12 gusht

[no_toc]

12 gusht

«Shmangu nga njeriu sektar [heretik], mbasi ta kesh qortuar një herë e dy herë, duke ditur se një i tillë është çoroditur dhe mëkaton, duke dënuar vetveten» (Titi 3:10, 11).

Kur mendojmë për një heretik, ne mendojmë zakonisht për dikë që beson dhe përhap pikëpamje që janë në kundërshtim me të vërteta themelore të mëdha të besimit. Ne mendojmë për njerëz si Ariusi, Montanusi, Marcioni dhe Pelagiusi që jetuan në shekujt e dytë dhe të tretë m.K.

Nuk propozoj që ta refuzoj këtë përkufizim për fjalën heretik, por që ta zgjeroj atë. Një heretik, në kuptimin e Dhiatës së Re, përfshin edhe atë që promovon me kokëfortësi një mësim, madje edhe të një rëndësie dytësore; që shkakton ndarje në kishën. Ai mund të jetë besnik ndaj besimeve themelore dhe, prapëseprapë, mund të nxit ndonjë mësim tjetër që shkakton grindje, sepse ai [mësim] ndryshon nga besimet e pranuara të përbashkësisë ku është.

Në shumicën e versioneve bashkëkohore lexojmë «njeri përçarës» në vend të «heretik». Një njeri përçarës është i vendosur si mushka që të nxjerr në pah avazin e tij doktrinor, edhe nëse kjo do të shkaktonte një ndarje në kishë. Biseda e tij do t’i rikthehet pashmangshmërisht kësaj teme të veçantë. Pavarësisht se ku e hap Biblën, ai mendon se gjen mbështetje për pikëpamjen e tij. Ai nuk mund ta shërbejë publikisht Fjalën pa e paraqitur atë [temë]. Ai ka vetëm një tel në violinën e tij dhe luan vetëm një notë me atë tel.

Sjellja e tij është krejt e çoroditur. Ai nuk i përfill fare një mijë e një mësimet në Bibël që do t’i ndërtojnë shenjtorët në besimin e tyre dhe përqendrohet mbi një ose dy doktrina jonormale që shërbejnë vetëm për të krijuar një skizmë. Ka mundësi që ai dërdëllit mbi një aspekt të veçantë të profecisë. Ose ai mund të mbitheksojë një dhunti të Frymës. Ose mania e tij mund të jetë me pesë pikat e kalvinizmit.

Kur drejtuesit e kishës e paralajmërojnë kundër ndjekjes së kësaj fushate vetëdashëse, ai nuk pendohet. Ai ngul këmbë se nuk do t’i ishte besnik Zotit, nëse nuk do t’i mësonte këto gjëra. Ai nuk pranon që të hesht. Ai ka një përgjigje «super-frymërore» për çdo argument që përdoret kundër tij. Fakti që ai po krijon grindje dhe përçarje në kishë nuk e frenon aspak. Ai duket i paprekur nga dekreti hyjnor: «Nëse dikush e shkatërron tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta shkatërrojë atë» (1 e Korintasve 3:17, NASB).

Shkrimi thotë që ky njeri është i çoroditur dhe mëkaton dhe e dënon veten. Ai është i çoroditur në kuptimin që ka një «shtrembërim moral» (Phillips), një «mendje të shtrembëruar» (NEB), është «i shtrembëruar» (NIV). Ai po mëkaton, sepse Bibla e dënon një sjellje të tillë. Dhe ai e di këtë, pavarësisht nga protestat e tij fetare. Mbas dy paralajmërimesh përbashkësia duhet ta shmang atë, me shpresën që përmes këtij izolimi social ta bëjnë që t’i braktis veprimet përçarëse.