Dhënia e Ligjit (Eksodi 19-24)

A. Përgatitja për zbulesën (Kapitulli 19)

19:1-9 Bijtë e Izraelit tashmë mbërritën në malin Sinai. Pjesa tjetër e librit të Eksodit, i tërë libri i Levitikut dhe nëntë kapitujt e parë të Numrave paraqesin ngjarje që kanë ndodhur këtu. Nga Adami deri në këtë kohë nuk kishte pasur ligje të drejtpërdrejta nga Perëndia. Marrëveshjet e Perëndisë me popullin e Tij kishin qenë kryesisht të mbështetura mbi hir. Tashmë Ai u ofronte atyre një besëlidhje ligji me kusht: «Prandaj, në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin Tim dhe do të zbatoni besëlidhjen Time, do të jeni thesari Im i veçantë ndërmjet tërë popujve […] do të jeni për Mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë». Nëse ata do të dëgjonin, Ai do t’i bekonte. Populli, duke mos kuptuar natyrën mëkatare dhe paaftësinë e tij, pranoi menjëherë. Mudi (D. L. Moody) komenton:
«Ne do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti». Gjuhë e guximshme dhe vetëbesuese. Viçi i artë, pllakat e thyera, urdhrat e shenjtë të lënë pas dore, lajmëtarët e vrarë me gurë, mospranimi dhe kryqëzimi i Krishtit, janë prova të dukshme të betimeve të çnderuara të njeriut{{1}}.
[box title=”EPOKAT”]Ka një shkëputje të madhe këtu në historinë e marrëveshjeve të Perëndisë me njerëzimin, sidomos me kombin e Tij të zgjedhur, Izraelin. Ndryshimi në rendin e çështjeve njerëzore këtu dhe gjetkë tregon një ndryshim të epokave apo administratave. Agustini ka thënë dikur: «Nda kohët dhe Shkrimi harmonizohet». Perëndia e ka ndarë historinë njerëzore në epoka: «…me anë të të cilit i krijoi dhe epokat» (Heb. 1:2 RV). Këto epoka mund të jenë të gjata apo të shkurtra. Ajo që i dallon nuk është zgjatja e tyre, por mënyra se si Perëndia bën marrëveshje me njerëzimin në to. Ndërsa Vetë Perëndia nuk ndryshon kurrë, metodat e Tij po. Ai vepron në mënyra të ndryshme në kohë të ndryshme. Ne e quajmë mënyrën se si Perëndia kryen çështjen e Tij me njeriun gjatë një kohe të caktuar epokë. Teknikisht, një epokë nuk do të thotë një periudhë kohe, por administrim, një shërbim, një rend apo një ekonomi (fjala «ekonomi» vjen nga oikonomia, fjala greke e DhR për «epokë» apo «administrim»). Por është e vështirë të mendojmë për epokat pa menduar për kohën. Për shembull, historia e qeverisë së Shteteve të Bashkuara është ndarë në administrata. Mund të përmendim administratën e Kenedit apo të Bushit. Sigurisht nënkuptojmë mënyrën se si vepron qeverisja ndërsa këta presidentë ishin në detyrë. Pikë e rëndësishme është politikat që ndiqen, por ne domosdoshmërisht i lidhim ato politika me një periudhë të caktuar kohe. Prandaj mendojmë se një epokë është mënyra se si Perëndia bën marrëveshje me njerëzit gjatë një periudhe kohe të historisë. Marrëveshjet e Perëndisë të shtrira në kohë mund të krahasohen me mënyrën se si drejtohet një shtëpi. Kur një shtëpi përbëhet vetëm nga burri dhe gruaja, ndiqet një farë programi. Por kur ka fëmijë, ndërfutet plotësisht një tërësi tjetër politikash. Ndërsa fëmijët rriten, çështjet e shtëpisë trajtohen përsëri ndryshe. Ne shohim të njëjtin shembull në marrëveshjet e Perëndisë me racën njerëzore (Gal. 4:1-5). Për shembull, kur Kaini vrau vëllanë e tij, Abelin, Perëndia vuri një shenjë në të, që ndokush që do ta gjente të mos e vriste (Zanafilla 4:15). Më pas Perëndia caktoi ndëshkimin me vdekje, duke shpallur: «Cilido që derdh gjakun e një njeriu, gjaku i tij do të derdhet nga një njeri» (Zanafilla 9:6). Dallimi vjen për shkak të ndryshimit të epokave. Një shembull tjetër është Psalmi 137:8,9, ku shkrimtari hedh gjykime të ashpra mbi Babiloninë: «O bijë e Babilonisë, që duhet të shkatërrohesh, lum ai që do ta lajë të keqen që na ke bërë! Lum ai që merr foshnjat e tua dhe i përplas kundër shkëmbit!». Më vonë Zoti e mësoi përsëri popullin e Tij: «Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin» (Mt. 5:44). Duket qartë se gjuha e përshtatshme për psalmistin që jeton sipas ligjit