë tashmë. Po, Perëndia mund ta ndalë tërë të keqen menjëherë (duke asgjësuar tërë njerëzimin), por Perëndia i dha njeriut fuqinë e vërtetë të zgjedhjes në mënyrë që ai të mund të merrte dashurinë e Perëndisë dhe ta donte Atë si shkëmbim. Reshtja e mëkatit mund të vijë vetëm duke e shkatërruar racën njerëzore ashtu siç bëri një herë e një kohë me përmbytjen. Megjithatë, në hirin dhe dashurinë e Tij Ai e lejoi Noeun dhe familjen e tij të mbijetonte. Fatkeqësisht, përmes tyre mëkati mbijetoi dhe arriti tmerrin që shohim të ndodhë sot. Megjithatë, Perëndia i Biblës ka një zgjedhje të dashur për mëkatin për të gjithë që do të besojnë ungjillin dhe do të pranojnë pranojnë Zotin Jezu Krisht si Shpëtimtar.

Kalvinizmi, nga ana tjetër, pohon se Perëndia mund të shpëtojë gjithsecilin nga ferri duke u imponuar atyre vullnetin e Tij –  të cilën Ai e bën vetëm për të zgjedhurit. Ai mund të çlirojë gjithsecilin nga të gjitha vuajtjet, sëmundjet dhe vdekja – por e paracaktoi paudhësinë e shfrenuar që kemi sot. Ai mund ta kishte lënë këtë botë një parajsë ku mëkati të mos e pushtonte kurrë, sepse njeriu nuk ka zgjedhje të vërtetë nën kalvinizëm, dhe, për këtë arsye, vetë Perëndia është madje autori i të keqes.

Ka një ndryshim të madh midis pikëpamjes së kalvinizmit rreth Perëndisë, mëkatit dhe shpëtimit – dhe asaj që ne paraqesim këtu si mësimi biblik. Ndryshimi është “dashuria e kalvinizmit”, e cila nuk është fare dashuri.

Mësimi se “Perëndia”, duke qenë shkaku madje edhe i gabimit të daktilografistit, mund të kishte bërë një botë pa mëkat, pa vuajtje apo vdekje, por për pëlqimin e Tij të mirë zgjodhi botën e së keqes dhe të vuajtjes së shfrenuar siç është sot, është një fyerje ndaj karakterit të Perëndisë. Në rrënjë të kësaj fyerje është mohimi i dashurisë së sinqertë të Perëndisë për njeriun.

Çështja që kemi trajtuar është shumë e thjeshtë: Cili Perëndi është Perëndia i Biblës – Ai i kalvinizmit apo Perëndia i dashurisë që nuk do që ndokush të humbasë, por u ka dhënë atyre të drejtën të zgjedhin? Nuk ka diskutim se kush Perëndi tingëllon i vërtetë për ndërgjegjen që u ka dhënë edhe të pashpëtuarve. Dhe ky është Perëndia i Biblës.

Njeriu është një qenie e krijuar. Si i tillë, ai është domosdoshmërisht më i vogël se Krijuesi i tij. Duke qenë kështu, njeriu mund të bëjë zgjedhje më pak se të përsosura. Sasia dhe shkalla e të keqes në tokë do të kufizohet vetëm nga imagjinata e njeriut dhe shkalla që autoritetet e caktuara e kontrollojnë sjelljen njerëzore. Ashtu siç e ka parathënë Pali, kështu ka ndodhur: “Por njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë” (2 Timoteut 3:13). Kjo gjendje nuk është sipas dëshirës së Perëndisë për njeriun, por në kundërshtim me vullnetin e Tij, edhe pse Ai e lejon.

