Historia e Kainit dhe Abelit


Sa fe mendon se ka sot në botë? A mund të bësh dot listën e tyre? A i numëron dot të gjitha? Si mendon, sa kohë do të të duhej? Sa e madhe do të ishte fleta e letrës që do të të duhej për t’i shkruar të gjitha – të gjitha fetë e botës?

A do të çuditeshe nëse do të të thosha se do të ishte gjë e lehtë për tu bërë? Po, vërtet shumë e thjeshtë! Në të vërtetë, në botë shikon se janë vetëm dy fe. Po flasim se çfarë bën feja me problemin themelor të njeriut, mëkatin, dhe për çështjen se si njeriu mund sigurojë faljen dhe jetën e përjetshme. Me të vërtetë ka vetëm dy fe. Megjithëse ka shumë emra fesh, dhe shumë praktika të ndryshme fetare, por janë vetëm dy fe themelore.

Njëra fe është feja e Kainit, dhe tjetra është feja e Abelit dhe ato gjenden te Zanafilla 4:2-7. Zanafilla është libri i fillimeve, dhe këtu ne gjejmë fillimet e gjithë feve botërore, te Kaini dhe Abeli. Feja e Kainit është fe e veprave, dhe ajo e Abelit është besim në një flijim, një zëvendësim. Nuk ka të tjera. Ose beson si Kaini ose si Abeli. Le të mendojmë për to, për secilin dhe le të shohim ti je si Kaini apo si Abeli?

Feja e Kainit

Në fillim do të mendojmë për Kainin. Zanafilla 4:3 thotë se ai i bëri një ofertë frutash të tokës Zotit – që janë rezultatet e punës së tij të rëndë si kopshtar. Duhet ta pranojmë se Kaini nuk ishte dembel – ai punonte shumë! Te Zanafilla 3:19 Perëndia kishte thënë se njeriu do të nxirrte fryt nga toka vetëm duke punuar shumë. Kjo është pikërisht ajo që bëri Kaini. Ai punoi shumë, u lodh nga puna e tij, por në fund të fundit kishte frytet e punës së vet, dhe ia paraqiti Zotit mbi një altar.

Por kishte një problem. Kaini paraqiti frytet e punës së tij, por ai punoi, ngriti një kopsht prej një toke të mallkuar. Zanafilla 3:17 thotë se toka u mallkua, prandaj ajo që Kaini paraqiti para Zotit vinte nga diçka e mallkuar.

Pastaj kishte edhe një problem tjetër. Oferta e Kainit për Perëndinë nuk kishte kushtuar vdekje. Nuk kishte asnjë kafshë për tu vrarë, nuk u derdh gjak, nuk u dha jetë. Ishte një ofrim pa gjak ai që ofroi Kaini. Në këtë mënyrë Kaini nuk mund të shohë seriozitetin e fajësisë së gjendjes së tij si mëkatar. Ai thoshte se mëkati nuk është aq serioz sa të kërkojë vdekje, nuk është e nevojshme që të jepet jetë – “le të pranojë Perëndia gjërat më të mira që mund të bëj”. Ai paraqiti veprat e tij të mira dhe priste të pranohej.

Ka shumë njerëz si Kaini në botë. Është shumë e zakonshme të dëgjosh njerëzit kur thonë se besojnë se Perëndia do t’i pranojë në qoftë se bëjnë aq sa munden. Shumë mendojnë se është në rregull që të kenë idetë e tyre se si ta arrijnë Perëndinë dhe parajsën, ashtu siç bëri Kaini. Çfarë ideje ke ti? A mendon së është e mjaftueshme të jesh i sinqertë dhe të bësh aq sa mundesh? Ndoshta thua, “Sidoqoftë, në qoftë se bëjmë aq sa mundemi kush mund të na kërkojë për më shumë?” Por, Perëndia mund të të kërkojë për më shumë, sepse Ai është i përkryer. Mendon se të kthesh fletën nga ana tjetër do të të ndihmojë, d.m.th., të pendohesh dhe të përmirësosh jetën? Apo ndoshta je si ata që thonë se e kanë pastruar jetën ose janë bashkuar me një kishë, ose tani ndjekin disa rregulla për të qenë njerëz më të mirë? Edhe Kaini bëri ç’mundi.

