Prehja në dashurinë e Perëndisë

ÇFARË DASHURIE ËSHTË KJO?

SA MË THELLË E STUDIONTE Agroni temën e sigurisë, aq më i pështjelluar bëhej me kontradiktat e shpeshta midis kalvinistëve. Ai lexoi atje ku Xhon MekArturi tha se “ata besimi i të cilëve është i vërtetë do të vërtetojnë se shpëtimi i tyre është i sigurt duke këmbëngulur deri në fund në udhën e drejtësisë”{{1}}. Por Jozef Dillou, në një libër që është rekomanduar së tepërmi nga pastori i tij si paraqitja e fjalës më të qartë rreth sigurisë së shpëtimit, e kritikonte MekArturin dhe (me shumë citime nga Kalvini për ta mbështetur) pohonte se “besimi shpëtues në Kalvinin dhe në Dhiatën e Re është një gjë pasive vendosur në mendje”{{2}}. Në atë rast, do të ishte e pavarur nga ndonjë vepër.

Kalvini argumentonte se “nëse jemi në përbashkësi me Krishtin, kemi prova mjaft të qarta dhe të forta se ne jemi shkruar në Librin e Jetës”{{3}}. Por duke parë mashtrimin e çdo zemre njerëzore, si mund të jemi kemi qenë të sigurt se ishim në përbashkësi me Krishtin – dhe ç’mund të themi për të gjitha gjërat e tjera që tha Kalvini rreth sigurisë së rreme në kontradiktë me këtë pohim? Agroni ishte tani atje ku Kalvini kishte thënë saktësisht se ku do të ishte: “Të gjithë ata që nuk e dinë se janë populli i veçantë i Perëndisë, duhet të përçmohen nga drithërima e përhershme”{{4}}. Këtu mjerimi i tij do të ishte, pra, i pafund?

Pështjellimi i Agronit vetëm sa rritej (por me të një fije shprese) kur lexoi pranimin nga Gershtneri se ata që mendojnë se e kanë sigurinë e plotë se janë të shpëtuar “nguliten në përkufizimet e gabuara të besimit shpëtues që ne morëm nga reformatorët e parë. Ata […] e përkufizuan besimin shpëtues si një besim që ‘Krishti më ka shpëtuar mua‘, duke e bërë sigurinë e shpresës thelbin e vet të domosdoshëm. Tani, reformatorët e mëvonshëm […] e kanë vënë këtë pikëpamje në shqyrtim dhe e kanë refuzuar (ashtu siç bën Asambleja Uestminster) mbi baza frymërore”{{5}}. Kjo do të thoshte se siguria e mëparshme e Agronit rreth shpëtimit kishte qenë në fakt në përputhje me reformatorët e hershëm, dhe ishin këta të fundit që u tërhoqën nga ai pozicion! Cilin duhej të besonte ai – dhe pse këto mospërputhje midis kalvinistëve?

Agroni çuditej se si i kishte shpëtuar fakti se kaq shumë kalvinistë dukeshin se ngulnin këmbë që siguria ishte e pamundur. Keneth Gentri (Kenneth Gentry) shkruan: “Siguria është subjektive…. Dabni shënon me të drejtë se [siguria absolute] kërkon një zbulim përtej Shkrimit, sepse Bibla nuk i flet në mënyrë specifike individit në fjalë. Në asnjë vend të Biblës nuk mësojmë […] se Ken Gentri është midis të zgjedhurve”{{6}}. Agroni u trondit keq. Nga artikulli i Gentrit dhe pohime të ngjashme nga kalvinistë kryesues të tjerë, a duhej të dilte ai në përfundimin se kalvinizmi e kundërshton në fakt sigurinë që po kërkonte ai? Kjo dukej se ishte ajo çfarë thoshte Uolter Çentri (Walter Chantry):

Pak duken se i çmojnë dyshimet e të krishterëve deklarues që vënë në dyshim nëse kanë lindur sërish. Ata nuk kanë dyshim se Perëndia do të mbajë premtimet e Tij, por pyesin veten nëse i kanë përmbushur siç duhet kushtet për të qenë trashëgimtarë të atyre premtimeve…. Ata po bëjnë një pyetje legjitime: “A kemi besuar dhe a jemi penduar? A jemi ne marrësit e hirit të Perëndisë…?”. Duke qenë se lexojmë për hipokritë të vetëmashtruar si Juda, kjo është një pyetje e domosdoshme. “Çfarë duhet të bëj që të shpëtohem?”, është një pyetje tjetër e ndryshme nga: “Si ta di që e kam bërë këtë?”. Ti mund t’i përgjigjesh së parës me plot besim. Vetëm Fryma mund t’i përgjigjet të dytës me siguri{{7}}.

Agroni jo vetëm që u ngatërrua, por u shqetësua thellë nga karakteri përzgjedhës i apologjetëve kalvinistë kryesues, që  ai filloi ta vinte re dhe që e kemi dokumentuar në kapitujt e mëparshëm. Në zellin e tij për të mohuar se vullneti nuk kishte të bënte fare me besimin dhe për të treguar se ishte plotësisht një qëndrim mendor i prodhuar nga Fryma e Shenjtë pa vullnetin e njeriut, Dillou citon Efesianëve 6:23 (“Paqe vëllezërve dhe dashuri me besim nga Perëndia Ati dhe nga Zoti Jezu Krisht”){{8}}, por lë pas dore të përmendë 6:16 (“Mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit…”). Meqë termi “duke marrë” me siguri ishte diçka që ne duhet ta bëjmë, po kështu besimi duhet të jetë gjithashtu përgjegjësia jonë. Por kjo e kundërshton sovranitetin që po pohonte Dillou. Nuk është për t’u çuditur që nuk e përmend këtë varg!

Agroni nuk gjeti shumë ngushëllim nga miqtë e tij kalvinistë. Ata kishin dyshimet e tyre, të cilat i mohonin përgjithësisht, duke i pranuar vetëm gjatë çasteve të rralla të sinqerta. Ishte e gjitha sovranitet pa asnjë pjesë farë për t’u luajtur nga njeriu – përveç faktit që dikush duhej të këmbëngulte deri në fund dhe ta tregonte në jetën e tij. Dhe Agroni e dinte se nuk po e kalonte provën.

Një mik i kishte dhënë Agronit një artikull nga R. C. Sprouli të titulluar “Siguria e shpëtimit”. Agroni e kishte lexuar me zell, duke shpresuar për ndihmë, vetëm për t’u përballur me këtë pohim shqetësues: “Ka njerëz në këtë botë që nuk janë të shpëtuar, por që janë të bindur që janë…”{{9}}.

Kjo dukej se përshkruante atë sigurinë e rreme që kishte patur më parë. Tani e dinte më mirë. Sa më tepër që kërkonte, aq më tepër bindej se siguria e qiellit ishte përtej arritjes së tij. Dhe për çudinë e tij, Agroni po zbulonte se pasiguria e shpëtimit ishte më tepër e zakontë midis kalvinistëve. Një pohim nga I. Hauard Marshalli (I. Howard Marshall) dukej se e përshkoi zemrën e tij tej për tej, sepse ishte aq e vërtetë për situatën e tij: “Kushdo që ka thënë: ‘kalvinisti e di se nuk mund të rrëzohet nga shpëtimi, por nuk e di nëse e ka marrë atë’, e ka përmbledhur shumë mirë”{{10}}. A ishte vetë kalvinizmi, atëherë, rrënja e dyshimeve të tij?

Sa më shumë lexonte Agroni, aq më i pështjelluar bëhej. Dillou vazhdoi të fliste për besimin që sjell siguri{{11}} derisa u bë nga ana teologjike shumë e ndërlikuar për rojtarin e burgut nga Filipia që të ketë kuptuar atë që nënkuptonte Pali kur tha: “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote” (Veprat e Apostujve 16:31). Por a mund të ishte aq e dukshme si pohimi i thjeshtë i Palit?

Çështja qendrore: dashuria e Perëndisë

Shprehja e shqetësuar e fytyrës së Agronit dhe humori i rëndë gjithnjë e në rritje së fundi e nxiti Teutën të thyente heshtjen.

