12 shtator
«Duke menduar se ai ishte në shoqëri, ata bënë një ditë rrugë» (Luka 2:44).
Kur Jezusi ishte dymbëdhjetë vjeç, u nis bashkë me prindërit nga Nazareti dhe shkuan në Jerusalem për të festuar Pashkën. Sigurisht që ata udhëtonin bashkë me një grup të madh pelegrinësh të tjerë. Nuk mund të shmangej fakti që djemtë e së njëjtës moshë të mblidheshin bashkë gjatë kremtimeve. Prandaj edhe, gjatë kthimit për në Nazaret, Jozefi dhe Maria supozuan që Jezusi ishte bashkë me të rinjtë e tjerë diku gjatë karvanit. Por Ai nuk ishte. Ai kishte qëndruar në Jerusalem. Ata udhëtuan për një ditë të tërë para se të ndienin mungesën e Tij. Kështu atyre iu duhej të ktheheshin në Jerusalem ku dhe e gjetën pas tri ditësh.
Këtu është një mësim për të gjithë ne. Ekziston mundësia që të supozojmë se Jezusi është në shoqëri me ne kur, në fakt, Ai nuk është. Ne mund të mendojmë se jemi duke ecur në përbashkësi me Të kur, në fakt, mëkati ka hyrë përmes shpirtrave tanë dhe Shpëtimtarit. Rënia frymërore vjen me dinakëri. Ne nuk jemi të ndërgjegjshëm për ftohtësinë tonë. Ne mendojmë se jemi njëlloj gjithmonë.
Por njerëzit e tjerë mund ta shohin këtë. Ata mund ta kuptojmë nga e folura jonë që kemi rënë nga dashuria jonë e parë dhe që interesat e kësaj bote kanë përparësi mbi ato frymërore. Ata mund ta zbulojnë se jemi ushqyer me preshtë, qepët dhe hudhrat e Egjiptit. Ata e vënë re që jemi bërë kritikues, ndërsa dikur ishim të dashur dhe të sjellshëm. Ata e vënë re që përdorim shumë fjalë rrugësh në vend që të përdorim gjuhën e Sionit. Pavarësisht nëse të tjerët e vënë apo jo re, ne e kemi humbur këngën tonë. Ne jemi të trishtuar dhe të mjerë vetë dhe priremi që t’i bëjmë edhe të tjerët të mjerë. Asgjë nuk shkon mbarë. Paratë na pikojnë nga xhepat. Nëse përpiqemi të dëshmojmë për Shpëtimtarin, ndikimi ynë mbi të tjerët është i pakët. Ata nuk shohin ndonjë ndryshim kushedi se çfarë midis tyre dhe nesh.
Zakonisht nevojitet një krizë çfarëdo që të na bëjë të kuptojmë se Jezusi nuk është në shoqërinë tonë. Ndoshta e dëgjojmë zërin e Perëndisë që na flet përmes ndonjë predikimi të vajosur. Ose një mik mund të na hedhë krahun dhe të na ballafaqojë me gjendjen e ulët frymërore që kemi. Ose mund të jetë një sëmundje, vdekja e një të afërmi ose ndonjë tragjedi që na sjell në vete.
Kur kjo ndodh, ne duhet të bëjmë atë që Jozefi dhe Maria bënë – të kthehemi në vendin ku e kemi parë Atë për herë të fundit. Ne duhet të kthehemi në vendin ku filan mëkat prishi bashkësinë tonë me Të. Duke e rrëfyer dhe braktisur mëkatin, ne gjejmë falje dhe fillojmë të udhëtojmë në shoqëri me Jezusin përsëri.