THEB Prill 2012

Kush mund ta kuptojë Ungjillin?


THEB Prill 2012

Kush mund ta kuptojë Ungjillin?

THEB Prill 2012

Kalvinistët theksojnë që teologjia e tyre qëndron mbi interpretim të fortë biblik, duke qenë “e bazuar fort […] mbi Fjalën e Perëndisë”. Disa kanë shkuar aq larg dhe kanë pohuar se “ky mësim konsiderohej si e vërteta nga apostujt” dhe që edhe “Krishti i mësoi doktrinat që tani njihen si pesë pikat e kalvinizmit”.

Sipas vetë Biblës, megjithatë, askush nuk duhet të pranojë pohime të tilla pa i verifikuar ato nga Shkrimet. Çdo doktrinë që pohon se bazohet në Biblën duhet të verifikohet me kujdes përballë Biblës – një zgjedhje e hapur për këdo që njeh Fjalën e Perëndisë. Të mbështetesh mbi kualifikimin e supozuar biblik të dikujt për një vlerësim të opinioneve të dikujt tjetër do të thotë t’i biesh rrotull argumentit. Pavarësisht se cili opinion pranohet nga dikush, rezultati përfundimtar do të ishte i njëjtë: dikush do të mbetej peng i opinionit njerëzor. Çdo individ duhet të kontrollojë personalisht të gjitha opinionet drejtpërdrejt nga Bibla. Mirëpo mua më kanë këshilluar që të hesht mbi bazën se vetëm ata me kualifikime speciale janë kompetent për të analizuar kalvinizmin përballë Biblës, një ide që në vetvete e kundërshton Shkrimin.

Banorët e qytetit të Bereas, edhe pse jo të krishterë kur Pali u predikoi në fillim ungjillin, “i shqyrtuan çdo ditë Shkrimet, [për të parë] nëse këto gjëra [që u predikoi Pali] ishin ashtu” (Veprat e Apostujve 17:11) – dhe ata ishin lavdëruar si “fisnikë” për këtë veprim. Mirëpo kalvinistë drejtues ngulin këmbë që duhet përgatitje speciale (dhe me sa duket e gjatë) për këdo që të bëhet i kualifikuar për të shqyrtuar këtë doktrinë të çuditshme në dritën e Biblës. Përse?

Mbi të gjitha, vetë Bibla shpall që një “i ri” mund të kuptojë udhëzimet e saj dhe kështu “të bëjë rrugën e tij të pastër” (Psalmi 119:9). Madje dhe një fëmijë mund të njohë Shkrimet e Shenjta përmes udhëzimeve në shtëpi nga një nënë apo gjyshe (2 Timoteut 1:5; 3:15). Sigurisht që Timoteu nuk ishte një teolog i trajnuar në seminar, megjithatë Pali e konsideroi atë kompetent për të studiuar dhe “ndarë drejt” Fjalën e Perëndisë. Nëse do të duhej ekspertizë e veçantë për të vënë në provë kalvinizmin përballë Shkrimit, kjo do të ishte provë e mjaftueshme që kjo doktrinë e çuditshme nuk ka ardhur nga një interpretim i vlefshëm biblik. Çdo gjë kaq enigmatike, nga vetë përkufizimi, nuk mund të jetë nxjerrë nga Bibla, që vetë pohon se është shkruar për njeriun e thjeshtë.

Shumë miq, sinqeriteti i dukshëm i të cilëve është vlerësuar, më kanë thënë se pavarësisht nga citimet e mia të Xhon Kalvinit (John Calvin) drejtpërdrejt nga shkrimet e tij, bashkë me citime të kalvinistëve drejtues të sotëm, përsëri do të paraqitja keq kalvinizmin. Edhe mbas shumë orësh diskutimi të hollësishëm me miq kalvinistë, ata përsëri me thoshin: “Ti thjesht nuk e kupton kalvinizmin”. Atëherë ç’mund të themi për pretendimin që kalvinizmi është ungjilli dhe krishterimi i vërtetë? A është që mori ungjillorësh të pjekur dhe të frytshëm e kanë keqkuptuar disi ungjillin dhe krishterimin?