– Prit ta marrim vesh njëherë – filloi ajo. – Perëndia në të cilin beson tani….

– Çfarë do të thuash: “Perëndia në të cilin besoj tani’? – thirri Agroni me ton të fortë duke e ndërprerë menjëherë. – Ai është i njëti Perëndi që kam besuar gjithmonë dhe Ai në të cilin beson edhe ti!

– Vërtet? Dëgjoj me vëmendje pastor Tanin […] dhe nuk jam e vetmja me të njëjtat shqetësime. Perëndia i Biblës në të cilin besoj (dhe që besoje edhe ti) e do tërë botën dhe dëshiron që të gjithë të shpëtohen. Ai na jep të gjithëve të drejtën të zgjedhim – kështu nuk është vepra e Tij nëse dikush shkon në ferr….

– Ky është interpretimi yt – e ndërpreu Agroni. Ai nuk mund ta lejonte Teutën që ajo të zbulonte dyshimet e tij.

– Më lër të mbaroj, të lutem…? Perëndia yt i ri nuk i jep dikujt mundësi zgjedhjeje. Ai i rilind disa të zgjedhur në kundërshtim me vullnetin e tyre dhe….

– Kjo nuk është e vërtetë! – ia ktheu menjëherë Agroni. – Ai na bën të duam duke ndryshuar zemrat tona.

– A doje ti të rilindeshe?

– Nuk e dija nëse isha i rilindur.

Këto fjalë rrëshqitën nga goja e Agronit para se ta kuptonte.

– Kjo duhet të ndodhë para se dikush të mund të besojë ungjillin. Ne rilindemi, pastaj na jepet besimi….

– Saktësisht atë që thashë unë. Vullneti yt është vënë kundër vullnetit të Perëndisë. Ai të rilindi vetvetiu. Nëse kjo nuk është kundër vullnetit tënd….

– Shiko […] duhet të mendoj për këtë.

– Nuk ke patur zgjidhje. Ai të ka zgjedhur.

– Hiri duhet të jetë i papërballueshëm, sepse askush nuk e do atë. Ti mendon se një Perëndi sovran do të lërë njeriun të ketë fjalën e fundit! Atëherë Ai nuk është sovran! Perëndia në të cilin besoj nuk do të lërë njeriun vocërrak të pengojë qëllimet e Tij! Ti nuk e kupton sovranitetin […] Perëndia nuk e ndan fronin e Tij!

– Sovraniteti, paranjohja, vullneti i lirë […] kalvinistët i ndërlikojnë shumë – ia kthey Teuta. – Por Bibla është shumë e qartë saqë edhe një fëmijë mund ta kuptojë. Çështja e vërtetë është dashuria – dhe kjo qartëson gjithçka. Ti beson në fakt se Perëndia i cili është dashuri do vetëm disa dhe e paracakton pjesën tjetër për mundim të përjetshëm? Çfarë dashurie është kjo?

– Epo […] Bibla e mëson vërtet zgjedhjen. Ti e pranon këtë….

– Harroje zgjedhjen për një moment….

– Është në Bibël, për atë Zot! Si mund ta harrosh?

– Dua të them se është shumë e ndërlikuar. Ka diçka më të thjeshtë – dashuria e Perëndisë. Nuk mund të besoj se Perëndia që njoh e dërgon dikë në ferr, të cilin Ai mund ta kishte shpëtuar!

– As mua nuk më bën të ndihem rehat. Por Bibla mëson se ky është pëlqimi i mirë i Perëndisë.

Ku e thotë Bibla këtë!? Bibla ime thotë se Perëndia nuk kënaqet me shkatërrimin e të pabesit, por dëshiron që të gjithë të shpëtohen. Agron, unë të dua, por nuk mund të vazhdoj më me këtë punë. Ky nuk është Perëndia i dashurisë që njoh dhe që lexoj në Bibël. Mendoj se kalvinizmi në të cilin ndodhesh ti dhe pastori e shtrembëron Perëndinë. Por nuk dua të diskutoj më – ne vetëm po zihemi me fjalë.

– Kjo nuk është zënie me fjalë, Teuta. Kjo është e rëndësishme. Kam studiuar për këtë me muaj të tërë.

– Agron, të admiroj për përpjekjet që ke bërë. Por nuk duhet studim për të parë që Perëndia e do tërë botën aq shumë sa dërgoi Birin e Tij për të vdekur për mëkatet e të gjithëve, në mënyrë që “bota të shpëtohet përmes tij”. Dhe ky është vetëm një varg.

Botë atje nuk nënkupton çdo individ, por çdo lloj njerëzish që formojnë njerëzimin – të zgjedhurit – ia ktheu Agroni. – Ti nuk kupton. Duhet pak më tepër studim….

– A mos mendon se nuk kam studiuar? Njoh mjaft vargje për të më treguar se kalvinizmi e shpif Perëndinë për të cilin Pali tha që dëshiron “që gjithë njerëzit të shpëtohen” (1 Timoteut 2:4) dhe për të cilin Pjetri tha që “nuk do që ndokush të humbasë” (2 Pjetrit 3:9).

Gjithë njerëzit do të thotë çdo klasë njerëzish. Pali thotë: “Mbretërit e […] të gjithë ata që janë në pushtet…” te 1 Timoteut 2:2. Ai po thotë këtu se ka klasa te të zgjedhurit. Nëse nuk më lë të shpjegohem….

– Të lutem, Agron, mos e ndërliko Biblën. Kur ajo thotë se Perëndia e do tërë botën dhe nuk do që ndokush të humbasë, pse të lodhesh aq shumë sa ta sforcosh që të thotë të zgjedhurit?

Teuta mblodhi supet e pashpresë.

– Vazhdo dhe studioje kalvinizmin. Unë do të vazhdoj me besimin tim të thjeshtë dhe le të mos zihemi më me fjalë për këtë.

– Ne nuk po zihemi me fjalë – thjesht po diskutojmë.

Por Teuta ishte kthyer te lavapjata në kuzhinë dhe po merrej me larjen e enëve të darkës, duke gumëzhitur: “Siguri e bekuar, Jezusi është imi…”.

Ferri: zgjedhja e kujt?

Ishte shumë shqetësuese për Agronin (edhe pse nuk ishte gati ta pranonte para Teutës) se, pavarësisht nga paraqitja biblike nga Zanafilla te Zbulesa e dashurisë, hirit dhe mëshirës së Perëndisë ndaj të gjithëve, kalvinizmi e paraqiste Perëndinë të kënaqur me dënimin e miliarda njerëzve. Më parë kjo pikëpamje i ishte dukur mënyra e vetme për të mbështetur sovranitetin e Perëndisë, por tani ai habitej nëse një theksim i tepërt ndaj sovranitetit e kishte zvogëluar dashurinë e Perëndisë. Ai lexoi atje ku kishte thënë Uajti:

Ne njohim, natyrisht, se duhet të kemi lavdinë e Perëndisë si qëllimin tonë më të lartë, përparësinë tonë më të lartë. Kështu nuk duhet të jetë fare për t’u çuditur se përgjigjja më e thellë që Shkrimi i jep pyetjes: “Për çfarë shërben e tëra kjo?” është se është gjithçka për lavdinë e Perëndisë. Tërë shpëtimi rezulton për përlëvdimin e lavdisë së hirit të Tij{{12}}.

Këto ishin fjalë të këndshme të cilat disa muaj më parë Agroni do t’i kishte miratuar pa u menduar shumë. Tani ai habitej se si paracaktimi i turmave të njerëzve për mundim të përjetshëm mund të jetë për lavdi të hirit të Perëndisë – dhe se si shpëtimi i të zgjedhurve mund të përlëvdonte Perëndinë nëse Ai mund të kishte bërë të njëjtën gjë për të gjithë, por nuk e bëri.

Fjalët e Teutës që prej muajsh më parë i erdhën nëpër mend për ta tallur: “Bibla mëson se ata që janë në ferr do të jenë atje ngaqë, edhe pse Perëndia nuk donte që ata të shkonin atje dhe parashikoi me dashuri dhe ofroi falas shpëtimin e plotë, ata e refuzuan”.