nuk do të jetë më e përshtatshme për një të krishterë që jeton nën hir. Te Levitiku 11 disa ushqime u caktuan si të papastra. Por te Marku 7:19b Jezusi i quan të gjitha ushqimet të pastra. Te Esdra 10:3 judenjve iu tha të largonin gratë dhe fëmijët e tyre të huaj. Në DhR, besimtarët udhëzohen që të mos i largojnë (1 e Korintasve 7:12-16). Sipas ligjit vetëm kryeprifti mund të futej në praninë e Perëndisë (Heb. 9:7). Nën hir të gjithë besimtarët kanë liri hyrjeje në Vendin Shumë të Shenjtë (Heb. 10:19-22). Këto ndryshime në mënyrë të qartë tregojnë se ka pasur një ndryshim epoke. Jo të gjithë të krishterët janë në një mendje mbi numrin e epokave apo emrat e tyre. Në fakt, jo të gjithë të krishterët pranojnë epokat. Por ne mund të tregojmë ekzistencën e epokave si vijon. Së pari, ka të paktën dy epoka – ajo e ligjit dhe e hirit: «Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit» (Gjoni 1:17). Fakti që Bibla jonë është e ndarë në Dhiatën e Vjetër dhe të Re tregon se ka ndodhur një ndryshim epokash. Prova e mëtejshme jepet nga fakti se besimtarëve në këtë epokë nuk u kërkohet të ofrojnë flijime kafshësh. Kjo, gjithashtu, tregon se Perëndia ka ndërfutur një sistem të ri. Shumë pak të krishterë e kanë të vështirë të shohin këtë ndarje të madhe midis Dhiatave. Por nëse pranojmë se ka dy epoka, shtyhemi të besojmë se ekzistojnë tri, sepse epoka e Ligjit nuk u ndërfut deri te Eksodi, kapitulli 19, qindra vjet pas Krijimit. Kështu duhet të ketë pasur të paktën një epokë para ligjit (shikoni Rom. 5:14). Kjo bën tri të tilla. Dhe gjithashtu duhet të pranojmë epokën e katërt, sepse Shkrimi flet për «mrekullitë e jetës [epokës] së ardhshme» (Heb. 6:5). Kjo është koha kur Zoti Jezus Krisht do të kthehet për të mbretëruar në tokë, njohur ndryshe si Mijëvjeçari. Gjithashtu Pali bën dallimin midis kohës së tashme dhe kohës së ardhshme. Së pari, ai flet për një epokë që iu besua atij në lidhje me të vërtetën e ungjillit dhe kishës (1 e Korintasve 9:17; Efesianeve 3:2; Kolosianeve 1:25). Kjo është koha e tashme. Por më pas flet për kohën e ardhshme duke iu referuar (Efesianeve 1:10) «plotësimit të kohërave». Nga ky përshkrim del dukshëm se ajo kohë akoma nuk ka ardhur. Kështu, ne e dimë se nuk po jetojmë në kohën përfundimtare të historisë së botës. Dr. Skofildi (C. I. Scofield) rendit shtatë epoka, si vijon:
  1. Pafajësia (Zanafilla 1:28). Nga krijimi i Adamit deri te rënia e tij.
  2. Vetëdija apo përgjegjësia morale (Zanafilla 3:7). Nga rënia deri në fund të Përmbytjes.
  3. Qeverisja njerëzore (Zanafilla 8:15). Nga fundi i Përmbytjes deri te thirrja e Abrahamit.
  4. Premtimi (Zanafilla 12:1). Nga thirrja e Abrahamit deri te dhënia e Ligjit.
  5. Ligji (Eksodi 19:1). Nga dhënia e Ligjit deri te Dita e Rrëshajave.
  6. Kisha (Veprat e Apostujve 2:1). Nga Dita e Rrëshajave deri te Rrëmbimi.
  7. Mbretëria (Zbulesa 20:4). Mbretërimi mijëvjeçar i Krishtit{{2}}.
Ndërsa nuk është e rëndësishme të pranojmë hollësitë e sakta, është shumë e dobishme të shohim se ka tri epoka të ndryshme. Dallimi midis ligjit dhe hirit është tejet i rëndësishëm. Përndryshe do të merrnim pjesë të Shkrimit dhe do t’ua bashkangjitnim epokave të tjera dhe do t’ia referonim vetes sonë. Ndërsa tërë Shkrimi është i dobishëm për ne (2 Tim. 3:16), jo i gjithë u shkrua drejtpërdrejt për ne. Pjesë që merren me epokat e tjera gjejnë zbatim në ne, por interpretimi i tyre parësor është për kohën për të cilën u shkruan. Ne tashmë kemi vënë re shtrëngimet dietetike të Levitikut 11. Ndërsa kjo ndalesë nuk vlen për të krishterët sot (Marku 7:18,19), parimi bazë mbetet – që duhet të shmangim papastërtinë morale dhe frymërore. Perëndia i premtoi popullit të Izraelit se nëse ata do t’i bindeshin, Ai do t’i begatonte materialisht (Ligji i Perterire 28:1-6). Theksi atëherë vihej mbi bekimet materiale në vendet tokësore. Por kjo nuk është e vërtetë sot. Perëndia nuk premton se Ai do ta shpërblejë bindjen tonë me begati