15 prill

[no_toc]

15 prill | çdo ditë me radhë

«…me dashuri t’i shërbeni njëri-tjetrit» (Gal. 5:13).

Dikush ka thënë: «Vetvetja e sheh veten të madhe dhe shërbehet. Dashuria shërben dhe është e madhe».

Një këngëtar i njohur i muzikës «Gospel» (Ungjill) i dëshmoi një burri që ishe ulur ngjitur në një restorant dhe pati gëzimin për ta drejtuar atë te Krishti. Gjatë javëve në vijim, ai e dishepulloi këtë besimtar të ri. Pastaj Fredi, besimtari i ri, u godit me kancer të paoperueshëm dhe u çua në një spital […] ku, fatkeqësisht, kujdesi ishte jashtë standardit. Këngëtari i muzikës «Gospel», një personalitet në radio, e vizitoi besnikërisht, ndërronte çarçafët e krevatit, e lante dhe e ushqente «Timoteun» e tij dhe bëri shumë gjëra të tjera që duhet të bëheshin nga stafi. Natën kur Fredi vdiq, ky këngëtar i mirënjohur po e mbante atë në krahët e tij, duke i pëshpëritur në vesh vargje ngushëlluese nga Shkrimi. «…me dashuri t’i shërbeni njëri-tjetrit».

Një mësues i moshuar në një shkollë biblike shpesh e gjente banjën e djemve të përmbytur mbas nxitimit të mëngjesit. Me durim ai do të pastronte objektet, pastaj do të përkulej dhe do të fshinte dyshemenë. Jo i gjithë mësimi i tij më i mirë kryhej në klasë. Studentët përuleshin dhe frymëzoheshin nga shembulli i mësuesit të tyre të respektuar që pastronte mbas tyre. «…me dashuri t’i shërbeni njëri-tjetrit».

Në po këtë shkollë të Biblës, një anëtar i ekipit të basketbollit kishte zemrën e një shërbëtori të vërtetë. Mbas një loje, kur të gjithë lojtarët do të turreshin të parët drejt dusheve, ai do të qëndronte në palestër dhe do të sigurohej që ajo do të ishte e rregulluar për ditën tjetër. Ai «gjeti në egoizmin e të tjerëve një mundësi për ta identifikuar veten rishtas me Zotin si shërbëtori i të gjithëve». «…me dashuri t’i shërbeni njëri-tjetrit».

Një nënë e krishterë nga Turqia rurale u çua në Londër për të dhuruar një veshkë për djalin e saj të sëmurë. Ajo mendoi se dhënia e një veshke do t’i kushtonte jetën. Kur doktori anglez e pyeti nëse ishte e sigurt që ishte e gatshme për t’i dhënë një veshkë djalit të saj, ajo iu përgjigj: «Jam e gatshme t’i jap të dyja veshkat». «…me dashuri t’i shërbeni njëri-tjetrit».

Në një botë të mbizotëruar nga egoizmi (interesi për veten), udha e shërbimit altruist dhe sakrifikues nuk është e mbingarkuar. Mundësitë na e bëjnë me shenjë gjatë çdo dite për akte të reja shërbimi.

[previous][next]