Të thuash se sovraniteti i Perëndisë do të mohohet nëse njeriu kishte një zgjedhje nuk dukej më e sigurt si më parë. A mund të bënte Perëndia një vendim sovran t’i lejonte njeriut vullnetin e lirë? Agroni filloi të lexonte me kujdes disa kritikë të kalvinizmit dhe hasi paragrafin më poshtë, i cili iu duk se kishte shumë kuptim:

Çfarë i duhet fuqisë së madhe (plotfuqisë): të krijojë qenie që nuk kanë aftësi të zgjedhin – të cilët janë thjesht gurë shahu në fushën kozmike të shahut të Perëndisë – apo të krijojë qenie që kanë lirinë të pranojnë apo refuzojnë shpëtimin e Perëndisë? Unë pranoj këtë të fundit…. A do të ishte një qenie mizore një Perëndi që ka caktuar ekzistencën e qenieve të pavdekshme pa bërë ndonjë parashikim për ta për t’i shpëtuar mundimit të përjetshëm? Çfarë lloj Perëndie do t’i bënte thirrje njerëzimit “të besonte dhe të shpëtohej” kur Ai e di se ata nuk munden [dhe] çfarë marrëdhënie ekziston atëherë midis Perëndisë dhe njerëzve që nuk mund ta zgjidhnin Atë – por janë thirrur “në mënyrë të papërballueshme”…? Për këto dhe arsye të tjera vë në dyshim idenë që zgjedhja e pakushtëzuar e individëve dhe kalvinizmi pesëpikësh pasqyron më mirë atributet e Perëndisë. Një Perëndi që u ofron në mënyrë sovrane shpëtimin të gjithëve përmes Shpëtimtarit të Tij të zgjedhur pasqyron si fuqi ashtu edhe dashuri{{13}}.

Këmbëngulja e shenjtorëve?

Agroni vazhdoi të ndeshej me çështjen e sigurisë. Madje përveç pyetjes nëse ishte një prej të zgjedhurve, ai ishte akoma i pështjelluar nëse përvoja e tij e besimit në Krishtin ishte biblike apo jo. Duke lexuar përsëri librin e Xhejms Uajtit, Liria e poçarit, ai u ndesh edhe një herë me pohimin për të cilin kalvinistët ishin gati 100 përqind në përputhje me njëri-tjetrin: “Diçka duhet të ndodhë para se një person të mund ‘të dëgjojë’ apo të besojë në Krishtin: dhe kjo është vepra e Perëndisë në rilindjen e njeriut natyror dhe çuarja e tij në një jetë frymërore”{{14}}. Kjo me siguri nuk kishte qenë rendi i ndodhive të shkuarjes së tij te Krishti, kur e kujtoi. Ai kishte menduar se ishte rilindur (lindur sërish) pas besimit të tij në Krishtin dhe si rezultat i besimit të ungjillit.

Por gati njësoj si Uajti, Xhonathan Eduartsi mendonte gjithashtu se duhet të ndodhte “parimi i shenjtërisë që e pararend besimin […] ndryshimi i bërë në zemrën e mëkatarit para se të ketë ndonjë veprim [pra, besim në Krishtin]”{{15}}. Duke u kthyer me mendje tek ajo natë vendimtare, Agroni nuk mund të shikonte se si mund të kishte ndodhur kjo me të.

Agroni po dëgjonte një kasetë nga Xhon Armstrongu, një njeri që e admironte shumë si një kalvinist kryesues dhe u trondit kur e dëgjoi të thoshte: “Më bënë pyetjen para një viti nga një grup pastorësh në Pensilvani…: ‘Cila mendon se është ajo doktrinë që është më shkatërrimtare në jetën e kishës […] sot?’. Dhe unë thashë, doktrina e sigurisë së përjetshme”{{16}}.

Agroni nuk mund t’u besonte veshëve. Atij iu desh të kthente mbrapsht shiritin dhe ta dëgjonte edhe dy herë të tjera. Ishte e vërtetë, ai e kishte dëgjuar drejt që herën e parë. Kështu, gjëja më e keqe e mundshme ishte të kishe sigurinë e shpëtimit? Armstrongu dukej se shpjegonte se pse çdo siguri e dukshme mund të ishte vetëm e rremë: “Perëndia shfajëson, por njeriu duhet të ketë besim dhe duhet të bindet… (Romakëve 2:13, 14). Kur thotë se ai që i bindet ligjit, është i shfajësuar, do të thotë saktësisht këtë. Ky nuk është një varg hipotetik, zonja dhe zotërinj, mënyra se si shumë protestantë e kanë lexuar. Dhe kur Jakobi 2:13, 14 [në fakt është Romakëve 2:13] thotë: ‘Ata që e zbatojnë ligjin do të shfajësohen’, do të thotë ata që e zbatojnë ligjin do të shfajësohen. Për këtë arsye Jakobi dhe Pali nuk janë në konflikt…. Më lejoni t’ju sugjeroj […] [gjithashtu] Efesianëve 2:8-10 […]. Ne jemi shpëtuar për vepra të mira. Ato janë domosdoshmërisht vepra që rrjedhin logjikisht. Pa to nuk ka shpëtim. Apo jo?”{{17}}.

Nuk është për t’u habitur që nuk ka siguri shpëtimi: varet nga zbatimi ynë i ligjit! Bibla thotë se askush nuk e ka zbatuar ligjin, kështu, kush mund të shpëtohet? Agroni u shkretua fare. A kishte të drejtë Armstrongu apo Dillou? Megjithatë të dy jo vetëm e kundërshtonin njëri-tjetrin, por edhe vetveten. Në të njëjtën kasetë, Armstrongu tha se njeriu nuk kishte vullnet, se libri i Luterit, Skllavëria e vullnetit, ishte gjithçka që përbënte Reformimin dhe se madje besimi për të besuar ishte dhuratë nga Perëndia. Kështu, si mund të jetë përgjegjësi e njeriut të besojë dhe të zbatojë ligjin? Agroni u trullos fare. Gjithashtu nuk qe ndihmë për të kur Armstrongu tha antitodën e tij: “Këmbëngulja, dhe këtu është çështja, është atributi i domosdoshëm i shfajësimit”{{18}}.

Këmbëngulja? Kjo me siguri i vuri zgjedhën mbi kokë. A mos kishte nevojë vetëm për këmbëngulje? Ç’dobi do të sillte nëse ai nuk ishte midis të zgjedhurve?

Këmbëngulja ishte gjithçka për kalvinistët, por jo për të tjerët. Kujt duhej t’i besonte Agroni? Dhe si mund të provonte një dështim për të këmbëngulur pas atij fakti se dikush nuk ishte shpëtuar në radhë të parë? Pse ajo do të thoshte se dikush nuk do të ishte kurrë i sigurt se ishte shpëtuar derisa të vdiste dhe kështu të dinte nëse kishte këmbëngulur me të vërtetë deri në fund! Agroni kishte qenë më parë aq i lumtur me pikën e pestë të kalvinizmit sepse kishte menduar se nënkuptonte se Perëndia do të bënte këmbënguljen: “Sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij” (Filipianëve 2:13). Tani zbuloi se këmbëngulja në vepra të mira dhe zbatimi i ligjit varej nga ai dhe ai e dinte se nuk mund t’ia dilte – me siguri jo, nëse nuk ishte midis të zgjedhurve. Kjo ishte pika që e torturonte.

Pse nuk e kishte vënë re më parë këtë theksim rreth këmbënguljes së dikujt? Agroni e dinte se “rendimenti” i tij kishte degjeneruar kohët e fundit dhe se nënkuptonte se këmbëngulja e tij në besim ishte larg asaj që duhej të ishte. Fakti që ishte pllakosur nga dyshime ishte një provë e mëtejshme se ai nuk po këmbëngulte. Dhe dyshimet rriteshin gjithnjë e më tepër kur studionte shkrimet e kalvinistëve kryesues, të lashtë apo modernë. A mund të ishte vetë kalvinizmi që i ushqente dyshimet? Mbase Kalvini po e pranonte këtë kur shkroi:

Sepse zor se mund të gjejmë një mendje në të cilën të mos dalin ndonjëherë mendimet, nëse shpëtimi yt është nga zgjedhja e Perëndisë? Por çfarë prove ke për zgjedhjen tënde? Kur ky mendim ka pushtuar një person, e mban atë vazhdimisht të mjerueshëm, e dorëzon në mundim të llahtarshëm, apo e hedh në një gjendje çudie të plotë…. Prandaj, ndërsa trembemi për lundërthyerje, duhet të shmangim këtë shkëmb, i cili është fatal për çdo kënd që përplaset me të… {{19}}.

