10 shtator
«Lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin» (Mt. 5:44).
Ndonjëherë ilustrimi është komentari më i mirë për një varg.
Kapiteni Mitsuo Fushida ishte piloti japonez që drejtoi sulmin mbi Perl Harbor në 7 dhjetor të vitit 1941. Ai dërgoi mesazhin: «Tora, Tora, Tora», duke bërë të ditur suksesin e plotë të misionit. Por Lufta e Dytë Botërore nuk kishte mbaruar. Ndërsa konflikti po ashpërsohej, rrjedha e luftës ndërroi drejtim derisa përfundimisht Shtetet e Bashkuara dolën fitimtare.
Gjatë luftës ky japonez kishte ekzekutuar një çift misionarësh të moshuar në Filipine. Kur vajza e tyre në SHB mori vesh për lajmin, ajo vendosi që të vizitonte të burgosurit japonezë të luftës dhe të ndante me ata lajmin e mirë të Ungjillit.
Kur ata e pyesnin se përse ajo tregohej kaq e sjellshme me ta, ajo do t’ju përgjigjej: «Për shkak të lutjes që bënë prindërit e mi para se të vriteshin». Dhe kjo ishte gjithçka që ajo thoshte.
Pas luftës Mitsuo Fushida ishte aq i hidhëruar, sa vendosi që t’i nxjerrë Shtetet e Bashkuara para një gjykate ndërkombëtare për t’i akuzuar për mizori. Dhe kështu në përpjekjet për të mbledhur prova, ai intervistoi të burgosur japonezë të luftës. Kur i pyeti ata që mbaheshin të burgosur në SHBA, ai u zhgënjye shumë kur dëgjoi jo për mizori, por për mirësinë që tregohej nga një grua e krishterë, prindërit e së cilës ishin vrarë në Filipine. Të burgosurit i treguan se si ajo u kishte siguruar një libër të quajtur Dhiata e Re dhe thoshin që prindërit e saj kishin thënë një lutje që nuk dihej para se të ekzekutoheshin. Kjo nuk ishte saktësisht ajo çfarë Fushida donte të dëgjonte, por gjithsesi ai e mbajti mend këtë.
Pasi e kishte dëgjuar historinë shumë herë, ai shkoi dhe bleu një Dhiatë të Re. Ungjilli i Mateut i tërhoqi vëmendjen. Ai lexoi Markun dhe interesi i tij u thellua. Kur arriti te Luka 23:34, drita e mbushi shpirtin e tij. «O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë». Menjëherë ai e dinte se çfarë lutje kishte thënë çifti misionar para se të vritej.
«Ai s’mendoi më gjatë për gruan amerikane apo të burgosurit japonezë të luftës, por për veten, një armik i egër i Krishtit, të cilin Perëndia ishte i gatshëm ta falte si përgjigje ndaj lutjes së Shpëtimtarit të kryqëzuar. Në po atë çast ai kërkoi falje dhe e gjeti atë si dhe jetë të përjetshme nëpërmjet besimit në Krishtin».
Planet për gjyqin ndërkombëtar ishin flakur. Mitsuo Fushida e kaloi pjesën tjetër të jetës duke predikuar pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit në mbarë botën.