THEB Shtator 2012

Jezusi ashpërsohet (Pjesa 1)


THEB Shtator 2012

Jezusi ashpërsohet…

THEB Shtator 2012

Kur shkruajmë apo edhe kur mendojmë për Jezusin biblik, mund të dalin probleme. Njëri prej tyre ndodh kur përqendrohemi vetëm mbi njërin prej atributeve të Tij dhe e largojmë vëmendjen nga shumë prej atributeve të Tij të tjera. Kjo mund të na japë një pikëpamje të shtrembëruar për Zotin dhe Shpëtimtarin tonë. Madje është e mundshme që ne as të mos e konsiderojmë një atribut të veçantë të tijin, që po ashtu mund të shtrembërojë të kuptuarit tonë të vërtetë të karakterit të Tij siç është zbuluar në Shkrimin. Të gjitha atributet e Krishtit janë të lidhura dhe, sigurisht, ato janë të gjitha të përsosura në çdo aspekt. Veç kësaj, Jezusi është “i njëjtë, dje, sot e përjetë” (Hebrenjve 13:8). Ai nuk ndryshon. Atëherë, si është puna me këtë titullin – “Jezusi ashpërsohet”?

Atëherë, titulli ka të bëjë kryesisht me reagimin tonë kur lexojmë që Jezusi veproi apo tha diçka në një mënyrë që mund të na habisë. Ne mund të çuditemi, pasi mund të mos e kemi konsideruar atë karakteristikë të veçantë të Zotit tonë, edhe pse është paraqitur qartë në Shkrimin. Për shembull, Ai është quajtur “Qengji i Perëndisë” dhe shumë shpesh e shohim Atë duke reflektuar cilësi të butësisë dhe përulësisë, duke përfshirë aspektin ku Ai është “Qengji [i flijuar] i Perëndisë që heq mëkatin e botës”. Por në kontrast me këtë, Ai është edhe “Luani i fisit të Judës” (Zbulesa 5:5). Ai iu shfaq Jozueut me shpatë në dorë si “kreu i ushtrisë së Zotit” (Jozueu 5:14).

Në Ardhjen e Tij të Dytë, Ai do të kryesojë një ushtri për të çliruar Izraelin nga kombet që dëshirojnë shkatërrimin e tij. Asnjë karakteristikë që ne e mendojmë të ngjashme me qengjin nuk do të jetë e përfshirë në atë skenar. As nuk reflektoi Ai karakteristikat e një qengji kur i përmbysi tryezat e këmbyesve të parave në Tempull. Megjithëkëtë, Ai është dhe do të jetë gjithmonë Qengji i Perëndisë dhe Luani i Judës bashkë më gjithçka që këta tituj përfshijnë. Ato janë të gjitha një tregues i cilësive të përsosura të Jezusit biblik. E theksoj mbiemrin “biblik”, pasi është vetëm përmes Shkrimeve, përmes të cilave Jezus Krishti e ka zbuluar Veten, që cilido mund ta njohë Atë siç është në të vërtetë. Të gjitha perspektivat e tjera janë kryesisht çfarë njerëzit mendojnë për Të. Mormonët e perceptojnë Atë si një burrë familjar, të martuar me Maria Magdalenën dhe Marinë dhe Martën. Njerëzit PETA (për trajtimin etik të kafshëve) thonë se Ai ishte një vegjetarian. Homoseksualët e promovojnë Atë si homoseksual dhe kështu me radhë.

Por edhe besimtarët mund të bëhen pre e një pikëpamje të shtrembëruar të Jezusit. Prandaj ne duhet të pyesim veten tonë se ku jemi duke i marrë mendimet që kemi për Atë. A është të kuptuarit tonë nga vetë Fjala apo nga opinionet dhe spekulimet e njerëzve dhe madje nga “të ashtuquajturit studiues”? Nëse ato vijnë nga grupi i fundit, atëherë është e sigurt që “një Jezus tjetër” do të modelohet në mendjet tona (2 e Korintasve 11:4). Ai do të jetë një Jezus i falsifikuar, i padobishëm për askënd. Një refren i vazhdueshëm nga udhëheqësit e kishës emergjente, të cilët dëshirojnë të “rizbulojnë krishterimin” për ta bërë atë më tepër të pranueshme për kulturën tonë (veçanërisht për të rinjtë) është: “Ne e duam Jezusin, por nuk e duam kishën e tij”.