Agroni mbeti i shkretuar. Të përpiqesh të jesh i sigurt se je njëri prej të zgjedhurve do të ishte fatale? Prit një minutë! A nuk ishte doktrina kalviniste e zgjedhjes që kishte e shkaktuar pasigurinë e tij? Jokalvinistët nuk kishin dyshime të tilla. Nëse e braktiste këtë doktrinë, a do të gjente paqe?

Gjithnjë e më tepër pyetje pa përgjigje

Agroni filloi të pyeste me kujdes miq të krishterë se si e dinin se ishin të shpëtuar. Kalvinistët thanë se ata ishin midis të zgjedhurve dhe kishin veprat që e vërtetonin këtë, edhe pse ndonjëherë nuk ishin kryesisht të rehatshëm me rendimentin e tyre. Jokalvinistët përgjigjeshin thjesht se ata kishin besuar ungjillin. Krishti u kishte premtuar jetë të përjetshme të gjithëve që do të shkonin tek Ai me besim dhe kjo mjaftonte për ta.

Sa më tepër studionte Agroni, aq më tepër pyetje shqetësuese e mbysnin. Nëse njeriu është plotësisht i shthurur nga natyra, si mund të dëshirojë apo madje të bëjë vepra të mira? Por ai i bën. Nëse shthurja e plotë nuk është e plotë deri në atë shkallë, atëherë pse është e plotë kur ka të bëjë me besimin e ungjillit? Pse duhet t’i përgjërohej Perëndia vazhdimisht njerëzve të pendohen nëse ata nuk mund të pendohen? Pse të dërgojë profetët e Tij ditë pas dite, vit pas viti, duke u përgjëruar me Izraelin e parilindur, nëse ata ishin paracaktuar për t’u rebeluar dhe për të shkuar në ferr? Nëse hiri është i papërballueshëm, pse të mos i jepet të gjithëve? A do ta bënte dashuria këtë?

Të gjithë? Kthehej gjithmonë te ankesa kryesore e Teutës – si mundet Perëndia, i cili është dashuri, të lejojë dikë të humbasë të cilin mund ta kishte shpëtuar? Madje më e keqja, si mundet Perëndia i çdo hiri (1 Pjetrit 5:10) dhe i mëshirës të dëshirojë shkatërrimin e dikujt? Ai nuk e kishte pranuar kurrë para Teutës, por kjo pyetje e kishte shqetësuar për një kohë të gjatë dhe tani po fillonte të shtynte çdo gjë tjetër në sfond. Pyetja e sinqertë e Teutës nuk e linte të qetë: “ Çfarë dashurie është kjo?”.

Deri diku, një libërth i vogël nga Spërxhëni ra në duart e Agronit dhe ishte i gëzuar të lexonte që edhe pse ai predikues i madh dhe kalvinist i patundur e pranonte se nuk e kishte kuptuar në kohën e kthimit të tij që Perëndia e kishte rilindur në mënyrë sovrane, as nuk mund të imagjinonte se në ç’pikë kishte ndodhur kjo. Spërxhëni rrëfen: “Kur po shkoja te Krishti, mendova se po shkoja vetë – e kërkova Zotin me ndershmëri…”. Por vetëm pas një kohe më vonë e kuptoi ai se “Perëndia ishte shkaku i gjithçkaje…. Ai ishte Autori i besimit tim dhe kështu tërë doktrina e hirit u zhbllokua për mua…”{{20}}. Ai e mbylli mesazhin e tij duke pohuar se ata të krishterë që janë më të perëndishmit, më të nderuarit dhe më të përkushtuarit ndaj Zotit “besojnë se ata janë të shpëtuar me anë të hirit, pa veprat, nëpërmjet besimit dhe jo prej vetvetes, kjo është dhurata e Perëndisë”{{21}}. Kjo tingëllonte si miqtë e tij jokalvinistë dhe mënyra se si kishte besuar para se të bëhej një kalvinist!

Perëndisë i qoftë lavdia!

Agroni kujtoi se para se të bëhej një kalvinist, ai e kishte lavdëruar Perëndinë që ishte Autori i shpëtimit dhe Shpëtimtari i mëkatarëve, i kishte dhënë tërë nderin dhe lavdinë Atij dhe kishte kuptuar shumë qartë se ai nuk do ta kishte kërkuar kurrë atë nëse Perëndia nuk do të kishte lëvizur mbi të përmes Frymës së Tij për të bërë një gjë të tillë. Por ai kishte qenë gjithashtu i sigurt se ishte përgjegjësia e tij t’i përgjigjej me besim nga zemra. Me siguri, që njeriu t’i përgjigjej Perëndisë duke pranuar me mirënjohje dhuratën e shpëtimit nuk do të asgjësonte asgjë nga ato që tha Spërxhëni. Dhe si mund të sfidohet sovraniteti i Perëndisë që njeriu të pranojë me mirënjohje atë që Perëndia ka ofruar ndërsa i jep Perëndisë tërë lavdinë?

Teuta, në fakt, kishte sugjeruar pak kohë më parë:

– Më duket se lavdërimi dhe mirënjohja ime ndaj Zotit është më e vërtetë dhe më lavdëruese për Perëndinë se e çdo kalvinisti.

– Si mund ta thuash një gjë të tillë – protestoi Agroni.

– Sepse mirënjohja dhe lavdërimi im dalin nga zemra. Unë nuk kam qenë e programuar për të pranuar Krishtin….

E programuar? Asnjë kalvinist nuk e mëson një gjë të tillë!

– Ti nuk e quan ashtu, por ti ishte plotësisht kundër Perëndisë dhe në vend që zemra jote të fitohej për Krishtin me anë të dashurisë, hirit dhe mëshirës së Tij, ti u bëre të besoje….

– Jo u bëra të besoj – e ndërpreu Agroni me pa durim. Kur do të kuptonte ajo xhanëm? – Vullnetet tona janë ndryshuar me hir!

– Në rregull, ti u shkaktove të besosh. Agron, ti nuk mund t’i bësh bisht faktit që Perëndia i bëri diçka vullnetit tënd në mënyrë që ti të besoje atë që nuk besoje. Dhe nuk ndodhi për shkak të ndonjë bindjeje nga ana jote, ndonjë kuptim, ndonjë besim nga ana jote. Kam lexuar disa nga ato librat kalvinistë që ke sjellë ti.

Si çdo argument tjetër – po, në të tilla ishin kthyer – edhe kjo, gjithashtu, përfundoi pa i dhënë të drejtë njëri-tjetrit. Por Agroni mbeti shumë i tronditur në besimin e tij se kalvinizmi ishte e vërteta e Perëndisë. Aq shqetësues kishte qenë realizimi, saqë pasiguria e tij u duk të dilte nga vetë kalvinizmi. Nuk është për t’u çuditur që Kalvini ka bërë shumë shkrime rreth dyshimeve:

Midis tundimeve me të cilat Satani i sulmon besimtarët, asnjë nuk është më i madh apo më i rrezikshëm se, kur i turbullon me dyshime për sa i përket zgjedhjes së tyre, ai në të njëjtën kohë i nxit me një dëshirë të shthurur për të bërë pyetje rreth saj në një mënyrë jo të duhur…. Dua të them kur njeriu vocërrak përpiqet të depërtojë vendet e fshehta të diturisë hyjnore […] në mënyrë që të kuptojë se çfarë përcaktimi përfundimtar ka bërë Perëndia në lidhje me të{{22}}.

