Shenjtëria e Perëndisë

Për shkak të shenjtërisë së Tij absolute, është e pamundur për Perëndinë që të bëjë të keqen, t’i shkaktojë të tjerët të bëjnë të keqen apo qoftë edhe të joshë dikë për të keqen. “Askush kur tundohet të mos thotë: ‘Jam tunduar nga Perëndia’ sepse Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja, dhe ai vetë nuk tundon asnjeri…” (Jakobit 1:13-14).

Po ç’mund të themi për pjesët e shumta në Shkrimin ku thuhet që Perëndia e tundoi dikë apo që ishte tunduar? Për shembull: “Perëndia e tundoi Abrahamin” (Zan. 22:1, AV). Fjala hebraike atje dhe kudo gjatë Dhiatës së Vjetër është nacah, që do të thotë të testosh ose vësh në provë, si në shqyrtimin e pastërtisë së një metali. Ajo nuk ka të bëjë fare me tundimin për të mëkatuar. Perëndia po e vinte në provë besimin dhe bindjen e Abrahamit.

Nëse Perëndia nuk mund të tundohet, përse paralajmërohet Izraeli: “Nuk do të tundoni Zotin, Perëndinë tuaj” (Ligji i Perterire 6:16)? Madje na thuhet se në Masa, në kërkesën për ujë, ata “e kishin tunduar Zotin, duke thënë: ‘A është Zoti në mes nesh apo jo?’” (Eksodi 17:7). Më vonë ata “e tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas dëshirave të tyre […] duke thënë: ‘A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë?’ […] E provokuan të Shenjtin” (Psalmi 78:18, 56, 41).

Perëndia nuk po tundohej për të bërë të keqen, Ai ishte duke u provokuar dhe kështu durimi i tij po vihej në provë. Në vend që të prisnin me bindje Atë për të plotësuar nevojat e tyre, populli i Tij po kërkonte që Ai të përdorte fuqinë e Tij për tu dhënë atyre atë që dëshironin në kënaqjen e dëshirave të tyre. “Tundimi” i tyre i Perëndisë ishte një sfidë blasfemuese, duke e detyruar Atë që ose tu dorëzohej dëshirës së tyre ose t’i ndëshkonte për rebelimin e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *