THEB Nëntor 1989
NDRYSHIM PËRMES FORCËS?
Një numër gjithnjë e në rritje të krishterësh po përfshihen në «aktivizimin» social dhe politik me qëllimin e habitshëm për t’u përpjekur të detyrojnë një shoqëri jo të perëndishme për të adoptuar standarde të krishtera për sjelljen. «Operacioni Çlirimi» është një shembull. Themeluesi i saj, Rendëll Terri (Randall Terry), shpjegon se qëllimi i tij është të krijojë trazirë sociale dhe në këtë mënyrë t’i bëjë presion qeverisë për të ndryshuar ligjet mbi abortin. Një broshurë tipike shpall: «Çliruesit ndihmojnë me krijimin e tensionit social që është i nevojshëm për ndryshim politik…. Qoftë për mirë a për keq, ndryshimi politik vjen kur grupe të tëra amerikanësh i sjellin tension të mjaftueshëm kombit dhe u bëjnë presion politikanëve që ligjet të ndryshohen».
Pavarësisht se sa i lavdërueshëm mund të jetë qëllimi i taktikave të tilla, nuk ka asnjë shembull të vetëm në tërë Biblën për «aktivizim» politik ose social që të jetë përkrahur ose përdorur ndonjëherë nga njerëzit e Perëndisë. Ky fakt duhet të rëndojë shumë mbi çdo konsideratë rreth kësaj teme të rëndësishme. Ka disa raste të mosbindjes civile në Shkrimin [e shenjtë], por nuk kishin kurrë si qëllim të detyronin një shoqëri jo të perëndishme për t’iu bindur parimeve biblike. Mamitë hebre, për shembull, nuk iu bindën dekretit të Faraonit dhe i kursyen jetët e foshnjave meshkuj, madje edhe duke gënjyer për të mbuluar «operacionet [e tyre] të çlirimit». Perëndia ishte aq i kënaqur me bindjen e tyre ndaj Tij, që emrat e tyre, Shifrah dhe Puah, janë ruajtur për ne (Eksodi 1:15-22). Megjithëkëtë, kjo ishte një çështje e ndërgjegjes individuale para Perëndisë, jo një përpjekje e organizuar për t’u bërë presion egjiptianëve paganë me demonstrata masive për të adoptuar vlerat morale të Perëndisë së Izraelit.
E njëjta gjë është e vërtetë për refuzimin e Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos për t’iu bindur urdhrit të mbretit që të përkuleshin para një idhulli dhe për kundërshtimin e hapur të Danielit ndaj dekretit mbretëror kundër lutjes. Danieli, edhe pse dëshmonte me guxim për Perëndinë edhe para mbretërve, nuk e përdori kurrë pozitën e tij të lartë në qeveri që të përpiqej për t’i bërë presion një shoqërie pagane për të praktikuar një mënyrë jetese të perëndishme. As Jozefi, as Esteri nuk u bënë presion shoqërive pagane, ku ata patën pozita të larta, për të adoptuar vlera morale biblike. Kështu ishte edhe me Esdrën dhe Nehemian. Ata e përdorën ndikimin e tyre me mbretërit që të merrnin leje për të rindërtuar Jerusalemin dhe tempullin, por nuk bënë asnjë përpjekje për të ndryshuar praktikat e atyre shoqërive, edhe pse ato praktikonin abortin, homoseksualizmin dhe të këqija të tjera.
SHEMBUJ BIBLIK?
Nuk ka asnjë shembull biblik që të mbështetë «aktivizimin e krishterë» të sotëm. Krishti «vuajti për ne, duke na lënë një shembull, që të ecim pas gjurmës së tij». Ai në mënyrë të përsëritur dhe me ashpërsi i qortoi udhëheqësit fetarë të rremë të Izraelit, megjithatë Ai nuk foli kurrë hapur – as edhe një herë – kundër padrejtësive të autoriteteve civile romake! Ai as nuk përkrahu, organizoi apo mori pjesë në ndonjë protestë publike për t’i bërë presion Romës që të ndryshonte sistemin e korruptuar të saj ose shoqërinë e kohës së Tij që të ndryshonte rrugët e këqija të saj. Ai iu nënshtrua autoriteteve të padrejta siç na thotë Romakëve 13 që edhe ne duhet të bëjmë sot: «Kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht» (1 Pjetrit 2:21-25). Nuk kemi «aktivizim» këtu! Kështu ishte edhe me apostujt dhe me kishën e hershme.
Po, Pali i tha centurionit, që ishte gati ta fshikullonte padrejtësisht, se ai ishte një qytetar romak; dhe ai u kërkoi zyrtarëve vendorë në Filipi që të vinin dhe t’i kërkonin falje që e goditën atë dhe Silën pa gjyq. Megjithëkëtë, ky nuk ishte «aktivizim» politik/social. Ai nuk po përpiqej në këtë mënyrë të ndryshonte shoqërinë; ai thjesht po mbronte të drejtat e tij personale sipas ligjit – siç duhet të bëjmë edhe ne, që përfshin votimin.