Kështu nuk ishte e përshtatshme të dëshiroje të dije “përcaktimin përfundimtar që ka bërë Perëndia në lidhje me të”? Por nuk kishte gjë tjetër kaq të rëndësishme! Duket se Kalvini vazhdon të kundërshtojë vetveten. Disa herë ai madje duket se thotë që ne duhet vetëm të besojmë në Perëndinë për zgjedhjen tonë: “Besimi ynë nuk duhet të shkojë më larg se fjala…”{{23}}. Agroni kuptoi se nëse do të bënte këtë, do të kthehej nga kalvinizmi, te besimi i thjeshtë i ungjillit. Mbase, mendoi Agroni me dëshpërim, ai duhej të kthehej madje para asaj që ai mendonte se ishte kthimi i tij dhe të kthehej në Kishën ku ishte edukuar.

Dëshpërimi – dhe ndriçimi

Agroni filloi të mendonte më tepër seriozisht për t’u kthyer në katolicizëm. Duke qenë në siklet dhe i pasigurt, ai u kthye te famullia e tij e vjetër dhe pa se ishte përgjegjës një prift i ri që nuk e njihte atë. Kjo e bënte më të lehtë. Ndërsa po i thoshte burrit të ri se donte të shqyrtonte mundësinë e kthimit te katolicizmi, u përmend në njëfarë mënyre emri i Kalvinit. Në pesëmbëdhjetë minutat e ardhshme, për çudinë e tij të madhe, Agroni zbuloi se ky prift dinte edhe më tepër për kalvinizmin se pastor Tani.

Një kopje e ngrënë e veprës së Kalvinit Parimet e fesë së krishterë u tërhoq nga një raft dhe prifti filloi të lexonte një pjesë për të cilën ishte i sigurt se do të zgjidhte çdo pyetje në mendjen e Agronit rreth kthimit te Kisha e vërtetë. Agroni gati u hodh përpjetë dhe thirri: “Aleluja!” kur dëgjoi atë që kishte thënë Kalvini për pagëzimin. Ai mezi arrinte t’u besonte veshëve se, sipas Kalvinit, pagëzimi i tij si një foshnjë në kishën katolike e bënte një prej të zgjedhurve. Gjithçka që duhej të bënte ishte të besonte premtimin e qenësishëm në pagëzimin e tij katolik!

Agroni mbeti i dalldisur. Kisha katolike kishte bërë më tepër për të nga sa kishte ditur. Kështu, ai ishte një prej të zgjedhurve mbi të gjitha: vetë Kalvini e kishte thënë! Gjithçka që duhej të bënte Agroni ishte të besonte te pagëzimi i tij.

Por kjo siguri e re zgjati vetëm për disa ditë. A duhej të ishte besimi i tij në pagëzimin e tij si foshnjë shumë e re për të kuptuar diçka, dhe në duart e një prifti katolik, i cili vetë mësonte dhe praktikonte një shpëtim të rremë? A ishte kjo me të vërtetë themeli i shpëtimit të përjetshëm? Epo, Kalvini kështu e kishte thënë.

Po lidhur me ungjillin e vërtetë që kishte besuar, [që ishte] “fuqia e Perëndisë për shpëtimin” dhe që si rrjedhim kishte lindur sërish? Nëse pagëzimi si një foshnjë kur nuk e kuptonte se çfarë po ndodhte e kishte bërë një fëmijë të Perëndisë, ashtu siç kishte ngulur këmbë Kalvini, deri në përndjekjen e atyre që nuk pajtoheshin me këtë, atëherë ç’kuptim kishte besimi i tij tek ungjilli? Jo, ai nuk mund ta pranonte këtë, edhe pse Kalvini e kishte shpallur. Agroni kishte mbërritur së fundi te një peshk në pellgun e kalvinizmit tepër të madh për t’u gëlltitur.

Tani ai u përball me dyshime të tjera: Nëse Kalvini e kishte patur aq gabim për pagëzimin e foshnjave – dhe nuk kishte dyshim se kishte qenë ashtu sikurse Luteri – mbase pjesa tjetër e mësimeve të tij ishte njësoj e gabuar. Pse duhej të besonte ai TULIP-in? I dukej e pamundur që Kalvini të kishte shkruar një herezi të tillë si ajo rreth pagëzimit – po, herezi; nuk kishte emër tjetër për këtë – por prifti ia kishte treguar mu atje te vepra Parimet dhe Agroni e kishte parë me sytë e tij kur u kthye në shtëpi.

Një sfidë e harruar

Agroni u kthye përsëri te koleksioni i tij i shkrimtarëve kalvinistë dhe filloi të shfletonte librat e tyre dhe të dëgjonte kasetat e tyre edhe një herë, duke shpresuar të gjente përgjigjen e pakapshme që po kërkonte. Duke shfletosur një prej librave gjeti një letër të marrë nga një mik i interesuar disa muaj pasi ishte bërë kalvinist. Tani roli i harruar dhe i rëndësishëm që kishte ndikuar në shtimin e dyshimeve të tij i vërshoi në kujtesë. Ai e lexoi me kujdes dhe i zhytur në mendime:

Për sa i përket doktrinës së zgjedhjes që të përul, a e ke konsideruar ndonjëherë se nga e di se je njëri prej të zgjedhurve? Kalvini tha fjalë për fjalë se Perëndia i shkakton disa nga të pazgjedhurit të imagjinojnë se kanë besuar dhe janë midis të zgjedhurve, për t’i gjykuar ata më mirë. A është ky Perëndia në të cilin beson? A je i sigurt se nuk je vetëm duke imagjinuar se je njëri prej të zgjedhurve?

Çfarë të kualifikon të jesh njëri prej të zgjedhurve? Kalvini tha se nuk kishte arsye që Perëndia të të zgjedhë veç nëse kjo i ka pëlqyer Atij të bëjë një gjë të tillë. Ai thotë gjithashtu se i pëlqen dhe lavdëron Atë të paracaktojë miliarda për t’u djegur në ferrin e përjetshëm. A nuk të mërzit kjo? A dëshiron të marrësh hir nga ky “Perëndi”? Mendoj se kjo është një fyerje ndaj karakterit të Perëndisë!

Kishte më shumë se kaq – një mori vargjesh (të cilat Agroni i njihte shumë mirë tani) që pohonin se Perëndia nuk do që ndokush të humbasë, se Ai dëshiron që të gjithë të njohin të vërtetën dhe të çlirohen, se Krishti erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë mëkatarët, jo disa mëkatarë etj. Agroni e palosi letrën duke u menduar dhe me kujdes e futi përsëri në libër. Fillimisht e kishte zemëruar aq shumë saqë nuk i ishte përgjigjur. Ai duhej t’i përgjigjej në fund – dhe shumë ndryshe nga mënyra që do t’i ishte përgjigjur më parë. Por ai nuk donte që Teuta të shikonte letrën apo përgjigjen e tij – të paktën jo tani.

Pika e kthimit

Agroni, duke u menduar për atë letër dhe se si t’i përgjigjej, u godit nga fakti detyrues se gruaja e tij, të cilën e kishte “drejtuar te Zoti”, e kishte sigurinë e shpëtimit që po kërkonte ai. Që në fillim, kur ishte intriguar nga tërheqja intelektuale e kalvinizmit, ajo ishte përpjekur të shmangte diskutimet rreth temës që kishte parashtruar ai. Gjithçka që do të thoshte ajo ishte se ajo prehej në dashurinë dhe premtimin e Krishtit dhe se ungjilli nuk mund të ishte aq i ndërlikuar sa të ndryshonte domethënien e qartë të fjalëve në diçka tjetër, për ta bërë Perëndinë më pak të dashur se sa thotë Bibla për Të se është.

Çfarë thoshte Bibla?! Këto fjalë morën menjëherë një domethënie të re dhe u bënë çlirimi i tij. Kthimi përsëri te Bibla ishte pika e kthimit. Agroni reshti së dëgjuari dhe lexuari ekspertë kalvinistë dhe jokalvinistë dhe filloi të studionte seriozisht vetë Biblën. Ndjeu sikur një barrë kishte rënë nga shpatullat e tij sa për të qenë i aftë për të kuptuar fjalët e Shkrimit për atë që thoshin, në vend që t’i ndryshonte për t’iu përshtatur kalvinizmit.