financiare. Në vend të kësaj, bekimet e kësaj epoke janë bekime frymërore në vendet qiellore (Efesianeve 1:3). Ndërsa ka ndryshime midis epokave të ndryshme, ka diçka që nuk ndryshon kurrë dhe ky është ungjilli. Shpëtimi gjithmonë merrej, merret dhe do të merret me anë të besimit në Zotin. Dhe baza e shpëtimit për çdo epokë është vepra e kryer e Krishtit në kryq{{3}}. Njerëzit në DhV shpëtoheshin duke besuar çfarëdolloj zbulese që u jepte Perëndia. Abrahami, për shembull, u shpëtua duke besuar në Perëndinë kur Vetë Perëndia tha se fara e patriarkut do të ishte e panumërt sa yjet në qiell (Zanafilla 15:5,6). Abrahami mbase nuk dinte shumë, për të mos thënë asgjë, për atë që do të ndodhte në Kalvar shekuj më vonë. Por Zoti dinte. Dhe kur Abrahami i besoi Perëndisë, Ai vuri në llogari të tij tërë vlerën e veprës së ardhshme të Krishtit në Kalvar. Ashtu siç ka thënë dikush, shenjtorët e DhV u shpëtuan «me kredi». Pra, ata u shpëtuan në bazë të çmimit që Zoti Jezus do të paguante shumë vite më vonë (kjo është domethënia e Romakeve 3:25). Ne jemi shpëtuar në bazë të veprës që Krishti kreu rreth 2000 vjet më parë. Por në të dyja rastet shpëtimi merret me anë të besimit në Zotin. Duhet të ruhemi nga çdo ide se njerëzit në epokën e Ligjit u shpëtuan duke zbatuar ligjin, apo duke ofruar flijime kafshësh. Ligji vetëm mund të dënojë, nuk mund të shpëtojë (Rom. 3:20). Dhe gjaku i demave dhe cjepve nuk mund të heqë as edhe një mëkat (Heb. 10:4). Jo, udha e shpëtimit të Perëndisë është me anë të besimit dhe vetëm me anë të besimit (shikoni Rom. 5:1)! Një pikë tjetër interesante për t’u mbajtur mend është kjo: Kur flasim për epokën e tashme të Kishës si epoka e Hirit, nuk nënkuptojmë se Perëndia nuk ishte i hirshëm në epokat e shkuara. Thjesht duam të themi se Perëndia tashmë po provon njeriun më shumë nën hir sesa nën ligj. Është gjithashtu e rëndësishme të kuptojmë se epokat nuk ndahen si me thikë. Shpesh ka një periudhë të përkohshme. Këtë e shohim te Veprat e Apostujve, për shembull. Kishës së re iu desh kohë për të hequr qafe disa nga simbolet e epokave të shkuara. Dhe është e mundur të ekzistojë një periudhë kohe midis Rrëmbimit dhe Mundimit të Madh gjatë së cilës Njeriu i Mëkatit do të shfaqet dhe tempulli do të ndërtohet në Jerusalem. Një fjalë e fundit. Ashtu si tërë gjërat e mira, studimi i epokave mund të keqpërdoret. Ka disa të krishterë që merren me studimin e epokave në mënyrë aq të skajshme, saqë pranojnë si të vlefshme për kishën sot vetëm letrat e Palit të shkruara në burg! Si rrjedhojë, ata nuk pranojnë pagëzimin apo Darkën e Zotit{{4}}, meqë nuk gjenden në letrat e Palit të shkruara në burg. Ata gjithashtu mësojnë se mesazhi i ungjillit të Pjetrit nuk ishte i njëjtë me atë të Palit (shikoni Gal. 1:8,9 për hedhjen poshtë të kësaj pike). Këta njerëz ndonjëherë quhen bullinxheritë (nga një mësues me emrin E. W. Bullinger). Paraqitja e tyre e tepruar e epokave nuk duhet pranuar.[/box] 19:10-20 Popullit iu tha të përgatitej për një zbulim nga Perëndia duke larë rrobat e tyre dhe duke mos pasur marrëdhënie seksuale. Kjo u caktua për t’u mësuar atyre domosdoshmërinë e pastërtisë në praninë e Perëndisë. Mali Sinai ishte një vend ndalimi. Asnjë këmbë njeriu apo kafshe nuk duhej ta prekte. Për ta prekur do të sillte dënimin me vdekje. Një shkelës nuk duhej të ndiqej në mal, por duhej të goditej me shigjeta apo me gurë nga larg. Vetëm Moisiu dhe Aaroni u lejuan të ngjiteshin (v. 24) dhe vetëm kur të binte briri i dashit. Mali ishte i mbuluar me një re dendur, pati bubullima dhe vetëtima, zjarr dhe tym, tërë mali dridhej fort. E tërë kjo skenë fliste për tmerret e takimit me Perëndinë, sidomos në bazë të zbatimit të ligjit. 19:21-25 Zoti përsëriti paralajmërimin e Tij ndaj Moisiut se populli nuk duhej të prekte malin. Moisiu në fillim nuk e pa të domosdoshme t’ia kujtonte popullit, por më vonë u bind. Priftërinjtë në vargjet 22 dhe 24 kishte gjasa të ishin bijtë e parëlindur.

