RUAJE VETEN TË PASTËR

Mësimi 19 | Karakteri i Krishterë

SHËNIM: Ky kapitull diskuton hapur çështje seksuale. Ky kapitull duhet lexuar vetëm nga ata që luftojnë me këto probleme.

Rruga e shërbesës së krishterë është e mbushur me kufoma të atyre që janë rrënuar nga skandalet seksuale. Ata e filluan garën me siguri dhe entuziazëm, por më pas panë ëndrra me sy hapur për kënaqësitë e ndaluara derisa më në fund u dorëzuan.

Dr. Hauard Hendriks arriti të numëronte 246 njerëz të cilët filluan t’i shërbejnë Zotit me kohë të plotë, por që përjetuan dështime morale brenda një periudhe 2-vjeçare. Gati 250 njerëz morën fund brenda një periudhe prej njëzet e katër muaj nga njëri-tjetri. Kjo është e barabartë me rreth dhjetë njerëz për muaj, të cilët përfunduan keq nga sirena e seksit të palejueshëm. Dr. Pal Bek llogarit që një e dhjeta e atyre që fillojnë veprën e krishterë në moshën njëzet e një vazhdojnë ende të predikojnë Krishtin në moshën gjashtëdhjetë e pesë. Nëntë nga këta dhjetë rrëzohen. «Ata rrëzohen moralisht, ata shkatërrohen nga dekurajimi, ata prishen nga teologjia liberale, ata pushtohen nga mania për të fituar para»{{1}}.

Asnjë prej nesh nuk është i sigurt nga rënia derisa të shkojmë në qiell.

Dëshira seksuale është dhuratë nga Perëndia, që ka si qëllim riprodhimin, kënaqësinë dhe pastërtinë. Ajo është për t’u përdorur vetëm brenda marrëdhënies martesore. Vini re parimet që vë Pali tek 1 Korintasve 6:12-20, sidomos përsëritjen tetë herë të fjalës «trup» dhe «trupat».

Vargu 12: Dhuratat e Perëndisë nuk kishin si qëllim të ishin të dëmshme për veten ose për të tjerët ose për të qenë skllavëruese për veten.

Vargu 13: Ekziston një dallim midis oreksit për ushqim dhe dëshirave seksuale. Ushqimi dhe stomaku do të shkatërrohen. Ato janë të përkohshme. Trupi është i përjetshëm. Trupi është për Zotin dhe jo për imoralitet seksual. Zoti është për trupin. Ai interesohet për mirëqenien dhe shenjtërinë e trupit.

Vargu 14: Perëndia e tregon interesimin e Tij për trupin në faktin që Ai do ta ringjallë atë prej së vdekurish, ashtu sikurse e ringjalli Zotin Jezus.

Vargu 15: Trupat tanë janë gjymtyrë të Krishtit. Mendo për sakrilegjin e të marrit një gjymtyrë të Krishtit dhe ta bashkosh atë me një prostitutë, ose me këdo tjetër jashtë martesës.

Vargu 16-17: Marrëdhëniet seksuale me një kurvë janë një bashkim fizik. Bashkimi me Zotin është bashkimi më i thellë nga të gjitha bashkimet – bashkimi i dy frymërave. Besimtari është në Krishtin dhe Krishti në besimtarin.

Vargu 18: Imoraliteti seksual nuk është diçka me të cilën duhet të luajmë. Ne duhet të largohemi prej tij. Ai është mëkati më i keq kundër trupit. Ai lë pasoja në trup.

Vargu 19: Trupat tanë janë tempulli i Frymës së Shenjtë. Ai, në fakt, banon në ne. Ai na është dhënë nga Perëndia. Trupat që kemi nuk na përkasin neve që të veprojmë me ta si të duam.

Vargu 20: Ne jemi blerë me një çmim, me gjakun e çmuar të Krishtit. Ne duhet ta përdorim trupin dhe frymën tonë për të përlëvduar Atë të cilit ato i përkasin.

Dëshira seksuale është pa dyshim një nga dëshirat më të fuqishme të trupit njerëzor. Për shkak të kësaj, beqarët, por edhe disa të martuar, shpesh i jepen një forme të abuzimit të vetes që njihet si masturbimi. Ky është një metodë vetë shkaktuese për të gjetur çlirim seksual pa patur marrëdhënie. Është ndoshta e vërtetë që çdo i ri normal dhe i shëndetshëm e ka bërë këtë dikur në jetë. Cili është mësimi biblik për këtë praktikë?{{2}}

Shumë për t’u çuditur, por Bibla nuk e shtjellon në mënyrë specifike këtë temë. Historia e Onanit nga Zanafilla 38:1-11 është përdorur shpesh për të treguar pakënaqësinë e Perëndisë për këtë praktikë. Kur vëllai i Onanit vdiq, ligji i martesës në ato ditë kërkonte që ky i fundit të martohej me vejushën, domethënë, me kunatën dhe të bënte fëmijë për të vëllanë e vdekur. Duke qenë se fëmijët nuk do të ishin të tijtë, Onani refuzoi në mënyrë të vazhdueshme dhe e hodhi farën e tij përtokë. Për këtë mosbindje Zoti e vrau. Nuk është për shkak të masturbimit, por për shkak të mosbindjes. Mëkati i tij nuk ishte seksual, por egoist.

