Nëse Perëndia të ka thirrur për të qenë vërtet si Jezusi ai do të të drejtojë në një jetë kryqëzimi dhe përulësie, dhe do të të japë kaq shumë kërkesa bindjeje sa që ti nuk do të jesh në gjendje të ndjekësh njerëzit e tjerë, të matësh veten me të krishterët e tjerë, dhe në shumë mënyra ai do të duket sikur i lejon të tjerët të bëjnë gjëra të cilat nuk do të të lejojë ty t’i bësh.
Të krishterët dhe shërbyesit e tjerë të cilët duken shumë fetarë dhe të dobishëm, mund të luajnë gurët, dhe t’ia hedhin dikujt për të kryer planet e tyre, por ti s’mund ta bësh këtë, dhe nëse përpiqesh ta bësh, do të pësosh një kaq shumë dështim dhe qortim nga Zoti sa që do të mjaftojë që të bëjë të pendohesh shumë.
Të tjerët mund të mburren, për punën e tyre, për suksesin e tyre, për shkrimet e tyre, por Fryma e Shenjtë nuk do të lejojë që ti të bësh një gjë të tillë, dhe nëse ti fillon ta bësh, ai do të bëjë që të turpërohesh aq thellë sa që do të bëjë që të përbuzësh vetveten dhe të gjitha veprat e tua të mira.
Të tjerët mund të lejohen të kenë sukses duke fituar para, ose mund të kenë një trashëgimi që u është lënë atyre, por ka mundësi që Perëndia do të të mbajë të varfër, pasi dëshiron që ti të kesh diçka më të mirë sesa ar, d.m.th., një varësi absolute tek ai, që ai të mund të ketë privilegjin e sigurimit të nevojave të tua ditë pas dite nga një thesar i padukshëm.
Zoti mund t’i lejojë të tjerët që të nderohen dhe të shihen, ndërkohë që të mban ty të fshehur në errësirë, pasi dëshiron të prodhojë një fryt erëmirë e të zgjedhur për lavdinë e tij të ardhshme, i cili mund të prodhohet vetëm në hije. Ai mund t’i lejojë të tjerët që të jenë të famshëm, por ty të të mbajë si të parëndësishëm. Ai mund t’i lejojë të tjerët të bëjnë një punë për të dhe të marrin shpërblimin e tyre, por me ty do të bëjë që ti të punosh dhe të rraskapitesh pa ditur sa punë po bën; dhe më pas për ta bërë punën tënde akoma më të vyer ai mund të lejojë që, shpërblimin për punën që ti ke bërë, ta marrin të tjerët, duke e bërë kështu shpërblimin tënd dhjetë fish më të madh kur të vijë Jezusi.
Fryma e Shenjtë do të vendosë një rojtar të ashpër mbi ty me një dashuri xheloze, dhe do të të qortojë për ndjenja dhe fjalë të vogla apo për shpërdorimin e kohës, për të cilat të krishterët e tjerë nuk ndjehen kurrë të shqetësuar. Kështu, pra, vendos që Perëndia është një Sovran i pamasë, dhe ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë me të vetët. Ai mund të mos t’i shpjegojë njëmijë gjëra të cilat hutojnë mendjen tënde në mardhëniet e tij me ty, por nëse ti e shet plotësisht veten tënde për t’u bërë skllavi i tij i dashur, ai do të të mbështjellë në një dashuri xheloze, dhe do të dhurojë mbi ty shumë bekime, bekime që vijnë vetëm për ata që ndodhen në rrethin e brendshëm.
Atëherë, flije mendjen, që do të kesh punë drejt për së drejti me Frymën e Shenjtë, dhe se ai ka privilegjin të të lidhë gjuhën, apo të të lidhë me zinxhirë duart, apo të të mbyllë sytë, në mënyra të tilla që duket se nuk e përdor me të tjerët. Tani, kur ti je kaq i zotëruar nga Perëndia i gjallë sa që ti je i kënaqur dhe i gëzuar brenda në zemrën tënde pranë kësaj kujdestarie dhe udhëheqje të veçantë dhe personale, private dhe xheloze mbi jetën tënde, ti do të kesh gjetur hajatin e Qiellit.
FITORE
Kur ti je harruar apo braktisur, apo je shpërfillur qëllimisht, dhe ti buzëqesh brenda, duke u mburrur me fyerjen apo lajthitjen, sepse në këtë mënyrë u quajte i denjë të vuash me Krishtin – kjo është fitore.
Kur dobia jote përgojohet, kur dëshirat e tua pengohen, shija jote fyhet, këshilla jote nuk merret parasysh, mendimet e tua tallen dhe ti i pranon të gjitha ato me durim dhe heshtje të përzemërt – kjo është fitore.
Kur ti je i kënaqur me çdo ushqim, çdo veshje, çdo atmosferë, çdo shoqëri, çdo vetmi, çdo ndërprerje nga vullneti i Perëndisë – kjo është fitore.
“Zoti Jezus, bëhu tek unë
një Realitet i gjallë e i shndritshëm;
më i pranishëm në etjen e vizionit të besimit
se sa ndonjë objekt i parë i kësaj bote;
më i dashur, shumë më i ngushtë
se sa madje lidhja më e dashur e kësaj bote.”
— (George Watson, 1845-1924)