10 shkurt | çdo ditë me radhë
«Dhe unë them: Ecni sipas Frymës…» (Gal. 5:16).
Çfarë përfshihet saktësisht në ecjen sipas Frymës? Në fakt, nuk është aq e ndërlikuar dhe jopraktike sa priren ta mendojnë disa. Ja se si mund të jetë ecja e një dite sipas Frymës!
Së pari, ju e filloi ditën me lutje. Ju rrëfeni çdo mëkat të njohur në jetën tuaj; kjo ju bën një enë të pastër dhe si pasojë të përdorshëm nga Perëndia. Ju kaloni kohë në lavdërim dhe adhurim; kjo e harmonizon shpirtin tuaj. Ju ia dorëzoni Atij kontrollin e jetës suaj; kjo iu bën të disponueshëm që Zoti të jetojë jetën e Tij përmes teje. Me këtë akt ripërkushtimi, ju «i ndaloni skemat e padobishme dhe ia lejoni Atij drejtimin e jetës suaj».
Më pas, kaloni kohë duke u ushqyer në Fjalën e Perëndisë. Këtu ju merrni një plan të përgjithshëm të vullnetit të Perëndisë për jetën tuaj. Dhe mund të merrni edhe ndonjë udhëzim specifik të vullnetit të Tij për ju që ka të bëjë me rrethanat aktuale.
Mbas një kohe të qetë, ju bëni ato gjëra që duart tuaja gjejnë për të bërë. Zakonisht këto do të jenë punët prozaike, rutinë, të rëndomta të jetës. Pikërisht këtu shumë njerëz kanë ide të gabuara. Ata mendojnë se ecja sipas Frymës është e huaj për botën e përparëseve dhe rrobave të punës. Në fakt, ajo përbëhet kryesisht nga besnikëria dhe zelli në punën e përditshme.
Gjatë ditës ju e rrëfeni dhe braktisni mëkatin sapo të jeni në dijeni për të. Ndërsa bekimet e Zotit vijnë në mendjen tuaj, ju e lavdëroni Atë. Ju i bindeni çdo shtyse për të bërë të mirën dhe refuzoni çdo tundim drejt së keqes.
Më pas ju e pranoni atë që iu ndodh gjatë ditës si vullnetin e Tij për ju. Ndërprerjet bëhen mundësi për të shërbyer. Zhgënjimet bëhen takimet e Tij. Telefonatat, letrat, vizitorët shihen si pjesë e planit të Tij.
Harold Uildishi (Harold Wildish) citoi përmbledhjen vijuese në një nga librat e tij:
«Sikurse e lini të gjithë barrën e mëkatit tuaj dhe pushoni mbi veprën e përfunduar të Krishtit, po kështu e lini të gjithë barrën e jetës dhe shërbesës suaj dhe pushoni mbi veprimin e brendshëm në ju të Frymës së Shenjtë».
«Dorëzoje veten, mëngjes pas mëngjesi, që të drejtohesh nga Fryma e Shenjtë dhe nisu duke lavdëruar dhe në qetësi, duke e lejuar Atë që të të drejtojë ty dhe ditën tënde. Kultivo këtë zakon gjatë gjithë ditës, që të mbështetesh tek Ai dhe t’i bindesh Atij me gëzim, duke pritur që Ai të të drejtojë, të të ndriçojë, të të qortojë, të të mësojë, të të përdorë dhe të bëjë në ty dhe me ty atë që Ai dëshiron. Mbështetu mbi veprimin e Tij si një fakt, që është krejt i pavarur nga shikimi apo ndjenjat. Le t’i besojnë dhe t’i bindemi vetëm Frymës së Shenjtë si Sunduesi i jetëve tona dhe le të pushojmë nga barra e përpjekjes për të drejtuar veten; vetëm atëherë do të shfaqet në ne fryti i Frymës, sikurse dëshiron Ai, për lavdinë e Perëndisë».