Por Kaini i shkretë duhet ta gjente dhe shumë të tjerë ndoshta edhe ti. Perëndia nuk e pranon njeriun edhe sikur ai të bëjë sa mundet – sepse ajo ç’mund të bësh, ashtu si Kaini, vjen nga diçka e mallkuar. Ashtu si toka u mallkua dhe nuk mund të prodhonte të mira, ashtu edhe zemra e njeriut është e ligë dhe nuk mund të prodhojë gjëra të mira. Profeti Jeremia foli për këtë kur ai tha, “A mundet një etiopas të ndryshojë lëkurën e tij ose një tigër të këmbejë lëkurën me vijëza? Në të njëjtën mënyrë ju që jeni mësuar të bëni të keqen a do të mund të bënit të mirën?” (Jeremia 13:23). Te Predikuesit 7:20 lexojmë, “Nuk ka në fakt asnjë njeri të drejtë mbi tokë që bën të mirën dhe të mos mëkatojë”. Te Isaia 64:6 lexojmë “Të gjitha veprat tona të drejtësisë janë si një rrobe e ndotur”.

Perëndia është aq i pastër, aq i shenjtë, aq i drejtë, sa asgjë që mund të bëjë njeriu nuk mund të matet. Prapë njerëzit vazhdojnë, po prapë, të përpiqen ta arrijnë Perëndinë me anë të feve njerëzore, fe si të Kainit, fe të veprave. Praktikat mund të jenë të ndryshme, mund të ndjekin rregulla të ndryshme, por idetë dhe mësimet e tyre si njeriu mund të pranohet nga Zoti janë të njëjta: veprat. Kështu, gjithë kjo shumicë fesh në botë, në të vërtetë është vetëm varietete të të njëjtës fe. Cili është varieteti yt?

Varietetet e fesë së Kainit

Një hinduist duhet të bëjë flijime të thotë lutje, dhe të bëjë një jetë të pastër. Një Hare Krishna beson se ai do ta shpëtojë vetëm duke thënë “Hare Krishna” disa herë çdo ditë së bashku me praktika, rite të tjera. Budisti ndjek rrugën e palosjes tetësh për në gjendjen Nirvana (që do të thotë mosqenie, asgjë), duke përfshirë lutje në heshtje, dhënie parash si edhe vepra të tjera. Myslimanët mbajnë pesë shtyllat e Islamit: dëshminë (“kalimatu ash shahada”), lutjet (“salat”), dhënie parash për të varfërit (“zekat”), agjërimet (“saum”), dhe udhëtim për në një vend të shenjtë (“haxh”). Katolikët romanë duhet të pagëzohen si të porsalindur, konfirmohen, marrin sakramentet (meshë, etj), të luten, të bëjnë vepra të mira, dhe të vazhdojnë në kishën e Shenjtë Katolike Romane. Shumë kisha Protestante gjithashtu duke u larguar nga e vërteta e Ungjillit, po predikojnë pagëzimin, besnikërinë ndaj Kishës dhe veprat e mira si mjet për t’u pranuar nga Zoti.

Dhe mund të vazhdonim kështu, sepse në botën mbarë ka qindra mijëra, madje miliona njerëz që besojnë si Kaini dhe përpiqen ta arrijnë Zotin dhe të pranohen prej tij në bazë të të mirave që bëjnë. Ata punojnë të kënaqin Zotin, ashtu si Kaini. Është e gjitha e njëjta fe – shpresa se disi do të mund ta bindim Zotin të na pranojë duke i bërë gjërat në mënyrë të drejtë ose duke i treguar sinqeritetin dhe qëllimet tona të mira. Në fund të fundit, ata thonë, Ai e di që ne nuk jemi të përkryer.

Por përgjigja e Zotit për gjithë këta njerëz do të jetë po ajo përgjigje ndaj Kainit: refuzim. Lexo vargjet 5-7 të Zanafillës kapitulli 4 përsëri. Zoti nuk do na pranojë nëse i afrohemi duke sjellë veprat tona te Ai. Pse jo? Sepse veprat nuk paguajnë për mëkatin.

