12 korrik
«Beteja nuk është juaja, por e Perëndisë» (2 i Kronikave 20:15).Nëse dikush është një ushtar i kryqit, ai mund të pres që të sulmohet herët a vonë. Me sa më shumë guxim që e shpall të vërtetën e Perëndisë dhe me sa më shumë saktësi e ilustron të vërtetën me jetën e tij, aq më shumë ai do të bëhet objekt i sulmeve. Një puritan i vjetër tha: «Ai që i qëndron afër Kapitenit, është një shënjestër e sigurt për shigjetarët».
Ai do të akuzohet për padrejtësi që nuk i ka bërë. Ai do të sulmohet ashpërsisht me thashetheme, shpifje dhe përgojime. Ai do të izolohet dhe përqeshet. Ky trajtim do të vijë nga bota dhe, mjaft për t’u trishtuar, do të vijë ndonjëherë edhe nga të krishterë të tjerë.
Në raste të tilla është e rëndësishme që të kujtojmë se beteja nuk është e jona, por e Perëndisë. Dhe ne duhet të përvetësojmë premtimin në Eksodi 14:14: «Zoti do të luftojë për ju, dhe ju do të rrini të qetë». Ajo që kjo do të thotë është se ne nuk duhet të mbrojmë vetveten ose të kundërpërgjigjemi. Zoti do të na përligj në kohën e duhur.
F. B. Mejëri shkroi: «Sa shumë humbasim me një fjalë! Qëndro në heshtje, rri urtë; nëse të godasin në njërën faqe, ktheje edhe tjetrën. Mos u kundërpërgjigj. Mos e vrit mendjen për reputacionin ose karakterin tënd – ato janë në duart e tij dhe ju i shëmtoni ato duke u përpjekur t’i ruani».
Jozefi spikat si një shembull i atij që nuk u përpoq ta përligjte veten kur u akuzua gabimisht. Ai ia besoi çështjen Perëndisë dhe Perëndia e pastroi emrin e tij dhe e ngriti në një pozitë me nder të lartë.
Një shërbëtor i moshuar i Krishtit dëshmoi se i ishin bërë shumë padrejtësi gjatë viteve. Por u lut me fjalët e Agustinit: «Zot, më çliro nga lakmia për ta përligjur gjithnjë vetveten». Ai tha se Zoti nuk kishte dështuar kurrë që ta justifikonte atë dhe t’i demaskonte akuzuesit e tij.
Zoti Jezus, sigurisht, është Shembulli suprem. «…kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht» (1 Pjetrit 2:23).
Ky, atëherë, është mesazhi për sot. Ne nuk kemi pse të mbrojmë veten kur akuzohemi gabimisht. Beteja është e Zotit. Ai do të luftojë për ne. Ne duhet të ruajmë qetësinë.