MBJELLJA E ASAMBLEVE

Mësimi 51 | Shërbesa e Krishterë

Në oborrin e brendshëm të një hoteli në Honolulu pashë për herë të parë pemën baniane. Ndërsa degët e kësaj peme rriten ato japin filiza që arrijnë deri në tokë, që zënë rrënjë dhe kështu formojnë trungje dytësore. Kam menduar gjithmonë se kjo pemë është një shëmbëlltyrë për rritjen ideale të kishës. Ajo përshkruan mënyrën se si duhet të shumëzohen asambletë. Kur një përbashkësi lokale rritet ajo duhet të dërgojë «filiza» njerëzorë për të zënë rrënjë në zona të përafërta dhe të formojnë asamble të reja.

Ky është modeli ideal, por fatkeqësisht ne nuk jetojmë në një botë ideale. Megjithëse përgjithësisht udhëheqësit flasin shumë për mbjelljen e kishave, ata shfaqin një rezistencë të natyrshme për të sa herë që ajo bëhet një mundësi e gjallë. Ata ekspozojnë gjashtëdhjetë arsyet e tyre të menduara mirë se përse, në rastin e tyre të veçantë, kjo nuk është një mundësi e dëshirueshme, ose përse nuk ka ardhur akoma çasti i duhur. Ata nuk duan që të trazojnë gjendjen aktuale kur gjithçka po ecën kaq qetë. Ata kanë nevojë për të gjithë ndihmën e mundshme. Nuk ka udhëheqje të mjaftueshme dhe të kualifikuar për një punë të re. Një koshere e re do ta bënte punën të vështirë për kishën mëmë që të plotësonte detyrimet e saj financiare. Fëmijët dhe të rinjtë në një punë të re nuk do të kenë të njëjtat mundësi për përbashkësi me grup-moshat e tyre sikurse do të kishin në një punë më të madhe. Udhëheqësit pajtohen se do të kenë të bëjnë me një punë të re një ditë – por jo tani.

Kisha të tjera ungjillore nuk frenohen nga këta faktorë dhe kështu përjetojnë rritje të vazhdueshme. Sigurisht, kultet refuzojnë që të pengohen nga kjo urtësi konvencionale dhe kështu mësyjnë përpara me vrull.

Nëse duam që t’i largohemi padisë «besnikëri pa fryt» apo «e vërtetë pa rritje», ne nuk duhet t’ia vëmë veshin ngurrimit tonë, por duhet të braktisim mëdyshjen tonë të natyrshme dhe të vendosim para Perëndisë që t’i futemi shërbesës së mbjelljes së asambleve, cilido qoftë çmimi.

Si lind një asamble e re? Ajo duhet të fillojë me një vizion të dërguar nga qielli që vendoset në zemrën e një apo më shumë besimtarëve. Duhet të jetë një barrë që nuk largohet, një ndërgjegjshmëri ngulmuese që Perëndia po e drejton këtë nismë. Fryma e Shenjtë e mbjell këtë ide në zemër dhe krijon një dëshirë e cila kërkon përgjigje në zemrat e njerëzve të Tij.

Vizioni duhet të mbushet me lutje. Në këtë mënyrë ne pranojmë paaftësinë tonë për të bërë gjykime të drejta si dhe varësinë tonë të plotë në urtësinë e Tij. Në fund të fundit Krishti është Kreu i asamblesë dhe vetëm Kreu ka të drejtë të vendosë. Ndërsa lutemi vizioni bëhet gjithnjë e më shumë më i qartë. Ajo që në fillim ishte një barrë e përgjithshme bëhet gradualisht më specifike për sa i përket vendit, programit dhe udhëheqjes.

Duhet të ketë udhëheqje frymërore të fortë. Pa këtë, puna rrezikon të bjerë që në një fazë të hershme. Do të ishte e dëshirueshme ajo që mund të quhet skuadra e mbjelljes së kishës – të paktën dy ose tre çifte. Përpjekjet e një njeriu, që punon vetëm, nuk kanë dhënë rezultate të mira. Zoti Jezus punoi me dymbëdhjetë dishepuj. Pali udhëtoi me një skuadër burrash, duke mbjellë asamble. Me sa duket ky është një model hyjnor.

