MËSIMI I JEZUSIT NË GALILE

Kapitulli 4 | Mesha: Zbulimi i misterit

Mund të duket shumë e çuditshme, por Kisha Katolike nuk e bazon interpretimin e fjalëve të Jezusit në Darkën e Fundit në kontekstin e Darkës së Fundit. Në vend të kësaj mbështetet te një ngjarje që kishte ndodhur më parë në Galile. Është shkruar tef Gjoni 6:22-71.

Atje Jezusi pati një diskutim të gjatë me një grup burrash judenj, shumica e të cilëve ishin jobesimtarë. Kjo ndodhi në një sinagogë në Kapernaum gjatë festës së Pashkës, një vit para Darkës së Fundit. Sipas Kishës Katolike në këtë rast Jezusi premtoi t’i jepte Kishës ushqim hyjnor. Ai tha: “Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës” (Gjoni 6:51). Buka që Krishti premtoi të jepte, thotë Kisha, është Eukaristia. Kjo do të jetë thelbësore për jetën frymërore. Këtë donte të thoshte Jezusi, thotë Kisha, kur tha:
“Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se, po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetën në veten tuaj. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit” (Gjoni 6:53-54).

Megjithatë, po të shikojmë kontekstin e këtyre vargjeve, del në pah një interpretim ndryshe. Gjoni 6 nis me ushqimin e mrekullueshëm të pesë mijë njerëzve në Detin e Galilesë (Gjoni 6:1-14). Ditën tjetër një grup judenjsh, të cilët kishin qenë dëshmitarë të mrekullisë, shkuan në Kapernaum për të takuar Jezusin (Gjoni 6:22-25). Jezusi u përball me ta, duke thënë se po e ndiqnin për arsye të gabuara. “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ju më kërkoni jo pse patë shenja, por sepse keni ngrenë nga bukët dhe keni qenë të ngopur” (Gjoni 6:26). Jezusi kishte diçka më të mirë për t’u ofruar atyre. “Mos punoni për ushqimin që prishet” – u tha ai – “por për ushqimin që do të mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t’jua japë Biri i njeriut, sepse mbi të Ati, domethënë Perëndia, vuri vulën e tij” (Gjoni 6:27). Këtu Jezusi përdor një metaforë. Meqenëse këta burra donin një tjetër vakt falas, Jezusi u përshkruan atyre kushtet e ofertës së ushqimit , jo ushqim të zakonshëm, por “ushqim që mbetet për jetë të përjetshme” (Gjoni 6:27). Burrat menduan se do t’u duhej të kryenin ndonjë veprim heroik për të fituar këtë ushqim afatgjatë. Ata pyeten: “Çfarë duhet të bëjmë për të kryer veprat e Perëndisë?” (Gjoni 6:28). Jezusi u përgjigj: “Kjo është vepra e Perëndisë, të besoni në atë që ai ka dërguar” (Gjoni 6:29). Ajo që duhej të bënin ishte të vendosnin besimin e tyre te Jezusi, si i dërguari i Perëndisë. Atëherë ata u përgjigjën: “Çfarë shenje bën ti, pra, që ne ta shohim e ta besojmë? Ç’vepër po kryen?” (Gjoni 6:30).

Përgjigjja e tyre bënte të qarta dy gjëra. Së pari, ata e kuptuan se Jezusi po u kërkonte të besonin se ai ishte Mesia, të cilin judenjtë po e prisnin. Së dyti, ata nuk besonin se ai ishte Mesia. Megjithëse kishin qenë dëshmitarë të mrekullisë së pashoqe një ditë më parë, ata kërkonin më tepër prova, një tjetër shenjë. Ata arritën deri në atë pikë sa i thanë Jezusit të binte mana nga qielli (Gjoni 6:31).

Edhe një herë tjetër Jezusi iu përgjigj kërkesës së tyre. Këta judenj e dinin se mana kishte qenë thelbësore për mbijetesën fizike të Izraelit në shkretëtirë. Meqë Jezusi po përpiqej t’u shpjegonte se ai ishte thelbësor për mbijetesën e tyre shpirtërore, ai iu përgjigj: “Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë kurrë më etje” (Gjoni 6:35).