Midis çështjeve të fundit me të cilat ishte ndeshur ishte pohimi i Krishtit: “Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve” (Gjoni 15:16). Agroni, duke menduar për këto fjalë, kuptoi se ai po ndërlikonte diçka që ishte shumë e thjeshtë. Krishti nuk po thoshte asgjë më tepër nga ajo që një punëdhënës do t’i thoshte çdo punonjësi – se zgjedhja e punëdhënësit ishte vendimtare. Punonjësi nuk mund ta detyrojë punëdhënësin që ta punësojë; por as punëdhënësi nuk mund të detyrojë ndokënd që të punojë për të. Edhe pse punëdhënësi ishte plotësisht përgjegjës, punonjësi duhej të pranonte që të punësohej.

Në mënyrë të ngjashme, ne nuk mund të detyrojmë Krishtin të na zgjedhë. Ai nuk është i detyruar ndaj nesh; shpëtimi është vetëm me anë të hirit, mëshirës dhe dashurisë së Tij. Por besimi ynë është thelbësor. Shpëtimi është vetëm për ata që e besojnë dhe e pranojnë Krishtin.

Agroni ia tregoi pastorit të tij dyshimet e tij të fundit. Ata patën diskutime të gjata dhe pavarësisht nga përpjekjet e pastorit për ta mbajtur në vathë, besimi i Agronit në kalvinizëm ishte gërryer shumë keq, ndërsa besimi i tij në ungjillin e thjeshtë po rikthehej dalë nga dalë. Së fundi, mbeti vetëm një problem me të cilin duhej të përballej në gjunjë: nuk kishte dyshim që Bibla pohonte krejt qartë se Perëndia i verbonte sytë e njerëzve ndaj ungjillit. Si mund të përputhej kjo me dashurinë e pafund që Agroni besonte tani se Perëndia kishte për të gjithë pa diskriminim?

Piedestali i fundit i kalvinizmit

Një pjesë biblike e parapëlqyer nga kalvinistët dhe të cilës Uajti i kushton vëmendje të konsiderueshme{{24}}, është komenti i Gjonit: “Prandaj ata nuk mund të besonin, sepse Isaia gjithashtu tha: “Ai i ka verbuar sytë e tyre dhe i ka ngurtësuar zemrat e tyre, që të mos shohin me sy dhe të mos kuptojnë me zemër, të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj” (Gjoni 12:39, 40). Uajti citon gjithashtu Gjonin 8:34-48: “Përse nuk e kuptoni thënien time? Sepse nuk mund të dëgjoni fjalën time…”. Ai më pas pohon:

Përsëri pikëpamja e reformuar dhe biblike e njeriut paraqitet me forcë: Jezusi  mëson se judenjtë nuk mund (ja përsëri ajo fjala paaftësi) të dëgjonin fjalën e Tij dhe nuk e kuptojnë atë që po thotë […] atyre u mungon aftësia frymërore për të vlerësuar të vërtetat frymërore{{25}}.

Megjithatë, duke mos vërtetuar aspak shthurjen e plotë dhe si rrjedhim domosdoshmërinë e hirit të papërballueshëm, Agroni mund të shikonte tani se këto pjesë vërtetonin të kundërtën. Nëse judenjtë e parilindur ishin plotësisht të shthurur dhe të vdekur në mëkate ashtu siç e përkufizon kalvinizmi, të paaftë në atë gjendje për të parë apo besuar, sigurisht që Perëndia nuk kishte pse të errësonte sytë e tyre dhe të ngurtësonte zemrat e tyre. Fakti që Perëndia e sheh të domosdoshme të errësojë dhe ngurtësojë dikë do të duket se është provë se njerëzit e parilindur janë të aftë të kuptojnë dhe të besojnë ungjillin, në fund të fundit.

Por pse një Perëndia i dashur do të verbonte me dashje sytë e të humburve, të cilët i do, për t’i penguar që të mos e besojnë ungjillin? Kjo dukej në mënyrë të veçantë e çuditshme për Agronin duke patur parasysh vajtimet e vazhdueshme të Perëndisë ndaj Izraelit për refuzimin e tij për t’u bindur dhe shprehjet e Tij të përsëritura të dëshirës për ta falur dhe bekuar.

Përderisa Izraeli ishte në rebelim kundër Perëndisë, përse do t’i ngurtësonte Ai më tepër zemrat e tyre? Duhej të ishte një arsye e fortë për këtë, një arsye që nuk do e zvogëlonte dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë; një arsye që duhej të vlente njësoj si për judenjtë në kohën e Isaias dhe njëkohësisht të fliste në mënyrë profetike për ata në kohën e Krishtit. Cila mund të ketë qenë ajo?

Profetët e Izraelit, të frymëzuar nga Perëndia, nxorën në pah mëkatin, rebelimin dhe kryeneçësinë e tij. Për shembull, Perëndia vajton përmes profetit Isaia: “Dëgjoni; o qiej; dhe dëgjo, o tokë…: ‘Kam edukuar fëmijë dhe i rrita, ata u rebeluan kundër meje’” (Isaia 1:2). Perëndia i njihte zemrat e tyre të ngurta dhe se nuk kishte arsye për t’iu lutur më tepër. Por Ai po i përdorte ata për të përmbushur qëllimet e Tij të shpallura me anë të profetëve të Tij, ashtu siç përdori faraonin.

Perëndia do të dërgonte Birin e Tij për të zbuluar dashurinë e Tij të madhe, për të hapur sytë e të verbërve, për të shëruar të sëmurët, për të ngjallur të vdekurit, për të ushqyer të uriturit, dha Vetveten për Izraelin si Mesia i tyre, qau për Jerusalemin këtu në tokë ashtu siç kishte bërë në mënyrë të përsëritur nga qielli përmes profetëve të Tij në kohët e lashta dhe vdiq për mëkatet e tyre dhe për mëkatet e botës. Ai nuk do të lejonte të pengohej ai qëllim nga një sentimentalizëm i përkohshëm nga ana e judenjve që mund t’i shkaktonte ata, ndërsa po e refuzonin Atë, të mos ngulnin këmbë për kryqin.

Ata do të bërtisnin: “Largoje! Kryqëzoje!”. Kjo ishte ajo që kërkonin me të vërtetë zemrat e tyre të ngurta. Dhe për të qenë i sigurt që ata të mos zbuteshin në çastin e fundit nga mëshira njerëzore, Perëndia i ngurtësoi zemrat e tyre dhe i verboi sytë e tyre. Kështu Pjetri mund të thotë: “Ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve dhe ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë” (Veprat e Apostujve 2:23).

Agroni mund të shikonte një shembull të ngjashëm në verbërinë që do t’u jepet atyre që do të ngelen pas Rrëmbimit që kanë dëgjuar dhe refuzuar ungjillin. Pali pohon në mënyrë të veçantë: “E prandaj Perëndia do t’u dërgojë atyre një gënjim që do t’i bëjë të gabojnë, që t’i besojnë gënjeshtrës, që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës…” (2 Thesalonikasve 2:10-12). Për çfarë arsye? “Sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar […] nuk i besuan së vërtetës, por përqafuan ligësinë!”. Perëndia do t’i ndihmojë ata të besojnë gënjeshtrën që zemrat e tyre të ngurtësuara donin ta besonin.

Këtu shohim jo një Perëndi që i verbon në mënyrë arbitrare njerëzit në mënyrë që ata të mos shpëtohen, por një Perëndi të dashur që është gjithashtu përsosurisht i drejtë duke u dhënë rebelëve të papenduar dëshirën e zemrave të tyre, që çon në dënimin e tyre. Ata e refuzuan të vërtetën, kështu Perëndia i ndihmon ata të këmbëngulin në atë refuzim. Ai nuk ka nevojë t’i verbojë ata nëse ata janë plotësisht të shthurur ashtu siç e përkufizon kalvinizmi.

