11 prill

[no_toc]

11 prill | çdo ditë me radhë

«Atëherë këta bënë këshill me pleqtë dhe vendosën t’u japin ushtarëve një shumë të madhe denarësh, duke u thënë atyre: “Thoni: Dishepujt e tij erdhën natën dhe e vodhën, ndërsa ne po flinim”» (Mt. 28:12, 13).

Zoti Jezus sapo ishte ngjallur prej së vdekuri, kur armiqtë e Tij filluan të fabrikonin një alibi për të hedhur poshtë mrekullinë me të ashtuquajtura shpjegime. Falsifikimi më i mirë që ata mund të shpiknin në atë kohë ishte se dishepujt erdhën natën dhe e vodhën trupin. (Teoria e zalisjes, që sugjeron se Jezusi nuk vdiq me të vërtetë, por vetëm që i ra të fikët, nuk doli në sipërfaqe deri shekuj më vonë). Për fat të keq për teorinë e vjedhjes, sikurse për çdo teori tjetër, ajo më shumë ngre pyetje, sesa jep përgjigje. Për shembull:

Përse nuk e dyshuan kryepriftërinjtë dhe pleqtë raportimin origjinal të rojeve në lidhje me varrin bosh? Ata e pranuan atë si të vërtetë dhe nxituan për të sajuar një shpjegim se si kishte ndodhur.

Përse ishin ushtarët duke fjetur kur duhet që të ishin duke vigjiluar? Dënimi romak për fjetjen në detyrë ishte vdekje. Atyre iu premtua imunitet nga ndëshkimi. Përse?

Si mund t’i kishte zënë gjumi të gjithë ushtarët në të njëjtën kohë? Është në kurriz të besueshmërisë të mendosh që ata të gjithë rrezikuan vdekjen për një kohë gjumi.

Si do ta kishin lëvizur dishepujt gurin pa i zgjuar rojet? Guri ishte i madh dhe nuk mund të lëvizej pa zhurmë.

Madje si mund ta lëviznin dishepujt gurin? Në një varr tipik të stilit herodian, guri rrotullohej derisa binte në një të çarë më të ulët. Ishte shumë më e lehtë që një varr i tillë të mbyllej, sesa të hapej. Veç kësaj, varri ishte aq «i siguruar», sa ishin në gjendje ta bënin autoritetet romake.

A është e mundshme që dishepujt, të cilët në atë kohë ishin aq të frikësuar, sa ia kishin mbathur për jetën e tyre, të kishin kurajën për të dalë para rojeve romake dhe të zhvatnin varrin? Ata e dinin se një shkelje e tillë ndëshkohej rëndë.

Nëse të gjithë ushtarët ishin në gjumë, si e dinin ata se dishepujt e vodhën trupin?

Nëse dishepujt e vodhën trupin, përse e morën aq me nge sa të hiqnin pëlhurat dhe të palosnin rizën? (Luka 24:12; Gjoni 20:6, 7). Përse do të donin dishepujt që ta vidhnin trupin?

Nuk kishte asnjë arsye. Në fakt, ata ishin të çuditur dhe mosbesues kur mësuan se Ai ishte ringjallur.

Përfundimisht, a do të dilnin dishepujt [në publik], burra të nderuar siç ishin ata, të shpallnin ringjalljen duke rrezikuar shumë personalisht, nëse do ta dinin se kjo ishte një gënjeshtër? Pal Litëlli (Paul Little) tha: «Njerëzit nuk vdesin për atë që ata e dinë se është një gënjeshtër». Ata besuan sinqerisht se Jezusi ishte ringjallur. Zoti është ringjallur! Me të vërtetë është ringjallur!

[previous][next]