B. Dhjetë Urdhërimet (Kapitulli 20)

Dhjetë Urdhërimet u ndanë nga Zoti Jezus në dy pjesë, njëra që shtjellon dashurinë ndaj Perëndisë dhe tjera dashurinë ndaj të afërmit (Mt. 22:37-40). Disa hedhin idenë se katër urdhërimet e para mësojnë dashurinë ndaj Perëndisë, ndërsa të tjerë mendojnë se janë pesë. Shprehja «Zoti, Perëndia yt» gjendet në pesë urdhërimet e para.

I

20:1-3 Nuk do të kesh perëndi të tjerë. Kjo është një ndalesë kundër adhurimit të shumë perëndive (politeizmi) apo kundër adhurimit të ndonjë perëndie tjetër përveç Jehovait.

II

20:4-6 Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë. Nuk ndalohet vetëm adhurimi i idhujve, por edhe ndërtimi i tyre. Kjo përfshin pikturat, imazhet dhe statujat që përdoren në adhurim. Megjithatë, nuk përfshin tërë pikturat apo statujat, meqë tabernakulli përmbante kerubinë në skulpturë. Gjithashtu, Perëndia i tha Moisiut të bënte një gjarpër prej bronzi (Num. 21:8). Urdhërimi pa dyshim u referohet pikturave apo shëmbëlltyrave të hyjnisë. Perëndia është një Perëndi xheloz – që do të thotë, xheloz i adhurimit dhe i dashurisë së popullit të Tij. Ai viziton padrejtësinë e etërve mbi fëmijët e tyre deri në brezin e tretë, përmes ligësisë, varfërisë, sëmundjeve dhe periudhës së jetës së shkurtuar të trashëguar. Por dashamirësia e Perëndisë zgjat mijëra (breza) për ata që e duan dhe që zbatojnë urdhërimet e Tij.

III

20:7 Përdorimi i emrit Perëndisë […] kot është e ndaluar. Kjo do të thotë të betohesh në emër të Perëndisë se një pohim i rremë është i vërtetë. Mund të përfshijë gjithashtu përdhosjen, mallkimin, betimet me ojna, apo betimi ndaj një premtimi dhe mospërmbushja e tij.

IV

20:8-11 Mbaje mend shabatin. Kjo përmendet për herë të parë te Zanafilla 2:1-3 dhe gjeti lidhje me mbledhjen e manës (Eksodi 16:1-36). Shabati më së pari iu dha kombit të Izraelit për një zbatim të rreptë. Ajo ishte një simbol i prehjes që besimtarët duhet të shijojnë në Krishtin dhe që një krijim i shpenguar do ta gëzojë gjatë Mijëvjeçarit. Shabati është dita e shtatë e javës, nga perëndimi i diellit të premten deri në perëndimin e diellit të shtunën. Në asnjë vend të DhR nuk urdhërohen të krishterët të zbatojnë shabatin.

V

20:12 Ndero atin dhe nënën. Të nderosh këtu do të thotë të bindesh. Vargu mëson se një jetë në bindje ndaj prindërve është lloji i jetës që, në përgjithësi, siguron ditë të gjata jete. Një jetë në mosbindje dhe mëkat zakonisht çon në vdekje të parakohshme. Ky është urdhërimi i parë me premtim (Efesianeve 6:2). Ai mëson respektin për pushtetin.

VI

20:13 Nuk do të vrasësh. Kjo i referohet në mënyrë të veçantë vrasjes dhe jo ndëshkimit me vdekje nga shteti apo vrasjes nga pakujdesia. Urdhërimi mëson respektin për jetën njerëzore.

VII

20:14 Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore. Ky ndalim mëson respektin për martesën dhe paralajmëron kundër shfrytëzimit të trupit të një njeriu tjetër. Mund të përfshijë çdo formë sjelljeje seksuale të paligjshme.

VIII

20:15 Nuk do të vjedhësh. Kjo i referohet çdo vepre me anë të të cilës një njeri gabimisht i zhvat një personi tjetër pasurinë. Ky urdhërim mëson respektin për pronën private.

IX

20:16 Nuk do të bësh dëshmi të rreme. Ky urdhërim ndalon dëmtimin e karakterit të një njeriu tjetër duke bërë pohime që nuk janë të vërteta dhe duke shkaktuar ndëshkim apo ekzekutim. Ky urdhërim mëson respektin për reputacionin e një njeriu.

X

20:17 Nuk do të dëshirosh. Urdhërimi i dhjetë kalon nga mendimet te veprimet dhe tregon se është mëkat të dëshirosh diçka që Perëndia nuk e ka si qëllim që ta kesh. Pali pohon se ky urdhërim prodhoi bindje të thellë për mëkat në jetën e tij (Rom. 7:7). 20:18-21 Pasi u dhanë Dhjetë Urdhërimet, populli u frikësua nga shfaqjet e pranisë hyjnore. Ata patën frikë se mos vdisnin nëse Perëndia do t’u fliste drejtpërdrejt, kështu Moisiu u bë ndërmjetësi i tyre. 20:22-26 Qëllimi i Ligjit të Moisiut ishte t’u tregonte njerëzve natyrën e tyre mëkatare. Më pas Perëndia në mënyrë të hirshme dha udhëzime për ngritjen e një altari, duke kujtuar popullin se mëkatarët mund t’i afroheshin Perëndisë në bazë të gjakut të derdhur. Altari flet për Krishtin si mënyra e afrimit ndaj Perëndisë. Njeriu nuk mund të japë asgjë për përsosmërinë e Krishtit, qoftë me anë të mjeteve të përpjekjes vetjake, apo hapave të arritjes njerëzore. Te priftërinjtë që ngjisnin shkallët e gjata, rrobat e hapura pa dashje mund të dukeshin në një mënyrë që do të ishte e papërshtatshme për një rast të tillë solemn.