Vetëm vdekja paguan për mëkatin. Të lutem mbaje mend këtë ose nuk do ta kuptosh mesazhin e Ungjillit të përsëritur kaq shumë herë në Bibël. “Shpirti që mëkaton ka për të vdekur” (Ezekieli 18:4). “Ata që bëjnë gjëra të tilla meritojnë vdekjen” (Rom. 1:32). “Paga e mëkatit është vdekja” (Rom. 6:23). çfarë do të paguajë për mëkatin? Çfarë do ta largojë mëkatin që ne të mund të pranohemi nga Zoti? Përgjigja është VDEKJA. Vetëm VDEKJA do ta bëjë.

Flijimi i Kainit dështoi sepse nuk kishte vdekje, as derdhje gjaku, dhe veprat e tij nuk mund ta bënin një Zot të shenjtë dhe të drejtë ta pranonte. Nga ana e jashtme dukej shumë e arsyeshme për Kainin, siç thotë te Fjalet e Urta 14:12, “Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes”. Kaini ishte i sinqertë, por mund të jesh i sinqertë dhe prapë të gabosh. Ka shumë njerëz që janë ashtu sot.

Mendo për gjithë ato fe që përmendëm, dhe gjithë ato mijëra, madje miliona që përfaqësohen prej tyre. Asnjë nuk e vë në dyshim qoftë edhe për një minutë që ata njerëz janë të sinqertë – në të vërtetë besojnë se veprojnë drejt. Atyre u duket e drejtë. Por Fjala e Zotit thotë “Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes”.

Ka shumë nga ata që praktikojnë këto fe, dhe e kanë bërë për shumë vjet, dhe kanë shumë argumente për të thënë pse mendojnë se kanë të drejtë. Por e kanë gabim për shkak të asaj se ku mbaron rruga e tyre. Ku mbaron ajo? Në vdekje. Nuk i shpëton në fund të saj. Në fund të saj ata nuk pranohen nga Zoti dhe nuk shkojnë në parajsë. Pra nëse fundi i rrugës është vdekja pse duhet ta ndjekësh? ç’të mirë ke t’i jesh besnik gjithë jetën diçkaje që është e gabuar dhe që s’të shpëton dot? Asnjë.

Feja e Kainit, veprat e mira, mundimet e njeriut, “të bësh pjesën tënde”, etj., kjo fe duket e drejtë, por është e gabuar. Perëndia e refuzoi ofertën e Kainit dhe kështu Ai e shpalli që në fillim fare se Ai do të refuzonte të gjithë ata që i afroheshin Atij në ato lloj mënyrash. Ka ardhur koha të mësojmë nga shembulli i Kainit dhe Abelit.

Zoti e ka bërë të thjeshtë që në fillim, por shumë njerëz nuk kanë çarë kokën të shohin në Fjalën e Tij, ose si kanë kushtuar vëmendje asaj që thotë ajo, ose thjesht nuk kanë menduar se ishte e rëndësishme. Zoti nuk i pranon veprat. Zoti nuk e fal mëkatin në bazë të veprave. Perëndia nuk do t’i lërë njerëzit në Parajsë në bazë të veprave të tyre. Veprat nuk paguajnë dot për mëkatet e njeriut, dhe kështu ato s’mund ta kënaqin Zotin.

Po ti? A ke ardhur në atë pikë sa e ke dalluar që je mëkatar? A e beson në të vërtetë se je mëkatar (Lexo Marku 7:20-23). Ndoshta je i bindur se je mëkatar që zemra jote prodhon gjëra të liga. Atëherë e di se asnjë grumbull me vepra të mira nuk mund të t’i heqë ato mëkate ose fajin që ke, as feja besnike që mund të praktikosh.