Ti duhet të vrasësh mendjen se për kë Jezus janë duke folur. Qoftë edhe një lexim i përciptë i Biblës do t’ju tregojë atyre se kisha është nusja e Tij (me tërë të metat që ka) e cila do të merret në qiell kur Ai të kthehet për të. Veç kësaj, ka lëvizje popullore, tendenca dhe libra të kohës që theksojnë karakteristika të izoluara të Jezusit dhe doktrina të Fjalës që e shtrembërojnë një pikëpamje biblike të saktë. Këtu përfshihen libra si libri shumë i shitur Dashuria fiton nga Rob Bell dhe Ungjilli i çapkënit të rrugës nga Brennan Manning, të cilët e marrin doktrinën e dashurisë dhe e çojnë përtej mësimit të Shkrimit – i pari në herezinë e universalizmit, i dyti duke nënkuptuar që Perëndia, në dashurinë e Tij, thjesht e mbyll syrin para mëkateve tona.

Megjithëkëtë, edhe ne që kemi ecur me Atë për shumë vjet, që e duam Atë dhe dëshirojmë t’i pëlqejmë Atij, mund të modelojmë gjithashtu një pikëpamje të shtrembëruar të Jezusit nëse merremi vetëm me një atribut të veçantë të tijin në kurriz të atributeve të tjera. Duke kuptuar se një pikëpamje e balancuar biblike është thelbësore, ne duhet të konsiderojmë njërën karakteristikë që duket se është hequr nga mendja qëllimisht – ose të paktën është shmangur qëllimisht – në kishën e sotme. Në fakt, gjatë më shumë se tri dekadave të mia si besimtar, nuk më kujtohet që as të kem dëgjuar një predikim mbi këtë temë që Jezusi “ashpërsohet” me kishën e Tij.

Nëse e përjashtojmë këtë karakteristikë nga të kuptuarit për Të do të kemi probleme në ecjen tonë me Të. Sigurisht që ungjijtë na japin të dhëna për ashpërsinë e Tij me udhëheqësit fetarë judenj ndërsa Jezusi ballafaqon hipokrizinë e tyre. Zoti na jep edhe disa qortime drejtuar Pjetrit dhe apostujve të tjerë, shkrimet e frymëzuara të të cilëve u bënë themelore për zhvillimin e kishës. Megjithëkëtë, Letra drejtuar Hebrenjve është libri i parë që dëshmon një karakteristikë disi të ashpër të Jezusit për ata që i përkasin atij – të cilët janë, në fakt, nusja e Tij: “Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen. Në qoftë se ju do ta duroni qortimin, Perëndia do t’ju trajtojë si bij; sepse cilin bir nuk e korrigjon i ati?” (Hebrenjve 12:6-7).

Na janë dhënë arsye specifike të disiplinës së Zotit për ata të cilët Ai i do: është “…për të mirën tonë që të bëhemi pjesëtarë të shenjtërisë së tij” (Hebrenjve 12:10). Sidoqoftë, vetëm kur arrijnë te Libri i Zbulesës e shohim Krishtin më shumë dhe në një dritë tepër të ashpër lidhur me nusen e Tij. Gjoni, apostulli i dashur nga Jezusi, befasohet nga shfaqja e Atij mbi kraharorin e të cilit kishte mbështetur kokën kur Jezusi darkoi me dishepujt e Tij (Gjoni 21:20). Ajo miqësia e ngushtë e mëparshme me Jezusin duket se ka humbur në këtë vegim befasues të Shpëtimtarit të tij:

Dhe u solla të shoh zërin që foli me mua. Dhe, si u solla, pashë shtatë shandanë ari dhe, në mes të shtatë shandanëve, një të ngjashëm me një Bir njeriu, të veshur me një petk të gjatë deri te këmbët dhe ngjeshur me një brez ari në gjoks. Dhe kryet e tij dhe flokët e tij ishin të bardhë si lesh i bardhë, si bora, dhe sytë e tij e ngjanin një flake zjarri. Dhe këmbët e tij ngjanin me bronz të kulluar, si të skuqur në furrë dhe zëri i tij si zë shumë ujërash. Dhe kishte në dorën e tij të djathtë shtatë yje dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë, me dy tehe, dhe fytyra e tij si dielli që ndrin me forcën e tij. (Zbulesa 1:12-16).