Perëndia i ballafaquar me perënditë e rremë

Vuajtjet dhe e keqja e shfrenuar janë gabimi i zgjedhjeve me dashje nga ana e njeriut, të cilat kanë prishur gjithçka që ai prek. Mëkati, vuajtjet dhe vdekja nuk janë vepra apo dëshira e Perëndisë, gjithashtu Perëndia nuk mund ta ndalë atë pa e shkatërruar botën – gjë të cilën do ta bëjë një ditë: “Qiejt do të shkojnë me krismë, elementët do të shkrihen nga të nxehtit dhe veprat dhe toka që janë në të do të digjen krejt…. Por ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia” (2 Pjetrit 3:10-13).

Deri atëherë, Perëndia “është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë” (2 Pjetrit 3:9). Vetë Perëndia ka ardhur si njeri për të paguar dënimin e pamasë të kërkuar nga drejtësinë e Tij e pamasë për mëkatet e tërë botës (1 Gjonit 2:2). Ai ua ofron faljen të gjithëve dhe e dërgon ungjillin e shpëtimit drejt “kujtdo që do të besojë”.

Njerëzit janë përgjegjës për mëkatin e tyre dhe për fatin e tyre të përjetshëm, sepse shpëtimi u ofrohet të gjithëve si dhuratë falas dhe të gjithë e kanë aftësinë ose ta pranojnë ose ta refuzojnë. Kalvinizmi ngul këmbë se njeriu nuk e ka një aftësi të tillë, megjithatë ai është përgjegjës gjithsesi. Të quash dikë përgjegjës se nuk arrin të bëjë atë që nuk mund të bëjë, do të ishte njësoj sikur të thuash se një foshnjë është përgjegjëse për të kapur rekordin botëror në 100 metra me pengesa.

Si mund t’i konsiderojë Perëndia mëkatarët përgjegjës për t’u penduar dhe besuar Krishtin, kur Ai u refuzon atyre aftësitë thelbësore për ta bërë një gjë të tillë? Vetë ndjenja e drejtësisë se vetë Perëndia ka vendosur në ndërgjegjen njerëzore thërret kundër një parodie të tillë! Dhe këtu ne e ballafaqojmë edhe një herë çështjen e vërtetë: karakteri i shenjtë, i drejtë, i mëshirshëm dhe i dashur i Perëndisë dëmtohet nga shtrembërimi i kalvinizmit.

Zinsi citon R. L. Dabnin “se mungesa e dashjes nga ana e Perëndisë për të shpëtuar të gjithë nuk nënkupton një mungesë të dashurisë. Perëndia ka dashuri të vërtetë e cila detyrohet nga arsye të qëndrueshme dhe të shenjta të njohura vetëm nga Ai” [29]. Arsyetime të tilla dështojnë sepse dashuria e vërtetë nuk dështon kurrë. Nuk ka “arsye të shenjta” se pse Perëndia nuk mund të bëjë për të mallkuarit atë që Ai bën për të zgjedhurit! Nuk mund të justifikohet Perëndia i kalvinizmit që nuk arrin të shpëtojë ata që Ai mund t’i shpëtojë. Gjithashtu as kjo mungesë dashurie dhe dhembshurie nuk mund të justifikohet për shkak të “arsyeve […] të njohura vetëm nga ai”. I ashtuquajturi hiperkalvinist i pranon me sinqeritet këto fakte të thjeshta; të vetëquajturit “të moderuar” i mohojnë.

Bibla e krahason të vërtetën, pastërtinë, dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë së vërtetë me brishtësinë tekanjoze të perëndive pagane. Në këtë proces, profetët i bëjnë thirrje arsyes sonë dhe ndërgjegjes që na ka dhënë Perëndia. Baali vihet në dukje si perëndi i rremë që nuk duhet adhuruar për shkak të kërkesës së tij që fëmijët të flijohen në zjarret e shenjta në altarët e tij. A mund të justifikohet Baali nga “arsye […] të njohura vetëm nga ai”? A do të shkaktonte Perëndia i vërtetë, për arsye të njohura prej Tij, miliarda njerëz të digjen përjetësisht në Liqenin e Zjarrit, të cilët Ai mund t’i çlironte sikurse i çliroi të zgjedhurit? Kurrë!

