15 maj

[no_toc]

15 maj | çdo ditë me radhë

«Dhe mos u ankoni, ashtu si u ankuan disa nga ata, dhe u vranë nga shkatërruesi» (1 e Korintasve 10:10).

Izraelitët ishin murmuritës kronik gjatë udhëtimit në shkretëtirë. Ata u ankuan për furnizimin me ujë. Ata u ankuan për furnizimin me ushqim. Ata u ankuan për udhëheqësit e tyre. Kur Perëndia u dha mana nga qielli, atyre shpejt iu mërzit ajo dhe shprehën dëshirën për preshtë, qepët dhe hudhrat e Egjiptit. Edhe pse nuk kishte ushqimore apo dyqan këpucësh në shkretëtirë, Perëndia siguroi një furnizim të vazhdueshëm artikujsh ushqimorë për dyzet vjet dhe këpucët nuk u vjetruan kurrë. Mirëpo në vend që të ishin mirënjohës për këtë kujdes të mrekullueshëm, izraelitët u ankuan pa pushim.

Kohët nuk kanë ndryshuar. Njerëzit sot ankohen për motin: është ose shumë vapë ose shumë ftohtë, shumë i lagësht ose shumë i thatë. Ata ankohen për ushqimin, si salcë e qullët ose tost i djegur. Ata ankohen për punën dhe rrogën, më pas për papunësinë kur nuk kanë asnjërën. Ata kërkojnë të gjejnë faj te qeveria dhe taksat e saj, kur në të njëjtën kohë kërkojnë përfitime dhe shërbime gjithnjë e në rritje. Ata nuk janë të gëzuar me njerëzit e tjerë, me makinën e tyre, me shërbimin në restorant. Ata ankohen për dhimbje dhe dhembje të lehta dhe do të donin të ishim më të gjatë, më të dobët, më të pashëm. Pavarësisht se sa i mirë ka qenë Perëndia me ta, ata thonë: «Çfarë ka bërë Ai për mua kohët e fundit?»

Duhet të jetë si një sprovë për Perëndinë që të ketë në duart e Tij njerëz si ne. Ai ka qenë aq i mirë me ne, duke na siguruar jo vetëm gjërat e nevojshme të jetës, por salltanete që vetë Biri i Tij nuk i gëzoi kur Ai ishte këtu në tokë. Ne kemi ushqim të mirë, ujë të pastër, shtëpi të rehatshme, rroba me shumicë. Ne shohim, dëgjojmë, kemi oreks, kujtesë dhe aq shumë mëshira të tjera që i konsiderojmë si tonat. Ai na ka mbrojtur, na ka udhëhequr dhe na ka mbajtur. Më e mirë nga të gjitha, Ai na ka dhënë jetë të përjetshme nëpërmjet besimit në Zotin Jezus Krisht. Dhe çfarë falënderimi merr Ai? Shumë shpesh Ai nuk dëgjon gjë, veçse një bisedë të gjatë ankesash.

Kisha një mik në Çikago vite më parë që jepte një përgjigje të mirë kur e pyesnin: «Si je?» Ai do të përgjigjej gjithmonë: «Do të ishte mëkat po të ankohesha». Unë shpesh mendoj për këtë kur tundohem që të murmurit. Është mëkat të ankohesh. Kundërhelmi për ankimin është falënderimi. Kur kujtojmë gjithçka që Zoti ka bërë për ne, ne kuptojmë që nuk kemi arsye për t’u ankuar.