Me fjalë të tjera, ata që vendosin besimin te Jezusi do të jenë përgjithmonë të kënaqur frymërisht. Ndërsa biseda bëhej më e ndezur, Zoti vazhdoi analogjinë e tij. “Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetoje përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës” (Gjoni 6:51) Këtu Jezusi parashikon vdekjen e tij në kryq. Ai do të japë jetën për mëkatet e botës.

Kur Jezusi premtoi: “Nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë” (Gjoni 6:51), ai nuk po fliste për bukë të vërtetë, por po mësonte se ai vetë ishte burimi i jetës së përjetshme. Mëkatarëve u nevojitej të besonin tek ai që të shpëtoheshin. Ai e shpalli këtë të vërtetë me një gjuhë të hapur, duke thënë: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush beson në mua ka jetë të përjetshme” (Gjoni 6:47). Ai gjithashtu pohoi këtë të vërtetë në gjuhë figurative, duke thënë: “Unë jam buka e jetës” (Gjoni 6:48). Këto shprehje të drejtpërdrejta dhe figurative të së njëjtës së vërtetë, mund të vërehem gjithashtu në të njëjtin konstrukt te Gjoni 6:40 dhe 6:54, siç tregon tabela e mëposhtme.

E thënë në gjuhë të drejtpërdrejtë

E thënë në gjuhë të figurshme

(Gjoni 6:40)

Vullneti i Atit tim është që

kushdo që

sheh Birin

dhe

beson në të,

të ketë jetë të përjetshme

dhe

unë do ta ringjall atë

në ditën e fundit.

(Gjoni 6:54)



Kush

ha mishin tim

dhe

pi gjakun tim,

ka jetë të përjetshme

dhe

unë do ta ringjall atë

në ditën e fundit.

Këto dy vargje përmbajnë elemente paralelizmi, elementi mbizotërues i letërsisë së hebrenjve. Ndryshe nga letërsia perëndimore, në të cilën ka zakonisht një korrespondencë të tingujve në rrokjet e fundit të fjalës, letërsia e hebrenjve “rimon” me idetë. Rreshti i dytë përkon me të parin, duke e pohuar sërish me fjalë të ndryshme, por ekuivalente njëkohësisht. Ne shikojmë një shembull të tillë te Gjoni 6:40. “Sheh Birin” korrespondon me “beson në të”. Kjo duket edhe te Gjoni 6:54. “Ha mishin tim” korrespondon me “pi gjakun tim”. Vini re dy veprimet te Gjoni 6:40, “sheh” dhe “beson”, kanë të njëjtin rezultat si dy veprimet te Gjoni 6:54, “ha” dhe “pi”. Secili rezulton në pranimin e “jetës së përjetshme” dhe në premtimin se Jezusi “do t’i ringjallë ata ditën e fundit”.

Çfarë do të thotë kjo për ne? Do të thotë se Jezusi nuk rendit katër kërkesa që duhet t’i zbatojmë për të pasur jetë të përjetshme: “sheh”, “beson”, “ha” dhe “pi”. Ai rendit vetëm një dhe e pohon në katër mënyra. Duke mos kuptuar këtë, Kisha Katolike mëson se nuk është e mjaftueshme të besosh te Krishti për t’u shpëtuar; ne gjithashtu duhet të marrim pjesë në ritin e Eukaristisë. Ne duhet të besojmë dhe të hamë.

Kisha ngul këmbë se interpretimi i saj është i saktë dhe shpreh faktin se dëgjuesit e Jezusit menduan se ai po fliste për ngrënien e mishit të tij të vërtetë. Atëherë judenjtë filluan të diskutojnë me njëri-tjetrin duke thënë: “Si mundet ky të na japë të hamë mishin e tij?” (Gjoni 6:52). Ata thanë: “Kjo e folur është e rëndë, kush mund ta kuptojë?” (Gjoni 6:60). Meqenëse Jezusi nuk i korrigjoi ata në këtë pikë vendimtare, thotë Kisha, është e qartë se ata e kuptuan saktë.

