Përmbushje të dyfishta


[no_toc]Kur arrijmë në studimin e Shkrimeve profetike, një nga çelësat më të dobishëm është të kuptojmë se disa profeci kanë më tepër se një përmbushje. Nuk është e pazakonshme të gjejmë një profeci që ka një përmbushje paraprirëse, një të pjesshme dhe më vonë një të plotë të fundit. Ky njihet si «ligji i referimit të dyfishtë».

Shembulli klasik i profecisë së Joelit në lidhje me derdhjen e Frymës.

Mbas kësaj do të ndodhë që unë do të përhap Frymën time mbi çdo mish; bijtë tuaj dhe bijat tuaja do të profetizojnë, pleqtë tuaj do të shohin ëndrra, të rinjtë tuaj do të kenë vegime. Në ato ditë do të përhap Frymën time edhe mbi shërbëtorët dhe shërbëtoret. Do të bëj mrekulli në qiejt dhe mbi tokë: gjak, zjarr dhe shtëllunga tymi. Dielli do të shndërrohet në terr dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit. Dhe do të ndodhë që kushdo që do t’i drejtohet emrit të Zotit do të shpëtojë (Joeli 2:28-32a).

Kur Pjetri e citoi këtë pjesë në Ditën e Rrëshajave (Veprat e Apostujve 2:14-21), ai tha: «… kjo është çfarë është folur nga profeti Joel». Por ai nuk nënkuptoi një përmbushje të plotë, meqë disa nga gjërat që Joeli përmendi nuk ndodhën në Ditën e Rrëshajave.

Fryma nuk ishte përhapur mbi çdo mish, por vetëm mbi tre mijë çifutë. Nuk kishte mrekulli në qiej—qielli nuk ishte errësuar, as hëna nuk ishte shndërruar në gjak. Jo të gjitha shenjat ndodhën mbi tokë, të tilla si gjak dhe zjarr dhe tym.

Kjo do të thotë, se Dita e Rrëshajave ishte një përmbushje jo e plotë, e hershme e profecisë së Joelit. Përmbushja e plotë e saj do të ndodhë në Ardhjen e Dytë të Krishtit. Ardhja e Tij do të paraprihet nga shenjat e paratreguara dhe do të ndiqet nga derdhja e Frymës mbi çdo mish në tokën e mijëvjeçarit.

Ne gjejmë edhe një ilustrim tjetër të «ligjit të referimit të dyfishtë» në pjesën e famshme «të virgjëreshës» në Isaia 7:14:

Prandaj vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel.

Profecia kishte një kuptim të shpejtë për mbretin Ashaz, kryesisht, se një fëmijë do të lindte dhe do të quhej «Perëndia me ne», duke nënkuptuar se fitorja ishte afër. Para se fëmija do të ishte mjaft i rritur për të dalluar të mirën nga e liga aleanca Siri-Izrael do të prishej dhe brenda disa viteve fëmija do të jetonte në pjesën më të majmur të tokës (v. 15).

Por përmbushja e këtij vargu u bë me lindjen e Krishtit.

E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej fjala e Zotit, e thënë me anë të profetit që thotë: «Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t’i vënë emrin Emanuel, që do të thotë: «Zoti me ne» (Mt. 1:22, 23).

Një shembull i tretë i përmbushjes së dyfishtë gjendet në Psalmi 118:26a.

I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit.

Në të Dielën e parë të Palmave, kur Jezusi hyri në Jerusalem, turma brohoriti, duke thënë:

Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! (Mt. 21:9).

Por ne e dimë se kjo nuk e konsumoi profecinë, sepse në vajtimin e Tij të mëvonshëm për Jeruzalemin Zoti Jezus tha:

Sepse Unë po ju them, se tani e tutje nuk do të më shihni më deri sa të thoni: I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit (Mt. 23:39).

Përmbushja e fundit do të ndodhë kur Shpëtimtari të kthehet në tokë me fuqi dhe lavdi te njerëzit që do ta mirëpresin Atë si Mesia dhe Mbreti.

Akoma edhe një ilustrim tjetër i një profecie që ka dy përmbushje për sa i përket shkatërrimit të Jerusalemit. Jezusi e parashikoi braktisjen e qytetit në Luka 21:20-24. Natyrisht fjalët e Tij u përmbushën në vitin 70 pas Krishtit, kur Titi dhe legjionët romakë plaçkitën qytetin dhe rrënuan Tempullin. Por mjerimet e Jerusalemit nuk janë të gjitha të kaluara. Është e qartë nga Zbulesa 11:2 se joçifutët do të shkelin qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj gjatë periudhës së Shtrëngesës.

Psalmi 2:1, 2 është cituar në Veprat e Apostujve 4:25, 26:

Përse u zemëruan joçifutët dhe popujt kurdisin gjëra të kota? Mbretërit e dheut ngritën krye dhe princat u mblodhën bashkë kundër Zotit dhe kundër Krishtit të tij.

Në Veprat e Apostujve 4:27, fjalët i zbatohen kryqëzimit të Krishtit:

Sepse pikërisht kundër Birit tënd të shenjtë, që ti e vajose, u mblodhën Herodi dhe Ponc Pilati me joçifutët dhe me popullin e Izraelit ….

Kjo ishte një përmbushje e pjesshme fillestare e fjalëve të Psalmit. Ato do të kenë një përmbushje të mëtejshme në fund të Shtrëngesës, kur sundimtarët e botës do të bashkohen në një përpjekje të kotë për ndaluar Krishtin që të marrë sundimin e qeverisjes universale.

Një shembull i fundit i ligjit të referimit të dyfishtë mund të gjendet në profecitë që kanë të bëjnë me rigrumbullimin e Izraelit (Isaia 43:5-7; Jer. 16:14, 15; Eze. 36:8-11; 37:21). Këto profeci patën një përmbushje të pjesshme kur një pjesë e çifutëve u kthyen në Izrael nga robëria Babilonase, siç është përshkruar në Ezdran dhe Nehemian. Por ngjarja kryesore është akoma në të ardhmen. Ndonjë grumbullim i mëparshëm mund të ketë qenë veçse se një pikë uji në det. Gjatë kohës së shqetësimit të Jakobit, Perëndia do të sjellë popullin e Tij të zgjedhur përsëri në Izrael nga e gjithë bota (Mt. 24:31; Ligji i Perterire 30:3, 4; Eze. 36:24-32; 37:11-14). Atëherë dhe vetëm atëherë do të përmbushen plotësisht dhe përfundimisht profecitë.

[previous][next]
[wpfilebase tag=file id=8/]