Në kontrast me këtë, “Jezusi i thirri pranë vetes dhe tha: ‘I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.

Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër, sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë, por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët… që asnjë mish të mos mburret përpara tij.

—1 Korintasve 1:26–29

Në të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë atje” (Luka 18:16-17).

A duhet të mbetet kalvinizmi një mister për të krishterin e zakonshëm? Vetë ky fakt, nëse i vërtetë, do të përbënte provë shtesë që kalvinizmi nuk është nxjerrë nga Shkrimet. Si ka mundësi që diçka aq e ndërlikuar të dalë nga ajo mbi të cilën çdo njeri është në gjendje të mendojë thellë ditë e natë (Psalmi 1:1-2) dhe që mund të pranohet me gëzim – edhe nga një “fëmijë i vogël”? Nëse ushqimi i nevojshëm që siguron Fjala e Perëndisë duhet të jetë mbështetja e përditshme e çdo njeriu për jetë frymërore (Ligji i Perterire 8:3), a mund të jetë kalvinizmi vërtet ungjilli biblik dhe krishterimi biblik dhe njëkohësisht të jetë aq i vështirë për t’u kuptuar nga i krishteri i zakonshëm?

Përse duhet të jetë kalvinizmi një temë aq e ndërlikuar dhe në dukje e fshehtë që të kërkojë vite për t’u kuptuar? Një qëndrim i tillë vërtet mund të frikësojë shumë veta për ta pranuar këtë besim thjesht ngaqë një grup aq i madh teologësh dhe drejtuesish ungjillorë të respektuar e përkrahin atë. Sigurisht, pjesa më e madhe e kalvinistëve janë të krishterë të zakonshëm. Atëherë, mbi cilën bazë ishin ata në gjendje të kuptonin dhe pranonin [kalvinizmin] pa ekspertizën dhe studimin intensiv që me sa duket më mungonte mua?

Shumica e kalvinistëve (por jo të gjithë) bien dakord mbi pesë pika kryesore. Disa këmbëngulin se ka dhjetë ose edhe njëmbëdhjetë pika më shumë. Edvin H. Palmeri (Edwin H. Palmer), në librin e tij, “Pesë pikat e kalvinizmit”, sugjeron: “Kalvinizmi nuk kufizohet me pesë pika: ai ka mijëra pika”. Nuk ka gjasa që ne t’i trajtojmë të gjitha këto pika të supozuara në këto faqe! Vetë Palmeri merret vetëm me pesë.

Ka një sërë mospajtimesh midis kalvinistëve “pesë-pikësh” dhe “katër-pikësh”. Për shembull, Ljuis Speri Shaferi (Lewis Sperry Chafer), themelues i Seminarit Teologjik të Dallasit, e quajti veten një kalvinist “katër-pikësh”, pasi e refuzonte Shlyrjen e Kufizuar. Laurens M. Vansi (Laurence M. Vance) nxjerr në pah që “shumë baptistë në shoqatën e përgjithshme të kishave të rrregullta baptiste janë kalvinistë katër-pikësh” [Vance, Ana tjetër e kalvinizmit, (Pensacola, FL: Vance Publications, rev. ed. 1999), fq. 147]. Mirëpo të mohosh njërën pikë, ndërkohë që i pranon të katër pikat e tjera, është quajtur nga kalvinistët pesë-pikësh “mospërputhja e bekuar”. Ata janë të saktë. Ne do të shohim që secila pikë është një rrjedhim logjik i atyre që e paraprijnë. Nuk është e mundur të jesh një kalvinist dhe të përqafosh logjikisht dhe në përputhje më pak se të pesë pikat.

