10 qershor

[no_toc]

10 qershor | çdo ditë me radhë

«Unë jam Zoti, nuk ndryshoj» (Mal. 3:6).

Atributi i Perëndisë që e përshkruan Atë si të pandryshueshëm është quajtur pandryshueshmëria e Tij [ang. immutability]. Ai nuk ndryshon në qenien e Tij esenciale [thelbësore]. Ai nuk ndryshon në atributet e Tij. Ai nuk ndryshon në parimet sipas të cilave Ai vepron.

Psalmisti e ballafaqoi fatin ndryshues të qiejve dhe të tokës me pandryshueshmërinë e Perëndisë: «Ata do të zhduken, por ti do të mbetesh» (Psa. 102:26, 27). Jakobi e përshkruan Zotin si «Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi» (Jakobit 1:17).

Ka shkrime [vargje] të tjera që na kujtojnë se Perëndia nuk pendohet. «Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë, as edhe bir njeriu që mund të pendohet» (Num. 23:19). «Lavdia e Izraelit nuk do të gënjejë, dhe nuk do të pendohet» (1 Sam. 15:29).

Por, atëherë, çfarë duhet të bëjmë me vargje që thonë se Perëndia pendohet? «Zoti u pendua që kishte krijuar njeriun mbi tokë» (Zanafilla 6:6). «Zoti u pendua që e kishte bërë Saulin mbret të Izraelit» (1 Sam. 15:35b). Shih gjithashtu Eksodi 32:14 dhe Jona 3:10.

Nuk ka asnjë kontradiktë. Perëndia vepron gjithnjë sipas këtyre dy parimeve. Ai e shpërblen gjithnjë bindjen dhe e ndëshkon gjithnjë mosbindjen. Kur njeriu lëviz nga bindja në mosbindje, Perëndia, prapëseprapë, duhet t’i qëndrojë besnik karakterit të Tij duke lëvizur nga parimi i parë në të dytin. Kjo për ne duket si pendim dhe përshkruhet në mënyrë të tillë që ne mund ta quajmë gjuha e dukjes njerëzore. Por kjo nuk tregon keqardhje ose ndryshim.

Perëndia është gjithnjë i njëjtë. Në fakt, ky është një nga emrat e Tij. «…ti, i Njëjti, vetëm ti je Perëndia i të gjitha mbretërive të tokës» (Isa. 37:16, Darby). Ky emër gjendet edhe në 2 Sam. 7:28 Anëshkrim, Psa. 102:27 dhe Isa. 41:4 Anëshkrim, të gjitha në përkthimin e Darbit.

Pandryshueshmëria e Perëndisë ka qenë një ngushëllim për shenjtorët e Tij gjatë shekujve dhe një temë e këngës së tyre. Ne e festojmë atë në rreshtat e pavdekshëm të Henri F. Lajtit (Henry F. Lyte):

Ndryshim dhe kalbje shoh gjithandej–
O ti që nuk ndryshon, qëndro me mua!

Ajo është edhe një cilësi për t’u imituar. Ne duhet të jemi të qëndrueshëm, të pandryshueshëm dhe të palëkundur. Nëse jemi të lëkundshëm, të paqëndrueshëm dhe të ndryshueshëm, ne e paraqesim ndryshe [në mënyrë të gabuar] Atin tonë para botës.

«Qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin» (1 e Korintasve 15:58).