Kujto Kainin! Ai kurrë nuk u pranua. KURRE. Te 1 Gjon 3:12 Kaini quhet “nga i ligu” dhe thuhet se “veprat e tij ishin të liga”. Te Juda vargu 11, lexojmë, “Mjerë ata! sepse kanë marrë rrugën e Kainit…”. Mos shko në rrugën e Kainit. Veprat e mira që ke dhe praktikat fetare që bën nuk të bëjnë të pranueshëm nga Zoti, përkundrazi ato të japin vetëm shpresë të rreme. Prandaj duhet të pendohesh për ato vepra shumë të mira dhe praktika fetare nëse do që të gjesh shpëtimin e Perëndisë.

Mos shpreso fshehtazi se je ndryshe dhe se Perëndia do t’i pranojë veprat e tua të mira ose fenë tënde. Efesianeve 2:8-9 thotë, “Ju në fakt jeni shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit dhe kjo nuk vjen nga ju po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra që të mos mburret askush”. Titit 3:5 thotë, “Ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij…”. Si mund të jetë kështu? Le të shohim fenë e Abelit, dhe do të shohim si Perëndia mundet dhe do na pranojë.

Feja e Abelit

Feja e Abelit është feja e zëvendësimit. Një qengj u vra dhe u vu në altar dhe u flijua për Zotin. U derdh gjak, një qengj duhet të vdiste dhe të ofrohej në vend të Abelit. Perëndia tha se ai kishte vepruar “mirë” dhe e pranoi. Dikush ka thënë “Kaini ofroi djersën e ballit, por djersa e ballit të tij nuk ishte zëvendësim për gjakun e qengjit”. Dhe është e vërtetë. Abeli ofroi një jetë në vendin e të tijës. Ai e dinte se mëkati ishte gjë serioze, dhe se vetëm vdekja mund të paguante për të. Si e dinte ai këtë?

Lexo 7 vargjet e para të kapitullit 4 edhe një herë, dhe kujto që Zoti vrau kafshët e para te Zanafilla 3:21 për të mbuluar njeriun pasi kishte mëkatuar. Ne besojmë se Zoti duhet t’u ketë mësuar atyre mënyrën e drejtë për të flijuar. Abeli besoi atë që kishte thënë Zoti, dhe në besimin e tij ai ofroi një flijim më të mirë se Kaini, që nuk besoi por u përpoq të vinte te Zoti sipas mënyrës së vet.

Që nga Kaini, njerëzit janë përpjekur të vijnë te Zoti sipas mënyrave të tyre, duke u përpjekur të gjejnë një rrugë të mirë për të shkuar në parajsë. Është gjithë ajo kohë e harxhuar kot, sepse është parajsa e Perëndisë, dhe Ai na e ka treguar tashmë se si mund të kemi jetën e përjetshme dhe të hyjmë. Abeli i besoi Zotit dhe ofroi një flijim më të mirë se Kaini. Këtë na mëson Hebrenjve 11:4.

Nuk janë të gjitha ofertat të njëjta edhe kur janë bërë sinqerisht. Zoti e refuzoi Kainin dhe pranoi Abelin sepse në ofertën e Abelit kishte (1) besim – ai besoi ç’kishte thënë Perëndia, dhe (2) bindje – ai bëri ç’i tha Zoti, që provon se ai në të vërtetë e besonte atë. Por gjëja më e rëndësishme, oferta e Abelit ishte një pasqyrë e asaj oferte të madhe që Zoti Jezu Krisht do të bënte një ditë në të ardhmen, mbi kryq, duke dhënë jetën e Tij si Zëvendës për ne të gjithë.

Zëvendësi ynë

Ju e shihni, Perëndia e pranoi Abelin për shkak të qengjit të Abelit, që u vu si zëvendës për të. Dhe kjo është një pasqyrë e asaj se si Zoti mund të na pranojë ty dhe mua, jo në bazë të veprave, por në bazë të një Zëvendësi. Te Gjoni 1:29, Zoti Jezus quhet “Qengji i Perëndisë”. Ai është Qengji i Zotit, Zëvendësi i përkryer, që mban mëkatin e botës e largon mëkatin e botës. Si e bën Ai këtë? Duke paguar dënimin e mëkatit, vdekjen, për ty, mbi kryq.