Paranjohja e Perëndisë, paracaktimi/zgjedhja, zgjedhja njerëzore, sovraniteti i Perëndisë dhe përgjegjësia e njeriut janë supozuar gjerësisht si mistere që janë përtej aftësisë sonë për t’i pajtuar. Prandaj, disa këmbëngulin që këto koncepte duhen pranuar pa asnjë përpjekje për t’i kuptuar ose pajtuar konfliktet në dukje. Vazhdimisht përdoret ai ilustrimi që ndërsa i afrohemi portës së qiellit, ne shohim të shkruar mbi të: “Kush do, mund të vijë”, por pasi kemi hyrë shohim nga brenda fjalët: “Zgjedhur në Të përpara themelimit të botës”. Ne i respektojmë të gjithë ata drejtues të kishës të cilët vazhdojnë të ofrojnë një shpjegim të tillë sikur të ishte i mjaftueshëm. Ka, megjithatë, disa arsye bindëse për të mos e pranuar në heshtje atë pozitë popullore.

Para së gjithash, Perëndia synon për ne që ta kuptojmë Fjalën e Tij në vend që të shpallim “mister” mbi pjesët thelbësore të saj. Ai na e ka dhënë atë për mësimin tonë. Psalmisti u shpreh kështu për Fjalën e Perëndisë: “është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim” (Psalmi 119:105), dhe kështu është synuar të jetë për secilin prej nesh sot. Pjetri pranoi që ka “gjëra të vështira për t’u kuptuar” dhe paralajmëroi që ndonjëherë Shkrimi shtrembërohet prej disave, duke rezultuar në shkatërrimin e atyre që veprojnë kështu (2 Pjetrit 3:16). Nga ana tjetër, Perëndia nuk sugjeron kurrë që të ketë ndonjë pjesë në Fjalën e Tij për të cilën ne nuk duhet të përpiqemi ta kuptojmë plotësisht. Meqenëse shumë pjesë në Shkrimet i janë kushtuar temave të vështira që ne do të trajtojmë, ne mund të presim me siguri që vetë Bibla do ta qartësojë çështjen.

Së dyti, historia e kishës që prej fillimeve të saj më të hershme ka përfshirë ndryshime të mendimeve për shumë çështje thelbësore, duke përfshirë vetë ungjillin. Herezi shkatërruese të shumta janë përhapur dhe janë kundërshtuar fuqishëm. As Krishti, as apostujt e Tij nuk i konsideruan pikëpamjet e kundërta mbi çështjet thelbësore të ungjillit që të jenë normale ose të pranueshme, por i urdhëruan besimtarët që “të luftojnë me zell për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë” (Juda 1:3). Ky urdhërim është i zbatueshëm edhe për ne sot.

Së treti, vështirë se është që Zoti ynë të na kërkojë të tërhiqemi nga konsiderimi dhe kuptimi serioz i paranjohjes dhe zgjedhjes/paracaktimit, si edhe për përgjegjësinë e njeriut dhe se si gjithçka përputhet bashkë në hirin sovran të Perëndisë. Edhe pse ne mund të mos e shohim kurrë të gjithë trupin e Krishtit në harmoni të përsosur, secili prej nesh është përgjegjës për t’i kuptuar këto çështje sa më qartë që është e mundshme për secilin – përmes studimit të zellshëm – dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin gjatë këtij procesi.

Së fundi, Perëndia na bën thirrje ta kërkojmë Atë që të mund ta njohim Atë, edhe pse rrugët e Tij dhe mendimet e Tij janë aq të larta sa tonat, si “qiejtë janë më të lartë se toka” (Isaia 55:8-9). Me siguri që ndërsa e njohim më mirë Perëndinë, ne do ta kuptojmë më plotësisht Fjalën e Tij dhe vullnetin e Tij. Perëndia është Shpëtimtari ynë; të njohësh Atë është jetë e përjetshme (Gjoni 17:3). Të njohësh Perëndinë duhet të përfshijë një kuptim të thellë të gjithçkaje që Ai na ka zbuluar në Fjalën e Tij.

