Shohim nga Fjala e Perëndisë se mëkatarëve të humbur u ofrohet falje për çdo mëkat (të shkuar, të tashëm e të ardhshëm) dhe jeta e përjetshme si dhuratë e hirit të Perëndisë me anë të virtytit të veprës shpenguese të kryer plotësisht nga Krishti në kryqin e Kalvarit dhe ringjalljes së Tij trupore. Për të marrë këto dhurata shumë të çmuara një person mjafton të besojë tek ungjilli – që është mëkatar dhe që meriton gjykimin e Perëndisë, duke qenë i paaftë me anë të përpjekjeve vetjake, riteve fetare apo ndonjë mënyre tjetër për të siguruar apo fituar shpëtimin qoftë edhe pjesërisht; dhe se Krishti e pagoi borxhin e plotë që kërkon drejtësia e Perëndisë për mëkatin e njeriut. Sigurisht, një person duhet ta besojë ungjillin jo thjesht si fakt historik, por deri në atë pikë sa të vendosë plotësisht besimin në Zotin Jezus Krisht si Shpëtimtarin vetjak për përjetësinë.
Krishti i drejtoi dishepujt e Tij që t’i predikonin lajmin e mirë të ungjillit secilit në çdo vend. Ky urdhër ndaj ndjekësve të Tij të parë është bërë i njohur si «Mandati i Madh». Ai pohohet në dy mënyra: «Dilni në mbarë botën dhe […] predikoni ungjillin» (Marku 16:15); dhe «bëni dishepuj» (Mateu 28:19, 20). Ata që predikojnë ungjillin duhet të dishepullojnë ata që e besojnë atë. Të rilindur nga Fryma e Perëndisë në familjen e Tij (Gjoni 3:3-5; 1 Gjonit 3:2), të konvertuarit fillojnë një jetë të re si ndjekës të Krishtit, të zellshëm për të mësuar nga Ai dhe për t’iu bindur Atij të cilit i detyrohen një borxh të pafund mirënjohjeje.
Krishti paralajmëroi se disa do të duken se do ta pranojnë ungjillin me entuziazëm të madh vetëm për t’u përzier në botë, duke u shkurajuar dhe zhgënjyer. Ata përfundimisht do të reshtnin së ndjekuri Atë. Shumë ruajnë një pamje të jashtme të krishterimit pa realitet të brendshëm, duke mashtruar madje edhe veten. Ata, të pabindur kurrë plotësisht në zemrat e tyre, prapëseprapë nuk janë gati të pranojnë mosbesimin e tyre. Pali paralajmëroi: «Analizoni veten tuaj a jeni në besim» (2 Korintasve 13:5).
Nga ata që janë të vërtetë, shumë pak janë në gjendje të japin një arsye për shpresën që është në ta (1 Pjetrit 3:15). Sa të krishterë janë në gjendje t’i mbushin mendjen me bindje një ateisti, budisti, hinduisti, myslimani apo përkrahësi të filozofisë së epokës e re, me prova mahnitëse dhe arsye të shëndosha nga Shkrimi? Fjala e Perëndisë është shpata e Frymës, por pak e njohin mjaft mirë për të shuar dyshimet e tyre, aq më pak t’i kthejnë në këtë besim të tjerët.
Një prej nevojave më të mëdha të sotme është për mësues të fortë biblik që prodhojnë dishepuj të cilët janë në gjendje të «luftojnë për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë» (Juda 3). Ai besim për të cilin duhet të luftojmë u transmetua nga Krishti te dymbëdhjetë dishepujt e parë, të cilët duhej t’ua mësonin atyre që i ungjillëzonin që «të zbatojnë të gjitha gjërat» që u kishte urdhëruar Krishti.
Përmes brezave pasues (duke filluar me dishepujt e parë dhe ata të cilëve ata i çuan në besim te Krishti dhe i dishepulluan) ata që ishin fituar për Të dhe nga ana e tyre, duke iu bindur Zotit të tyre, dishepulluan të tjerë, ky zinxhir i pakëputur i urdhrit vjen deri te ne në kohën tonë. Jo ndonjë prift i veçantë apo klasë kleri, por çdo i krishterë sot, ashtu si ata që kanë kaluar më parë, është një pasardhës i apostujve. Mendo pak se çfarë do të thotë kjo!
Në thelb të thirrjes së Krishtit për dishepullim është zbatimi i përditshëm i kryqit të Tij në jetën e besimtarit. Megjithatë rrallë dëgjohet në qarqet ungjillore shpallja përfundimtare e Krishtit: «Dhe kush nuk e mbart kryqin e vet dhe nuk më ndjek […] [dhe] nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im» (Luka 14:27-33). Thirrja për dishepullim duhet të përballet me sinqeritet. Përmes kryqit ne vdesim për veten tonë dhe fillojmë të jetojmë për Zotin tonë në fuqinë e ringjalljes (Galatasve 2:20). Në të vërtetë vdekja e Krishtit në kryq do të kishte qenë një akt i kotë nëse nuk do të sillte jetë të re, për tani dhe për tërë përjetësinë.
Jeta e ringjalljes e llogarit jetën e vjetër të vdekur dhe nuk parashikon gjë për mishin (Romakëve 6:4, 11; 13:14). Në vend të vetëvlerësimit popullor, Perëndia na thërret të mohojmë veten, të duam të vërtetën dhe të urrejmë marrëzinë, t’i pëlqejmë Perëndisë në vend të të tjerëve apo vetvetes, pavarësisht nga kostoja në këtë jetë. Mos shiko trysninë shoqërore me atë që mendojnë, thonë apo bëjnë. Ne duhet të jemi plotësisht të bindur se ajo që Perëndia mendon dhe ajo që Ai do të thotë kur të shfaqemi para Tij një ditë është ajo që ka rëndësi.
Xhim Elioti, një prej pesë dëshmorëve të vrarë në Ekuador më 1956, tha se kur ishte i ri zgjodhi fushën e misionit në vend të karrierave më të njohura: «Nuk është i marrë ai që dorëzon atë që nuk mund të mbajë për të fituar atë që nuk mund të humbasë». Ajo zgjedhje është e logjikshme vetëm nëse dikush beson se koha është e shkurtër dhe përjetësia e pafund. Një zotim i tillë sjell gëzim e paqe qiellore dhe një përmbushje të tillë, që askush në tokë nuk mund ta ofrojë.
Shkëputur nga libri Një Thirrje Urgjente për një Besim Serioz, nga Dave Hunt