Nëse puna e re do të jetë një koshere e re nga një asamble apo disa asamble ekzistuese, është e rëndësishme që të veprohet me takt, dashuri dhe unitet. Shumë shpesh është ai ngurrimi dhe mëdyshja e natyrshme e asambleve ekzistuese që anëtarë të çmuar të asamblesë të largohen. Shpesh pleqtë e kishës druajnë atë që duket si një kërcënim për numrin e tyre. Kjo kërkon pritje lutëse në Zotin që të shohin Atë duke i bërë zemrat e udhëheqësve që t’i shtrijnë dorën e tyre të djathtë të përbashkësisë kësaj pune të re.

Skuadra e mbjelljes së kishës bën mirë jetë në një mendje për disa çështje themelore dhe të adoptojë disa rregulla bazë. Për shembull, ata do të formulojnë një deklaratë besimi. Veç kësaj, ata mund të marrin parasysh rregullat e mëposhtme bazë të cilat një skuadër i pranoi:

1. Duhet të ketë unitet absolut për themelet e besimit të krishterë. Nuk do të lejohet asnjë devijim nga këto të vërteta bazë.

2. Për çështje dytësore asambleja do t’i nënshtrohet pëlqimit të përbashkësisë.

3. Skuadra e mbjelljes së kishës nuk do të përbëjë pashmangshmërisht udhëheqjen e përhershme. Ata do të shërbejnë për të paktën një vit. Në fund të kësaj kohe asambleja do të mblidhet për të gjetur se cilët burra ka ngritur Zoti që të jenë pleq të kishës. Pastaj do të ketë një njohje publike për këtë kryesi dhe skuadra e mbjelljes së kishës do të shpërbëhet.

4. Kur asambleja të rritet në numër nga 100 deri në 150 veta, atëherë duhet të ndërmerren hapa pozitivë drejt formimit të një pune tjetër.

5. Nuk duhet të bëhen përpjekje për t’u rritur përmes transferimit nga asamble apo kisha të tjera. Për më tepër qëllimi duhet të jetë që të arrihen njerëzit e pashpëtuar, që ata të kthehen në besim, të pagëzohet, të dishepullohen dhe t’i shtohen përbashkësisë.

Duhet të merret një vendim në lidhje me vendndodhjen. Lagjet e reja të banimit janë ideale, por parapëlqehet që të mos jetë përpara një kishe ungjillore tashmë të ngritur. Në fillim asambleja mund të takohet në një shtëpi. Më pas kur shtëpia nuk është e përshtatshme për shkak të rritjes në numër të asamblesë, mund të kalohet në një godinë me qira ose mund të blihet apo të ndërtohet një ndërtesë modeste. Në disa raste ligjet zonale dhe rregullat e parkimit i ndalojnë takimet në shtëpi. Udhëheqja duhet të peshojë të gjithë faktorët pro dhe kundër.

Natyra dhe rregulli i takimeve janë përgjithësisht mjaft të lehta për t’u vendosur. Skuadra do të marrë parasysh pozitën qendrore të adhurimit, rëndësinë e lutjes kolektive si dhe dietën frymërore që ka nevojë tufa.

Ashtu sikurse ka gëzim kur lind një foshnjë, po kështu ka një ngazëllim të rrënjosur thellë në lidhje me mbjelljen e një asambleje të re. Besimtarët përjetojnë një ngrohtësi të re të përbashkësisë, një entuziazëm në përpjekjet e përbashkëta që asambleja të rritet si dhe një kënaqësi në ushtrimin e dhuntive të cilat ndrydhen në një kishë më të madhe.

Ashtu sikurse familjarët gëzohen kur bijtë dhe bijat martohen dhe krijojnë familjet e tyre, po kështu asambletë duhet të gëzohen kur kanë privilegjin të «rritin» punë të reja dhe të kujdesen që ato të funksionojnë si kisha autonome.

Mbjellja e asambleve është vullneti i Perëndisë. Janë të bekuar ata që punojnë me Të për të përmbushur vullnetin e Tij!

[previous][next]