Ligjet rreth sjelljes vetjake (Levitiku 18 – 22)

A. Ligjet rreth pastërtisë seksuale (kapitulli 18)

18:1-5 Kapitulli 18 shtjellon forma të ndryshme të martesave të palejueshme, të cilat izraelitët i kishin praktikuar në Egjipt, por prej të cilave duhej të hiqnin dorë në vendin e Kanaanit. 18:6-18 Shprehja «për të zbuluar lakuriqësinë» këtu do të thotë të kesh marrëdhënie seksuale. Vargu 6 pohon parimin e përgjithshëm. Martesa me një kushëri të afërt ishte e ndaluar, qoftë me nënën (v. 7), qoftë me njerkën (v. 8), motrën apo vajzën e njërit prej prindërve (v. 9), mbesën (v. 10), motrën nga njerka (v. 11); hallën apo tezen (v. 12,13), xhaxhain (v. 14a). Mjekësia moderne miraton se në martesat prej të afërmve nga gjaku, dobësitë fizike apo mendore të prindërve zakonisht zmadhohen te fëmijët. Por ndalimi shtrihet edhe te krushqia dhe te kushërinjtë nga martesa po ashtu (v. 14b-16), ndonjëherë të njohura si marrëdhëniet e afrisë. Një arsye e dhënë ndonjëherë për këtë kod të mëvonshëm është se termi «një mish» te Zanafilla 2:24 përshkruan një marrëdhënie familjeje, që është aq e afërt dhe e qëndrueshme, saqë edhe bashkimi mes të afërmve të lindur nga martesa quhet incest. Një burrë nuk duhet të martohet me bijën e birit, as me bijën e gruas (ku bija e gruas është nga një burrë tjetër), as me bijën e bijës së gruas (v. 17), apo të marrë një grua si rivale të motrës së saj (v. 18), si në rastin e Anës dhe Peninës (1 i Samuelit 1:1-8). Vargu 16 është ndrequr më vonë nga Ligji i Perterire 25:5: Nëse një njeri vdiste pa pasur fëmijë, vëllai i tij ishte i detyruar të martohej me vejushën. Kjo njihej si martesa levirate. 18:19-21 Marrëdhënia martesore me një grua ishte e ndaluar gjatë periudhës së zakoneve. Tradhtia bashkëshortore me gruan e fqinjit ishte e ndaluar. Gjithashtu të ndaluara ishin ndonjëherë praktikat e tmerrshme të lidhura me adhurimin e idhullit Molek, duke bërë që foshnjat e sapolindura «të kalonin birin apo bijën nëpër zjarr» (2 i Mbreterve 23:10; Jer. 32:35). Moleku ishte perëndia i amorejve: shëmbëlltyra e tij prej idhulli ndodhej në luginën e Hinomit. Frensis Sheferi (Francis Schaeffer) përshkruan këtë rit:
Sipas një tradite kishte një të çarë në kurriz të idhullit të bronztë dhe më pas bëhej një zjarr brenda tij. Çdo prind duhej të afrohej dhe me duart e veta vendoste të parëlindurin e vet në duart e Molekut, të cilat ishin të bardha nga nxehtësia e zjarrit. Sipas kësaj tradite, prindi nuk lejohej të shfaqte emocione dhe u binin daulleve që të mos dëgjoheshin të qarat e fëmijës ndërsa vdiste në duart e Molekut [22].
18:22,23 Homoseksualizmi ishte i ndaluar, po ashtu edhe marrëdhënia seksuale me një kafshë. Në ligjet kundër homoseksualizmit, Perëndia mund të ketë pasur parasysh edhe epideminë moderne të SIDA-s dhe përpjekjen për të shpëtuar njerëzit nga ajo. 18:24-30 Vargjet 1-23 u thonë njerëzve se çfarë nuk duhet të bëjnë; vargjet 24-30 u thonë atyre pse nuk duhet t’i bëjnë. Nuk është e rastësishme që papastërtia dhe idhujtaria gjenden së bashku në të njëjtin kapitull (shikoni gjithashtu kapitullin 20). Morali i një njeriu është fryti i teologjisë së tij, konceptit të tij mbi Perëndinë. Kanaanejtë ishin një ilustrim grafik i rënies që sjell idhujtaria (v. 24-27). Kur bijtë e Izraelit zotëruan vendin, ata vranë me mijëra nga këta njerëz me urdhrin e Perëndisë. Kur marrim në shqyrtim rënien morale të kanaanejve, ashtu siç përshkruhet në vargjet 24-30 mund të kuptojmë se pse Perëndia u soll aq ashpër me ta.