Ёshtë legjitime t’i bëhet thirrje ndërgjegjes dhe arsyes për të demaskuar perënditë e rremë. Me siguri asnjë standard më i ulët nuk duhet të zbatohet ndaj Perëndisë së vërtetë. Prandaj, çdo hyjni e pretenduar se është më pak i hirshëm, i dashur, i mirë dhe i mëshirshëm në krahasim me atë që ndërgjegjja e njeriut i thotë, ai nuk mund të jetë Perëndia i vërtetë. T’i atribuosh Atij ndonjë mungesë dashurie dhe mëshire do të thotë me siguri të shtrembërosh Perëndinë e zbuluar në Bibël.

 



Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. John MacArthur, autor dhe redaktor i përgjithshëm, The MacArthur Study Bible (Nashville, TN: Word Publishing, 1997), 1437-1438. ↵ Kthehu mbrapa
  2. John MacArthur, The Love of God (Dallas, TX: Word Publishing, 1996), 111-112, 121. ↵ Kthehu mbrapa
  3. MacArthur, Love, 134. ↵ Kthehu mbrapa
  4. Cituar nga  J. 1. Packer dhe O. R. Johnston në “Historical and Theological Introduction” të Luterit, Bondage, 56. ↵ Kthehu mbrapa
  5. Mendohet nga The New Park Street Pulpit, “Sovereign Grace and Man’s Responsibility”, një mesazh nga C. H. Spërxhëni paraqitur më 1 gusht 1858 në Music Hall, Royal Surrey Gardens. ↵ Kthehu mbrapa
  6. MacArthur, Love. ↵ Kthehu mbrapa
  7. Po aty, 101. ↵ Kthehu mbrapa
  8. Po aty, 102. ↵ Kthehu mbrapa
  9. Po aty, 16. ↵ Kthehu mbrapa
  10. Po aty, 12-13. ↵ Kthehu mbrapa
  11. Po aty, 120. ↵ Kthehu mbrapa
  12. Po aty, 103. ↵ Kthehu mbrapa
  13. Po aty, 95. ↵ Kthehu mbrapa
  14. Cituar nga J. I. Packer dhe O. R. Johnston në “Historical and Theological Introduction” të Luterit, Bondage, 56. ↵ Kthehu mbrapa
  15. MacArthur, Love, 196. ↵ Kthehu mbrapa
  16. Martin Luther, The Bondage of the Will, përkth. J. I. Packer dhe O. R. Johnston (Grand Rapids, MI: Fleming H. Revell, 1957, 11th prtg. 1999), 153. ↵ Kthehu mbrapa
  17. Po aty, 154. ↵ Kthehu mbrapa
  18. Canons of Dort (Dordrecht, Holland, 1619), shekulli III/IV, paragrafi 16; cituar te Vance, Other Side, 619. ↵ Kthehu mbrapa
  19. Calvin, Institutes, III:xxi, 1. ↵ Kthehu mbrapa
  20. Po aty. ↵ Kthehu mbrapa
  21. Palmer, parathënie e five points, 2. ↵ Kthehu mbrapa
  22. Wm. Oosterman, “Take a Long Look at the Doctrine of Election” (Ottawa, Canada: The Lord’s Library Publications, n. d.), 3. Mundësuar nga Westboro Baptist Church, Ottawa. ↵ Kthehu mbrapa
  23. Charles Haddon Spurgeon, “God’s Will and Man’s Will”, N. 442 (Newington: Metropolitan Tabernacle;  mesazh i paraqitur të dielën paradite, 30 mars 1862). ↵ Kthehu mbrapa
  24. Po aty. ↵ Kthehu mbrapa
  25. Po aty. ↵ Kthehu mbrapa
  26. Palmer, five points, 27. ↵ Kthehu mbrapa
  27. Spurgeon, “God’s Will”. ↵ Kthehu mbrapa
  28. Robert M. Zins ndaj Dave Hunt, 23 gusht 2000. Në dosje. ↵ Kthehu mbrapa
  29. Po aty. ↵ Kthehu mbrapa