Pali ishte i vendosur t’i bindej Perëndisë më shumë se sa njerëzve dhe ai nuk u zmbraps kurrë për të predikuar ungjillin, edhe pse kjo donte të thoshte jetën e tij. Nëse «aktivizimi i krishterë» është vullneti i Perëndisë, Pali do të kishte qenë i pari për ta kërkuar pa frikë atë me çdo kusht.
Shkrimi, pra, nga Zanafilla te Zbulesa, nuk na ofron as shembull, as mësim doktrinor që të mbështetë idenë se të krishterët duhet të marrin pjesë në aktivizimin politik/social, grupet ndikuese (ang. lobbying), metodat e marrjes së pushtetit të «Koalicionit për Rizgjim» – ose që të krishterët në poste publike mund ose duhet ta ndikojnë shoqërinë për të adoptuar standarde biblike të sjelljes. Mos harro, çdo ndryshim duhet të kryhet nga një sistem politik i korruptuar që përfshin një shumicë jo të perëndishme lart dhe poshtë. Romakëve 13 na thotë që t’u bindemi udhëheqësve [të vendit] dhe 1 Timoteut 2 që të lutemi për ta – jo që të përpiqemi për t’i ndryshuar ata përmes forcës. Është jo vetëm e pamend, por edhe joproduktive që të përpiqesh t’i bindësh të pashpëtuarit për të jetuar si të krishterë. Ata nuk mund ta bëjnë këtë – dhe nëse do të mundeshin, kjo vetëm sa do t’i verbonte më shumë ndaj mëkatit dhe për nevojën e tyre për një Shpëtimtar.
Veprat e Apostujve 19:23-41 tregon se si një grup i madh qytetarësh në Efes organizuan një «demonstratë» të madhe kundër Pali dhe ungjillit që ai predikoi. Një turmë prej ndoshta mijëra vetash grisën rrobat e tyre, ngritën pluhurin në erë dhe për dy orë përsëritën pa pushim dhe në mënyrë të zhurmshme lavdërimin e tyre për perëndinë e fabrikuar aty që ishte burimi i tyre kryesor i të ardhurave. «E madhe është Diana e efesianëve!», bërtitën ata. A duhet të kishte mbledhur Pali një turmë më të madhe të krishterësh që të bërtitnin akoma më fort dhe më gjatë dhe kështu të detyronin vullnetin e tyre mbi autoritetet lokale? Sigurisht që jo! Një sjellje e tillë jo e krishterë e ul Zotin tonë dhe ungjillin e Tij dhe do të kishte qenë e papërfytyrueshme për kishën e hershme. Sidoqoftë, kjo është në themel ajo çfarë përfshin sot «aktivizimi i krishterë» – përpjekjen dashamirëse, por të pamend për të detyruar «parime të krishtera» mbi një shoqëri jo të perëndishme përmes lobimit më të efektshëm [grupet e ndikimit], demonstratave më të mëdha dhe «trazirave sociale» më të mëdha, sesa mund të sjellin përkrahësit e homoseksualizmit, të abortit ose të pornografisë.
TË FITUAR PËR KRISHTIN – JETOJNË PËR KRISHTIN
Në vend që t’u bëjmë presion njerëzve të pabesë [jo të perëndishëm] për të jetuar si shenjtorë, ne duhet t’i fitojmë ata për Krishtin, që ata të mund të jetojnë plotësisht për Perëndinë. Jetët tona personale duhet të jenë në bindje ndaj ligjeve të Perëndisë, edhe sikur këto të na çojnë në konflikt me ligjet civile. Përveç shmangies së idhujtarisë dhe imoralitetit, të krishterët duhet t’i predikojnë ungjillin cilitdo dhe kudo, pavarësisht nga dekretet qeveritare për të kundërtën. Duke vepruar kështu, apostujt dhanë këtë deklaratë historike: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve» (Veprat e Apostujve 5:20)! Shembulli i tyre është pasuar nga të krishterë gjatë shekujve, që nga martirët nën sundimin e Romës pagane dhe pasuesit të saj, katolicizmit romak, e deri tek ata që futin fshehurazi Bibla në tokën islamike dhe komuniste sot.