Po, “njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë […] dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht [pra, zbulohen vetëm nga Fryma e Shenjtë]” (1 Korintasve 2:14). Por atje Pali nuk po i referohej ungjillit që duhet t’i predikohet “çdo krijese” (Marku 16:15). Ai po u drejtohet besimtarëve dhe po i referohet “diturisë së Perëndisë të fshehur në mister […]  të thellave të Perëndisë”, të cilat u zbulohen vetëm me anë të Frymës së Perëndisë atyre që mbushen me Të dhe që ecin në bindjen ndaj Frymës së Shenjtë.

Pyetja përfundimtare

Pastor Tani, i shqetësuar për besimin e dobësuar të Agronit në kalvinizëm, e kishte sfiduar: “Nëse do të kthehesh te besimi që ti kishte aftësinë për t’i thënë po Perëndisë për të besuar ungjillin, si mund të jesh i sigurt se ndonjëherë nuk do të vendosësh për t’i thënë jo Perëndisë – qoftë edhe në përjetësi në qiell?”. Zinsi e shpreh këtë problem më mirë nga të gjithë:

Është ironike që shumë […] që argumentojnë në mënyrë të paepur se Perëndia nuk detyron asnjë të shkojë tek Ai nuk e kanë problem të besojnë se Perëndia i detyron ata që kanë shkuar tek Ai të qëndrojnë me Të. Për pjesën më të madhe të ungjillorëve, vullneti i lirë zhduket në mënyrë të mistershme pasi dikush zgjedh shpëtimin…. “Perëndia nuk do të të bëjë të shkosh tek Ai, por Ai do të të bëjë të qëndrosh”, duhet të jetë mendimi i tyre teologjik{{26}}.

Agroni e pyeti Teutën për këtë dhe përgjigja e saj ishte po aq e thjeshtë sa edhe e vetë Biblës:

– Pse do të duhej të heq dorë nga qielli? Nuk do të ketë asgjë që do të më tundojë të largohem nga Zoti ynë, i cili është më tepër i mrekullueshëm se çdo gjë tjetër!

– Si mund të jesh kaq e sigurt? – nguli këmbë Agroni. – Satani ishte qenia më e mrekullueshme, më e fuqishme dhe më e zgjuar që është krijuar. Gjithçka që njihte ishte prania e Perëndisë – megjithatë u rebelua!

Teuta u mendua për një moment. Së fundi tha:

– Po, por ai nuk u shpengua kurrë […] nuk u ble kurrë me gjakun e Krishtit…. Ai nuk kishte bazë për ta dashur Perëndinë, asnjë mirënjohje ndaj Krishtit që të vdiste në vend të tij….

– Kështu ti mendon se mirënjohja do të pengojë dikë të mos mëkatojë? – ia preu Agroni.

– Nuk do të ketë tundim për mëkat, asnjë arsye […] nuk do të kishte kuptim.

Agroni nuk po përpiqej të zihej me fjalë apo ta vinte përposh.

– Por kush e tundoi Satanin? Cila ishte arsyeja e tij? Ishte krenaria. A nuk mund të tundohen ata në qiell për krenari nëse kanë patur një vullnet të lirë?

– Agron, ti vazhdon të futësh në valle Satanin. Nuk i di të gjitha rreth tij […] dhe nuk mendoj se ne duhet të spekulojmë rreth atij apo demonëve të tij. Kjo nuk ka të bëjë fare me ne. Ne jemi krejtësisht qenie të tjera.

Ajo ndali përsëri në mendime, më pas vazhdoi:

– Pali thotë te Romakëve 7: “Mishi ka dëshira kundër Frymës dhe Fryma kundër mishit […] të dy janë në të kundërta me njëra-tjetrën, që ti nuk mund të bësh atë që dëshiron”. Ai e përshkruan këtë konflikt të brendshëm si arsyen se pse mëkaton një i krishterë, nëse mëkaton, dhe më pas thërret: “Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?” – dhe shton: “I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë”. Ai duhej të thoshte se ringjallja, duke na çliruar nga këto trupa të mëkatit, të vuajtjes dhe të vdekjes, do e zgjidh atë problem….

Agroni po mendonte në heshtje.

– Kjo është një pikë e fortë – pranoi më në fund. – Mendoj se shembulli i Satanit nuk ka të bëjë shumë me atë që të krishterët do të përjetojnë në qiell. Ti ke të drejtë, ai nuk ka lindur sërish kurrë, me siguri nuk ka qenë i banuar nga Fryma e Shenjtë.

Pas një heshtje të gjatë dhe të mendueshme shtoi:

– Shiko, nuk po përpiqem të zihem me fjalë, ndërsa pranoj se kështu ka qenë shumë shpesh më parë. Ky është një problem i vërtetë dhe po kërkoj përgjigje të ndershme. Unë dua të njoh të vërtetën […] por nëse kemi akoma vullnet të lirë në qiell, nuk e di se si….

Fjalët e tij u zvarritën në një heshtje të pashpresë.

Teuta i hodhi një vështrim të gjatë mirëkuptimi dhe dhembshurie.

– Do të dish sinqerisht të vërtetën? Jezusi tha: “Fjala jote është e vërteta […] Unë jam e vërteta […] ringjallja dhe jeta”. Ai u ka premtuar besimtarëve jetë të përjetshme […] që ne nuk do të humbasim kurrë. Unë i besoj Atij. Kjo është gjithçka që duhet të di […] është kaq e thjeshtë.

Ajo buzëqeshi me dashuri dhe u kthye të hekuroste bluzat e Agronit.

Disa ditë më vonë, Agronit iu bë e qartë si një dritë nga qielli se siguria e tij e përjetshme si i shpëtuar me anë të hirit varej plotësisht nga Perëndia dhe jo nga vetja. As shpëtimi as siguria nuk janë nga veprat, as veprat nuk mund të jenë një tregues i realitetit të shpëtimit të dikujt apo mjetet e arritjes së sigurisë. Edhe veprimi në dukje i mrekullive, dëbimi i demonëve dhe të profetizosh në emrin e Krishtit nuk janë prova se dikush i përket Atij, ashtu si vetë Krishti ka shpallur solemnisht:

Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej. Shumë do të më thonë atë ditë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?”. Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: “Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi” (Mateu 7:21-23).

Nga ana tjetër, mund të mos ketë në jetën e një personi të veçantë asnjë vepër të mirë për të treguar realitetin e shpëtimit, megjithatë ai person mund të jetë me të vërtetë i shpëtuar dhe kështu i zgjedhur nga Perëndia për bekimet që Ai i ka planifikuar për të shpenguarit e të gjitha kohërave. Të gjitha veprat e dikujt mund të konsumohen nga zjarri i provës së Perëndisë të motiveve dhe veprave, megjithatë ai person të mos humbasë, sipas Palit, pavarësisht nga asnjë provë e jashtme e shpëtimit:

Vepra e secilit […] do të zbulohet me anë të zjarrit, dhe zjarri do të provojë veprën e secilit e ç’lloji është. Në qoftë se vepra që dikush ka ndërtuar mbi themelin qëndron, ai do të marrë një shpërblim, në qoftë se vepra e tij digjet, ai do të pësojë humbje, por ai vetë do të shpëtohet, si përmes zjarrit (1 Korintasve 3:11-15).

Pali, sigurisht, po fliste për ata që janë me të vërtetë të shpëtuar nëpërmjet besimit në Krishtin. Agroni mund të shikonte tani problemin në mënyrë të qartë: asnjë varg në Bibël nuk thotë se si të dish se dikush është i zgjedhur. Nëse të qenit një prej të zgjedhurve është baza për sigurinë e shpëtimit, atëherë nuk mund të ketë siguri.

Por dikush duhet të jetë i sigurt për përjetësinë! Megjithatë kalvinistët nuk mund të pajtohen midis tyre për përgjigjen e asaj që ishte në mënyrë të qartë pyetja më vendimtare. Agroni vendosi në fund se i kishte larë hesapet me këtë teori.

