Jezusi i tha asaj: «Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. Dhe ai që beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?» (Gjoni 11:25-26).
Një gjë që e vërej menjëherë është marrëdhënia e mistershme midis gjakut dhe jetës. Perëndia e kishte udhëzuar Izraelin për këtë lidhje. «Jeta e një krijese është në gjakun», tha Perëndia, «prandaj ju kam urdhëruar ta vini mbi altar për të bërë shlyerjen për jetën tuaj, sepse është gjaku që bën shlyerjen e fajit për jetën» (Levitiku 17:11). Ky udhëzim për sa i përket gjakut dhe shlyerjes ishte në thelb të fesë së Izraelit dhe marrëdhënies së tij me Perëndinë. Gjaku konsiderohej i mistershëm dhe i shenjtë. Izraelitët nuk duhej ta hanin kurrë gjakun.
Gjëja e dytë që vërej është marrëdhënia midis mëkatit dhe vdekjes. Si qenie njerëzore ne nuk dimë gjithçka që duhet të dimë për vdekjen. Ka grupe fetare që pohojnë se besojnë në asgjësimin e shpirtit njerëzor dhe në fundin e çdo ekzistence. (Asgjësim do të thotë ta heqësh diçka nga ekzistenca). Në tregimin biblik të krijimit Perëndia bëri diçka nga asgjëja. Por nuk kemi asnjë shembull në Shkrimin e Shenjtë ku Perëndia e ndryshon procesin e krijimit dhe e kthen një gjë ekzistuese në mosqenie. Konceptin e asgjësimit nuk e shohim as në natyrë. Është e vështirë, atëherë, të kuptojmë përse disa njerëz duan ta futin asgjësimin në mbretërinë e Perëndisë.
Lënda mund të ndryshohet – dhe zakonisht ndryshon. Por lënda nuk mund të asgjësohet. Nëse e ndez një shkrepëse dhe e lë të digjet e të bëhet hi, unë mund ta marr hirin e ngelur midis gishtave, por nuk i kam asgjësuar elementet që ishin në atë shkrepëse. Ato thjesht ndryshuan trajtë. Një pjesë e shkrepëses u ngjit në tym. Një pjesë e saj u shndërrua në hi. Pjesa që u shndërrua në gaz vazhdon të zotërojmë trajtë të padukshme në atmosferë.
Mendim: Vdekja sjell ndryshim, jo asgjësim. Ndryshimi që rezulton është i përjetshëm – përgjithmonë në praninë e Perëndisë ose përgjithmonë i ndarë prej Tij, përgjithmonë duke jetuar ose përgjithmonë në gjendjen e vdekjes.
— A.W. Tozer