Edhe pse e ndaluar nga autoritetet, apostujt ngulën këmbë që të predikonin ungjillin. Megjithëkëtë, ashtu si Zoti i tyre, ata nuk bënë asnjë përpjekje për të ndikuar [ang. lobby] në Romë për t’i dhënë fund prostitucionit dhe aborteve; ata as nuk organizuan demonstrata publike për një ndryshim të ligjeve të padrejta. Ekziston një rrezik që të jepesh aq shumë ndaj aspekteve sociale të kauzave të mira, që të harrojmë dhe të lëmë pas dore thirrjen kryesore të të krishterit. Mandati i Madh nuk përfshin të përpiqemi për të shfaqur një ndikim të krishterë mbi shoqërinë. Ne nuk jemi këtu për të «ndryshuar shoqërinë», por për të «konvertuar individë». Bëhen biseda të shumta për të «ndryshuar botën për Krishtin». Në fakt, nuk ka asnjë mësim ose shembull biblik që të mbështetë këtë slogan popullor. Në vend që t’i bindim mëkatarët që të jetojnë si shenjtorë, ne duhet t’i thërrasim ata për qytetari qiellore përmes «pendimit te Perëndia dhe besimit në Zotin tonë Jezu Krisht» (Veprat e Apostujve 20:21).
Po a nuk supozohet që ne të jemi «kripë dhe dritë» në këtë botë (Mateu 5:13-16)? Po, kështu tha Krishti. Për të kuptuar se çfarë donte të thoshte, ne duhet ta hedhim vështrimin tek Ai si shembulli ynë i përsosur. Jezusi, «drita e botës», asnjëherë nuk përkrahu ose u përpoq të sillte ndryshim social/politik. Drita e Tij zbulon mëkatin dhe i çon njerëzit drejt shpëtimit, duke i bërë ata të përshtatshëm për qiellin (Efesianeve 5:8-13). Kripa pastron plagën që drita zbulon dhe qorton.
Ndryshime domethënëse në shoqëri kanë ndodhur përmes predikimit dhe shembullit. Megjithëkëtë, shfuqizimi i skllavërisë, miratimi i ligjeve për punën e fëmijëve dhe të drejta më të mëdha për gratë, edhe pse këto janë përmirësime për të cilat duhet të jemi mirënjohës, nuk e kanë bërë shoqërinë ndopak më të perëndishme. As nuk ka më shumë gjasa që nën këto kushte më të mira, një përqindje më e lartë e njerëzimit se më parë do të përfundojë në qiell. Ndonëse ia vlen të punosh për ndryshime të tilla, shumë nga ata që e quajnë veten të krishterë janë zhytur aq shumë në kauzat e mira, që e kanë humbur entuziazmin [zjarrin] e tyre për shpëtimin e shpirtrave. Ata kanë përfunduar duke i bashkuar forcat me jo të krishterë, të cilët gjithashtu përkrahin «vlerat tradicionale» dhe kanë promovuar një «ungjill social» të komprometuar që nuk mund të shpëtojë.
ATËHERË, ÇFARË DUHET TË BËJMË?
Prapëseprapë, e mira që sjell shpesh aktivizimi social/politik është një motivim i fortë për të marrë pjesë në të. Shumë të krishterë u përfshinë në lëvizjen për të drejtat civile që përfundimisht i dha fund ndarjes [separatizmit]. Sigurisht që nuk është e gabuar për të krishterët që të merren me aktivitete të tilla! Me siguri foshnjat e pafajshme që po vriten në klinikat e abortit, ashtu si judenjtë u vranë në kampet naziste të përqendrimit, duhet të shpëtohen! Nuk duhet të bëjnë asgjë të krishterët? Nuk ka asnjë bazë në Shkrimin e shenjtë për të ndihmuar ata që janë të shtypur?
Po, Bibla na paralajmëron: «Nëse ti nuk shkon të çlirosh ata që i tërheqin drejt vdekjes dhe ata që janë gati për thertore; po të thuash: «Ja, ne nuk e dinim», ai që peshon zemrat a nuk e shikon? Ai që ruan shpirtin tënd nuk e di vallë? A nuk do t’i japë ai secilit sipas veprave të tij?» (Fjalet e Urta 24:11-12, AV). Edhe shëmbëlltyra e Samaritanit të Mirë na thotë se duhet të kujdesemi për ata që kanë nevojë për ndihmë, sikurse na urdhëroi Krishti: Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre (Mateu 7:12). Këto parime vijnë nën ligjin e Perëndisë të shkruar në ndërgjegjen e gjithë njerëzimit: «Duaje të afërmin tënd si vetveten».
Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të shpëtuar foshnjat që po abortohen, ashtu siç do të kërkonim të shpëtonim këdo në rrezik. Bibla nuk na tregon se çfarë mund të kenë bërë shenjtorë individë për sa i përket kësaj, pasi kjo nuk është në mënyrë specifike një përgjegjësi e krishterë [e të krishterit], as nuk është diçka që i është caktuar kishës, por është përgjegjësia e çdo personi. Për më tepër, «Çliruesit» duhet të angazhohen për të shpëtuar jetë – jo për qëllimin që të krijojnë «trazirë sociale» për të detyruar një shoqëri të ligë që të adoptojë standarde biblike.
