16 nëntor
«…të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrembërojnë […] Shkrimet […] për përhumbjen e tyre» (2 Pjetrit 3:16b).
Dr. P. J. Van Gorder tregonte herë pas here për një shenjë mbi punishten e një marangozi që thoshte: «Këtu bëhen të gjitha llojet e shtrembërimeve dhe përdredhjeve». Por për këtë të aftë nuk janë vetëm marangozët; shumë të krishterë deklarues i shtrembërojnë dhe i deklarojnë Shkrimet kur u vjen për shtat. Disa, siç thotë vargu ynë, i shtrembërojnë Shkrimet deri në shkatërrimin e tyre.
Ne të gjithë jemi mjaft ekspertë për të nxjerrë arsye, d.m.th., për të justifikuar mosbindjen tonë mëkatare duke dhënë shpjegime të lavdërueshme ose duke u ngjitur motive të denja veprimeve tona. Ne përpiqemi shpesh që t’i kthejmë Shkrimet për t’iu përshtatur sjelljes sonë. Ne i caktojmë sjelljes apo qëndrimeve tona arsye të pavërteta dhe bindëse. Ja disa shembuj.
Një tregtar i krishterë e di se është e gabuar që ai të shkojë në gjyq kundër një vëllai tjetër besimtar (1 e Korintasve 6:1-8). Mirëpo kur sfidohet për këtë, ai thotë: «Po, por është e qartë se ai e kishte gabim dhe Zoti nuk do që ai të dalë pa u lagur».
Xheni po planifikon të martohet me Xhonin, edhe kur e di se ai nuk është një besimtar. Kur një shoqe e krishterë i kujton se ky veprim është i ndaluar nga 2 e Korintasve 6:14, ajo thotë: «Po, por Zoti më tha të martohem me të që të mund ta drejtoj te Krishti».
Gleni dhe Ruthi pohojnë se janë të krishterë, mirëpo ata po jetojnë bashkë pa qenë të martuar. Kur një mik i nxjerr në pah Glenit se kjo është kurvëri dhe se asnjë kurvar nuk do të trashëgojë mbretërinë e Perëndisë (1 e Korintasve 6:9, 10), Gleni i përgjigjet: «Kjo është çfarë ti thua. Ne jemi thellësisht të dashuruar me njëri-tjetrin dhe në sytë e Perëndisë jemi të martuar». Ja ku kemi një familje të krishterë që jeton në luks dhe plot shkëlqim, pavarësisht nga këshilla e Palit që duhet të jetojmë thjesht, duke qenë të kënaqur me ushqim dhe veshje (1 Tim. 6:8). Ata e justifikojnë jetesën e tyre me përgjigjen e përshtatur: «Nuk ka asgjë më tepër të mirë se duhet për njerëzit e Perëndisë».
Ose ja ku kemi një tregtar lakmitar, që me lakmi grumbullon tërë pasurinë që mundet. Filozofia e tij është: «Çështja nuk ka të bëjë fare me paratë. Ajo që është rrënja e gjithë të këqijave është lakmia për para». Kurrë nuk i ndodh atij që të jetë fajtor për lakminë për para.
Njerëzit përpiqen t’u ngjitin mëkateve të tyre një interpretim më të mirë, sesa e lejon Shkrimi. Dhe kur janë të vendosur për të mos iu bindur Fjalës, njëri justifikim është po aq i mirë (ose i keq) se tjetri.