15 janar

15 janar | çdo ditë me radhë

«Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; por mos e përdorni këtë liri si një rast për mishin, por, me dashuri t’i shërbeni njëri-tjetrit» (Gal. 5:13).

Liria që ka fëmija i Perëndisë është një nga zotërimet tij tepër të çmuara. I çliruar nga Biri, ai është me të vërtetë i lirë. Por ai është thirrur drejt një lirie të përgjegjshme, jo drejt një leje [për të mëkatuar].

Fëmijët duan të jenë të lirë nga kufizimet e shtëpisë. Të rinjtë duan të jenë të lirë nga disiplina e studimit. Të rriturit duan të jenë të lirë nga premtimet martesore. Dhe të tjerët rebelohen kundër kufizimit nga punësimi i rregullt. Por këto nuk janë liritë te të cilat jemi thirrur.

Yjet nuk janë të lirë që të lënë orbitën e tyre dhe të bredhin në hapësirë. Treni nuk është i lirë që të lërë shinat dhe të gjarpërojë nëpër male. Avioni nuk është i lirë që të lërë kursin e caktuar; siguria e tij varet mbi zbatimin e rregullave nga piloti.

Xhoueti komenton: «Nuk ka një fushë ku të paligjshmit të jenë të lirë. Në çdo drejtim që të shkojmë ne duhet të pranojmë varësinë nëse duam të zbulojmë lirinë. Muzikanti duhet të respektojë ligjet e harmonisë nëse do që të ngazëllejë në botën e tij të dashur. Ndërtuesi duhet ta vendos veten në varësinë e ligjit të gravitetit, përndryshe nuk kemi një shtëpi që ngrihet, por një grumbull rrënojash. Çfarë lloj lirie gëzon ai që i kundërshton vazhdimisht ligjet e shëndetit? Në të gjitha këto fusha, t’i shkelësh ato do të thotë të gjymtohesh, respektimi i tyre do të thotë liri».

Është e vërtetë që besimtari është i lirë nga ligji (Rom. 7:3), por kjo nuk do të thotë që ai është pa ligj. Tani është i lidhur nga ligji i Krishti, i lidhur nga litarët e dashurisë dhe i angazhuar për t’iu bindur urdhërimeve të shumta që gjenden në Dhiatën e Re.

Besimtari është i lirë nga mëkati si padron (Rom. 6:7, 18, 22), por vetëm që të bëhet shërbëtor për Perëndinë dhe për drejtësinë.

Besimtari është i lirë nga të gjithë njerëzit (1 e Korintasve 9:19) për t’u bërë shërbëtor i të gjithëve, që të mund të fitojë sa më shumë njerëz.

Por ai nuk është i lirë që ta përdorë lirinë e tij si një pretekst për të mbuluar ligësinë (1 Pjetrit 2:16). Ai nuk është i lirë që t’i shkojë mishit pas qejfit (Gal. 5:13). Ai nuk është i lirë që të pengojë apo të ofendojë dikë tjetër (1 e Korintasve 8:9). Ai nuk është i lirë që t’i sjellë turp Emrit të Zotit Jezus (Rom. 2:23, 24). Ai nuk është i lirë që të dojë botën (1 Gjonit 2:15-17). Ai nuk është i lirë që të trishtojë Frymën e Shenjtë që banon brenda tij (1 e Korintasve 6:19).

Njeriu nuk gjen përmbushje apo çlodhje duke bërë sipas kokës së vet. Këtë ai e gjen vetëm duke marrë zgjedhën e Krishtit dhe duke mësuar prej Tij. «Shërbimi ndaj Tij është liri e përsosur».