Nuk rroj më unë

«Unë jam kryqëzuar me Krishtin» (Gal. 2:20, NASB)

Kur Zoti Jezus vdiq në kryq, Ai vdiq jo vetëm si Zëvendësuesi im; Ai vdiq edhe si Përfaqësuesi im. Ai vdiq jo vetëm për mua, por si mua. Kur Ai vdiq, ka edhe një kuptim real në të cilin unë vdiqa. Gjithçka që unë isha si fëmijë i Adamit, tërë vetja ime e vjetër dhe e ligë, u kryqëzua në kryqin. Sipas llogaritjeve të Perëndisë, historisë sime si një njeri në mishin i erdhi fundi.

Kjo nuk është e gjitha! Kur Shpëtimtari u varros, edhe unë u varrosa. Unë jam identifikuar me Krishtin në varrosjen e Tij. Kjo përshkruan heqjen përgjithmonë të «unit» të vjetër nga pamja e Perëndisë.

Dhe kur Zoti Jezus u ngrit prej së vdekuri, edhe unë u ngrita. Por këtu përshkrimi ndryshon. Nuk u ngrit ai që u varros, jo vetja e vjetër. Jo, është njeriu i ri – Krishti që jeton në mua. Unë u ringjalla me Krishtin për të ecur në risinë e jetës.

E gjithë kjo shihet nga Perëndia sikur ka ndodhur në aspektin e pozitës. Ai dëshiron tani që kjo të jetë e vërtetë praktikisht në jetën time. Ai dëshiron që unë ta llogarit veten që e kam kaluar këtë cikël të vdekjes, varrosjes dhe ringjalljes. Por si e bëj unë këtë?

Kur më vjen tundimi, unë duhet t’i përgjigjem atij pikërisht ashtu siç reagon një kufomë ndaj çdo joshje për mëkat. Asnjë përgjigje! Në fakt, unë duhet të them: «Unë kam vdekur për mëkatin. Ju nuk jeni më padroni im. Unë kam vdekur në lidhje me ty».

Ditë pas dite unë duhet ta llogarit veten time të vjetër e të korruptuar si të varrosur në varrin e Jezusit. Kjo do të thotë që unë nuk do të merrem në mënyrë introspektive me të. Nuk do të kërkoj asgjë që vlen në të apo të zhgënjehem me prishjen e saj të plotë.

Së fundi, unë do të jetoj çdo çast si dikush që është ringjallur me Krishtin për të ecur në risinë e jetës – ambicie të reja, dëshira të reja, motive të reja, liri të re dhe fuqi të re.

Xhorxh Mylleri (George Muller) tregon se si iu bë e qartë kjo e vërtetë e identifikimit me Krishtin:

Erdhi një ditë kur unë vdiqa. Vdiqa për Xhorxh Myllerin, për opinionet, preferencat, shijet dhe vullnetin e tij; vdiqa për botën, për aprovimin apo censurën e saj, madje për aprovimin apo fajësimin e vëllezërve dhe miqve të mi dhe që atëherë kam studiuar për ta paraqitur veten «i miratuar para Perëndisë».

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *