16 qershor | çdo ditë me radhë
«Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë» (Psa. 115:3).
Perëndia është sovran. Kjo do të thotë që Ai është Sundimtari suprem i universit dhe që Ai mund të bëjë atë që i pëlqen. Por pasi kemi thënë këtë, ne duhet të shtojmë shpejt se ajo që i pëlqen Perëndisë është gjithnjë e drejtë. Rruga e Tij është e përsosur.
Isaia citon Zotin duke thënë: «Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen» (Isa. 46:10). Kur Nebukadnetsarit iu rikthye arsyetimi, ai tha: «Ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund t’ia ndalë dorën ose t’i thotë: “Çfarë po bën?» (Dan. 4:34). Apostulli Pal ngul këmbë që njeriu nuk ka asnjë të drejtë që të dyshojë veprimet e Perëndisë: «Po kush je ti, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t’i thotë ena mjeshtrit: «Përse më bërë kështu?» (Rom. 9:20). Dhe në një vend tjetër ai e përshkruan Perëndinë si Ai «që [i] vepron të gjitha sipas këshillës së vullnetit të tij» (Efesianeve 1:11).
Spërxhëni tha: «Ne shpallim një Perëndi të ulur mbi fron dhe të drejtën e Tij që të veprojë ashtu si dëshiron vullneti i Tij, që të veprojë me krijesat e Tij ashtu si Ai e mendon mirë, pa u konsultuar me ta për këtë çështje».
E thënë shumë thjesht, doktrina e sovranitetit të Perëndisë është në doktrinë që e lejon Perëndinë të jetë Perëndi.
Kjo është një e vërtetë që më mbush me nderim dhe frikë [respekt të thellë]. Unë nuk mund të kuptoj të gjitha degëzimet e saj, por unë mund të adhuroj dhe të admiroj.
Kjo është një e vërtetë që më shtyn t’ia nënshtroj veten Atij. Ai është Poçari; unë jam argjila. Ai ka të drejta mbi mua nga krijimi dhe shpengimi. Në asnjë rrethanë unë nuk duhet që t’i kthej fjalën ose të vë në dyshim vendimet e Tij.
Kjo është një e vërtetë plot ngushëllim. Duke qenë se Ai është Sundimtari suprem, unë e di se Ai është duke përmbushur qëllimet e Tij dhe se ato do të të arrijnë qëllimin e dëshiruar të tyre.
Edhe pse ka gjëra në jetë që nuk mund t’i kuptoj, unë mund të jem i sigurt që fijet e errëta janë po aq të nevojshme për gërshetimin e Tij po aq sa edhe fijet e arta dhe të argjendta.