13 gusht
«Kudo që dy a tre janë bashkuar [mbledhur] në emrin tim, unë jam në mes të tyre» (Mt. 18:20).Kur Jezusi i tha këto fjalë, Ai po i referohej një takimi të kishës të mbledhur për t’u marrë me një anëtar në mëkat që refuzon të pendohet. Përpjekjet e tjera për t’u marrë me shkelësin kishin dështuar dhe tani ai është sjellë para kishës. Nëse ai prapë refuzon që të pendohet, ai duhet të hiqet nga përbashkësia. Zoti Jezus na premton për praninë e Tij në një takim të tillë të mbledhur për të trajtuar çështje të disiplinës në kishë.
Por, sigurisht, vargu ka një zbatim edhe më të gjerë. Kjo është e vërtetë sa herë dhe në çdo vend ku dy ose tre janë mbledhur në emrin e Tij. Të mblidhesh në emrin e Tij do të thotë të takohesh si një asamble e krishterë. Kjo do të thotë të mblidhemi bashkë me autoritetin e Tij, duke vepruar në emër të Tij. Kjo do të thotë të mblidhemi me Të si [pika] e tërheqjes. Kjo do të thotë të mblidhemi në pajtim me praktikën e të krishterëve të hershëm në «mësimin e apostujve, në përbashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje» (Veprat 2:42). Kjo do të thotë të mblidhesh me Krishtin si qendra, të mblidhesh rreth Tij (Zanafilla 49:10; Psa. 50:5).
Sa herë që besimtarë mblidhen kështu rreth Personit të Zotit Jezus, Ai premton që të jetë i pranishëm. Por dikush mund të pyes: «A nuk është Ai i pranishëm kudo? Si Ai që është i kudogjendshëm, a nuk është Ai në të gjitha vendet dhe në të njëjtën kohë?» Përgjigjja, sigurisht, është po. Por Ai na premton që do të jetë i pranishëm në një mënyrë të veçantë kur shenjtorët mblidhen në Emrin e Tij.
«…unë jam në mes të tyre». Kjo është, në vetvete, arsyeja e vetme më e fortë përse ne duhet të jemi besnik në pjesëmarrjen e të gjitha takimeve të asamblesë lokale. Zoti Jezus është atje në një mënyrë të veçantë. Shumë herë ne mund të mos jemi të vetëdijshëm për praninë e premtuar të Tij. Në ato raste ne e pranojmë këtë fakt me besim, të mbështetur në premtimin e Tij. Por ka edhe raste të tjera kur Ai na shfaqet në një mënyrë të pazakontë. Raste kur qielli duket se përkulet shumë poshtë. Raste kur të gjitha zemrat janë përkulur nën ndikimin e Fjalës. Raste kur lavdia e Zotit e mbush aq shumë vendin, që një ndjenjë e thellë nderimi dhe respekti i mbërthen njerëzit dhe lotët rrjedhin lirshëm. Raste kur zemrat tona digjen brenda nesh.
Ne nuk i dimë kurrë kohët e këtyre vizitave të shenjta. Ato vijnë papritur dhe pa u vënë re. Nëse nuk jemi të pranishëm, ato do t’i humbim. Më pas ne ndajmë me Thomain një humbje të ngjashme. Ai nuk ishte i pranishëm kur Zoti i ringjallur, i përlëvduar iu shfaq dishepujve në mbrëmjen e ringjalljes së Tij (Gjoni 20:24). Ishte një çast lavdie që nuk mund të përjetohej kurrë sërish.
Nëse besojmë vërtet që Krishti është i pranishëm kur njerëzit e Tij mblidhen në Emrin e Tij, ne do të jemi shumë më të vendosur për të qenë qenë atje, sesa nëse presidenti do të jetë atje. Asgjë përveç vdekjes ose sëmundjes së skajshme nuk do të pengonte praninë tonë.