Pashka dhe vdekja e të parëlindurit (Eksodi 11:1-12:30)

11:1-10 Moisiu nuk ishte larguar akoma nga prania e faraonit. Në vargjet 4-8 ai akoma po u flet drejtuesve. Tre vargjet e para mund të mendohen si një hyrje. Për sa i përket plagës së dhjetë dhe të fundit, Perëndia i tha Moisiut që izraelitët t’i kërkojnë (jo «të marrim hua» si te KJV) egjiptasve sende argjendi dhe ari. Moisiu paralajmëroi faraonin se çdo i parëlindur në vendin e Egjiptit do të vdiste nga mesnata në datën e caktuar (shikoni Eksodi 12:6), se izraelitët nuk do të prekeshin nga vdekja dhe se zyrtarët e faraonit do të përkulen, duke iu lutur hebrenjve që të largoheshin menjëherë dhe të tërë. Atëherë Moisiu u largua nga pallati tërë zemërim. Paralajmërimi ra në vesh të shurdhët dhe Zoti e ngurtësoi zemrën e Faraonit edhe më tepër. 12:1-10 Zoti u dha udhëzime të hollësishme Moisiut dhe Aaronit se si të përgatiteshin për pashkën e parë. Qengji, sigurisht, është një figurë e Zotit Jezu Krisht (1 e Korintasve 5:7). Ai duhej të ishte pa të meta, që shpreh jetën e pamëkatë të Krishtit; mashkull motak, mbase duke hedhur idenë e vdekjes së Zotit tonë në lule të jetës; të ruhej deri në ditën e katërmbëdhjetë të atij muaji, duke treguar para kohe për tridhjetë vitet e jetës private të Shpëtimtarit në Nazaret, gjatë të cilave u provua nga Perëndia, pastaj hapur për tre vjet nga shqyrtimi i hollësishëm i njeriut; të vritej nga tërë asambleja e popullit të Izraelit, ashtu siç u mor Krishti nga duar të liga dhe u vra (Veprat e Apostujve 2:23); të vritej në të ngrysur, midis orës së nëntë dhe të njëmbëdhjetë, ashtu siç u vra Jezusi në orën e nëntë (Mt. 27:45-50). Gjaku i tij duhej të vihej në dyer, gjë që i ruante nga shkatërruesi (v. 7), ashtu siç gjaku i Krishtit, marrë me anë të besimit, sjell shpëtim nga mëkati, vetja dhe Satani. Mishi duhej të ishte i pjekur në zjarr, që parafytyron Krishtin që duroi zemërimin e Perëndisë kundër mëkateve tona. Ai duhej të hahej me bukë pa maja dhe me barishte të hidhura, duke simbolizuar Krishtin si ushqimin e popullit të Tij. Ne duhet të bëjmë jetë të sinqerta dhe të vërteta, pa majanë e ligësisë dhe të së keqes dhe me pendim të vërtetë, gjithmonë duke kujtuar hidhësinë e vuajtjes së Krishtit. Asnjë kockë e qengjit nuk duhej të thuhej (v. 46), një kusht që u përmbush fjalë për fjalë në rastin e Zotit tonë (Gjoni 19:36). 12:11-20 Pashka e parë duhej të kryhej nga një popull që ishte gati për udhëtim, një kujtesë për ne që shtegtimi në një udhëtim të gjatë kryhet lehtë. Pashka mori këtë emër sepse Zoti kaloi tutje shtëpive ku ishte vënë gjaku. Shprehja «kaloj tutje» nuk do të thotë «kaloj pranë». Kolli (Cole) shpjegon:
Qoftë ose jo e saktë nga ana etimologjike, pesah për Izraelin nënkuptonte «një kalim tutje» apo «një kërcim tutje» dhe iu përshtat veprës së Perëndisë në histori në këtë rast, duke kursyer Izraelin{{1}}.
Pashka kryhej në ditën e katërmbëdhjetë të vitit kalendarik fetar izraelit (v. 2). Lidhur ngushtë me Pashkën ishte festa e të ndormeve. Në atë natë të parë pashke, populli u largua nga Egjipti me nxitim aq të madh, saqë nuk pati kohë që brumi të vinte (v. 34,39). Më pas, duke e kremtuar festën për shtatë ditë, ata do të kujtoheshin për shpejtësinë e largimit të tyre. Por meqë majaja flet për mëkatin, ata do të kujtoheshin se ata që ishin shpenguar nga gjaku duhej të braktisnin mëkatin dhe botën (Egjiptin) pas krahëve. Kushdo që do të hante bukë të mbrujtur do të këputej – pra, do të përjashtohej nga kampi dhe privilegjet e tij. Në disa kontekste, shprehja «do të këputet» do të thotë «do të dënohet me vdekje». 12:21-27 Më pas shohim Moisiun që u përcjell udhëzimet pleqve të popullit. Më pas jepen hollësi të mëtejshme se si të spërkatin gjakun te dera. Hisopi mund të parafytyrojë besimin, që paraqet një zbatim vetjak të gjakut të Krishtit. Pashka do të sigurojë një pikënisje për mësimin prej brezit të ardhshëm të historisë së shpengimit kur ata do të kërkojnë domethënien e ceremonisë. 12:28-30 Në mesnatë ra goditja ashtu siç ishte paracaktuar. U dëgjua një klithmë e madhe në Egjipt, sepse nuk kishte shtëpi ku të mos kishte një të vdekur. Izraelitëve më në fund iu dha liria të largoheshin. [[1]] (12:11-20) Cole, Exodus, f. 108.[[1]]
[previous][next]