Ligji dhe Hiri


[no_toc]Ligji dhe hiri janë dy mënyra të kundërta në të cilat Perëndia merret me njerëzimin. Ne mund t’i përshkruajmë si parime të ndryshme, nën të cilat Ai provon njeriun. Ose ne i mendojmë ato si dy besëlidhje që Ai ka bërë me njerëzit e Tij: «Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezus Krishtit» (Gjoni 1:17).

Nën parimin e ligjit, njeriu merr atë çfarë ai fiton ose meriton. Nën hirin ai shpëtohet nga çfarë meriton dhe pasurohet përtej ç’ka mund të përshkruhet — e gjitha si një dhuratë falas. Dy parimet përshkruhen në Romakeve 4:4, 5:

Edhe atij që vepron, shpërblimi nuk i konsiderohet si hir, por si borxh; ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi.

Hiri dhe ligji janë të dy të papajtueshëm; domethënë, ata nuk mund të përzihen. «Po të jetë prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir…» (Rom. 11:6).

Ligji është një besëlidhje me kushte: Perëndia thotë: «Në qoftë se ju do të bindeni, Unë do t’ju shpërblej, por në qoftë se nuk do të më bindeni, Unë do t’ju dënoj». Hiri është një besëlidhje pa kushte: Perëndia thotë: «Unë do t’ju bekoj ju falas».

Ligji thotë «Bëni», ndërsa hiri thotë «Besoni». Por të besuarit nuk është kusht; ai është i vetmi reagim i arsyeshëm i një krijese ndaj Krijuesit. Dhe nuk është se e meriton; askush nuk mund të jetë krenar se ka besuar në Zotin. Do të ishte budallallëk të mos besojë në Personin e vetëm në univers, në të cilin mund të varesh.

Nën ligjin kërkohet shenjtëri, por nuk jepet aspak fuqi për të jetuar një jetë të shenjtë. Nën hirin shenjtërimi mësohet (Tit. 2:11, 12) dhe fuqia e nevojshme na është dhënë. Dikush e ka thënë në këtë mënyrë: «Ligji kërkon forcë nga dikush që nuk ka aspak dhe e mallkon atë në qoftë se ai nuk mund ta zbatojë atë. Hiri i jep forcë atij që nuk ka aspak dhe e bekon atë në shfaqjen e hirit».

Ligji sjell mallkim: «I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar» (Gal. 3:10). Hiri sjell bekim: «Janë shfajësuar falas me anë të hirit të Tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus» (Rom. 3:24).

Nën ligjin inkurajohet mburrja, por nën hirin ajo përjashtohet. «Ku është, pra, mburrja? Është përjashtuar. Nga cili ligj? Ai i veprave? Jo, por nga ligji i besimit» (Rom. 3:27).

Nuk mund të ketë ndonjë siguri shpëtimi nën ligjin; një njeri nuk mund ta dijë kurrë nëse ka bërë mjaft vepra të mira ose vepra të duhura. Nën hirin ka siguri të plotë, sepse shpëtimi është një dhuratë; ti e di kur e ke marrë një dhuratë!

Një person nën ligjin nuk mund ta ketë sigurinë e vërtetë, sepse ai nuk mund të jetë i sigurt se do të vazhdojë të plotësojë kërkesat. Nën hirin besimtari e shijon sigurinë e përjetshme (Gjoni 10:27-29), sepse shpëtimi i tij varet në veprën e Krishtit.

Nuk ka shpëtim nëpërmjet ligjit. Perëndia kurrë nuk pati si qëllim që dikush të shpëtohej në atë parim. Qëllimi i ligjit është për t’i treguar njeriut se është mëkatar. «… me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit» (Rom. 3:20)—jo njohuria e shpëtimit.

Shpëtimi është me anë të hirit (Efesianeve 2:8, 9). Ai është dhurata falas, e pamerituar e Perëndisë për ata që e marrin Zotin Jezu Krisht si shpresën e tyre të vetme për qiellin.

Nën ligjin mëkati nxitet (Rom. 7:8-13); nën hirin ai poshtërohet. Kur njeriu mëkatar vihet nën ligjin, ai menjëherë dëshiron të bëjë atë çfarë është e ndaluar. Nuk është faji i ligjit, por është reagimi i mëkatit në natyrën e njeriut. Nën hirin, mëkati poshtërohet. Kur kujtojmë se çfarë i kushtoi Shpëtimtarit për mëkatet tona, kjo na bën që të largohemi prej tyre.

Nën ligjin puna kurrë nuk mbarohet. Për këtë arsye Shabati, dita e shtatë, mori fund në një javë pune. Hiri na tregon për një vepër të mbaruar, kështu ne fillojmë me Ditën e Zotit, si ditën tonë të pushimit.

Ligji i tregon njeriut çfarë duhet të bëjë. Hiri na shfaq atë çfarë Perëndia ka bërë në Krishtin.

Ligji është një sistem prangash (Gal. 4:1-3); hiri është një sistem lirie (Gal. 5:1). Njerëzit nën ligjin janë shërbëtorë; njerëzit nën hirin janë bij.

Ligji thotë: «Ju do të doni….». Hiri thotë: «Perëndia aq shumë e deshi…».

Ligji thotë: «Bëni dhe do të jetoni». Hiri thotë: «Jetoni dhe do të bëni».

Ligji thotë: «Provoni dhe bindjuni». Hiri thotë: «Besoni dhe bindjuni».

Nën ligjin një bir i pabindur nxirrej jashtë qytetit dhe gjuhej me gurë për vdekje (Ligji i Perterire 21:18-21). Nën hirin biri i larguar mund ta pohojë mëkatin e tij dhe mund të kthehet përsëri në bashkësinë e shtëpisë së babait të tij (Luka 15:21-24).

Nën ligjin delet vdesin për bariun. Nën hirin bariu vdes për delet (Gjoni 10:11).

Superioriteti i hirit është përshkruar si më poshtë: hiri nuk kërkon njerëz të mirë të cilët mund t’i aprovojë, sepse nuk është hiri por drejtësia ajo që aprovon mirësi; por hiri po kërkon njerëz të dënuar, fajtorë, të pa gojë dhe të pandihmë, të cilët mund t’i shpëtojë, shenjtërojë dhe përlëvdojë.

[wpfilebase tag=file id=8/]