12 nëntor

[no_toc]

12 nëntor

«I pari që mbron çështjen e vet duket sikur ka të drejtë; por pastaj vjen tjetri [i afërmi] dhe e shqyrton» (Fjalet e Urta 18:17).

Pjesa e parë e këtij vargu nxjerr në pah një dështim që është i zakonshëm për shumicën prej nesh – pa dallim ne i paraqesim provat në një mënyrë të tillë që e vendosim veten në dritën më të mirë të mundshme. Kjo ndodh krejt natyrshëm te ne. Për shembull, ne i fshehim ato fakte që do të ishin në dëmin tonë dhe përqendrohemi në pikat tona të mira. Ne e krahasojmë veten me të tjerë që kanë dështime më të dukshme. Ne ia hedhim fajin të tjerëve për veprimet tona. Ne u ngarkojmë motive fetare veprimeve që janë dukshëm të gabuara. Ne i dredhim dhe i shtrembërojmë faktet, deri atje që u ngelet vetëm një ngjashmëri e dobët e realitetit. Ne përdorim fjalë me ngjyrime emocionale për të dhënë një përshkrim më të favorshëm.

Adami ia hodhi fajin Evës: «Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra» (Zanafilla 3:12). Eva ia hodhi fajin djallit: «Gjarpri më mashtroi dhe unë hëngra prej saj» (Zanafilla 3:13).

Sauli e justifikoi mosbindjen e tij të kursimit të deleve dhe lopëve të amalekitëve duke i ngjitur një motiv fetar: «Populli mori gjërat më të mira […] për t’i bërë flijime Zotit, Perëndisë tënd» (1 i Samuelit 15:21. Sigurisht, ai sugjeroi se nëse kishte vend për të fajësuar dikë, ishte populli, jo ai.

Davidi e gënjeu Ahimelekun për të marrë armët, duke thënë: «Detyra e ngarkuar nga mbreti ishte urgjente» (1 i Samuelit 21:8). Në fakt, Davidi nuk ishte ngarkuar me ndonjë detyrë nga mbreti; ai ishte duke ia mbathur nga mbreti Saul.

Gruaja te pusi e fshehu të vërtetën. Ajo tha: «Unë nuk kam burrë» (Gjoni 4:17). Në fakt, ajo kishte patur pesë burra dhe tani po bashkëjetonte me një burrë me të cilin nuk ishte e martuar.

Dhe kështu lista vazhdon! Për shkak të natyrës sonë të rënë, të trashëguar nga Adami, është e vështirë për ne që të jemi plotësisht objektiv kur paraqesim anën tonë të një çështje. Prirja tonë është ta përshkruajmë veten në dritën më të mirë të favorshme. Ne mund të kemi një konsideratë të ëmbël për mëkatin në jetën tonë, ndërsa në jetën e dikujt tjetër e dënojmë fuqishëm të njëjtin mëkat.

«I pari që mbron çështjen e vet duket sikur ka të drejtë; por pastaj vjen tjetri [i afërmi] dhe e shqyrton», domethënë, kur tjetrit i jepet mundësia të dëshmojë, ai jep një paraqitje më të saktë të fakteve. Ai vë në dukje të gjitha përpjekjet dinake të lustrave dhe të vetëshfajësimit. Ai e tregon historinë pa e shtrembëruar.

Përfundimisht, Perëndia është i Afërmi ynë – Ai që nxjerr në dritë gjërat e fshehta të errësirës dhe zbulon mendimet dhe synimet e zemrës. Ai është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësirë. Nëse duhet që të ecim në përbashkësi të kthjellët me Atë, ne duhet të jemi të ndershëm dhe të çiltër në tërë dëshminë tonë, edhe nëse çon në dëmin tonë.

[previous][next]