Ne s’mund ta dimë se çfarë mendimesh po kalonin në mendjen e Gjonit ndërsa shihte këtë imazh madhështor të Shpëtimtarit të tij, por e dimë reagimin e tij: Dhe kur e pashë, rashë para këmbëve të tij si i vdekur… (v. 17).

Jezusi mund t’i ishte shfaqur dishepullit të Tij të dashur ashtu sikurse Gjoni e kishte parë Atë për herë të fundit mbas ringjalljes së Tij, por Ai zgjodhi t’i jepte Gjonit (dhe neve) një mesazh krejt ndryshe. Sigurisht që unë nuk e kuptoj të gjithë simbolikën e përfshirë, por nuk kemi pse ta kuptojmë për të dalë me një përshtypje tepër të kthjellët. Flokët e Tij, sytë dhe këmbët e Tij të gjitha duket se përfaqësojnë dëlirësi dhe procesin e pastrimit. Mjeti që Jezusi zgjodhi për procesin e Tij të pastrimit është “një shpatë e mprehtë, me dy tehe”. Ajo që del nga goja e Tij mund të përfaqësojë veçse “Shpatën e Frymës”, Fjalën e Tij (Efesianeve 6:17), për të cilën mësojmë në Hebrenjve 4:12 se është e gjallë dhe vepruese dhe “është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës”.

Nuk ka asgjë të frikshme rreth simbolit që Jezusi zgjodhi për të përfaqësuar Fjalën e Tij. Shpata është jo vetëm një armë lufte; ajo është përdorur edhe për të pastruar rrugën – për të prerë atë që do e ngatërronte dhe mbyste jetën tonë; veç kësaj, “shpata” e një kirurgu, bisturia, mund të çajë “nyjat dhe palcën” e dikujt për të hequr tumoret kanceroze. Kjo është mënyra si duhet trajtuar mëkati në jetën e dikujt. Psalmisti shkroi: “Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde” (Psalmi 119:9). Jezusi iu lut Atit që ata të cilët e ndjekin Atë të veçoheshin nga bota me anë të Shkrimit: “Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta” (Gjoni 17:17). Kjo ishte lutja e Zotit tonë për dishepujt që ecën me atë në atë kohë dhe është e njëjtë për ne që e ndjekim Atë sot. Tre kapitujt e parë të Zbulesës janë tepër unikë në Shkrimin e Shenjtë. Në ata e shohim direkt Jezusin duke iu drejtuar, inkurajuar dhe më tepër duke korrigjuar kishën. Të thuash që Ai “ashpërsohet” me nusen e Tij vështirë se do të ishte një abuzim i tekstit.

Kishave të cilave po iu fliste ekzistuan gjatë kohës që Gjoni e shkroi Zbulesën dhe ndodheshin në provincën romake të Azisë, që është tani Turqia e sotme. Gjashtë prej kishave ishin brenda rreth 150 kilometrave nga njëra-tjetra; Laodicea, më e largëta në jug, ishte rreth 320 kilometra nga kisha më në veri e Pergamit. Asnjë prej këtyre kishave nuk ekziston sot, edhe pse problemet e ngritura nga Jezusi mund të shihen përgjatë historisë së kishës.