Ndonëse nuk kemi asnjë varg biblik që të merret drejtpërdrejt më këtë praktikë, kemi disa shkrime që e pajisin besimtarin e ndërgjegjshëm me udhëzime. Ja disa prej tyre:

Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t’i bindeni atij në epshet e veta. As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë. Në fakt mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, sepse nuk jeni nën ligj, por nën hir (Rom. 6:12-14).

Theksi këtu është që ne duhet t’i përdorim gjymtyrët e trupave tanë si mjete të drejtësisë dhe të mos i përdorim ato në mënyra që do ta çnderonin Zotin.

«Por vishuni me Zotin Jezus Krisht dhe mos tregoni kujdes për mishin, që t’ia kënaqni lakmitë» (Rom. 13:14). Qëllimi ynë i vërtetë këtu në këtë jetë është që të përfaqësojmë Zotin Jezus dhe jo që të jetojmë për plotësimin e kënaqësive seksuale.

A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia dhe se nuk i përkisni vetvetes? Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë (1 Kor. 6:19-20).

Personi i Tretë i Trinisë faktikisht banon në trupin e çdo besimtari. Duke ditur që Ai është i pranishëm në çdo kohë duhet të na bëjë të mos lëshohemi përpara një akti kaq të padenjë.

Gruaja nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por burri; gjithashtu burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por gruaja (1 Kor. 7:4).

Mendimi qendror këtu është as burri as gruaja nuk duhet t’ia ndalojmë njëri-tjetrit aktin martesor kur njëri ia kërkon këtë tjetrit. Por përveç kësaj, fakti që dikush nuk ka autoritet mbi trupin e vet e përjashton një sjellje të tillë egoiste.

«Duke i pasur këto premtime, o të dashur, le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë» (2 Kor. 7:1). Masturbimi është një ndotje si e trupit ashtu dhe e mendjes dhe ne duhet ta pastrojmë veten nga kjo.

«Që secili prej jush të dijë ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe me nder» (1 The. 4:4). Fjala «enë» këtu mund të nënkuptojë vetë trupin e dikujt. Në këtë rast, kjo do të thotë që ne duhet ta përdorim atë vetëm për qëllime të shenjta dhe të ndershme.

«Largohu nga pasionet rinore dhe bjeru pas drejtësisë, besimit, dashurisë dhe paqes bashkë me ata që e thërresin në ndihmë Zotin me zemër të pastër» (2 Tim. 2:22). «Shumë të dashur, unë ju këshilloj, si të huaj dhe shtegtarë, të hiqni dorë nga lakmitë e mishit, që luftojnë kundër shpirtit» (1 Pje. 2:11). Ndërkohë që epshe të tilla janë të lidhura me rininë, ato nuk kufizohen vetëm me të rinjtë. Bibla thotë që të largohemi prej tyre dhe të ndjekim ato qëllime që janë fisnike. Duke qenë se ky akt shpesh shoqërohet me imagjinata të papastra dhe mendime epshore, atëherë ky akt duhet të shmanget sipas Mateut 5:27-28. Atje Jezusi tha që mëkati i menduar është sinonim me vetë aktin. Mëkati fillon në mendje. Nëse mendojmë për të për një kohë të gjatë, përfundimisht ne do ta kryejmë atë. Ne duhet ta disiplinojmë veten për të menduar pozitivisht dhe në pastërti: «Të gjitha gjërat që janë të pastra […] këto mendoni» (Fil. 4:8).

Siç është përmendur, mësimi i përgjithshëm i Shkrimeve të Shenjta është që përdorimi i duhur i marrëdhënieve seksuale është brenda marrëdhënies martesore. Duke qenë se masturbimi nuk e plotëson këtë kërkesë, atëherë ai është një abuzim i aftësisë së dhënë nga Perëndia.

Dikush ka thënë që dëmi i vërtetë për masturbimin gjendet «në fyerjen e sedrës vetjake, në disiplinimin e vetvetes, në fuqinë për të marrë vendime revolucionare dhe në një ndjenjë të përgjithshme durimi». Praktika e masturbimit shpesh lë prapa një ndjenjë të pamasë faji dhe papastërtie që e paralizon dikë për sa i përket shërbesës së krishterë.