B. Ligjet rreth jetës së përditshme (kapitulli 19)

19:1-25 Baza e tërë shenjtërisë gjendet në fjalët «Unë Zoti, Perëndia juaj, jam i shenjtë» (v. 2). Ligje të ndryshme për sjelljen e popullit parashtrohen këtu, si vijon:
Nëna dhe ati duheshin nderuar (v. 3) – urdhërimi i pestë. Shabati i Perëndisë duhej të zbatohej (v. 3) – urdhërimi i katërt. Idhujtaria ishte e ndaluar (v. 4) – urdhërimi i dytë. Ngrënia e flijimit të falënderimit ditë e tretë ishte e ndaluar (v. 5-8). Në korrjen e një are pronari duhej të linte pak grurë nëpër cepat e saj për të varfrin dhe për të huajt (v. 9,10). Të korrat e arave dhe të rrushit përmenden si shembuj, jo si listë e plotë. Vjedhja, mashtrimi dhe gënjeshtra ishin të ndaluara (v. 11) – urdhërimi i tetë. Betimi në emrin e Perëndisë ndaj një pohimi të rremë ishte i palejueshëm (v. 12) – urdhërimi i tretë. Mashtrimi, plaçkitja apo rroga jo e dhënë në mënyrë të drejtë ishin të ndaluara (v. 13). Mallkimi i të shurdhërit apo të verbërit për t’u penguar ishte i dënueshëm (v. 14). Njerëzit duhej të shprehnin nderimin e tyre për Jehovain nëpërmjet respektit të tyre për njëri-tjetrin (25:17). Të paaftët fizikë (v. 14), të moshuarit (v. 32) dhe të varfrit (25:26,43) duheshin trajtuar të gjithë me mirësi nga ata që kishin frikë nga Zoti. Shfaqja e anësisë në gjykim ishte e ndaluar (v. 15). Shpifja apo përbetimi kundër jetës së të afërmit ishin të ndaluara (v. 16). Urrejtja e vëllait ishte e ndaluar: «Qorto gjithashtu fqinjin tënd, por mos u ngarko me asnjë mëkat për shkak të tij» (v. 17). Çështjet duhej të zgjidheshin në mënyrë të hapur dhe të ndershme që të mos bëheshin shkaku i armiqësisë së brendshme, gjë që çon në mëkat të jashtëm. Të hakmarrurit apo nxitja e smirës ishte e ndaluar (v. 18). Pjesa e dytë e vargut 18, të duash të afërmin tënd si veten tënde, është përmbledhja e tërë ligjit (Gal. 5:14). Jezusi tha se ky ishte urdhri i dytë më i madh (Marku 12:31). Urdhri më i madh gjendet te LiP 6:4,5. Vargu 19 përgjithësisht kuptohet se ndalon kryqëzimin e kafshëve që sjellin mushkë. Gjithashtu, mbjellja e një are me lloje të ndryshme farërash apo veshja e një palë rrobash të endura me materiale të ndryshme ishte e ndaluar. Perëndia është një Perëndi i ndarjes dhe në këto shembuj fizikë Ai po mësonte popullin e Tij të ndahej nga mëkati dhe ndotja. Nëse një njeri kishte marrëdhënie të palejueshme me një grua që ishte e fejuar me tjetrin, që të dy ndëshkoheshin dhe ai detyrohej të sillte një fli për shkeljen (v. 20-22). Kur të vendoseshin në Kanaan, izraelitët nuk duhej të merrnin frutin e pemëve të tyre për tre vjet. Fruti i vitit të katërt duhej t’i ofrohej Zotit dhe në vitin e pestë fruti mund të hahej (v. 23-25). Mbase fruti i vitit të katërt u takonte levitëve ose, ashtu siç ka hedhur mendimin një komentues, hahej para Zotit si pjesë e së dhjetës së dytë.
19:26-37 Praktika të tjera të ndaluara ishin: ngrënia e mishit, gjaku i të cilit nuk ishte kulluar (v. 26a); praktika e magjisë (v. 26b); prerja e flokëve sipas praktikave idhujtare (v. 27); kryerja e prerjeve në mishin e dikujt si një shprehje zie për një të vdekur (v. 28a); kryerja e prerjeve dhe shenjave në trup siç bënin paganët (v. 28b); dhënia e bijës dikujt për ta bërë kurvë, ashtu siç ishte e zakontë në adhurimin pagan (v. 29); shkelja e Shabatit (v. 30); këshillimi me mediumët dhe magjistarët (v. 31). Duhej të tregohej nder ndaj të moshuarve (v. 32) dhe me të huajt duhej të silleshin me mirësi dhe bujari (v. 33,34). Ishin të pranuara punët kur bëheshin me drejtësi (v. 35-37).