William MacDonald, në Komentari i Biblës për Besimtarët, jep një përmbledhje: “Efesi: Kisha e shekullit I ishte në përgjithësi e lavdishme, por tashmë e kishte lënë dashurinë e parë. Smirna: Që nga shekulli I deri te shekulli IV kisha përndiqej nga perandorët romakë. Pergami: Gjatë shekujve IV dhe V krishterimi u miratua si një fe zyrtare me anë të Konstandinit. Tiatira: Që nga shekulli VI deri në shekullin XV kisha katolike kishte një ndikim tepër të madh në perandorinë perëndimore derisa u godit nga lëvizja reformatore. Kurse në perandorinë lindore ishte kisha ortodokse ajo që kishte pushtet. Sarda: Gjatë shekujve XVI dhe XVII drita e lëvizjes reformatore u errësua. Filadelfia: Gjatë shekujve XVIII dhe XIX ndodhën përtëritje të fuqishme dhe lëvizje misionare të mëdha. Laodicea: Kisha e ditëve të fundit është pikturuar si kishë e vakët dhe e femohuesve. Ajo është kisha e liberalizmit dhe e ekumenizmit.

Këto vëzhgime të përgjithshme tingëllojnë të vërteta për historinë, por ato nuk janë përjashtuese. Mund të gjenden gjithashtu aspekte të ndryshme të gjërave që Krishti u drejtoi shtatë kishave edhe në asambletë lokale nëpër botë sot. Me fjalë të tjera, kishat e Zbulesës janë të gjalla dhe jo aq mirë (pesë prej tyre të paktën) ku besimtarët banojnë bashkë sot. Efesi, Pergami, Tiatira, Sarda dhe Laodicea kishin të gjitha probleme që Jezusi i donte të ndrequra. Dhe Ai vazhdon ta kërkojë këtë në kishat tona. Siç e tregon qartë teksti, këto nuk janë thjesht sugjerime nga ana e Tij. Kisha e Efesit kishte shumë cilësi të shquara: vepra të mira, qëndrueshmëri dhe dallim kritik lidhur me doktrinën dhe udhëheqjen. Megjithatë Jezusi e qorton bashkësinë lidhur me një çështje shumë të rëndësishme: “Por kam diçka kundër teje, sepse dashurinë tënde të parën e le” (Zbulesa 2:4). Nuk na është thënë saktësisht se si e humbën besimtarët “dashurinë e parë”, por mund të kemi një ide nga Shkrimi. Veprat e tyre të mira, të cilat duhet të kishin qenë një nënprodukt që rridhnin nga dashuria e tyre për Jezusin, ka shumë mundësi që të kenë marrë përparësi mbi marrëdhënien që besimtarët në Efes kishin patur me Të. Nxitja e Apostullit Pal për besimtarë në Galati duke e zbatueshme këtu: “A jeni kaq të marrë sa që, mbasi nisët në Frymë, të përfundoni në mish?” (Galatasve 3:3). Dashuria e besimtarit për Zotin duhet të jetë qendrore për çdo gjë që bën. Kur kjo fillon të rrëshqasë, çfarë pason është një rrëshqitje automatike drejt përpjekjeve të lindura dhe të rregulluara nga mishi. Në atë masë që mishit i jepet të veprojë, në atë masë zëvendësohet hiri i Zotit. Veprat tona duhet të jenë “’Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time,’ thotë Zoti i ushtrive” (Zakaria 4:6).

Ka pak dyshim që kisha në ditët e sotme do të jetë më tepër e prirur sesa ishin efesianët për ta zëvendësuar dashurinë e tyre për Zotin, duke konsideruar që ne jemi ndikuar kaq shumë nga mësimet mbi “veten” që kanë hyrë në kishën: vetëvlerësimi, dashuria për veten, vetë-denjësia, imazhi për veten, vetëbesimi dhe kështu me radhë deri te vetë-ad nauseam. Për më tepër, preokupimi me veten e bën të vështirë të kuptosh dhe të pranosh një korrigjim të ashpër. Do ta shohim qartë këtë kur të konsiderojmë kishën e Laodicesë.