C. Ligjet e ndryshme (Kapitujt 21-24)

1. Ligjet rreth skllevërve (21:1-11)
21:1-6 Pas dhënies së Dhjetë Urdhërimeve Perëndia dha shumë ligje të tjera të ndryshme për sjelljen e bijve të Izraelit. Një hebre mund të bëhej skllav për të shlyer një borxh, për të paguar për gjënë e vjedhur, apo duke u lindur nga një skllav hebre. Një skllav hebre duhej të punonte për gjashtë vjet, por në vitin e shtatë ai duhej të shkonte i lirë. Po të kishte grua kur bëhej skllav, e shoqja shkonte e lirë bashkë me të. Por nëse martohej gjatë periudhës së skllavërisë, atëherë gruaja dhe fëmijët e saj ishin pronë e zotërisë. Në një rast të tillë, ai mund të zgjidhte të mbetej skllav duke u shpuar në vesh te dera e shtëpisë, prandaj kështu në mënyrë të vullnetshme e njëjtësonte veten me shtëpinë e të zotit. Që tani e tutje ai «damkosej». Ky është një simbol i mrekullueshëm i Krishtit, Shërbëtorit të përsosur, që aq shumë na deshi, saqë nuk shkoi i lirë, por shkoi në kryqin e Kalvarit. Duke pasur parasysh atë që ka bërë Shpëtimtari për ne, ne duhet të jemi shërbëtorët e tij të gatshëm në çdo kohë, duke thënë fjalët e peshkop Mulit (Moule):
Zotëria im, më ço drejt derës; më shpo edhe një herë veshin tim të gatshëm. Kufijtë e Tu janë liri; më lejo të qëndroj me Ty për të vuajtur, duruar dhe t’u bindur{{5}}.
21:7-11 Në rastin e një shërbëtoreje ajo nuk mund të shkonte e lirë në vitin e shtatë nëse zotëria i saj e kishte marrë për grua apo konkubinë dhe nëse donte të përmbushte përgjegjësitë e tij ndaj saj. Nëse nuk donte, ajo duhej të shpengohej, por nuk u duhej shitur johebrenjve. Nëse ai e donte atë si grua për birin e tij, atëherë duhej të sillej me të si me çdo nuse djali. Nëse i zoti merrte një grua tjetër, ai akoma ishte përgjegjës për të siguruar çdo gjë për vajzën skllave dhe për t’i dhënë asaj drejtat e të bijave. Kjo e fundit mbase nuk do të thotë asgjë tjetër veç gjërave për të jetuar. Përndryshe, ajo duhej lënë e lirë pa paguar çmim. Fakti se Perëndia dha ligjet rreth skllavërisë nuk do të thotë se Ai e miraton atë. Ai vetëm po mbronte të drejtat qytetare të skllevërve.
2. Ligjet rreth dëmtimit vetjak (21:12-36)
21:12-14 Vargu 12 pohon rregullin e përgjithshëm se të vrasësh një tjetër sjell vendimin me vdekje mbi vrasësin. Një përjashtim bëhet në rastin e një vrasjeje nga pakujdesia; nëse vdekja ishte pa dashje, vrasësi i pakujdesshëm mund të gjente strehë te altari i Perëndisë, apo më vonë te vendet që u quajtën qytetet e strehimit. Por në rastet e një vrasjeje të vullnetshme, altari i Perëndisë nuk siguronte siguri për vrasësin. 21:15-17 Prindërit mbroheshin në mënyrë të veçantë duke e quajtur rrahjen e atit apo nënës një krim të ndëshkueshëm me vdekje. Grabitja dhe mallkimi i prindërve ishin gjithashtu krime të dënueshme me vdekje. 21:18,19 Nëse një njeri dëmtonte një tjetër në një zënkë, ai ishte përgjegjës të paguante për kohën e humbur në punë dhe gjithashtu shpenzimet e tij mjekësore. 21:20,21 Një zotëri mund ta ndëshkonte skllavin e vet, por nuk kishte të drejtë ta vriste. Nëse një skllav vdiste menjëherë pasi ishte rrahur, zotëria ishte fajtor; por nëse skllavi jetonte një ose dy ditë, zotëria nuk ndëshkohej, sepse dukej se ai nuk kishte qëllim ta vriste skllavin që për të vlente. 21:22 Nëse një grua me barrë goditej si rrjedhojë e një rrahjeje midis disave dhe ajo dështonte [lindte para kohës], edhe pse nuk kishte dëmtime serioze, atëherë burri i saj caktonte shumën e gjobës dhe gjykatësit gjykonin çështjen. 21:23-25 Rregulli i përgjithshëm rreth dëmtimit vetjak ishte jetë për jetë, sy për sy, dhëmb për dhëmb etj. Dënimi duhej të ndiqte krimin, duke shmangur butësinë e tepruar apo ashpërsinë e madhe. Në praktikë, të gjitha rastet, përveç rastit të vrasjes, mund të zgjidheshin duke paguar një gjobë (shikoni Num. 35:31). 