A. Pararendësi i Shërbëtorit përgatit udhën (1:1-8)
1:1 Tema e Markut është lajmi i mirë rreth Jezus Krishtit, Birit të Perëndisë. Ngaqë qëllimi i tij është që të theksojë rolin shërbyes të Zotit Jezus, ai nuk fillon me një gjenealogji, por me shërbesën publike të Shpëtimtarit. Kjo qe shpallur nga Gjon Pagëzori, kumtuesi i lajmit të mirë. 1:2-3 Si Malakia ashtu edhe Isaia{{1}} parathanë se Mesia do të paraprihej nga një lajmëtar, i cili do t’i thërriste njerëzit që të përgatiteshin moralisht dhe frymërisht për ardhjen e Tij (Mal. 3:1; Isa. 40:3). Gjon Pagëzori i përmbushi këto profeci. Ai ishte lajmëtari, “një zë që bërtet në shkretëtirë.” 1:4 Mesazhi i tij ishte që njerëzit duhej të pendoheshin (të ndërronin mendje dhe t’i braktisnin mëkatet e tyre), në mënyrë që të merrnin faljen e mëkateve. Përndryshe ata nuk do të ishin në pozicionin e duhur për ta pranuar Zotin. Vetëm njerëz të shenjtë janë në gjendje të çmojnë Birin e Shenjtë të Perëndisë. 1:5 Kur dëgjuesit e tij pendoheshin, Gjoni i pagëzonte ata si një shenjë e jashtme e ndryshimit të mendimit të tyre. Pagëzimi i ndante ata publikisht nga masa e kombit të Izraelit që e kishte braktisur Zotin. Ai i njësonte ata me një mbetje që ishte e gatshme për të pranuar Krishtin. Nga vargu 5 mund të duket sikur përgjigjja ndaj predikimit të Gjonit ishte universale. E vërteta nuk ishte ashtu. Mund të ketë patur një shpërthim fillestar entuziazmi me turma që dynden në shkretëtirë për të dëgjuar predikuesin e zjarrtë, por shumica nuk i rrëfeu dhe nuk i braktisi me të vërtetë mëkatet e tyre. Kjo do të vihet re në vijim të tregimit. 1:6 Çfarë lloj njeriu ishte Gjoni? Sot ai do të quhej fanatik dhe shumë fetar. Shtëpia e tij ishte shkretëtira. Veshja e tij, sikurse e Elias, ishte më e ashpra dhe më e thjeshta. Ushqimi i tij ishte i mjaftueshëm për të mbajtur jetën dhe forcën e nuk ishte luksoz. Ai ishte një njeri që të gjitha këto gjëra ia nënshtroi detyrës së lavdishme për të bërë Krishtin të njohur. Ndoshta mund të kishte qenë i pasur, por ai zgjodhi që të ishte i varfër. Kështu ai u bë një lajmëtar i përshtatshëm i Atij që nuk kishte se ku të mbështeste kokën e tij. Këtu ne mësojmë se thjeshtësia duhet t’i karakterizojë të gjitha ata që janë shërbëtorë të Zotit. 1:7 Mesazhi i tij ishte epërsia e Zotit Jezus. Ai tha se Jezusi ishte më i madh në fuqi, në përsosmëri vetjake dhe në shërbesë. Gjoni nuk e konsideroi vetveten të denjë as për t’i zgjidhur lidhëset e sandaleve Shpëtimtarit, detyrë e ulët kjo e një skllavi. Predikimi i mbushur në Frymë lartëson gjithmonë Zotin Jezus dhe heq nga froni vetveten. 1:8 Pagëzimi i Gjonit ishte me ujë. Ai ishte një simbol i jashtëm, që nuk shkaktonte ndonjë ndryshim në jetën e një personi. Jezusi do t’i pagëzonte ata me Frymën e Shenjtë; ky pagëzim do të shkaktonte një derdhje të madhe fuqie frymërore (Veprat e Apostujve 1:8). Gjithashtu kjo do t’i përfshinte të gjithë besimtarët në Kishë, në trupin e Krishtit (1 e Korintasve 12:13).B. Pararendësi pagëzon Shërbëtorin (1:9-11)