Kur Gorbaçovi pranoi të jepte liri të adhurimit dhe të predikimit në Bashkimin Sovjetik, [një gjë] e krahasueshme me atë që ne kemi gëzuar në Perëndim [Amerikë], cilat ishin motivet e tij? Ashtu si Konstandini në Romën e lashtë, ai e pa këtë domosdoshmëri për të mirën e Perandorisë – dhe shumë madje kanë menduar se liria do ta shkatërrojë kishën në një mënyrë më të efektshme sesa shtypja [tirania]. Dhe vërtet, kështu ka ndodhur. Fatkeqësisht, shumë të krishterë sovjetikë që kanë arritur t’i nxjerrin familjet e tyre në Perëndim dhe që fillimisht kanë falënderuar Perëndinë për lirinë, i kanë humbur fëmijët e tyre te droga, seksi i hapur, krenaria, lakmia dhe fryma e kësaj bote [materializmi] (ang. worl1liness) – të këqija që duket se janë një rrezik më i madh për besimtarët në «lirinë» e Perëndimit sesa nën shtypjen [tiraninë] komuniste.
PESHORJA E VËRTETË E OPERACIONIT TË ÇLIRIMIT
«Aktivizimi i krishterë» i sotëm është tepër i ngushtë dhe përzgjedhës. Ai merret me disa çështje, por nuk merr parasysh shumë të tjera të një rëndësie të barabartë ose më të madhe. Ne jo vetëm që duhet të shpëtojmë të palindurit, por edhe fëmijët në shkollat publike që po prishen përmes mësimeve të imoralitetit, të magjisë dhe okultizmit. Ne duhet të identifikojmë psikologjinë si mjetin kryesor të një pjese të madhe të kësaj të keqeje dhe që ta çrrënjosim atë nga kishat, seminaret dhe universitetet tona.
Ne duhet ta dënojmë, t’i bëjmë thirrje kombit për pendim dhe të predikojmë ungjillin me fuqi bindëse. Të krishterët duhet të bëjnë thirrje për pendim jo vetëm për homoseksualizmin, abuzimin e fëmijëve, pornografinë dhe abortin, por edhe për forma më delikate të rebelimit kundër Perëndisë dhe refuzimit të Krishtit. Kisha duhet të akuzohet jo vetëm për mungesën e shqetësimit social prej saj, por edhe për herezitë dhe dështimin për të shpallur të vërtetën. Ne duhet të dënojmë mësimet e rreme shkatërruese që janë të bollshme. Është hipokrizi për kishën që të protestojë kundër mëkateve të botës, ndërkohë që i toleron brenda vetes dhe i nderon ata që predikojnë një ungjill të rremë dhe që janë armiq të kryqit të Krishtit.
Në vend të protestave, ne kemi nevojë për profetë që do t’i bëjnë thirrje botës për pendim: Enokë që ecin me Perëndinë dhe që paralajmërojnë për gjykim (Zanafilla 5:22-24; Juda 14-15); Noenj, «predikues të drejtësisë» (2 Pjetrit 2:5), të cilët paralajmërojnë për gjykimin që ka për të ardhur dhe që i ftojnë mëkatarët në arkën e sigurisë. Po sikur Noeu, në vend që të ndërtonte arkën, të përpiqej të reformonte shoqërinë! Ne kemi nevojë për Danielë: «Mene, mene, tekel ufarsim» – shkrimi është mbi mur, Amerika [Shqipëria]! Ti u peshove në peshore dhe u gjet që të mungonte diçka! Foshnjat e vrara, neveria e homoseksualizmit dhe rebelimi mospërfillës dhe i paramenduar i shoqërisë kundër Perëndisë kanë ngjallur zemërimin e Tij përtej çdo mundësie të shmangies së gjykimit! Ne kemi nevojë për Isainj dhe Jereminj, të cilët nuk kishin dëgjuar kurrë që të bënin një «rrëfim pozitiv» (ang. positive confession) ose për «fuqinë e të menduarit pozitiv apo të mundshëm» (ang. positive/possibility thinking), por që predikuan [shpallën] të vërtetën!
«Aktivizimi i krishterë» nuk është i krishterë. Ai paraqet një devijim nga shtegu i drejtë ku kisha duhet të ec para botës. Ajo mund të ngatërrojë çështjet reale, të na çojë në kompromis dhe aleanca jo të shenjta dhe të na devijojë kohën dhe përpjekjet që do të jenë më mirë të përdoren për të shpallur ungjillin. Pesho nevojat e kohës sate dhe vendos prioritetet. Ji plotësisht i përfshirë në çlirimin [shpëtimin] e shpirtrave për përjetësinë.
Fragment i rishikuar nga libri «Çfarë i ndodhi qiellit?» (1988), fq. 84-86, nga Dave Hunt