16 shtator
«Ndëshko birin tënd sa ka shpresë, por mos u shty deri sa të shkaktosh vdekjen e tij» (Fjalet e Urta 19:18).
Jetojmë në një shoqëri liberale. Sidomos në fushën e edukimit të fëmijëve, njerëzit dëgjojnë më tepër këshillat e psikologëve dhe të sociologëve, sesa mësimet e Fjalës së Perëndisë. Shumë të rritur, të cilët janë rritur nga prindër që kanë patur guximin për disiplinë, vendosin që t’ju lejojnë fëmijëve të tyre liri dhe shprehje të lirë të mendimeve. Cilat janë rezultatet?
Këta fëmijë rriten duke patur një ndjenjë të thellë pasigurie. Ata janë njerëz që nuk përshtaten me shoqërinë. E gjejnë të vështirë të përballojnë problemet dhe shqetësimet dhe kështu që i drejtohen drogës dhe alkoolit si mjete për t’u lehtësuar. Pak vite disiplinimi do ta kishin bërë pjesën tjetër të jetës shumë herë më të lehtë për ta.
Nuk është për t’u çuditur që ata jetojnë jetë të padisiplinuara. Pamja e jashtme, lagjja ku jetojnë, zakonet vetjake, të gjitha këto zbulojnë mënyrën e pakujdesshme dhe të çrregullt të të menduarit të tyre.
Ata kënaqen me mediokritet dhe madje me më pak se kaq. Atyre iu mungon energjia që të shquhen në sporte, muzikë, art, biznes dhe në fusha të tjera të jetës.
Fëmijë të tillë marrin një qëndrim armiqësor ndaj prindërve. Prindërit e tyre menduan se do të fitonin dashurinë e pavdekshme të fëmijëve të tyre duke refuzuar ndëshkimin. Në vend të kësaj ata fituan urrejtjen e pasardhësve të tyre.
Rebelimi i tyre kundër autoritetit prindëror shtrihet edhe në fusha të tjera të jetës – në shkollë, në punë e ndaj qeverisë. Sikur prindërit e tyre të kishin thyer paksa vullnetin e fëmijëve të tyre herët në jetë, do t’ua kishin bërë më të lehtë fëmijëve të tyre që t’ju nënshtroheshin fushave të tjera të jetës.
Rebelimi shtrihet edhe ndaj standardeve morale të Fjalës së Perëndisë. Të rinjtë rebelë i përçmojnë urdhërimet hyjnore mbi pastërtinë dhe bien në një jetë të lëshuar dhe moskokëçarëse. Ata shfaqin një urrejtje të papërmbajtur ndaj gjithçkaje të mirë dhe një dashuri për çdo gjë kundër natyrës, për çdo gjë të pahijshme dhe të neveritshme.
Përfundimisht, ata prindër që nuk arrijnë të thyejnë vullnetin e një fëmije përmes disiplinës, ia bëjnë akoma më të vështirë fëmijës që ai të shpëtohet nga mëkatet. Kthimi në besim përfshin thyerjen e vullnetit, pasi ai është në rebelim kundër rregullit të Perëndisë. Kjo është arsyeja që Suzana Uesli tha: «Ai prind që mendon se si të mposhtë kokëfortësinë e fëmijës së tij, është duke punuar bashkë me Perëndinë drejt ripërtëritjes dhe shpëtimit të një shpirti. Ndërsa ai prind që i shkon pas qejfit është duke bërë punën e Djallit, e bën fenë jo praktike, shpëtimin e bën të paarritshëm dhe bën gjithçka që ka përbrenda për vetë mallkimin e fëmijës së tij, të shpirtit e të trupit, përgjithmonë».