Kur Ai vdiq, Ai po zinte vendin tënd, duke paguar dënimin tënd me vdekje. Është qartë, ti ke nevojë për një Zëvendësues, ke nevojë për një Qengj, ose përndryshe do të duhet të paguash për mëkatet e tua. Por Qengji i përkryer i Zotit, Zoti Jezu Krisht, ka vdekur tashmë në vendin tënd. Kjo vepër është kryer. Është gati të zbatohet te ty personalisht, nëse dhe kur ti të besosh këtë lajm të mrekullueshëm dhe ti lësh besimin tënd Zotit Jezus që të të shpëtojë.

Te 1 Pjetrit 1:18-19 lexojmë, “Duke ditur se jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga etërit, por nga gjaku i çmuar i Krishtit si të Qengjit të panjollë e të patëmetë”. Ky është akti i mrekullueshëm i zëvendësimit që Zoti Jezus bëri për ty mbi kryq. Lexo kapitullin 53 të Isaias dhe do të shohësh si flet profeti, 700 vjet përpara ngjarjes, për vdekjen që do të kishte Zoti Jezus. Ai u çua si qengji të kasapi, duke patur mëkatet tona të vënë mbi Të, duke vuajtur për ne kështu që ne mund të shfajësoheshim (të bëheshim të drejtë nga Perëndia).

Kjo ka qenë gjithmonë mënyra e vetme se si Perëndia e ka trajtuar çështjen e mëkatit dhe ka pranuar burra dhe gra. Në Dhiatën e Vjetër profecitë dhe flijimet ndihmonin njerëzit të shikonin përpara, me besim, flijimin e përkryer. Në Dhiatën e Re, flijimi i mrekullueshëm dhe i premtuar aq gjatë u përmbush kur Zoti Jezus vdiq mbi kryq jashtë Jeruzalemit.

Disa nuk mendojnë se është shumë e rëndësishme nëse Ai në të vërtetë ka vdekur apo jo. Por është shumë e rëndësishme. Në qoftë se Ai nuk vdiq atëherë profetët e Zotit në Dhiatën e Vjetër janë profetë të rremë. Ata folën për Mesian, Shpëtimtarin dhe profetizuan për vdekjen e Tij (si Isaia 53). Në qoftë se Ai nuk vdiq atëherë nuk ka asnjë për të marrë mëkatet tona. Zoti tashmë e ka thënë se Ai absolutisht nuk do të pranojë veprat e mira (fenë e Kainit), dhe kështu nuk do të kishte shpresë për asnjë prej nesh.

Por Zoti Jezus vërtet vdiq, dhe Ai e bërë këtë për ty e për mua duke u ndëshkuar atje për mëkatet tona (1 Pjetrit 3:18). Ai u ngrit nga të vdekurit ditën e tretë, dhe është gjallë, ulur lart në madhështi, dhe është në gjendje t’i shpëtojë të gjithë ata që vijnë te Perëndia me anë të Tij (Heb.7:25). Ti duhet të vish te Perëndia me anë të Jezus Krishtit, është e qartë, nuk ka asnjë mënyrë tjetër sepse nuk ka asnjë zëvendës tjetër! Lexo Gjoni 14:6, Veprat e Apostujve 4:12, dhe 1 Timoteu 12:5, dhe do ta shohësh.

Çfarë duhet të bësh?

Kështu çfarë duhet të bësh nëse me të vërtetë dëshiron të shpëtohesh? Mos ndiq gjërat fetare të njeriut dhe doktrinat e vjetra të njeriut. Mos ndiq arsyen e njeriut. Asnjë prej këtyre gjërave nuk të çon në jetën e përjetshme. Kujto, “është një rrugë që duket e drejtë për njeriun, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes” (Fjalet e Urta 14:12). çdo gjë duket kaq në rregull por është e gabuar.

Duhet të braktisësh fenë e Kainit cilëndo nga format e të cilës po praktikon, edhe po të të kenë mësuar gjatë gjithë jetës sate, edhe sikur të gjithë rreth teje po bëjnë atë gjë. Edhe sikur ti të jesh ndryshe – i vetmi. çfarë është më e rëndësishme? A mos mendon se është më e rëndësishme që njerëzit të të pranojnë dhe të kënaqen me ty? Mos ji si farisenjtë te Gjoni 12:43 që “donin lëvdimin e njerëzve më shumë se lëvdimin e Perëndisë”. Është më e rëndësishme që Zoti të të pranojë dhe të kënaqet me ty, sepse Ai është i vetmi që mund ti falë mëkatet.

