12 qershor

[no_toc]

12 qershor | çdo ditë me radhë

«Perëndia i çdo hiri, që ju thirri në lavdinë e tij të përjetshme në Krishtin Jezus…» (1 Pjetrit 5:10).

Hiri i Perëndisë është favori dhe pranimi i Tij ndaj atyre që nuk e meritojnë atë; të cilët, në fakt, meritojnë krejt të kundërtën; por që i besojnë Jezus Krishtit si Zot dhe Shpëtimtar.

Katër vargjet më të njohura për hirin janë këto! «Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit» (Gjoni 1:17). «Janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus» (Rom. 3:24). «Sepse ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezu Krisht, i cili, duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij» (2 e Korintasve 8:9). «Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga veprat, që të mos mburret askush» (Efesianeve 2:8, 9).

Disa e ngrenë hirin e Perëndisë si virtytin kryesor nga të gjitha virtytet e Tij. Samuel Devis (Samuel Davies), për shembull, shkroi:

Perëndi i madh i mrekullive! Tërë rrugët e tua
shfaqin atributet e Tua hyjnore;
por lavditë e shndritshme të hirit Tënd
mbi të gjitha mrekullitë e tjera ndriçojnë:
Kush është një Perëndi që fal si Ty?
Ose kush ka një hir kaq të pasur dhe falas?

Por kush mund të thotë që një nga atributet e Perëndisë është më i madh se një tjetër?

Perëndia ka qenë gjithmonë një Perëndi i hirit – në Dhiatën e Vjetër, sikurse edhe në të Renë. Por ky aspekt i karakterit të Tij u zbulua në një mënyrë të re dhe mahnitëse me ardhjen e Krishtit.

Kur kuptojmë diçka nga hiri i Perëndisë, ne bëhemi përgjithnjë adhurues. Ne e pyesim veten: «Përse do të më zgjidhte mua? Përse do ta derdhte Zoti Jezus gjakun e jetës së tij për dikë kaq të padenjë? Përse do të më shpëtonte Perëndia mua jo vetëm nga ferri, por edhe të më bekojë me çdo bekim frymëror në vendet qiellore tani dhe të më përcaktojë që ta kaloj përjetësinë me Atë në qiell?» Nuk është për t’u çuditur që këndojmë për hirin e mahnitshëm që shpëtoi mëkatarë të tillë!

Më pas, gjithashtu, Perëndia dëshiron që hiri i tij të riprodhohet në vetë jetët tona dhe të rrjedh përmes nesh te të tjerët. Ai dëshiron që ne të jemi të hirshëm në marrëdhëniet me të tjerët. Të folurit tonë duhet të jetë gjithnjë me hir, i ndrequr me kripë (Kol. 4:6). Ne duhet ta varfërojmë veten që të tjerët të mund të pasurohen (2 e Korintasve 8:9). Ne duhet të shfaqim favor dhe pranim ndaj atij që nuk është i denjë dhe që nuk është i dashur.