21:26-36 Në rast se dikush dëmtonte syrin apo dhëmbin e skllavit të tij, skllavi lejohej të shkonte i lirë. Në rast se një ka papritur vriste një njeri, kau duhej të vritej me gurë dhe mishi i tij nuk do të hahej. Nëse i zoti i kaut e dinte se kau ishte i rrezikshëm dhe këtë ia kishin thënë të tjerët, atëherë edhe ai duhej të vritej. Por për të zotin ekzistonte mundësia për të paguar një gjobë në vend të jetës së tij. Gjoba do të ishte e njëjtë me vdekjen e një biri ose një bije. Për vdekjen e një skllavi, gjoba ishte tridhjetë sikla argjendi dhe kau duhej të vritej me gurë. Vini re: Juda tradhtoi Jezusin me të njëjtin çmim që duhej për një skllav të vrarë nga një ka, duke I vënë çmimin e një skllavi të vdekur. Në qoftë se dikush linte një grope të pambuluar, ai ishte përgjegjës për çdo humbje ndodhur kafshëve që binin në të. Në qoftë se kau i një njeriu vriste kaun e një tjetri, vlera e të dyja kafshëve ndahej në mënyrë të barabartë. Nëse i zoti i kafshës vrasëse i njihte zakonet e rrezikshme të tij, atëherë ai duhej të paguante për kafshën e vrarë, por ai vetë mund ta merrte kafshën e ngordhur.
3. Ligjet rreth vjedhjes dhe dëmtimit të pronës (22:1-6)
Vjedhësi duhej lajë dëmin e asaj që kishte vjedhur, shumën në bazë të natyrës së vjedhjes. Në rast se vjedhësi ishte vrarë gjatë natës, vrasësi nuk quhej fajtor; ai nuk mund të njihte arsyen e ardhjes së tij, për vjedhje apo vrasje. Por të vrisje një vjedhës gjatë ditës bënte fajtor vrasësin. Nëse hajduti i vargut 1 nuk do të lante dëmin, atëherë ai shitej si skllav. Nëse një kafshë e vjedhur gjendej e gjallë, hajduti duhej të kthente dyfishin e saj. Nëse një bujk lejonte një kafshë të kulloste në arën me grurë të komshiut, ai duhej të kthente të njëjtën shumë kishte më të mirë në arën apo vreshtin e tij. Ai që i shkujdesur i vinte zjarrin që shkatërronte të korrat duhej ta lante dëmin.
4. Ligjet rreth pandershmërisë (22:7-15)
22:7-13 Vargjet 7-9 shtjellojnë vjedhjen e parasë apo pasurisë që ruhej në besim nga një njeri për tjetrin. Ai që vidhte duhej të kthente dyfishin. Në rast se nuk gjendej vjedhësi, ai që ruante paratë në kasafortë duhej të dilte para Perëndisë [apo gjykatësit] për të parë nëse ai vetë ishte fajtor. Në çdo rast thyerjeje besimi, gjykatësit vendosnin nëse paditësi apo i padituri ishin fajtorë, më pas kërkohej kthimi i dyfishtë. Nëse një kafshë ngordhte, plagosej ose dhe merrej pa e parë njeri ndërsa ruhej me mirëbesim dhe, nëse kujdestari i pronës betohej para Zotit se ajo që kishte ndodhur nuk mundej të parandalohej nga ai, nuk ishte e nevojshme larja e dëmit. Në rast se kafsha vidhej nga pakujdesia e kujdestarit, ai duhej ta lante dëmin. Asnjë larje dëmi nuk kërkohej për një kafshë të shqyer nëse kufoma çohej si provë. 22:14,15 Nëse një kafshë e marrë hua plagosej apo vritej, huamarrësi duhej të dëmshpërblinte dëmin. Por në qoftë se i zoti ishte i pranishëm kur ndodhi dhe mundte ta mbronte, nuk ishte e nevojshme asnjë larje dëmi. Asnjë larje dëmi nuk bëhej në rastin e një kafshe të marrë me qira, meqë rreziku i humbjes përfshihet në çmim.
5. Ligjet rreth mashtrimit me anë të joshjes (22:16,17)
Në qoftë se dikush joshte një vajzë ende të pafejuar për të mëkatuar, ai ishte i detyruar të martohej me të dhe duhej të paguante pajën e rregullt. Në qoftë se ati nuk pranonte prerazi t’ia japë vajzën e tij për t’u martuar, burri përsëri duhej t’i paguante «për pajën e vajzave të virgjëra» babait, meqë mundësia që vajza të martohej ishte bërë tepër e pakët.
6. Ligjet rreth detyrimeve qytetare dhe fetare (22:18-23:19)
22:18-20 Tre krime me vdekje përveç vrasjes ishin magjia apo shtrigëria, marrëdhëniet seksuale me një kafshë dhe idhujtaria. 22:21-24 Judenjtë duhet të tregoheshin dashamirës me të huajt në vendin e tyre, sepse edhe ata kishin qenë të huaj në vendin e huaj. Trajtimi njerëzor duhej të ishte edhe ndaj vejushave dhe fëmijëve jetimë. Zoti u betua me Veten e Tij për të detyruar këtë urdhërim. Njerëzit u caktuan të ndëshkonin më tepër dhunimet e tyre, por në këtë rast Perëndia do të ndëshkonte Vetë. Ai nuk e ka ndryshuar qëndrimin e Tij ndaj të pambrojturve. Ai akoma kujdeset për gruan e ve dhe jetimët dhe ne si besimtarë duhet të bëjmë të njëjtën gjë. 22:25-27 Asnjë interes nuk duhej ngarkuar mbi paranë dhënë një izraeliti, edhe pse mund t’i mbahej një johebreu (Ligji i Perterire 23:20). Veshja e marrë si peng duhej të kthehej para mbrëmjes, meqë ajo rrobë përdorej si mbulesë për të fjetur. 