Siguri për tërë përjetësinë

Siguria biblike e jetës së përjetshme në qiell me Krishtin qëndron vetëm në premtimet e Tij, në premtimet e Biblës dhe në paranjohjen, paracaktimin/zgjedhjen dhe fuqinë ruajtëse të Perëndisë. Krishti tha: “Ejani tek unë” dhe ne shkuam. Ungjilli thotë: “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh” dhe ne besuam. Krishti dhe Fjala e Tij premtojnë si më poshtë:

  • Të zgjedhurve sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit, me anë të shenjtërimit të Frymës, për t’u bindur dhe për t’u spërkatur me gjakun e Jezu Krishtit… (1 Pjetrit 1:2).

  • Sikurse na zgjodhi në të përpara se të themelohej bota […] duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet […] në të cilin kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurisë së hirit të tij (Efesianëve 1:4-7).

  • Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij…. Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi (Romakëve 8:29, 30).

  • Por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij, të cilët nuk janë lindur [sërish] nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia (Gjoni 1:12, 13).

  • Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij. Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar […] Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme… (Gjoni 3:17, 18, 36).

  • Dhe dëshmia është kjo: Perëndia na dha jetën e përjetshme dhe kjo jetë është në Birin e tij. Ai që ka Birin, ka jetën; ai që nuk ka Birin e Perëndisë, nuk ka jetën. Jua shkrova këto gjëra juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, që të dini se keni jetën e përjetshme… (1 Gjonit 5:11-13).

  • Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë (Gjoni 5:24).

Ne besuam, u shpëtuam “sipas premtimit të jetës që është në Krishtin Jezus” (2 Timoteut 1:1) dhe thjesht po prehemi në premtimet e Tij të bollshme “që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). Me anë të besimit të thjeshtë në premtimin e Perëndisë (Perëndia që nuk mund të gënjejë), besimtari e di se ka kaluar nga vdekja në jetë dhe nuk do të humbasë kurrë – dhe atij i është dhënë dëshmia e Frymës së Shenjtë brenda tij: “Ai që beson në Birin e Perëndisë ka këtë dëshmi në vetvete…” (1 Gjonit 5:10). Dhe “Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë […] trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit…” (Romakëve 8:16, 17).

Pasi “e dëgjua[m] fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit [tonë], dhe pasi besua[m], u vulosë[m] me Frymën e Shenjtë të premtimit, i cili është kapari i trashëgimisë tonë, për shpengimin e plotë të zotërimit të blerë… (Efesianëve 1:13, 14). Ata që besojnë në Krishtin e dinë se janë të shpëtuar dhe nuk do të humbasin kurrë, sepse Perëndia nuk mund të gënjejë. Besimi ynë është në Të tani dhe në përjetësi.

Pali tha: “E di kujt i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i zoti ta ruajë visarin tim deri në atë ditë” (2 Timoteut 1:12). Ne, gjithashtu, kemi besuar dhe e njohim Atë në të cilin kemi sigurinë e përjetshme. Ne, gjithashtu, jemi plotësisht të bindur se “Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht […] me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish, për një trashëgim të paprishshëm, të panjollë dhe të pafishkur, që është ruajtur në qiejt për [ne], që nga fuqia e Perëndisë me anë të besimit jeni të ruajtur, për shpëtimin gati për t’u zbuluar në kohët e fundit” (1 Pjetrit 1:3-5).

Ne kemi provat e shumta të sigurta të profecisë të përmbushura në Izrael (dhe po përmbushen akoma para syve tanë) dhe ato që premtonin me hollësi ardhjen e Mesias – profeci që janë plotësuar pa dyshim me jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Ne kemi provat historike, provat arkeologjike, provat shkencore dhe provat e brendshme se Bibla është Fjala e Perëndisë. Bibla ofron një dëshmi të vërtetë dhe të sigurt të krijimit të kësaj toke, rënien e Adamit dhe të Evës, shpengimin përmes gjakut të Krishtit të derdhur në vdekjen e kryqit dhe kthimin e Tij të afërt për nusen e Tij dhe Ardhjen e Tij të dytë për të shpëtuar Izraelin dhe për të vendosur mbretërinë e Tij mijëvjeçare, kur do të sundojë me një shkop hekuri mbi kombet nga froni i atit të Tij David në Jerusalem – dhe për qiejt e rinj dhe tokën e re që do të vijnë.

Ne besojmë thjesht Fjalën e Perëndisë në çdo gjë dhe jemi kështu të sigurt se ne jemi shpëtuar dhe se Ai po kthehet përsëri për të na marrë e për të na çuar te banesa e Atit të Tij prej shumë banesash për të përmbushur premtimin e Tij “që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:1-3). Pali thotë: “…dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin. Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë” (1 Thesalonikasve 4:17, 18).

 

[[1]] John F. MacArthur, Jr., The Gospel According to Jesus (Academie Books, Grand Rapids, MI: Zondervan Publishing House, 1988), 98.[[1]] [[2]] Joseph C. Dillow, The Reign of the Servant Kings: A Study of Eternal Security and the Final Significance of Man (Haysville, NC: Schoettle Publishing Co., botim i dytë 1993), 253.[[2]] [[3]] John Calvin, Institutes of the Christian Religion, përkth. Henry Beveridge (Grand Rapids, MI: Wm. B. Eerdmans Publishing Company, botim i vitit 1998), III: xxiv, 5.[[3]] [[4]] Po aty, III: xxi, 1.[[4]] [[5]] Diskutime nga Robert L. Dabney, redaktor C. R. Vaughn (Richmond, VA: Presbyterian Committee of Publication, 1890), 1:183.[[5]] [[6]] Kenneth Gentry, “Assurance and Lordship Salvation: The Dispensational Concern” (Dispensationalism in Transition, September 1993); cituar nga Robert N. Wilkin, “When Assurance Is Not Assurance”, Journal of the Grace Evangelical Society, Vjeshtë 1997, 10: 19, 27-34.[[6]] [[7]] Walter D. Chantry, Today’s Gospel: Authentic or Synthetic? (Carlisle, PA: The Banner of Truth Trust, 1970), 75-76.[[7]] [[8]] Dillow, Reign, 280.[[8]] [[9]] Cituar te Philip F. Congdon, “Soteriological Implications of Five-point Calvinism”, Journal of the Grace Evangelical Society, Vjeshtë 1995, 8:15, 55-68.[[9]] [[10]] Howard Marshall; cituar te D. A. Carson, “Reflections on Christian Assurance”, Westminster Theological Journal, 54: 1, 24.[[10]] [[11]] Dillow, Reign, 272-291.[[11]] [[12]] James R. White, The Potter’s Freedom (Amityville, NY: Calvary Press Publishing, 2000), 178.[[12]] [[13]] Congdon, “Implications”, 8:15, 56-57.[[13]] [[14]] White, Potter’s, 112-113.[[14]] [[15]] John Armstrong, “Reflections from Jonathan Edwards on the Current Debate over Justification by Faith Alone (Mendime nga Jonathan Edwards nga Debati i fundit rreth Shfajësimir vetëm me anë të besimit” (cituar te fjalimi i mbajtur në Annapolis 2000: Konferenca: “Pasion për të vërtetën”, financuar nga Instituti Jonathan Edwards, PO Box 2410, Princeton NJ 08543). Për më tepër informacion rreth pikëpamjeve të Jonathan Edwards rreth shfajësimit, kontaktoni Grace Evangelical Society, (972) 257-1160.[[15]] [[16]] Po aty.[[16]] [[17]] Po aty.[[17]] [[18]] Po aty.[[18]] [[19]] Calvin, Institutes, III: xxiv, 4.[[19]] [[20]] Charles Haddon Spurgeon, “A Defense of Calvinism”, libërth me një mesazh (Edmonton, AB: Still Waters Revival Books, n. d.), 3-4.[[20]] [[21]] Po aty, 22.[[21]] [[22]] Calvin, Institutes.[[22]] [[23]] Po aty, III: xxiv, 3.[[23]] [[24]] White, Potter’s, 105-109.[[24]] [[25]] Po aty, 112-114.[[25]] [[26]] Robert M. Zins, “A Believer’s Guide to 2nd Peter 3:9” (monograf i vetëbotuar, n. d.), 3.[[26]] [previous][next]