[no_toc]Ky studim është i ngjashëm me atë mbi pozitën dhe praktikën. Por ndryshimi është mjaft i rëndësishëm sa t’i kushtojmë një kapitull të veçantë.
Kur një person lind përsëri, një marrëdhënie e re formohet; ai bëhet fëmijë i Perëndisë.
… të gjithë atyre që e pranuan, atyre që besojnë në emrin e Tij, Ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë (Gjoni 1:12).
Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet Ai, do të jemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim se si është Ai (1 Gjonit 3:2).
Tani ka diçka që është shumë vendimtare për një lindje. A keni menduar ndonjëherë rreth kësaj? Sapo një lindje të ndodhë ajo do të zgjasë përgjithmonë. Ju nuk mund të ktheheni dhe ta anuloni atë. Formohet një marrëdhënie që nuk mund të ndryshohet. Le të themi, për shembull, se i ka lindur një djalë familjes Xhëuns. Nuk ka rëndësi se çfarë mund të ndodhë, djali do të jetë gjithmonë biri i zotit dhe zonjës Xhëuns dhe ata do të jenë gjithmonë prindërit e tij. Më vonë në jetë ai mund të mos e nderojë familjen e tij dhe u shkakton atyre dhimbje të madhe. Por marrëdhënia akoma qëndron—zoti Xhëuns është akoma babai i tij dhe ai akoma është biri i zotit Xhëuns.
Tani zbatojani këtë besimtarit. Nëpërmjet lindjes së re formohet një marrëdhënie me Perëndinë Atë.
Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë (Rom. 8:16).
Prandaj ti nuk je më shërbëtor, por bir; dhe në qoftë se je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë… (Gal. 4:7).
Ajo është një marrëdhënie që nuk mund të prishet. Sapo të jesh bir, je për gjithmonë një bir.
Por gjendet edhe një anë tjetër e së vërtetës dhe ajo anë është bashkësimi. Bashkësim do të thotë ndarja e gjërave të njëjta. Po qe se marrëdhënia është një bashkim, atëherë bashkësimi është të qenët bashkë. Dhe po qe se marrëdhënia është një zinxhir që nuk mund të këputet, bashkësimi është një fill i hollë që mund të këputet shumë lehtë.
Mëkati e prish bashkësimin me Perëndinë. Dy veta nuk mund të ecin së bashku, po qe se nuk bien dakord (Amosi 3:3) dhe Perëndia nuk mund të këtë bashkësim me fëmijët e Tij, kur ata mëkatojnë. «Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka aspak errësirë» (1 Gjonit 1:5). Ai nuk mund ta shijojë bashkësimin me ata që fshehin ligësi në jetën e tyre.
Bashkësimi mbetet i prishur për sa kohë që mëkati është i parrëfyer dhe i pa braktisur. Një bashkësim i prishur është shumë serioz. Për shembull, një vendim mund të merret, kur një besimtar është jashtë lidhjes me Zotin, që mund të vendosë një mallkim për pjesën tjetër të jetës. Sa të krishterë që janë tërhequr kanë zgjedhur një bashkëshorte jobesimtare dhe kanë shkatërruar jetën e tyre për sa i përket dobishmërisë për Perëndinë! Ata janë shpëtuar, por jetët e tyre kanë humbur.
Bashkësimi i prishur sjell disiplinimin nga Perëndia. Ndërsa një besimtar është i lirë nga dënimi i përjetshëm për mëkatet, ai nuk është i lirë nga pasojat e mëkatit në jetën e tij. Pse ishin disa nga shenjtorët korintas të sëmurë? Sepse ata po shkonin në tryezën e bashkësimit pa rrëfyer së pari mëkatet e tyre dhe pa e zgjidhur këtë problem (1 e Korintasve 11:29-32). Disa prej tyre madje kishin vdekur. Ata ishin përgatitur për qiellin nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus, por ishin të papërshtatshëm për jetë të mëtejshme dhe për dëshmi këtu mbi tokë.
Bashkësimi i prishur do të rezultojë në humbje të shpërblimit në Gjykimin nga Krishti (1 e Korintasve 3:15). E gjithë koha e kaluar jashtë bashkësimit me Perëndinë është kohë e humbur përgjithmonë.
Kështu ndërsa ngazëllohemi në të vërtetën se marrëdhënia jonë me Perëndinë është e pathyeshme, ne duhet të frikësohemi së tepërmi nga çdo gjë që prish marrëdhënien tonë me Atin. Në fakt, njohuria se hiri na ka sjellë në një marrëdhënie të tillë të mrekullueshme duhet të jetë motivi më i fortë për të mirëmbajtur një bashkësim të vazhdueshëm me Zotin. Hiri nuk e inkurajon mëkatin; ai është pengesa më e madhe për të.
Në Dhiatën e Vjetër, Davidi është një shembull klasik, bashkësimi i të cilit me Perëndinë ishte prishur nga mëkati. Ne lexojmë për këtë rrëfim dhe restaurim ndaj Zotit në Psalmet 32 dhe 51.
Në Dhiatën e Re, biri i arratisur mund të merret si ilustrim për një të tërhequr që kthehet (Luka 15:11-24) (megjithëse ngjarja zakonisht interpretohet për shpëtimin e mëkatarit). Bashkësimi ishte prishur nëpërmjet rebelimit dhe largimit të birit. Por ai përsëri ishte një bir i babait të tij, megjithëse në një vend të largët. Sapo ai u kthye dhe filloi të bënte rrëfimin e tij, bashkësimi u restaurua. Babai vrapoi dhe e përqafoi atë.
Në 1 Gjonit 2:1 ne lexojmë: «Djema të mi, ju shkruaj këto gjëra që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush mëkaton, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin». Kjo u është shkruar fëmijëve, atyre që kanë lindur në familjen e Perëndisë. Synimi i Perëndisë është që fëmijët e Tij të mos mëkatojnë. Por ne mëkatojmë dhe Perëndia na ka siguruar një rrugëzgjidhje. «… dhe në qoftë se ndokush mëkaton, kemi një avokat te Ati». Vini re këtë—«ne kemi një avokat te Ati». Ai akoma është Ati ynë, madje edhe kur mëkatojmë. Si është e mundur? Sepse marrëdhënia është një lidhje që nuk mund të thyhet kurrë. Çfarë ndodh kur ne mëkatojmë? «Ne kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin». Ai menjëherë vazhdon të punojë në jetën tonë, duke na sjellë në një vend ku ne kemi dëshirë dhe vullnet për të pohuar dhe braktisur mëkatet tona, kështu që të shijojmë bashkësimin me Atin edhe një herë.
Kur unë shoh ndryshimin midis marrëdhënies dhe bashkësimit më ndihmon të kuptoj këto Shkrime. Ajo gjithashtu më bën të pëlqej sigurinë e përjetshme që unë kam në Krishtin dhe më motivon të jetoj në bashkësim me Atin tim, i cili më do shumë.