Ne duhet të jetojmë, siç tha Krishti (duke cituar deklaratën e Tij si UNË JAM-i i Izraelit përmes Moisiut në Ligji i Përtërirë 8:3), jo “vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë” (Mateu 4:4). Salomoni tha: “Çdo fjalë e Perëndisë është e rafinuar me zjarr” (Fjalet e Urta 30:5, fjalët e pjerrëta të shtuara).

Atëherë ne duhet të konsiderojmë me kujdes dhe të kërkojmë të kuptojmë çdo fjalë.

Është supozuar përgjithësisht se, cilado qofshin mospajtimet e tjera që mund të kemi, kur bëhet fjalë për ungjillin e shpëtimit tonë, si kalvinistët ashtu edhe jo-kalvinistët janë në përputhje të plotë. Mirëpo disa kalvinistë nuk pajtohen me këtë, duke pohuar (siç tashmë kemi parë) se ungjilli biblik është kalvinizmi. Për shembull, “Plani i shpëtimit që Perëndia ka zbuluar në Shkrimet përbëhet nga ajo që njihet gjerësisht si Pesë Pikat e Kalvinizmit”. Lorejn Boetneri (Loraine Boettner) shpall: “Avantazhi i madh i Besimit të Reformuar është se në strukturën e Pesë Pikave të Kalvinizmit ai paraqet qartë atë që mëson Bibla lidhur me rrugën e shpëtimit”. Të tjerë ngulin këmbë që “nëse nuk i njeh të Pesë Pikat e kalvinizmit, ti nuk e njeh ungjillin, por një shtrembërim të tij…”. B. B. Uorfildi (B. B. Warfield) pohoi: “Kalvinizmi është evangjelikalizëm në shprehjen e tij më të pastër dhe të vetme të qëndrueshme”.

Pohime të tilla që të Pesë Pikat vetëm përbëjnë ungjillin ngrenë shqetësime për kalvinizmin një një nivel krejtësisht të ri! Nëse kërkohen studime të shumta speciale për të kuptuar kalvinizmin dhe nëse vite të tëra studimi të Biblës e lënë dikë ende injorant mbi këtë temë dhe nëse kalvinizmi është ungjilli i shpëtimit tonë – atëherë ku i lë kjo turmat që mendojnë se janë të shpëtuar, por që janë në padijeni për kalvinizmin? Kjo pyetje mund të duket përçarëse, por nuk mund të injorohet.

Një tjetër pyetje serioze ngrihet lidhur me shpalljen e ungjillit në të gjithë botën, siç urdhëroi Krishti. Kalvinistët ngulin këmbë që doktrina e tyre nuk e zvogëlon zellin me të cilin duhet predikuar ungjilli. Në mbështetje të këtij pohimi, ata përmendin disa nga predikuesit dhe misionarët e mëdhenj të cilët ishin kalvinistë të fortë, si George Whitefield, Adinoram Judson, William Carey dhe të tjerë. Dhe është e vërtetë që, edhe pse ata e dinë se ata të cilëve u predikojnë nuk janë midis të zgjedhurve, prapëseprapë disa kalvinistë predikojnë me zell, që të zgjedhurit të mund të dëgjojnë dhe të besojnë.

Me siguri, megjithatë, zelli i burrave dhe grave të tillë për ta çuar ungjillin nëpër botë nuk mund të jetë për shkak të kalvinizmit të tyre, por vetëm pavarësisht prej tij. Të besosh se ata që do të shpëtohen janë paracaktuar për shpëtim nga dekreti i Perëndisë, që asnjë tjetër nuk mund të shpëtohet dhe që të zgjedhurit duhet të rigjenerohen përmes aktit sovran të Perëndisë pa ungjillin ose ndonjë bindje nga një predikues, ose përmes besimit në Perëndinë nga ana e tyre, vështirë se mund të sjellë motivim për të predikuar me zell ungjillin. Pavarësisht se si përpiqet kalvinisti që të argumentojë të kundërtën, një besim i tillë veçse mund ta zvogëlojë zellin që një njeri i arsyeshëm mund të ketë në rastin e kundërt për të arritur të humburit me ungjillin e hirit të Perëndisë në Krishtin.