Ka njëfarë merite te ky argument. Është e vërtetë se disa nga dëgjuesit e Jezusit menduan se ai po u kërkonte të hanin mishin e tij. Megjithatë kjo nuk vërteton se ata e kuptuan drejt. Njerëzit, duke përfshirë dishepujt e Krishtit, e keqkuptuan atë herë pas here. Shpesh kjo ndodhi ngaqë ata mendonin se po përdorte gjuhë të drejtpërdrejtë kur në fakt ai po përdorte një gjuhë të figurshme. Për shembull, kur Jezusi i referohej kryqëzimit dhe ringjalljes së tij, duke thënë: “Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri!” (Gjoni 2:19), krerët e judenjve menduan se ai po fliste për tempullin në Jerusalem. Kur foli për rilindje frymërore, duke thënë: “Nëse një nuk ka lindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:3), Nikodemi, një udhëheqës i judenjve, mbeti pa gojë. “Po si mund të lind njeriu kur është plak?” – pyeti Nikodemi – “A mund të hyjë ai për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?” (Gjoni 3:4). Kur Jezusi iu referua mësimit të rremë si “majaja e farisenjve dhe saducenjve” (Mateu 16:6), dishepujt e tij menduan se Jezusi po i qortonte se nuk kishin marrë bukë me vete në udhëtim. Kur foli për jetën e re si “ujin e gjallë” (Gjoni 4:10), gruaja me të cilin Jezusi po fliste, kërkoi të shihte enën e tij të ujit. Pohimi se Jezusi nuk bëri asnjë përpjekje te Gjoni 6:22-71 për të ndrequr interpretimin e dëgjuesve të tij, është i pasaktë. Gjoni shkruan:

“Por Jezusi, duke e ditur në vetvete se dishepujt e vet po murmurisnin për këtë, u tha atyre: ‘Kjo ju skandalizon? Çdo të ishte po ta shihnit, pra, Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më parë? Është Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë; fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë” (Gjoni 6:61-63).

Shumë dishepuj e braktisën Jezusin atë ditë. Kur ata u larguan, Jezusi u kthye nga dymbëdhjetë Apostujt dhe u tha: “A doni edhe ju të largoheni?” (Gjoni 6:67).

Pjetri u përgjigj i pari. “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme. Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë” (Gjoni 6:68-69). Të paktën Pjetri kuptoi se jeta e përjetshme merrej përmes besimit te Krishti.

Edhe pse Jezusi i referohet bukës te Gjoni 6, ne nuk duhet të detyrojmë leximin e Darkës së Fundit në këtë kapitull. Të dyja ngjarjet janë të ndryshme. Mësimi i Jezusit në sinagogën e Kapernaumit siç dëshmohet në kapitullin 6 te Gjoni, ka ndodhur në pranverë të vitit 29 m.K. Ai po fliste me judenj që nuk besonin. Tema e fjalimit të Jezusit ishte jeta e përjetshme. Ai përdori bukën për të ilustruar se ai ishte i dërguari nga Ati, burimi i jetës (Gjoni 6:32-35) dhe Shpëtimtari i botës (Gjoni 6:51). Qëllimi i tij ishte të ilustronte nevojën që secili të vendoste besimin në të për shpëtim.

Darka e Fundit ndodhi në pranverë të vitit 30 pas K.. Jezusi ishte në Jerusalem në Dhomën e Sipërme me dishepujt e tij të vërtetë. Juda ishte larguar nga dhoma. Jezusi përdori bukën për të përfaqësuar trupin e tij dhe verën për të përfaqësuar gjakun e tij. Qëllimi i tij ishte të caktonte një ushqim përkujtimor me anë të të cilit dishepujt e tij do ta nderonin duke sjellë ndërmend atë që do të bënte ai për ta të nesërmen në kryq.

Nuk ka justifikim për lidhjen e këtyre dy ndodhive, Kapernaumi në vitin 29 p.K., dhe Darka e Fundit më 30 p.K., për të përdorur kontekstin e njërës për të interpretuar tjetrën. Vendndodhjet, koha, tema dhe dëgjuesit e tyre janë të ndryshme.

[previous][next]