Refreni i zakonshëm është: “Nuk besoj se e ke me mua!” pasi shumica prej nesh është kushtëzuar që të mendojë më tepër se duhet për veten (Rom. 12:3). Veç kësaj, shumë të krishterë janë të mendimit që me siguri Jezusi nuk do të thoshte apo bënte diçka që do të ulte vetëvlerësimin e një besimtari. Ky është Jezusi i dërdëllitjeve psikologjike dhe i të ashtuquajturës psikologji e krishterë, i cili është një Krisht i rremë i modeluar nga njerëz të mishit. Ky është Jezusi që bota e do, i cili është vetëm për t’iu përshtatur njerëzimit dhe i cili patjetër që nuk përputhet me Fjalën e Tij. Ai është veçanërisht i huaj për kapitujt e Zbulesës që jemi duke marrë në konsideratë.

Pasoja për efesianët, të cilët po rrëshqitnin nga “dashuria e parë” dhe të cilët nuk u penduan për braktisjen e përqendrimit të tyre mbi Zotin, do të ishte heqja e “shandanit” të tyre: “Kujtohu, pra, se nga ke rënë, pendohu, dhe bëj veprat e para; në mos do të vi së shpejti te ti dhe do ta luaj shandanin tënd nga vendi i vet, nëse nuk pendohesh” (Zbulesa 2:5). Nuk ka asnjë sekret të thellë në simbolizmin e shandanit. Ai paraqet mjaft thjesht dritën e Krishtit, i cili është “Drita e Botës”, d.m.th., Fjala. E vetmja mënyrë që dashuria e dikujt për Krishtin të rritet është që besimtarët të rriten në marrëdhënien e tyre personale me Të përmes leximit dhe përjetimit të vazhdueshëm të asaj që mëson Fjala e Perëndisë. Pa këtë disiplinë, dashuria e Krishtit, i cili është “një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim”, do të ftohet pashmangshmërisht. Dhe ndërsa drita zbehet, ndodh që një besimtar nuk do të ketë asnjë bazë për dallim biblik dhe si rrjedhim do të reshtë së prodhuari ndonjë fryt frymëror. Vini re që Jezusi tha: “Unë do të vij së shpejti te ti dhe do ta luaj shandanin tënd…”. Njëra nga pikat që dua të theksoj këtu është fakti që është vetë Jezusi i cili po e korrigjon kishën e Tij. Është ai i cili po “ashpërsohet” këtu.

Ka patur një tendencë gjatë historisë së kishës që vazhdon edhe sot për t’u marrë me korrigjimin biblik kur ai paraqitet për “të qëlluar lajmëtarin” në vend që t’i vihet veshi mesazhit dhe të ketë pendim. Edhe pse mesazhet kanë qenë besnike ndaj Shkrimeve, një marifet i zakonshëm për të refuzuar mesazhin ka qenë për t’i bërë bisht temës biblike bindëse duke e devijuar vëmendjen te lajmëtarët më-pak-të përsosur të Perëndisë, të cilët bëhen kështu shënjestra të cenueshme. Por nuk është ky rasti me Lajmëtarin e kishave në Librin e Zbulesës. Si Ai ashtu dhe mesazhi i Tij janë të përsosur dhe nuk mund të hidhen poshtë. Veç kësaj, qortimet e ashpra të Krishtit nuk kanë qenë kurrë më të nevojshme se sot që kisha e Tij t’i dëgjojë dhe të bëjë korrigjimet e nevojshme, në këtë kohë të një mashtrimi të madh frymëror dhe të një apostazie të papërmbajtur ndaj të cilave nusja e Tij e gjen veten gjithnjë e më shumë të prekshme.

Ndërsa kjo seri vazhdon përmes kapitujve 2 dhe 3 të Zbulesës, shumë vetave do t’ju duhet të përballen me një karakteristikë të Jezusit për të cilën mund të mos kenë qenë në dijeni – por është thelbësore që ne të gjithë ta njohim Atë dhe ta duam Atë ashtu siç Ai është në të vërtetë. THEB

Jezusi ashpërsohet...
Jezusi ashpërsohet...
THEB Shtator 2012 - Jezusi ashpersohet.pdf
Versioni: THEB Shtator 2012
326.6 KiB
969 shkarkime
Hollësi