13 korrik

[no_toc]

13 korrik

«Shumë të dashur, mos i besoni çdo frymë, por i vini në provë frymërat për të ditur nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë» (1 Gjonit 4:1).

Ne jetojmë në një kohë kur kultet po shtohen me shpejtësi të habitshme. Në fakt, nuk ka kulte të reja; ato janë thjesht variacione të grupeve heretike që dolën në ditët e Dhiatës së Re. Është varieteti i tyre që është i ri, jo doktrinat e tyre bazë.

Kur Gjoni thotë që duhet t’i vëmë në provë frymërat, ai do të thotë që ne duhet t’i vëmë në provë të gjithë mësuesit me Fjalën e Perëndisë, që të mund të zbulojmë ata që janë të rremë. Ka tre fusha themelore ku kultet e nxjerrin veten në pah që janë të rreme. Asnjë kult nuk mund t’i kalojë të tria këto prova.

Shumica e kulteve janë seriozisht të mangët në mësimet e tyre për Biblën. Ato nuk e pranojnë atë si Fjalën e pagabueshme të Perëndisë, si zbulesën përfundimtarë të Perëndisë drejtuar njeriut. Ato i japin autoritet të barabartë shkrimeve të udhëheqësve të tyre. Ato pretendojnë zbulesa të reja nga Zoti dhe mburren për «të vërteta të reja». Ato botojnë përkthimet e tyre të Shkrimit, që e shtrembërojnë dhe e prishin të vërtetën. Ato e pranojnë zërin e traditës në të njëjtin nivel me Biblën. Ato e falsifikojnë Fjalën e Perëndisë.

Shumica e kulteve janë heretike në mësimet e tyre për Zotin. Ato e mohojnë që Ai është Perëndi, Personi i Dytë i Trinisë së Shenjtë. Ata mund të pranojnë që Ai është Biri i Perëndisë, por me këtë ata nënkuptojnë diçka më pak se barazi me Perëndinë Atë. Shpesh ata e mohojnë që Jezusi është Krishti, duke mësuar që Krishti është një ndikim hyjnor që erdhi mbi njeriun Jezus. Shpesh ato e mohojnë njerëzimin e vërtetë, pa mëkat të Shpëtimtarit.

Një fushë e tretë ku kultet mbeten të dënueshme është mbi atë çfarë ato mësojnë për rrugën e shpëtimit. Ato mohojnë se shpëtimi është me anë të hirit, nëpërmjet besimin vetëm në Zotin Jezus. Secili prej tyre mëson një ungjill tjetër, domethënë, shpëtim përmes veprave të mira ose karakterit të mirë.

Kur propagandues të këtyre kulteve vijnë në derën tonë, cila duhet të jetë përgjigjja jonë? Gjoni nuk ka lë aspak dyshim: «Mos e futni brenda në shtëpi; as mos e përshëndetni. Sepse të përshëndesësh një njeri të tillë do të thotë të marrësh pjesë në të keqen që ai po bën» (2 Gjonit 1:10, 11, Versioni Filips).

[previous][next]