Pasi kemi thënë këtë, ne duhet ta balancojmë këtë temë duke pranuar që serioziteti i kësaj praktike është ekzagjeruar pak si shumë. Madje edhe drejtues kishash kanë thënë paralajmërime solemne që ajo shkakton dobësi seksuale, sëmundje mendore dhe probleme nervore. Këto mendime nuk mbështeten nga evidenca kompetente mjekësore.

Kjo betejë është një nga betejat më të vështira që një besimtari të ri i duhet të zhvillojë. Vendosmëritë e tij më të forta përfundojmë me dështim. Lutjet e tij më urgjente duket se kalojnë pa marrë përgjigje. Përleshja duket se është më tepër e kotë sesa e rreptë. Megjithatë ne nuk duhet të themi që nuk ka shpresa për fitore. Kjo do të thotë që Fryma e Shenjtë nuk është mjaft i fuqishëm për të na aftësuar që të fitojmë. Sigurisht që ne nuk e kemi fuqinë për të dalë fitimtarë, por Ai e ka.

Kurdoherë që kemi dështuar, ne duhet të kujtojmë që ka falje dhe pastrim përmes rrëfimit dhe braktisjes së kësaj praktike (1 Gjo. 1:9; Fja. 28:13).

Sa më shumë vargje nga Bibla të mësojmë përmendsh dhe të meditojmë për Fjalën e pastër të Perëndisë, aq më shumë fitore do të përjetojmë në këtë fushë. Atëherë kjo praktikë do të zvogëlohet në akte të veçuara.

Ja mënyra e çlirimit nga fuqia e mëkatit brendabanues:

  • Paraqiteni trupin tuaj përditë përpara Zotit si një fli të gjallë (Rom. 12:1-2).
  • Kalo shumë kohë në Fjalën e Perëndisë: «E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje» (Psa. 119:11).
  • Lutu me kohë e pa kohë. Ja disa sugjerime për kërkesa lutjesh:
  • Më ruaj nga mëkati.
  • Mos qoftë kurrë që të sjell çnderim mbi Emrin e Zotit Jezus duke rënë në mëkate seksuale.
  • Më mirë më merr në shtëpinë qiellore, sesa të më lejosh të rrëzohem.
  • Mos u përputhshin kurrë tundimi për të mëkatuar dhe rasti për të mëkatuar.
  • Më ruaj për të mos e bërë këtë edhe nëse dëshiroj që ta bëj.
  • Praktiko fisnikërimin e ndjenjave duke i përqendruar dëshirat fizike në mënyra që janë morale, etike ose shpirtërisht të larta. Këtë mund ta bësh duke qenë i zënë me Zotin. Gjumi i tepërt nuk është i dobishëm. Një strategji më e mirë është që ta rraskapitim veten me shumë punë dhe pastaj ta ringjallim atë përsëri me lutje. Kohët kur tundimi është më i madh janë ato kohë kur jemi të mbingopur dhe kur flemë më tepër se duhet. Mbreti David nuk e praktikoi fisnikërinë e ndjenjave. Ai ia kënaqi dëshirat mishit kur, në fakt, duhej të ishte në fushën e betejës (shiko 2 Sam. 11:1-27).
  • Tek 1 Korintasve 9:27 Pali tregon një mënyrë disi të kufizuar se si ai gjente fitore: «E mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem për t’u përjashtuar». Me fjalë të tjera, ai nuk e llastonte trupin e tij me shumë ushqim, pushim dhe çlodhje. Ai ishte aq i zënë për Perëndinë gjatë ditës, saqë nuk kishte kohë për t’u marrë me aktivitete mëkatare dhe ishte aq i lodhur natën që s’kishte forcë për të dëfryer fantazitë epshore. Kur binte në krevat, atë e zinte shpejt gjumi.
  • Kontrollo aktivitetin e mendimeve të tua. Kujdes se me çfarë ushqehesh. Pornografia, ato programe televizive, libra e revista që zbukurojnë mëkatin seksual janë shpesh një «hapu susam» drejt dështimit moral.
  • Ji i zënë me Krishtin (2 Kor. 3:18).

Në çastin e tundimit të rrezikshëm, thirr emrin e Zotit (Fja. 18:10).

[previous][next]
[[1]]Farrar, Steve, Finishing Strong, Sisters, OR, Multnomah Press, 1995, fq. 6.[[1]] [[2]]Përshtatur nga Doing Time with Jesus nga po ky autor, botuar nga Kolegji i Biblës Emaus, Dubuque, IA, fq. 23-25.[[2]]