C. Ndëshkimi për fyerjet e rënda (kapitulli 20)

Ky kapitull jep ndëshkimet për disa nga shkeljet e renditura në kapitujt 18 e 19. Ai që kalonte fëmijën e tij në zjarr si një ofertë ndaj Molekut duhej të goditej me gurë për vdekje (v. 1-3). Në rast se populli nuk e vriste, Perëndia do ta shfaroste atë dhe familjen e tij (v. 4,5). Ndëshkimi me vdekje shpallej gjithashtu kundër atij që këshillohej me mediumët dhe magjistarët (v. 6); atij që mallkonte të atin ose të ëmën (v. 9); kundër shkelësit dhe shkelësessë kurorës (v. 10); atij që kryente incest me gruan e atit të tij (v. 11) apo me nusen e birit të tij (v. 12) dhe kundër një sodomisti [homoseksuali] (v. 13). (Që të dy duhej të vriteshin në këto raste marrëdhëniesh seksuale të palejueshme). Në rast se një njeri kishte marrëdhënie të palejueshme seksuale me nënën dhe vajzën e saj, që të tre shkelësit duhej të digjeshin (v. 14). Shthurja seksuale midis njerëzve dhe kafshëve ishte një krim që dënohej me vdekje; si njeriu, ashtu edhe kafsha duheshin vrarë (v. 15,16). Ndëshkimi me vdekje (ose, ashtu siç mendon dikush, shfarosje me përjashtim) u shpall kundër marrëdhënieve me një motër apo një motër nga njëri prej prindërve (v. 17), apo me një grua në periudhën e zakoneve (v. 18). Marrëdhënia me një hallë gjykohej se «që të dy do të mbajnë dënimin e paudhësisë së tyre», por nuk jepen hollësi të tjera (v. 19). Disa mendojnë që nënkupton se ata duhet të vdisnin pa pasur fëmijë, ashtu si në vargun 20, ku një njeri kishte marrëdhënie me gruan e xhaxhait të tij dhe në vargun 21, ku shkelësi ishte me një motër vetëm nga nëna apo babai. Vargu 21 kishte vlerë për aq kohë sa vëllai ishte gjallë. Nëse ai vdiste pa pasur fëmijë, për të mbajtur gjallë emrin e tij, vëllai i tij ishte i detyruar të martohej me vejushën dhe t’i vinte emrin djalit të parë të atit të vdekur (Ligji i Perterire 25:5). Bashkime të tilla njiheshin si martesa levirate. Dëshira në zemrën e Perëndisë ishte të kishte një popull të shenjtë, të ndarë nga neveritë e paganëve dhe të gëzonin bekimet e Tokës së Premtuar (v. 22-26). Mediumët dhe magjistarët duhej të shfaroseshin me gurë (v. 27).