Lëre fenë e Kainit. Mos ki besim te veprat e tua të mira ose te veprimet e tua fetare. Është thjeshtë pa shpresë! Besoji lajmit të mirë të Perëndisë, Ungjillin: Jezu Krishti vdiq për mëkatet e tua, Ai u varros, dhe u ringjall ditën e tretë. Ai vdiq në vendin tënd, duke marrë ndëshkimin tënd, për mëkatet e tua. Ai u ngrit përsëri dhe është një Shpëtimtar i gjallë që mund të të falë dhe të të japë jetë të përjetshme, të të shpëtojë përgjithnjë në qoftë se do të vish te Perëndia me anë të Tij.

Ki besim vetëm te Jezu Krishti. Ai vdiq për mëkatet e tua, Ai është i vetmi që mund të të shpëtojë. Nuk ka asnjë Ndërmjetës tjetër, askush tjetër nuk mund të vihet midis teje dhe Perëndisë. Zoti Jezus është Qengji i Perëndisë, që flijoi vetveten për të paguar për mëkatet e tua. Flijimi i Abelit ishte një veprim që ishte një lloj pasqyre e asaj që Krishti do të bënte. Flijimi i Abelit ishte flijim besimi. Besimi beson Fjalën e Perëndisë, dhe beson në flijimin që Zoti bëri, dhe ky flijim është Zoti Jezu Krisht.

Cila fe është feja jote? E Kainit apo e Abelit? Si thotë feja jote “BEJ”, “bëj këto”, “bëj atë, dhe do të shpëtohesh (ndoshta)” apo thotë “E BERE”, “KA MBARUAR”? Mos beso më në fenë apo në veprat e tua, ose ndryshe do të përfundosh i refuzuar si Kaini. Unë të kërkoj që t’i lësh këto gjëra dhe të besosh plotësisht në Zotin Jezu Krisht dhe te ajo që bëri Ai “një herë për të gjithë” mbi kryq për ty. Do të jesh me të vërtetë, vërtetë i shpëtuar! Zoti do të t’i falë mëkatet dhe do të të japë jetë të përjetshme tani në qoftë se ti pendohesh për to dhe vjen te Ai me anë të Jezu Krishtit, Zëvendësit tënd. Thirre Atë për të të shpëtuar për shkak të asaj që Krishti bëri për ty në kryq, beso në Të dhe Ai do të të shpëtojë tani. Do ta mbyll tani me një himn shumë të bukur – të lutem lexo dhe mendo për mesazhin e tij, dhe thërrit Zotin Jezu Krisht që të të shpëtojë përgjithmonë.

Për ta shpëtuar këtë shpirt fajtor s’është ajo që këto duar kanë bërë;
Për të ma shëruar shpirtin s’është ajo që ky mish i sfilitur ka nxjerrë.
S’është ajo që ndjej a bëj, që të më japë me Zotin qetësi;
Gjithë lutjet, psherëtimat, lotët e mi s’ma heqin dot këtë barrë me fëlliqësi.
Dashuria Jote për mua, O Perëndinë, jo e mija, O Zot, për Ty,
Mund të më nxjerrë nga ky makth i errët dhe ta çojë frymën time në liri.
Asnjë vepër, veç Tëndes, asnjë gjak i qelbur s’do ta bëjë,
Asnjë fuqi, veç asaj që është hyjnore, në siguri s’mund të më mbajë.
Veç vepra Jote, Shpëtimtari im, ma heq këtë peshë vdekjeje;
Veç gjaku Yt, O Qengji i Perëndisë, më jep paqen brenda meje.

(Horatius Bonar 1808-1889)

Historia e Kainit dhe Abelit
Historia e Kainit dhe Abelit
Historia e Kainit dhe Abelit (Carl Knott).pdf
Versioni: © Asambleja Biblike 2004
116.1 KiB
1943 shkarkime
Hollësi