Ungjilli i predikuar nga Pjetri dhe Pali dhe apostujt e tjerë ishte për këdo në audiencën që kishin përballë, kudo ku ata shkuan. Nuk ishte një mesazh që vetëm të zgjedhurit mund të besonin. Në kontrast me këtë, ungjilli i Kalvinit thotë që Krishti vdiq dhe që gjaku i Tij bën shlyerjen vetëm për të zgjedhurit. Ja se si e shpreh këtë Kalvini:

Shumë vetave kjo mund t’ju duket një temë pështjelluese, pasi e konsiderojnë tejet të papajtueshme që nga trupi i madh i njerëzimit disa të jenë paracaktuar për shpëtim dhe të tjerë për shkatërrim…. Nga kjo ne nxjerrim, se të gjithë ata që nuk e dinë se janë populli i veçantë i Perëndisë, duhet të përçmohen nga drithërima e përhershme…. [John Calvin, Institutet e Fesë së Krishterë, përkth. Henry Beveridge (Grand Rapids, MI: Wm. Eerdmans Publishing Company, 1998 ed.) III:xxi,1].

A mund të jetë ky i njëjti ungjill që predikoi Pali? Pali u shpalli audiencave: “Ne po ju shpallim [të gjithëve ju] lajmin e mirë…” (Veprat e Apostujve 13:32). “Lajmi i mirë” i ungjillit që predikoi Pali jehonte atë që engjëlli i Zotit u tha barinjve në kohën e lindjes së Krishtit: “Unë po ju lajmëroj [lajme të] një gëzim[i] të madh për të gjithë popullin…” (Luka 2:10). Këto lajme të një gëzimi të madh kishin të bënin me faktin që “Shpëtimtari i botës” (Luka 2:11; Gjoni 4:42) kishte lindur.

Mirëpo ungjilli i Kalvinit thotë që Krishti nuk është Shpëtimtari i botës, por vetëm i të zgjedhurve. Si mund të jetë ky mesazh “lajme të një gëzimi të madh” për ata për të cilët Shpëtimtari nuk erdhi për t’i shpëtuar dhe për mëkatet e të cilëve Ai refuzoi të vdiste?

A mund të jetë me të vërtetë kështu, siç këmbëngul Arthur C. Custance, që “kalvinizmi është Ungjilli dhe të mësosh kalvinizmin është në fakt të predikosh Ungjillin” [Custance, Sovraniteti i hirit, (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1979), 302]? A është themeluar kalvinizmi mbi tekstin e qartë të Shkrimit? Apo […] [është] një interpretim i veçantë i Shkrimit i nevojshëm për të mbështetur këtë doktrinë?

Shqetësimi ynë është për mbrojtjen e karakterit të Perëndisë së vërtetë, Perëndisë së mëshirës dhe dashurisë, “dhembshuritë [e të cilit] janë mbi të gjitha veprat e tij” (Psalmi 145:9). Bibla shpall që Ai “nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9); “i cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’i arrijnë njohjes të së vërtetës” (1 Timoteut 2:4). I tillë është Perëndia i Biblës, nga Zanafilla deri te Zbulesa.

Ekzaminimi i hapur dhe diskutimi i çështjeve të rëndësishme – veçanërisht i ungjillit dhe vetë natyrës dhe karakterit të Perëndisë – mund të jetë veçse e shëndetshme për trupin e Krishtit. Është lutja time që hulumtimi ynë i kalvinizmit dhe krahasimi i tij me Fjalën e Shenjtë të Perëndisë […] të sjellë sqarime të dobishme dhe të nevojshme. TBC

Shkëputur nga libri i ri, T.U.L.I.P. dhe Bibla: Krahasim i veprave të Kalvinit me Fjalën e Perëndisë.

Kush mund ta kuptojë Ungjillin?
Kush mund ta kuptojë Ungjillin?
THEB Prill 2012 - Kush mund ta kuptoje Ungjillin.pdf
Versioni: THEB Prill 2012
259.8 KiB
1130 shkarkime
Hollësi