14 gusht

[no_toc]

14 gusht


«Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar» (Psa. 51:17).

Nuk ka asgjë më të bukur në krijimin frymëror të Perëndisë, sesa një besimtar që demonstron një frymë të vërtetë të thyer. Madje edhe Vetë Perëndia e konsideron të papërballueshëm një njeri të tillë; Ai mund t’i kundërvihet [rezistojë] mendjemëdhenjve dhe kryelartëve (Jak. 4:6), por Ai nuk mund t’i rezistojë atij që ka një zemër të thyer dhe të përulur.

Në gjendjen tonë natyrale, asnjë prej nesh nuk ka një zemër të thyer. Ne jemi si një kërriç i egër – rebelë, kokëfortë, të rrëmbyer. Ne i kundërvihemi frerit, kapistrës dhe shalës së vullnetit të Perëndisë. Ne refuzojmë që të mbrehemi, duke kërkuar vetëm rrugën tonë. Për aq kohë që jemi të pathyer, ne nuk jemi të përshtatshëm për shërbesë.

Konvertimi është si fillimi i procesit të thyerjes. Mëkatari i penduar mund të thotë: «Zemra më krenare që ka rrahur ndonjëherë,/ është zbutur në mua;/ vullneti më i egër që është shfaqur ndonjëherë/ që ka tallur kauzën tënde dhe që ka ndihmuar armiqtë e tu/ është shuar, Perëndia im, nga Ti!» Në momentin e kthimit në besim ne marrim mbi vete zgjedhën e Krishtit.

Por është e mundshme që të jesh një besimtar dhe përsëri të sillesh shumë si një kërriç i pazbutur që dëshiron të bredh andej-këtej si i pëlqen. Ne duhet të mësojmë t’ia dorëzojmë frerët e jetës Zotit Jezus. Ne duhet t’i nënshtrohemi veprimeve të Tij në jetën tonë pa shkelmuar, goditur apo kërcyer. Ne duhet të jemi në gjendje të themi:

Rruga e Tij është më e mira
ne pushojmë nga intrigat e panevojshme
dhe ia lëmë Atij drejtimin e jetës sonë.

Ne duhet ta praktikojmë zemrën e thyer jo vetëm para Perëndisë, por edhe para miqve tanë. Kjo do të thotë që unë nuk do të jem krenar, shumë i sigurt në vetvete, arrogant. Ne nuk do të ndihemi të detyruar që të mbrojmë të drejtat tona ose të mbrojmë vetveten kur akuzohemi padrejtësisht. Kur fyhemi, përqeshemi, abuzohemi ose kur na përgojojnë, ne nuk do të kundërpërgjigjemi. Njerëzit e thyer janë të shpejtë që të kërkojnë falje kur kanë thënë apo bërë diçka të gabuar. Ata nuk mbajnë mëri apo të regjistrojnë gabimet që u janë bërë. Ata i shohin të tjerët si më të mirë se vetveten. Kur hasin vonesa, ndërprerje, avari, aksidente, ndryshime programi dhe zhgënjime, ata nuk reagojnë me furi, panik, histeri apo t’i dridhen qimet e kokës. Ata shfaqin vetëpërmbajtje dhe gjakftohtësi gjatë krizave të jetës.

Nëse një çift i martuar është vërtet i thyer, atyre nuk do t’u duhet kurrë që t’i drejtohen sallës së gjyqit. Prindërit dhe fëmijët e thyer nuk përjetojnë kurrë mospërputhje brezash. Komshinjtë e thyer nuk kanë pse të ngrenë kurrë gardhe. Kishat me njerëz që e kanë mësuar rrugën e një zemre të thyer përjetojnë rizgjim të vazhdueshëm.

Kur shkojmë në Darkën e Zotit dhe e dëgjojmë Shpëtimtarin duke thënë: «Ky është trupi im, që është thyer për ju», e vetmja përgjigje e duhur është: «Kjo është jeta ime, Zoti Jezus, e thyer për ty».

[previous][next]