22:28-31 Ishte e ndaluar të blasfemohej Perëndia apo të mallkohej princi (kr. Veprat e Apostujve 23:5). Zoti duhej të merrte pjesën e Vet, qoftë nga të korrat, nga bijtë apo nga kafshët. Kafshët e parëlindura duhej të ofroheshin ditën e tetë. Ishte e ndaluar të hanin mish të ndonjë kafshe të shqyer në fusha. Në një rast të tillë, gjaku nuk do të kishte kulluar menjëherë dhe të haje gjak ishte thyerje e ligjit të Perëndisë (Lev. 17:1-16). Gjithashtu, ekzistonte rreziku i infeksioneve nga sëmundje të ndryshme të përhapura nga kafshët (si për shembull sëmundja e tërbimit), nga të cilat Perëndia po mbronte popullin e Tij. 23:1-12 Në çështjet gjyqësore ndalohej të hapej ndonjë fjalë e rreme, ndalohej të bashkuarit me të pabesin për të mbrojtur fajin, të bashkuarit me një shumicë të ligë apo favorizimi i të varfrit në gjyqin e tij. Asnjë dashaligësi nuk duhej treguar kundër kafshës që i përkiste një armiku. Nëse humbiste, duhej t’i kthehej të zotit; dhe nëse do të rrëzohej me një ngarkesë të rëndë, i duhej dhënë ndihma këmbëve të saj. Duhej treguar drejtësi për të varfrit e i pafajshmi dhe i drejti nuk duheshin dënuar me anë të dredhive të liga ligjore. Ndalohej të merrej dhuratë, apo të shtypej i huaji. Viti i shtatë ishte një shabat, gjatë të cilit vendi duhej të mbetet djerrë. I varfëri lejohej të merrte atë që rritej vetë atë vit. Dita e shtatë ishte gjithashtu ditë pushimi për zotërinë, shërbëtorin dhe kafshën. Vini re se Perëndia i DhV ishte i mëshirshëm dhe i drejtë, në dallim me paditë e ngritura kundër Tij nga kritikët mosbesues modernë. 23:13-17 Judenjve u ndalohej të shqiptonin emrin e perëndive të tjerë (idhujve) përveç rastit kur i mallkonin ata, ashtu siç bënë profetët. Tri festa të mëdha duhej të zbatoheshin nga judenjtë për Jehovain: 1. Festa e të ndormeve. Ajo kremtohej në fillim të vitit, menjëherë pas festës së Pashkës. Ajo flet për rëndësinë e largimit të jetëve tona nga ligësia dhe paudhësia. 2. Festa e korrjes, quajtur gjithashtu Rrëshajë dhe festa e Javëve. Ajo flet për ardhjen e Frymës së Shenjtë në ditën e Rrëshajave dhe formimin e kishës. 3. Festa e të vjelave, quajtur gjithashtu festa e Tabernakullit. Ajo simbolizon banimin në mënyrë të sigurt në vend gjatë Mijëvjeçarit. Meshkujve të rritur u kërkohej të merrnin pjesë në këto festa; për të tjerët ishte me dëshirë. Në DhR ne shohim jo vetëm Jozefin, por dhe Marinë e Jezusin fëmijë duke shkuar vit për vit në Jerusalem për festën e Pashkës (Luka 2:41). 23:18,19 Buka e mbrujtur (mbrujtja përfaqëson mëkatin) nuk duhej përdorur bashkë me gjakun e flisë së Perëndisë, pra, Pashkës. Yndyra e ofertës ishte e Zotit, sepse nënkuptonte pjesën më të mirë; ajo nuk duhej të lihej deri në mëngjes, por duhej djegur. Pjesa më e mirë e frutave të para të tokës duheshin çuar në shtëpinë e Zotit. Një kafshë nuk duhej gatuar kur ishte me qumështin e nënës së tij. Kjo me siguri kishte si qëllim goditjen e riteve të pjellorisë praktikuar nga idhujtarët. Judenjtë ortodoksë sot nuk e gatuajnë mishin dhe qumështin në të njëjtën enë. Gjithashtu, ata nuk e hanë mishin në një kupë akulloreje etj.{{6}}
7. Ligjet rreth pushtimit (23:20-33)
Këtu Perëndia premton të dërgojë një Engjëll (Vetë Zoti) para izraelitëve, për t’i udhëhequr në Tokën e Premtuar dhe për të përzënë banorët paganë. Nëse judenjtë nuk shkonin pas idhujtarisë dhe i bindeshin Zotit, Ai do të bënte gjëra të mëdha për ta. Rreth paralajmërimit kundër mosbindjes, Henri shkruan:
Bëjmë mirë të mos ngacmojmë mbrojtësin dhe mirëbërësin tonë [Zotin], sepse nëse mbrojtja e Tij na largohet dhe burimet e mirësisë së Tij priten, jemi të mbaruar{{7}}.
Vendi i tyre do të shtrihej nga Deti i Kuq në detin e filistenjve (deti Mesdhe) dhe nga shkretëtira (Negevi në jug të Kanaanit) deri te Lumi (Eufrat). Vini re urdhrin për të përzënë banorët e vendit. Nuk duhej të kishte asnjë marrëveshje, asnjë idhujtari, asnjë përzierje me martesë. Perëndia kishte premtuar tashmë të shfaroste kanaanejtë e ligë, por Izraeli duhej të bashkëpunonte. Kjo shtron një parim të rëndësishëm frymëror: Perëndia do të na japë fitoren mbi armiqtë tanë (botën, mishin dhe djallin), por Ai pret nga ne që të luftojmë luftën e mirë të besimit. Vargu 33 ka pjesën plotësuese te 2 e Korintasve 6:14-18. Ndarja nga bota ka qenë gjithmonë vullneti i Perëndisë për popullin e Tij. Dështimi i Izraelit ndaj bindjes së këtij urdhri çoi në rënien e tij. Është akoma e vërtetë se «shoqëria e keqe prish zakonet e mira».
