14 qershor | çdo ditë me radhë
«Zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve» (Rom. 1:18).
Zemërimi i Perëndisë është zemërata e fortë dhe dënimi ndëshkues i Tij kundër mëkatarëve të papenduar në kohë dhe në përjetësi. A. W. Pinku (A. W. Pink) ka treguar se ai [zemërimi i Perëndisë] është një përsosuri hyjnore pa aq sa është edhe besnikëria, fuqia dhe mëshira e Tij. Ne nuk duhet që të kërkojmë ndjesë për këtë.
Duke menduar për zemërimin e Perëndisë, ka disa fakte që ne duhet t’i mbajmë mend.
Nuk ka asnjë konflikt midis dashurisë së Perëndisë dhe zemërimit të Tij. Dashuria e vërtetë e dënon mëkatin, rebelimin dhe mosbindjen.
Nëse njerëzit refuzojnë dashurinë e Perëndisë, çfarë ngelet veçse zemërimi i Tij? Ka vetëm dy vendbanime të përjetshme, qielli dhe ferri. Nëse njerëzit refuzojnë qiellin, ata zgjedhin në këtë mënyrë ferrin.
Perëndia nuk e krijoi ferrin për njerëzit, por për djallin dhe engjëjt e tij (Mt. 25:41). Zoti nuk kënaqet me vdekjen e të pabesit (Eze. 33:11). Por nuk ka asnjë alternativë tjetër për refuzuesin e Krishtit.
Gjykimi përshkruhet si vepra e pazakontë e Perëndisë (Isa. 28:21). Sugjerimi është që Ai parapëlqen të shfaq mëshirë (Jakobit 2:13b).
Nuk ka aspak hakmarrje keqdashëse ose zemërligësi në zemërimin e Perëndisë. Ai është zemërim i drejtë, pa asnjë njollë mëkati.
Zemërimi i Perëndisë është një atribut të cilin nuk jemi thirrur për ta imituar. Ai është veçanërisht i Tiji në kuptimin që vetëm Ai mund ta ushtrojë atë me drejtësi absolute. Kështu, Pali u shkruan romakëve: «Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: «Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar», thotë Zoti» (Rom. 12:19, NASB).
I krishteri është thirrur për të shfaqur zemërim të drejtë, por ai duhet të jetë i drejtë. Ai nuk duhet të vërshojë në zemëratë të mëkatshme (Efesianeve 4:26). Dhe ai duhet të ushtrohet vetëm kur rrezikohet nderi i Perëndisë, asnjëherë për vetëmbrojtje ose vetëshfajësim.
Nëse besojmë vërtet në zemërimin e Perëndisë, kjo duhet të na nxitë që të ndajmë Ungjillin me ata që janë ende në rrugën e gjerë që çon në shkatërrim. Dhe kur predikojmë zemërimin e Perëndisë, kjo duhet bërë me lot dhembshurie.