10 gusht
«Turma […] thoshte se qe një bubullimë» (Gjoni 12:29).Perëndia sapo kishte folur nga qielli me tone të qarta e të plota. Disa thanë se qe një bubullimë. Ata dhanë një shpjegim natyror për atë që ishte hyjnore dhe e mbinatyrshme.
Ky është njëri qëndrim që mund të kemi ndaj mrekullive sot. Ne mund të përpiqemi që, përmes shpjegimeve, t’ia ulim rëndësinë duke i kthyer në asgjë më tepër se dukuri natyrore.
Ose ne mund të themi kategorikisht se epoka e mrekullive ka kaluar. Ne mund t’i grupojmë ato për lehtësi në një sirtar dispensacional.
Një qëndrim i tretë është që të shkojmë në ekstremin tjetër dhe të pretendojmë se përjetojmë mrekulli që, në fakt, nuk janë gjë tjetër, veçse produkt i një imagjinate të ndezur.
Drejtimi i duhur është që të pranosh se Perëndia mundet të kryejë dhe kryen mrekulli në ditët tona. Duke qenë Zoti Sovran, Ai mund të bëjë ashtu si i pëlqen. Nuk ka asnjë arsye shkrimore [biblike] që Ai t’i ketë braktisur mrekullitë si një mënyrë për të zbuluar Vetveten.
Një mrekulli ndodh sa herë që dikush lind përsëri. Ky është një demonstrim i fuqishëm i fuqisë hyjnore, duke e çliruar atë njeri nga mbretëria e errësirës dhe duke e transferuar atë në mbretërinë e Birit të dashurisë së Perëndisë.
Kemi mrekulli të shërimit kur shkenca mjekësore dorëzohet dhe kur largohet çdo shpresë njerëzore. Më pas, si përgjigje ndaj lutjes me besim, herë pas here Perëndia vendos që ta prek trupin dhe ta restaurojë me shëndet personin.
Kemi mrekulli të përkujdesjes, kur portofoli është boshatisur. Dhe mrekulli të udhëheqjes, kur qëndrojmë në udhëkryq dhe nuk dimë se kë rrugë të marrim.
Kemi mrekulli të ruajtjes kur, për shembull, dikush del pa asnjë gërvishtje nga një masë e ngatërruar metali që më parë përbënte një automobil.
Po, Perëndia kryen ende mrekulli, por jo domosdoshmërisht të njëjtat mrekulli. Ai ka zgjedhur që të mos i përsërit kurrë dhjetë plagët që dërgoi mbi Egjipt. Edhe pse Jezus Krishti është i njëjtë, dje, sot e përjetë, nuk pason që metodat e Tij janë të njëjta. Fakti që Ai i ngjalli të vdekurit kur ishte mbi tokë nuk do të thotë që Ai i ngjall të vdekurit sot.
Një fjalë e fundit! Jo të gjitha mrekullitë janë hyjnore. Djalli dhe agjentët e tij mund të kryejnë mrekulli. Një ditë në të ardhmen, bisha e dytë në Zbulesa 13 do t’i mashtrojë banorët e dheut me mrekulli që do të kryejë. Edhe sot ne duhet t’i vëmë në provë të gjitha mrekullitë e propozuara përballë Fjalës së Perëndisë si edhe me drejtimin ku ato i çojnë njerëzit.