8. Ratifikimi i Besëlidhjes (24:1-8)
24:1,2 Moisiu ishte në malin Sinai kur Perëndia i përcolli atij ligjet dhe rregullat që përfshihen te Eksodi, kapitujt 20-23. Para se Moisiu të largohej nga maja e malit, Perëndia i tha të kthehej me Aaronin dhe dy bijtë e tij, Nadabin dhe Abihun dhe me shtatëdhjetë nga pleqtë. Megjithatë, vetëm Moisiu duhej t’i afrohej Zotit; të tjerët duhej të qëndronin në një farë largësie. Nën ligj, largësia duhej të ruhej midis mëkatarit dhe Perëndisë. Nën hir, ne kemi «liri të plotë për të hyrë në shenjtërore me anë të gjakut të Jezusit» (Heb. 10:19). Ligji thotë: «Ata nuk do të afrohen». Hiri thotë: «Le t’i afrohemi» (Heb. 10:22). 24:3-8 Më pas Moisiu zbriti te populli dhe u dha atyre ligjin. Ata menjëherë pranuan ta zbatonin, duke mos kuptuar fare dobësinë e tyre për të bërë një gjë të tillë. Për të ratifikuar këtë besëlidhje me kushte midis Perëndisë dhe Izraelit, Moisiu në fillim ngriti […] një altar me dymbëdhjetë shtylla (për dymbëdhjetë fiset e Izraelit). Më pas mori […] gjakun nga ofertat dhe e shpërndau […] gjysmën […] mbi altar (duke përfaqësuar pjesën e Perëndisë në besëlidhje) dhe gjysmën mbi popullin (duke nënkuptuar vendosmërinë e tyre për të zbatuar pjesën e tyre të marrëveshjes).
9. Zbulimi i lavdisë së Perëndisë (24:9-18)
24:9-11 Pas kësaj, Moisiu dhe të tjerët u ngjitën përsëri në malin Sinai, ashtu siç u udhëzuan në vargjet 1 e 2. Atje ata panë Perëndinë në lavdinë e Tij. Zakonisht, të shohësh Perëndinë nënkuptonte vdekjen e dikujt, por këtu nuk ndodhi kështu. Ata nuk u shfarosën; ata e panë Perëndinë dhe hëngrën dhe pinë. Me fjalë të tjera, ata panë Perëndinë dhe jetuan për të ngrënë ofertën e paqes. Duket sikur ka një paradoks në Bibël për sa i përket çështjes së të parit të Perëndisë. Nga njëra anë, ka vargje që tregojnë se është e pamundur të shohësh Perëndinë (Eksodi 33:20; Gjoni 1:18 dhe 1 Gjonit 4:12). Nga ana tjetër, ka pjesë që flasin për njerëz që kanë parë Perëndinë, si për shembull Zanafilla 32:30; Eksodi 24:10; 33:23. Shpjegimi është se ndërsa Perëndia në lavdinë e Tij të pazbuluar është një zjarr konsumues që do të shkrinte çdokënd që do ta shikonte, megjithatë Ai mund ta zbulojë Veten në formën e një njeriu, një engjëlli apo një reje lavdie (Ligji i Perterire 5:24), që një njeri mund ta shohë dhe të jetë akoma gjallë. 24:12-18 Një ngjitje e ndryshme në malin Sinai përshkruhet në pamje të parë këtu. Këtë herë Jozueu shoqëroi Moisiun, duke qëndruar në një farë largësie nga ai. Gjatë mungesës së tij, ai caktoi Aaronin dhe Hurin të shërbenin si gjyqtarë për popullin. Për gjashtë ditë Moisiu priti në anën e malit ndërsa reja e lavdisë mbulonte majën e tij. Atëherë, me ftesën e Perëndisë, ai u ngjit në majë dhe hyri në re, ku do të qëndronte për dyzet ditë dhe dyzet net. Numri dyzet është numri i provës. Këtu prova është më fort për popullin sesa për Moisiun. Ata nuk i bënë ballë provës, duke u zhytur në mëkat. Prandaj Zoti zbuloi me anë të ligjit se çfarë kishte në zemër të njeriut. Udhëzimet e Moisiut marrë gjatë kësaj kohe janë regjistruar deri te Eksodi 31:18. [[1]] (19:1-9) D. L. Moody, Notes From My Bible, f. 33,34.[[1]] [[2]] The New Scofield Study Bible, New King James Version, f. 4.[[2]] [[3]] Padia e lashtë se përkrahësit e epokave besojnë në «shtatë mënyra të ndryshme të marrjes së shpëtimit» është plotësisht e rreme.[[3]] [[4]] Disa nuk e pranojnë njërën prej simboleve të shenjta.[[4]] [[5]] (21:1-6) Kjo është strofa e dytë e himnit të peshkop Handley C. G. Moule: “My Glorious Victor, Prince Divine”, Hymns of Truth and Praise, nr. 535.[[5]] [[6]] (23:18,19) Judenjtë ortodoksë kanë komplete enësh porcelani: ca për prodhimet e mishit dhe ca për ato të qumështit. Për t’ua larguar mendjen judenjve nga ngrënia e prodhimeve të mishit e të qumështit në të njëjtin ushqim, disa kafene në Izrael i detyrojnë njerëzit të kalojnë në dy rreshta për t’i marrë të dyja. Një kafene në Jerusalem u vizitua nga botuesi i këtij vëllimi, u vu në rreshtat e mishit e të qumështit në salla të ndryshme![[6]] [[7]] (23:20-33) Henry, “Exodus”, I:376.[[7]]
[previous][next]