D. Sjellja e priftërinjve (kapitujt 21,22)

Kapitujt 21 e 22, bashkë më 16 e 17, u drejtohen Aaronit dhe bijve të tij. 21:1-4 Priftërinjtë nuk duhej të ndoteshin duke prekur një të vdekur veç në rastin e një afërmi tij gjaku. Edhe hyrja në çadrën e të vdekurit e ndotte një njeri për shtatë ditë (Num. 19:14). Kjo do ta bënte një prift të paaftë për t’i shërbyer Zotit gjatë asaj kohe, kështu që atij nuk i lejohej që të bëhej i papastër për njeri tjetër, veç për një afërmtij gjaku. Vargu 4 mbase nënkupton se, për shkak të rangut të tij të lartë, ai nuk do të ndotej për asnjë arsye përveç rastit të përmendur më sipër në vargun 2 e 3. 21:5-9 Praktikat e paganëve në shfytyrimin e trupave të tyre me shenja zie për të vdekurit ishin të të ndaluara. Prifti nuk lejohej të martohej me një grua të përdhosur nga prostitucioni apo një grua të ndarë nga burri. Megjithatë, ai mund të martohej me një vejushë. Vajza e një prifti që bëhej kurvë duhej të digjej për vdekje. 21:10-15 Një kryeprift nuk lejohej të mbante zi në mënyrat e zakonshme, apo të linte shenjtëroren për t’i treguar nderim të vdekurit. Ai duhej të martohej me virgjëreshë izraelite dhe jeta e tij martesore duhej të ishte e paqortueshme. 21:16-24 Një gjymtim fizik e pengonte dikë nga shërbimi i priftërisë – verbëria, të çalët, shformimet e fytyrës, gjymtyrët e shformuar, plagët në këmbë apo duar, të qenurit gungaç, të qenurit shkurtabiq, sytë me të meta, sëmundjet kruajtëse, zgjebja apo organet riprodhuese të dëmtuara. Çdo bir iAaronit që kishte të meta si një prej këtyre mënyrave mund t’u shpërndante bukën priftërinjve, por nuk mund të shërbente si prift me të gjitha të drejtat para Zotit (v. 22,23). Ushqimi i shenjtë ishte pjesa e priftërinjve e ofertës së falënderimit. Ushqimi shumë i shenjtë ishte pjesa e tyre e ofertave të tjera. Priftërinjtë që ofronin flijime duhej të ishin pa asnjë gjymtim, sepse ata përfaqësonin Krishtin si Kryepriftin tonë të patëmetë. 22:1-9 Nëse një prift ishte i papastër nga ana ceremoniale përmes lebrës, përmes një fluksi të vazhdueshëm, prekjes së diçkaje të ndotur nga një trup i vdekur, ngrënies së mishit me gjak të pakulluar apo për ndonjë arsye tjetër, ai nuk duhej të merrte nga ushqimi i priftërinjve. Kjo nënkuptohet nga shprehja: «të heqin dorë nga gjërat e shenjta» (v. 2). Nëse prifti ishte lebroz, apo kishte një plagë të vazhdueshme, qëndrimi larg shërbesës për të zgjaste edhe më tepër. Në rastet e tjera të përmendura, për priftin vlenin ritet që vijojnë: më së pari ai duhej të lante veten, më pas të priste deri në mbrëmje, kohë në të cilën do të ishte i pastër përsëri. 22:10-13 Në përgjithësi, të huajve, vizitorëve dhe shërbëtorëve të punësuar nuk u lejohej të hanin ushqimin e shenjtë. Por një skllav që ishte blerë nga prifti, po ashtu edhe fëmijët e skllavit, mund të hanin. Në qoftë se bija e priftit ishte martuar me një të huaj, ajo nuk lejohej të hante, por nëse ishte vejushë apo e ndarë nga burri, pa fëmijë dhe jetonte me të atin, atëherë ajo mund të hante nga ushqimet e priftërinjve. 22:14-16 Në qoftë se dikush hante gabimisht ushqimin e shenjtë, mund të bënte shlyerjen e borxhit duke e zëvendësuar atë dhe duke shtuar një të pestën, si në rastin e flijimit të shkeljes. 22:17-30 Oferta që do t’i çohej Zotit duhej të ishte pa të meta (v. 19), qoftë për olokaustin (v. 18-20) apo për ofertën e falënderimit (v. 21). Kafshët e sëmura, të gjymtuara apo të shpërfytyruara ishin të ndaluara (v. 22). Një ka ose një dele me një këmbë shumë të gjatë apo të shkurtër mund të paraqiteshin si një ofertë vullnetare, por jo si ofertë kushtimi (v. 23). Kafshët e tredhura apo ato me organe riprodhuese të dëmtuara nuk ishin të pranueshme (v. 24). Izraelitët nuk duhej të pranonin ndonjë nga kafshët e mësipërme të dëmtuara si një ofertë nga një i huaj (v. 25). Një kafshë flijimi nuk duhej të ofrohej nëse nuk kishte të paktën tetë ditë jetë (v. 26,27). Kafsha nënë me gjithë të voglin e saj nuk duhej të vriteshin në të njëjtën ditë (v. 28). Mishi i një oferte falënderimi duhej të hahej po atë ditë që ofrohej (v. 29,30). 22:31-33 Paragrafi i fundit shpjegon se pse izraelitët duhej të respektonin dhe të vinin në zbatim tërë urdhërimet e Zotit. Ishte ngaqë Perëndia që i nxori nga vendi i Egjiptit është i shenjtë. Disa shprehje në këtë pjesë të shkurtër theksojnë mesazhin e Levitikut si një të tërë: «nuk do të përdhosni»,«emrin Tim të shenjtë», «do të shenjtërohem» dhe «Unë jam Zoti që ju shenjtëron». [22] Francis A. Schaeffer, The Church at the End of the 20th Century, f. 126.[[22]]

Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. ↵ Kthehu mbrapa