Progresi i Ungjillit

Do të jetë vëzhguar se ajo që u arrit të bëhej nga themeluesit dhe misionarët e parë të kishës së hershme u bë përmes veprimit të zakonshëm të Frymës së Shenjtë. Shpesh mendohet se Barnaba, Pali, Luka, Timoteut, Titi, Sila dhe ungjilltarë të tjerë të Dhiatës së Re u pushtuan papritur dhe mrekullisht nga njohuria dhe përvoja e nevojshme për shërbesën që ishin thirrur të bënin, se kishat lindën mrekullisht, se pleqtë [e kishës] u bënë gati menjëherë dhe se një shpërndarje e veçantë e fuqisë së Frymës u shfaq në atë kohë si te ungjilltarët ashtu edhe te të kthyerit në besim.

Ky mund të duket një justifikim i pëlqyeshëm për pafuqinë krahasuese që shohim sot, por nuk kemi asnjë bazë të kësaj në Shkrimin e shenjtë. Ne kemi parë se Palit dhe shokëve të tij u duhej të kalonin vite të tëra përgatitjeje në shkollën e përvojës së vështirë, duke u njohur plotësisht me parimet e jetës dhe të shërbesës frymërore dhe me strukturën e kishës lokale, para se Fryma e Shenjtë i dërgoi për këtë vepër. Kaluan shtatë vjet pas Rrëshajave para se Zoti i drejtoi për ungjillëzimin e botës pagane, pasi njerëzit greqisht-folës duhet të kenë në fillim vite të tëra përvoje para se të përshtateshin për punë. Në kishat, pleqtë dhe dhjakët nuk u caktuan derisa u dha kohë e bollshme që të provoheshin. Madje edhe në kishën në Jerusalem ishte kështu. Dhe armiku ishte po aq aktiv, sa edhe është në përhapjen e doktrinës së rremë, duke shkaktuar ndarje dhe duke përdorur çdo dobësi të zemrës njerëzore.

Jo, nuk ishte më e lehtë në ato ditë të para; vepra bëhej atëherë ashtu sikurse duhet të bëhet edhe sot. Ajo bëhej me fitore, sepse bëhej sipas mënyrës së Perëndisë, në fuqinë e Frymës, përmes dorëzimit, bindjes, lutjes dhe besimit të plotë. Ata që janë të gatshëm të ecin në të njëjtën rrugë sot do të korrin po ato fryte. E tërë vështirësia është kostoja e kësaj ecje. Kjo do të thotë që të ecin në rrugën e sakrificës, nga e cila Zoti ynë dhe ungjilltarët e hershëm të Kishës nuk u zmbrapsën. Kjo do të thotë vdekje të vazhdueshme për mishin bashkë me dëshirat, urtësinë dhe krenarinë e tij. Që ka nga ata të gatshëm për këtë, nuk ka asnjë dyshim. Ka qenë gjithnjë një grup i tillë dhe do të vazhdojë të ketë gjithnjë për aq kohë sa Fryma e Krishtit qëndron midis njerëzve. Numri mund të mos jetë i madh, pasi pak do të jenë të gatshëm që të paguajnë koston, por Zoti do të jetë me ata që e paguajnë dhe mundi e dëshmia e tyre do të jap fryt të përjetshëm.

–Alex R. Hay

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *