Llojet e shenjtërimit


[no_toc]Fjala «shenjtëroj» do të thotë «ndaj mënjanë». Gjendet një familje e tërë fjalësh—shenjtëroj, shenjtërim, shenjt, i shenjtë, shenjtëri, përkushtoj, përkushtim. Shumë shpesh shenjtërimi nënkupton procesin e ndarjes nga përdorimet e zakonshme ose të papastra për shërbim hyjnor. Por jo gjithmonë. Po të keni parasysh se të shenjtërohesh do të thotë të ndash mënjanë, do të keni një përkufizim që do të përshtatet në të gjitha rastet.

Në Dhiatën e Vjetër Perëndia e shenjtëroi ditën e shtatë (Zanafilla 2:3). I parëlinduri i njerëzve dhe kafshëve u shenjtëruan nga Zoti (Eksodi 13:2). Priftërinjtë duhet të shenjtëronin veten ndaj Zotit (Eksodi 19:22). Tabernakulli dhe gjithë pajisjet e tij ishin shenjtëruar (Eksodi 40:9).

Në Dhiatën e Re shenjtërimi përdoret kryesisht në lidhje me njerëzit. Sidoqoftë, Jezusi tha se Tempulli shenjtëron arin në të dhe se altari shenjtëron dhuratën në të (Mt. 23:17, 19). Pali tregon se kur ne japim falënderime për ushqimin, ai shenjtërohet nëpërmjet Fjalës së Perëndisë dhe lutjes (1 Tim. 4:5).

Për sa i përket shenjtërimit të personave, Perëndia e shenjtëroi Krishtin dhe e dërgoi në botë (Gjoni 10:36); domethënë, Ati la mënjanë Birin e Tij për punën e shpëtimit tonë nga mëkatet tona. Jezusi shenjtëroi Veten (Gjoni 17:19); me fjalë të tjera, Ai u nda mënjanë me qëllim që të ndërhynte për njerëzit e Tij.

Madje në një kuptim, ka jobesimtarë të caktuar që shenjtërohen. «Sepse burri jobesimtar është shenjtëruar me anë të gruas dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar me anë të burrit…» (1 e Korintasve 7:14). Kjo do të thotë se partneri jobesimtar është ndarë mënjanë në një pozitë privilegji duke pasur një bashkëshorte të krishterë që lutet për shpëtimin e tij.

Dhe në një kuptim në të cilin Krishti duhet të shenjtërohet nga të gjithë besimtarët. «Por shenjtërojeni Zotin Perëndi në zemrat tuaja…» (1 Pjetrit 3:15). Ne e shenjtërojmë Atë duke e bërë Atë si Sovranin e pamposhtur në jetën tonë.

Sidoqoftë, krahas gjërave të mësipërme ka katër lloje të tjera të rëndësishme të shenjtërimit, të cilat duhet t’i dallojmë në studimin tonë të Dhiatës së Re. Ata quhen shenjtërimi përpara shpëtimit, shenjtërimi pozicional, shenjtërimi përparimtar dhe shenjtërimi i përsosur.

Shenjtërimi përpara shpëtimit

Shumë kohë para se një person të lindë përsëri, Fryma e Shenjtë ka qenë duke punuar në jetën e tij, duke e ndarë atë mënjanë nga bota për Krishtin. Pali e kuptoi se ai ishte ndarë mënjanë para se ai të lindte (Gal. 1:15). Në 2 Thesalonikasve 2:13, apostulli u kujton Thesalonikasve se kishte tre hapa në shpëtimin e tyre:

  1. Zgjedhja e tyre nga Perëndia
  2. Shenjtërimi i tyre nga Fryma
  3. Besimi i tyre në të vërtetën

Vini re se ky shenjtërim ishte para se ata të besonin dhe të shpëtoheshin.

Në 1 Pjetrit 1:2, radha e ngjarjeve në lidhje me shpëtimin lidhet si më poshtë:

  1. Zgjedhje dhe paracaktim nga Ati Perëndi
  2. Shenjtërim nga Fryma
  3. Bindje ndaj Krishtit Jezus
  4. Spërkatje me gjakun e Tij

Në përjetësi Perëndia na zgjodhi ne që t’i përkisnim Atij. Me kalimin e kohës Fryma e Shenjtë na ndau ne mënjanë për Zotin. Pastaj ne iu bindëm ungjillit. Sapo e bëmë këtë, e gjithë vlera e gjakut të derdhur të Krishtit iu shtua llogarisë sonë. Por pika për t’u vënë re këtu është se shenjtërimi për të cilin Pjetri flet është një lloj shenjtërimi që zë vend para se një person të lindë përsëri.

Shenjtërimi pozicional

Në momentin që një person lind përsëri, ai bëhet i shenjtëruar pozicionalisht. Kjo do të thotë se për sa i përket të qëndruarit para Perëndisë, ai është ndarë mënjanë nga bota për Perëndinë, sepse ai është «në Krishtin». Në një kuptim të vërtetë Krishti është shenjtërimi i tij (1 e Korintasve 1:30).

Secili besimtar i vërtetë është një shenjtor; ai është ndarë mënjanë për Zotin. Kjo është pozita e tij. Kështu në 1 e Korintasve 1:2 të gjithë të krishterët në kishën lokale të Korintit janë përshkruar si «të shenjtëruar në Krishtin Jezus, të thirrur për të qenë shenjtorë». Ata nuk shprehnin gjithmonë shenjtërim. Ata toleronin mëkatin në bashkësinë e tyre (1 e Korintasve 5:1, 2). Ata u kthyen te ligji kundër njëri-tjetrit (1 Korintasve 6:1). Ata kishin mësues që e mohuan Ringjalljen (1 e Korintasve 15:33, 34). Por ishte akoma e vërtetë për ta se për sa i përkiste pozitës së tyre, ata ishin shenjtorë — të shenjtëruar në Krishtin Jezus.

Tani le të shohim disa nga pjesët që kanë të bëjnë me shenjtërimin pozicional. Në Veprat e Apostujve 20:32, shprehja «të gjithë ata që janë shenjtëruar» do të thotë të gjithë besimtarët. Në Veprat e Apostujve 26:18, Zoti i përshkroi njerëzit e Tij si ata «që janë shenjtëruar nëpërmjet besimit që është në mua». Korintasit janë përshkruar si të «larë … shenjtëruar … të përligjur në emrin e Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë sonë» (1 e Korintasve 6:11). Dhe shkruesi i Hebrenjve na kujton se «ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezus Krishtit, që u bë njëherë për të gjithë» (Heb. 10:10). «Sepse, me një ofertë të vetme, Ai i bëri të përsosur për gjithnjë ata që shenjtërohen» (Heb. 10:14).

Shenjtërimi pozicional disa herë tregohet edhe me përdorimin e fjalës «i shenjtë». Kështu në Kolosianeve 3:12, kur Pali u drejtohet të krishterëve si «të shenjtë», ai po i referohet pozitës të tyre para Perëndisë.

Shenjtërimi përparimtar

Ndërsa ka shumë Shkrime, të cilat thonë se të gjithë të krishterët shenjtërohen, ka shumë të tjera që thonë se ata duhet të shenjtërohen. Në qoftë se dështojmë të bëjnë dallimin e llojeve të shenjtërimeve, kjo mund të na duket shumë e ngatërrueshme.

Shenjtërimi përparimtar ose praktik i referohet asaj çfarë duhet të jemi në jetën tonë të përditshme. Ne duhet të jemi duke jetuar jetë të ndara nga mëkati dhe nga e liga. Shenjtorët duhet të shenjtërohen gjithnjë e më tepër gjithë kohën.

Ishte ky aspekt i shenjtërimit të cilit Jezusi iu referua në Gjoni 17:17 kur Ai u lut për të Tijët: «Shenjtëroi ata në të vërtetën tënde: fjala Jote është e vërteta».

Bashkëpunimi i besimtarit përfshihet në këtë (2 Tim. 2:21). Kur gjeni thirrje për shenjtërim, ju mund të jeni të sigurt se bëhet fjalë për shenjtërimin praktik. Kështu Pali iu kërkoi me të madhe Korintasve: «… le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë» (2 e Korintasve 7:1). Dhe për të njëjtën gjë shkroi Pjetri: «… si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj» (1 Pjetrit 1:15).

Një formë e veçantë e shenjtërimit praktik ka lidhje me ndarjen nga imoraliteti. «Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj; të hiqni dorë nga kurvëria; që secili prej jush të dijë ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe me nder» (1 Thes. 4:3, 4).

Si bëhet një i krishterë më i shenjtë, më i ngjashëm me Zotin Jezus? Përgjigjja gjendet në 2 e Korintasve 3:18: «Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit». Shenjtërimi praktik vjen nga të qenët i lidhur me Zotin. Është një parim në jetë që ne bëhemi si ai që e adhurojmë. Sa më tepër të shohim Krishtin, aq më tepër bëhemi si Ai. Fryma e Shenjtë e bën të mundur një transformim të tillë të mahnitshëm—jo të gjithin njëherazi, por nga një shkallë e lavdisë në një tjetër!

Shenjtërimi i përsosur

Ky aspekt i shenjtërimit është akoma në të ardhmen për besimtarin. Kur ai të shohë Shpëtimtarin ballë për ballë, ai do të jetë përgjithmonë i ndarë mënjanë nga gjithë mëkati dhe ndyrësia. Ai do të jetë moralisht si Zoti Jezus—i shenjtëruar përsosmërisht.

Kjo është çfarë lexojmë në Kolosianeve 1:22: «Në trupin e mishit të Tij, me anë të vdekjes, që t’ju nxjerrë juve përpara vetes së Tij shenjtorë, faqebardhë dhe të pafajshëm».

Në atë ditë Kisha do të marrë shenjtërimin e saj përfundimtar: «Që ta nxjerrë përpara Vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme» (Efesianeve 5:27).

Pjesë të tjera përshkruajnë shenjtërimin tonë të përsosur pa e përmendur fjalën «shenjtërim». Gjoni, për shembull, thotë: «… dimë se, kur të shfaqet Ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është Ai» (1 Gjonit 3:2). Dhe Juda na kujton se Zoti ynë do të na paraqesë ne «… para lavdisë së Tij të paqortueshëm dhe me gëzim» (Juda 1:24).

Tani do të jetë së tepërmi një ndihmë në studimin tuaj të Biblës të bëni dallimin midis këtyre aspekteve të ndryshme të shenjtërimit. Kurdoherë që gjeni fjalë që kanë të bëjnë me shenjtërimin, bëjini vetes pyetjen: «A është kjo çfarë ndodhi para shpëtimit? A është kjo çfarë unë jam në Krishtin? A është kjo çfarë unë duhet të jem ditë për ditë? Apo është kjo çfarë unë do të jem kur të hyj në praninë e lavdishme të Zotit Jezus Krisht?»

[previous][next]
[wpfilebase tag=file id=8/]