1:9 Të ashtuquajturit tridhjetë vite të heshtjes në Nazaret tani po merrnin fund. Zoti Jezus ishte gati të hynte në shërbesën e Tij publike. Në fillim Ai udhëtoi 96 e ca km nga Nazareti deri në Jordan, pranë Jerikos. Atje Ai u pagëzua nga Gjoni. Sigurisht që në rastin e Tij nuk kishte ndonjë pendim sepse nuk kishte mëkate për t’u rrëfyer. Për Zotin pagëzimi ishte një veprim simbolik që përshkruante pagëzimin e Tij përfundimtar në vdekje në Kalvar dhe ngritjen e Tij nga të vdekurit. Kështu, që në fillim të shërbesës së Tij publike ishte ky paralajmërim i gjallë i një kryqi dhe i një varri bosh. 1:10-11 Dhe sapo po dilte nga uji, pa se qiejtë po hapeshin dhe Fryma po zbriste mbi Të si një pëllumb. U dëgjua zëri i Perëndisë Atë, duke njohur Jezusin si Birin e Tij të dashur. Nuk kishte ekzistuar kurrë një çast në jetën e Zotit tonë kur Ai të mos kishte qenë i mbushur me Frymën e Shenjtë. Në këtë rast, Fryma e Shenjtë erdhi mbi të, duke e vajosur për shërbim dhe duke e veshur Atë me fuqi. Ishte një shërbesë e veçantë e Frymës, që ishte përgatitore për tre vjetët e shërbimit që shtriheshin përpara. Fuqia e Frymës së Shenjtë është e domosdoshme. Një person mund të jetë i arsimuar, i talentuar dhe i rrjedhshëm në të folur, por megjithatë, pa atë cilësi misterioze të cilën ne e quajmë “vajosje,” shërbimi i tij është i pajetë dhe i paefektshëm. Çështja ka rëndësi themelore: “A kam patur unë një përvojë të Frymës së Shenjtë, që të më ketë fuqizuar për shërbesën e Zotit?”C. Shërbëtori i tunduar nga Satani (1:12-13)
Shërbëtori i Jehovës u tundua nga Satani në shkretëtirë për dyzet ditë. Fryma e Perëndisë e drejtoi Atë për në këtë takim, jo për të parë nëse Ai do të mëkatonte apo jo, por për të vërtetuar se Ai nuk mund të mëkatonte. Nëse Jezusi mund të kishte mëkatuar si Njeri mbi tokë, çfarë sigurie kemi ne se Ai nuk mund të mëkatojë tani si Njeri në qiell? Pse thotë Marku se Ai ishte me bishat? A u aktivizuan nga Satani këto kafshë për të bërë asgjësimin e Zotit? Apo ishin të buta ato në praninë e Krijuesit të tyre? Na mbetet që vetëm të bëjmë pyetjet. Engjëjt i shërbenin Atij në fund të dyzet ditëve (krahaso Mt. 4:11). Gjatë tundimit, Ai nuk hëngri asgjë (Luka 4:2). Provat janë të pashmangshme për besimtarin. Sa më nga afër që dikush ta ndjekë Zotin, aq më intensive do të jenë ato. Satani nuk e harxhon barutin e tij mbi të krishterët që janë të tillë sa për emër, por i zbraz topat e mëdhenj të tij mbi ata që janë duke fituar territor në luftën frymërore. Nuk është një mëkat të tundohesh. Mëkati qëndron në dorëzimin ndaj tundimit. Me forcat tona, ne s’mund t’i bëjmë ballë, por Fryma e Shenjtë që banon në ne është fuqia e besimtarit për të mposhtjen e pasioneve të errëta.[previous][next]
[[1]] Teksti kritik (NU) lexon “profeti Isaia,” por citimi i parë është nga Malakia; leximi tradicional “Profetët,” i mbështetur nga një shumicë dorëshkrimesh, është më i saktë.[[1]]